Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Efektet e grevës në shëndetin mendor të nxënësve

Në dy vjetët e fundit ka pasur vështirësi të mëdha në mbarëvajtjen e rregullt të procesit mësimor në të gjithë botën, si pasojë e pandemisë COVID-19. Studimet kanë evidencuar efektin e thellë që mbyllja e shkollave kishte te nxënësit, në veçanti tek ata me të ardhura të ulëta financiare. Në Kosovë, mësimi është zhvilluar kryesisht përmes metodës se mësimit online. Por, në disa raste mësimi nuk është zhvilluar fare, si rezultat i mungesës së infrastrukturës së nevojshme teknologjike.

Mirëpo, problemet për nxënësit kosovarë duket se nuk kanë fund. Përveç problemeve me pandeminë, nxënësit po ballafaqohen edhe me grevën e organizuar nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), e cila ka hyrë në javën e dytë.

Mosvijueshmëria e rregullt e mësimit, qoftë për shkak të grevës apo për ndonjë arsye tjetër, ka efekte negative shumëdimensionale te nxënësit. Në shumicën e rasteve analizat fokusohen vetëm te humbjet në mësimnxënie që nxënësit pësojnë nga mosvijueshmëria e rregullt e mësimit, duke e shprehur këtë humbje në numrin e orëve. Natyrisht se ky aspekt ka shumë rëndësi, sepse në të shumtën e rasteve orët e humbura nuk mund të kompensohen me të njëjtën cilësi dhe përmbajtje.

Mirëpo, përveç këtij aspekti tejet të rëndësishëm, ndërprerja e procesit të rregullt mësimor ka ndikim domethënës në shëndetin mendor të nxënësve.

Studimet tregojnë se, në të shumtën e rasteve, mosvijueshmëria e rregullt e mësimit ka ndikim negativ domethënës te nxënësit në sferën emocionale, kognitive dhe atë të sjelljes. Ndjenja e pakënaqësisë është një prej efekteve të para psikologjike që haset te nxënësit. Po ashtu, demotivimi është një tjetër efekt psikologjik që shkaktohet si pasojë e ndërprerjes së mësimit, apo mosfillimit me kohë të vitit shkollor.

Prishja e një cikli të rregullt rutinor të realizuar çdo vit e çrregullon ritmin e punës për nxënësit, krijon një ndjenjë bjerrakohëse, gjë që ndikon në zvogëlimin e produktivitetit edhe në angazhime të tjera jashtëshkollore. Për këtë arsye, shumë shpesh ndodh që edhe pasi të rifillojë procesi mësimor, pas një ndërprerjeje mbi njëjavore, nxënësit shfaqin vështirësi të dukshme në aspektin e përqendrimit në orën mësimore. Kjo shkaktohet për shkak të ndërprerjes së rutinës dhe humbjes së ritmit të zakonshëm të vijimit të mësimit.

Efektet apo ndryshimet emocionale, si rezultat i ndërprerjes së procesit mësimor, mund të sjellin po ashtu edhe ndryshime në sjellje. Sipas studimeve, kur nxënësit ballafaqohen me situata të tilla, në të shumtën e rasteve kanë çrregullime me orarin e gjumit. Kjo manifestohet me prishjen e orarit të zakonshëm dhe tejzgjatjen e orëve të gjumit. Numri i orëve të leximit apo kryerjes së detyrave e obligimeve shkollore reduktohet maksimalisht. Kur ndërprerja e mësimit ndodh për shkak të grevave nga ana e sindikatave, si në rastin e Kosovës, zakonisht kjo situatë bashkëshoqërohet edhe me tension dhe debat të ndezur mbarëshoqëror, gjë që reflektohet edhe në familje, dhe ka efekt shpërqendrues te fëmijët.

Ka raste kur prindërit dëshirojnë të punojnë vetë me fëmijët e tyre me qëllim të kompensimit të kësaj kohe të humbur. Përkundër vullnetit dhe dëshirës, kjo metodë nuk është treguar shumë produktive. Një metodë e tillë, e quajtur ‘’homeschooling’’, e praktikuar kryesisht në ShBA, rezulton të ketë shumë disavantazhe dhe, si rrjedhojë, të mos i plotësojë nevojat e nxënësve.

Nëse mësimi tentohet të improvizohet në kushte shtëpiake, zakonisht fëmijët mund të ballafaqohen me mungesën e pajisjeve adekuate për mësim. Për më tepër, kontakti social me bashkëmoshatarët mungon. Edhe gjatë pandemisë është dëshmuar se raportet sociale janë jetike në efikasitetin e mësimnxënies. Gjithashtu, kushtet në shtëpi mund të jenë të papërshtatshme. E gjithë kjo situatë e komplikuar mund të krijojë një ndjenë të shtuar të vetmisë, shqetësimit, zemërimit dhe mërzitjes te nxënësit.

Ndjenjat e zemërimit dhe frustrimit janë të pashmangshme te të gjithë nxënësit, por janë më evidente tek adoleshentët. Duke kaluar nëpër një fazë delikate të jetës, që lidhet me orientimin dhe përcaktimin në zgjedhjen e profesionit, për këtë kategori është jetike që të ndjekë mësim të rregullt dhe cilësor. Mosvijueshmëria e mësimit për një periudhë të gjatë kohore mund të ketë pasoja serioze në karrierën e tyre në të ardhmen. Kjo situatë rëndohet edhe më shumë kur e marrim në konsideratë faktin se në dy vjetët e fundit, për shkak të pandemisë, mësimdhënia ka qenë jo e rregullt, e së këndejmi cilësia e mësimdhënies dhe mësimnxënies është dëmtuar dukshëm.

Megjithatë, jo rrallë dëgjojmë konstatime se orët e humbura do të kompensohen pas rikthimit të mësimit të rregullt, qoftë duke punuar me orar të zgjatur, apo edhe duke mbajtur mësim fundjavave. Është dëshmuar se kompensimi i mësimit të humbur është pothuajse i pamundur të bëhet për shkak të mbingarkesës te nxënësit, duke e rritur nivelin e presionit dhe stresit. Për me tepër, në rrethana të tilla, cilësia e mësimdhënies ulet dukshëm dhe kjo pastaj ka pasoja në performancën e përgjithshme mësimore të të gjithë nxënësve.

Duhet nënvizuar se, përpos nxënësve, edhe prindërit ndikohen dukshëm nga gjendja momentale e grevës. Një pjesë e prindërve, duke qenë se punojnë, e kanë shumë të vështirë të menaxhojnë mbarëvajtjen e punës në rastet kur fëmijët e tyre janë të detyruar që të mos shkojnë në shkollë. Si rrjedhojë, nuk janë vetëm fëmijët që dëmtohen nga e gjithë kjo situatë e krijuar, por edhe prindërit përballen me të gjitha këto sfida, duke e vështirësuar dukshëm funksionimin e tyre të përditshëm. Një situatë e tillë rrit presionin dhe stresin në familje, gjë që ndikon edhe te fëmijët. Pra, krijohet një situatë e papërshtatshme që mund të prodhojë stres ciklik.

Është obligim i gjithë shoqërisë që të bëjë maksimumin për të krijuar kushte adekuate për një arsim cilësor dhe të krahasueshëm me vendet e zhvilluara. Por, mbi të gjitha, është detyrë që të mos arrijmë deri aty ku mosvijimi i rregullt i procesit mësimor, përveç efekteve të tjera, të ketë pasoja edhe në shëndetin mendor të nxënësve.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.