Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Nënshtetësia jonë botërore

Nën ndikimin e virusit korona krijohet përshtypja sikur edhe globalizimi e kozmopolitizmi kanë hequr keq. Shumë shtete të botës ndërmorën masa të njëanshme në luftë kundër pandemisë, madje edhe shtete evropiane duke anashkaluar Bashkimin e tyre. U vendosën masa kufizuese në eksportet e mallrave mjekësore si dhe mallrave të tjera, trafiku ndërkombëtar u ndal, ndërkaq që solidariteti dhe bashkëpunimi tingëllonin si fraza shterpë derisa të gjithë “ grabisnin” teste, maska e respiratorë.

Shtetet nacionale u mbyllen brenda kufijve të vet bashkë me qytetarët, të cilët i vendosen brenda bedenave “ nacionale”. Njësia themelore nëpër top listat e trishta, statistika e grafikone për numrin e të infektuarve dhe të vdekurve gjithashtu ishin brenda shtetit-komb dhe jo p.sh. brenda rajoneve, qyteteve apo kulturave. Qytetarët e sëmurë të botës u shndërruan kështu në vetëm qytetarë të vendeve të tyre. Madje e gjithë kjo ndodhi edhe përkundër faktit të jashtëzakonshëm, por real, se koronavirusi nuk di gjë për shtetet dhe kufijtë.

Mendjet e errëta nacionaliste dhe konservatore në mbarë botën filluan ëndrrat e tyre profetike. Dukej se po kënaqeshin dhe lumturoheshin me prishjen e pretenduar të Bashkimit Evropian, rendit liberal, mondializmit dhe globalizmit gjithëpërfshirës duke menduar një ripërtërirje të një lloj sovraniteti dhe kombi-shtet në epokën pas pandemisë.

Për të tillët, askush nuk mund të jetë më të vërtetë kozmopolit dhe qytetarë i botës, sepse përballë sfidave të tilla madhore, njerëzit preferojnë të kthehen në kornizën e shtetit-komb, si dhe në ngrohtësinë e fshatit dhe famullisë së tyre. Ani pse falë globalizmit, ne prej kohës jemi qytetarë të botës, në atë mënyrë edhe sillemi, hamë, pimë dhe vishemi, veç duket akoma ende të tillët askush si ka njoftuar.

Atëherë a thua globalizmi dhe kozmopolitizmi janë në respirator apo frymëmarrje artificiale? Sigurisht që JO.

Vetëm kujtoni sa shumë empati kemi ndjerë ndaj mjekëve fytyrat e të cilëve ishin plotë shenja nga mbajtja e maskave ndërsa flinin nëpër ordinanca të tyre – qofshin ata nga Wuhani, Bergamo apo New Yorku – pak rëndësi kishte. Ose kujtoni, ndjenjën e tmerrit dhe të trishtimit që kemi ndjerë para pamjeve të arkivoleve të grumbulluara apo edhe emocionet e shkaktuara nga koncertet operistike nëpër tarraca apo kudo që janë organizuar. A thua a kishte edhe një njëri të vetëm që në ato momente mendoi: “ Meh, është vetëm një mjek kinez që po e lëshojnë këmbët nga lodhja, është vetëm një pensionist amerikan që po paketohet për krematorium, apo është vetë një këngëtar francez që po këndon një arie italiane në ballkon- çka po m`intereson!” Pa më thoni ju lutem, pse kjo nuk qëndron, kur kemi parasysh shtysën e tyre për bindje se duhet të kujdesemi vetëm për shtetin-kombin tonë, se duhet ta duam vetëm tanën së pari?!

Nuk është në pyetje asgjë naive. Të gjithë ne, qeniet njerëzore, jemi të bekuar me ndjenja universale të empatisë, dhembshurisë, mëshirës dhe bashkëndjenjës. Dhe janë pikërisht këto cilësi të cilat na mundësojnë dhe lejojnë zgjerimin e rrethit empatik ndaj njerëzve përtej familjes apo fisit tonë. Në mënyrë krejtësisht të natyrshme jemi të “ detyruar” në vazhdim të kozmopolitizmit dhe mbajtjes së nënshtetësisë botërore. Madje edhe në kuptimin praktik, gjatë gjithë kësaj kohe, e gjithë bota i dëgjonte rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetit, do të thotë rekomandimet e një organizate që definohet si organizatë globale, ndërkombëtare dhe kozmopolite.

Pavarësisht dallimeve të dukshme, masat e ndërmarra në gjithë botën, në realitet ishin tejet të ngjashme me njëra-tjetrën (po, po madje edhe ato në Suedi). Karatina, izolimi, pastrimi i duarve, ndalimi i tubimeve, shmangia e kontaktit fizik dhe gjithçka tjetër tashmë e njohur. Parimi ishte i njëjtë – virusi është i njëjtë kudo – dhe pjesa tjetër kishte të bënte vetëm me nuanca.

