Tashmë ka kaluar një muaj prej fillimit të grevës së organizuar nga Bashkësia e Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK). Ndonëse e shpallur si e përgjithshme, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) është shndërruar në protagonisten kryesore për shkak të ndikimit që ka në ngrirjen e procesit mësimor.
Janë hedhur akuza e kundërakuza ndërmjet akterëve të Qeverisë e krerëve të SBASHK-ut, që natyrisht se nuk kanë rezultuar në ndonjë zgjidhje. Kërkesa e SBASHK-ut për dialog me Qeverinë u pranua, por marrëveshje nuk pati.
Nga deklaratat e ndërsjella, çdo ditë e më shumë bëhet e qartë që një marrëveshje mes Qeverisë dhe SBASHK-ut për ta përfunduar grevën, sa është e domosdoshme, duket edhe e pamundshme. Është e domosdoshme sepse nga kjo më së shumti humbasin nxënësit, por duket e pamundshme sepse deri më tani më shumë kanë mbizotëruar akuzat sesa propozimet racionale për ta ndërprerë grevën. Por, meqë rruga më e shpejtë për ta zgjidhur këtë ngërç mbetet dakordimi mes palëve, si mund të dukej një marrëveshje që do ta përfundonte grevën?
Për shkak të mosbesimit të ndërsjellë, është e qartë që një marrëveshje e tillë do të duhej të ishte e shkruar dhe publike. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të mbaheshin përgjegjëse palët për respektimin dhe zbatimin e marrëveshjes në muajt në vazhdim.
Duke qenë se barra për mbarëvajtjen e procesit mësimor i takon Qeverisë, ajo do të mund të ofronte dy opsione për grevistët. Opsioni i parë do të mund të ishte që Qeveria të pajtohej me kërkesën për t’i ndarë nga 100 euro shtesë për të gjithë punëtorët në sektorin publik deri në momentin kur Ligji për Paga të miratohej në Kuvend. Kjo nuk do ta përfshinte periudhën 8-mujore (nëse ajo nuk ndryshohet) deri kur ligji hyn në fuqi. Kostoja financiare e këtij opsioni do të ishte rreth 8.3 milionë euro në muaj, për rreth 83 mijë punëtorë që marrin paga nga buxheti publik. Meqë Qeveria veçse ka planifikuar t’i ndajë nga 50 euro shtesë, atëherë do t’i duhej të planifikonte vetëm edhe rreth 4.15 milionë euro shtesë në muaj.
Opsioni i dytë do të mund të ishte zotimi i Qeverisë për ta kaluar dhe filluar implementimin e Ligjit për Paga brenda 6 muajsh. Ky opsion nuk do të përfshinte shtesën prej 100 euro, mirëpo, përveç afatit 6-mujor, do të përfshinte zotimin e Qeverisë që vlera monetare për koeficient të ishte së paku 120 euro.
Pse do të mund të ishte i pranueshëm ky opsion? Meqë vëmendja kryesore është tek arsimi, pa e analizuar më në thellësi Projektligjin për Paga, por vetëm duke e krahasuar rritjen nominale të pagave të mësimdhënësve bazuar në dy vlera monetare që kanë kuptim, duket se ky ofron më shumë se shtesa prej 100 euro.
Në tabelën më poshtë janë paraqitur dy skenarë të mundshëm të pagave të mësimdhënësve në formën bruto dhe neto (sipas skemës aktuale të tatimit në të ardhurat personale). Njëri skenar është llogaritur me vlerën 120 euro për koeficient (sa është tani) dhe tjetri 132 euro (meqë koeficienti më i vogël është paraparë të jetë 2 ndërsa paga minimale do të jetë 264 euro). Në të dy skenarët, për pothuajse të gjitha pozitat, rritja nominale e pagave del të jetë dukshëm më e madhe sesa kërkesa aktuale e sindikatës.
Meqë këto kompromise të Qeverisë do të nënkuptonin plotësim të kërkesës së Sindikatës për të ardhura më të larta për mësimdhënësit, sindikatat do të duhej gjithashtu të bënin dy kompromise të rëndësishme për Qeverinë. Fillimisht, ato do të duhej të pajtoheshin që të mos vinin me kërkesa shtesë financiare deri në një periudhë për të cilën do të dakordoheshin me Qeverinë. Kështu, Qeveria do të sigurohej se nuk do të kishte rrezik nga kushtëzime të natyrave të ngjashme në të ardhmen.
Pasi që tashmë janë humbur shumë orë mësimore, SBASHK-u do të duhej të pajtohej që të kompensoheshin të gjitha orët e mësimit që janë humbur gjatë grevës. Dhe, për këtë nuk do të duhej të kishte pagesë shtesë për mësimdhënësit.
Më pas, meqë cilësia në arsim nuk është çështje që i takon Sindikatës por Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), dhe drejtorive komunale të Arsimit, sindikatat do të duhej të pajtoheshin që të mos bënin asnjë lloj rezistence karshi vlerësimit të mësimdhënësve. Natyrisht se vlerësimi do të duhej të bëhej në aspektin pedagogjik dhe brenda fushës e nivelit që e mbulon mësimdhënësi. Për shembull, një mësimdhënës i gjeografisë për klasën e gjashtë nuk do të vlerësohej në biologji, por në përmbajtjen dhe nivelin e lëndës që e mbulon. Formën, mënyrën dhe përmbajtjen e vlerësimit natyrisht se do ta përcaktonin ekspertët që do t’i caktonte MASHTI, por e rëndësishme do të ishte garancia nga SBASHK-u se nuk do të bënin asnjë grevë apo bojkot sa i përket këtij procesi.
Përmes kësaj marrëveshjeje të (pa)mundshme do të fitonin të gjithë: nxënësit do ta fillonin mësimin, sindikatat do të siguronin të ardhura më të larta për mësimdhënësit dhe Qeveria do t’i kishte dyert e hapura për ta nisur reformën më të thellë në arsim – deri tani – në historinë e pasluftës.