Po ashtu, bashkëpunimi global u reflektua edhe në rëndësinë e kursimit të ndihmës mjekësore, humanitare e financiare, e cila edhe ashtu ekzistonte, madje edhe në Kosovën tonë. Sot dihet, se në javët e para të pandemisë ne nuk kishim as teste e as pajisje të mjaftueshme. Shpejt reaguan shtetet tjera duke ofruar ndihmë. Madje edhe BE-ja e “urryer” e ngadalshme dhe nën ombrellën burokratike dhuroi urgjent miliona euro për Kosovën tonë. Pra, globalizmi, dhe jo nacionalizmi, shpëtuan sistemin tonë shëndetësorë nga kolapsi.

Fryma e bashkëpunimit global dhe kozmopolit nuk ishte askund më evidente sesa në shkencë. Ani pse shkencëtarët i përkisnin shteteve-kombeve të ndryshme, shkenca mbi virusin e ri korona ishte përpjekje kolektive, bashkëpunuese dhe globale. Në një vend të botës u selektua gjenomi i virusit, në tjetrin u zbulua struktura e shtyllave të tij, në të tretin u zbulua enzima, e cila depërton në qelizën njerëzore, në të pestin testimi i ilaçit etj., dhe të gjitha këto nën emërimin e ndërsjellë të hulumtimeve shkencore. Njohuritë përhapeshin nëpër botë pa fije egoizmi, dhe askush nuk pyeste se cilit fis etnik i përkiste ai shkencëtar, e vetmja gjë për të cilën interesoheshin të gjithë ishin provat dhe argumentet që ofronte ai. Asgjë e re. Të kujtojmë fjalët e të famshmit Thomas Payne të vitit 1778 “ Filozofi i një vendi nuk sheh armik në filozofinë e një vendi tjetër; ai zë vendin e tij në tempullin e shkencës dhe nuk pyet se kush është ulur pranë tij”.

E nesër? Pas pandemisë,  a thua po na pret një rend botëror i ri apo i vjetër? Një kthim në kornizat kuazi natyrore të ushqyera nga mendjet e ngushta, të shteteve – kombe apo shteteve sovrane? Pra, në tribalizëm populist në vend të kozmopolitizmit, autoritarizmit në vend të demokracisë, përbuzje ndaj ekspertëve në vend të besimit në njohuri shkencore, nostalgjinë për të kaluarën në vend të shpresës për të ardhmen? As që bëhet fjalë, bile.

Natyrisht se sfidat ekzistojnë, por ama të njëjtat forca shoqërore të cilat krijuan vlerat e kozmopolitizmit dhe globalizmit, siç janë – mobilizimi, lidhja, arsimi, tregtia, urbanizimi, demokracia dhe të drejtat e njeriut – nuk mund të zhduken vetvetiu. Madje u pa se ndodhi e kundërta, njerëzve të mbyllur në vendet e tyre u mungonte më tepër se çdo gjë tjetër, liria, lëvizja, jeta sociale, udhëtimet, mu ashtu siç thotë psikologu Stephen Pinker: “Rrënjët janë për pemë; njerëzit kanë këmbë”.

Të thuash se globalizmi dhe kozmopolitizmi kanë humbur simpatinë e tyre sepse shtetet-kombe mbyllen kufijtë e tyre gjatë pandemisë është njësoj si të thuash se për kafenetë kemi humbur simpatinë vetëm sepse i mbyllën dyert. Ose të themi se tërheqja fizike nuk është më interesante sepse po respektojmë distancën fizike. Pretendimi se vetëm shtetet-kombe mund të ruajnë qytetarët e tyre (nga koronavirusi) është një e pavërtetë dhe gënjeshtër dashakeqe.

Shumë qytetarë të botës, përfshirë edhe vendin tonë, në kohë rekorde krijuan mbrojtje përmes ndihmave dhe njohurive ndërkombëtare. Deri te informacioni ne vinim përmes rrjetit global të internetit e deri te respiratori përmes tregtisë globale dhe jo përmes ekonomisë së brendshme, zanateve rurale apo zejtarisë.

Në fund të fundit, përpjekjet kozmopolite dhe globale do të jenë ato që në plan afatgjatë do të na mbrojnë nga koronavirusi përmes zbulimit, testimit dhe shpërndarjes së vaksinave. Qendrat e inovacionit, dijes dhe kulturës njerëzore, gjithmonë kanë qenë dhe do të mbeten qytetet në udhëkryqet tregtare, kozmopolite dhe globale. Shovinizmat e nacionalizmat janë në të njëjtën anakron sikurse edhe para pandemisë.

Falënderimi u takon respiratorëve; kozmopolitizmi ende po merr frymë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.