Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Kurthi i Tukididit dhe marrëdhëniet ShBA-Kinë

Kuadri i marrëdhënieve Amerikë-Kinë do të jetë padyshim përcaktues i së ardhmes së rendit e paqes botërore. Viteve të fundit, rivaliteti ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës është intensifikuar dukshëm. Një mori tensionesh strategjike, përfshirë mosmarrëveshjet tregtare, e ardhmja e Tajvanit, vizionet e ndryshme për detin e Kinës Jugore e deri tek gara për inteligjencë artificiale do të jenë fushat në të cilat do të thellohet përplasja sino-amerikane. Sikurse shumë herë të tjera përgjatë dekadave, pyetja thelbësore, e shtruar jo rrallëherë edhe si frikë ekzistenciale, është nëse një përplasje e tillë është e paevitueshme?

Marrëdhënie të trazuara

50 vjet më parë, një udhëtim i fshehtë i Henry Kissinger në Pekin, atëbotë këshilltar i sigurisë kombëtare i Presidentit Richard Nixon, do ta fillonte përfshirjen e Kinës në rendin ndërkombëtar. Marrë parasysh marrëdhëniet e Luftës së Ftohtë, një hap i tillë kishte një rëndësi të madhe strategjike për SHBA-në në luftën e saj për të frenuar Bashkimin Sovjetik dhe për të përçarë nga brenda botën komuniste.

Përderisa po hartonin komunikatën e vizitës së fshehtë, Kissinger shpjegon në librin e tij “On China” se kryeministri kinez kishte deklaruar se “kjo do ta trondiste botën”. Në fakt, si ShBA-ja, ashtu edhe Kina, po bënin kapërcime të mëdha ideologjike. ShBA-ja po bashkëpunonte me një vend komunist që vazhdimisht shfrytëzonte retorike anti-imperialiste karshi Washingtonit, ndërsa Kina për herë të parë po hynte në një marrëdhënie ndërmjet të barabartëve. Deri më 1971, Kina nuk kishte marrëdhënie normale me botën – ndonëse e kolonializuar në shekullin XIX, ajo vazhdimisht i shihte vendet e tjera si të nënshtruara ndaj Mbretërisë së Mesit.

Që nga atëherë, historia e marrëdhënieve ndërmjet dy superfuqive është e mbushur plot më paqartësi, vizione të ndryshme për botën e pikëpamje strategjike të dallueshme. Me gjithë ulje-ngritjet në marrëdhëniet e ndërsjella, të dy vendet gjatë projektimit të interesave kombëtarë kanë përllogaritur edhe pritshmëritë e njëra-tjetrës. Gjersa gjatë Luftës së Ftohtë nuk kishte aleancë formale, pas rënies së Murit të Berlinit ShBA-ja dhe Kina zhvilluan marrëdhëniet bileterale nën idenë e bashkëjetesës paqësore. Për dallim nga vitet ‘90 dhe 2000, kur bashkëpunimi ishte kryesisht rreth liberalizimit ekonomik, tashmë marrëdhënia ndërmjet dy vendeve është rikthyer në rivalitet.

Në botëkuptimin e ShBA-së, Kina paraqet një sfidë të paprecedentë, e cila duhet të menaxhohet. Për Kinën, që vuan nga sindroma e rikthimit të ‘shekullit të poshtërimit’, ekziston frika se ShBA-ja po tenton ta frenojë ngritjen paqësore të Kinës. Analiza të shumta ofrojnë pikëpamje të ndryshme përfshirë ato më apokaliptiket që proklamojnë përplasje të paevitueshme ndërmjet dy fuqive bërthamore e deri te të tilla që shënjojnë fillesat e një Lufte të Re të Ftohtë.

Pengje të historisë?

Nuk ka dilemë se historia është një fushë e vërtetësisë dhe sfond vendimtar në studimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ‘Historia e Luftës së Peloponezit’ e Tukididit, e shkruar 2400 vjet më parë, ofron një burim të pashtershëm të interpretimeve për botën aktuale. I konsideruar si themeluesi i teorisë së realizmit në marrëdhëniet ndërkombëtare, Tukididi theksonte se frika e Spartës nga rritja e fuqisë së Athinës e bëri të paevitueshme luftën e Peloponezit. Pra, dallimet në shpërndarjen e fuqisë dhe perceptimet e ndryshme mbi njëra-tjetrën ishin shkaqet themelore të luftës ndërmjet qytet-shteteve greke.

Një interpretim i tillë i Tukididit ka fituar popullaritet të konsiderueshëm viteve të fundit falë një autori të rëndësishëm amerikan. Graham T. Allison, profesor i shkencës politike në Harvard, është njëri ndër mendjet e mëdha që ka shfrytëzuar këtë ide të Tukididit për të krijuar një kornizë teorike shpjeguese për rivalitetin ShBA-Kinë, që gjerësisht njihet si ‘kurthi i Tukididit’. Sipas Allisonit, kurdo që një fuqi në ngritje konfrontoi një fuqi sunduese të etabluar, rezultati shumicën e herëve ishte lufta. Në 500 vjetët e fundit – sqaronte tutje Allison – nga 16 rastet kur një gjë e tillë ndodhi, 12 nga to përfunduan në përplasje të dhunshme. Prandaj – shkruante Allison në librin e tij “Destined for War” – një Kinë me rritje të pandalshme është në rrugë për t’u përplasur me Amerikën. Dhe bazuar në trajektoren e tanishme, lufta ndërmjet ShBA-së dhe Kinës në dekadat e ardhshme – argumenton Allison – nuk është vetëm e mundshme, por ka më shumë gjasa të ndodhë.

50 vjet pas udhëtimit të fshehtë, e ardhmja e marrëdhënieve ShBA-Kinë duket e zymtë. Përderisa retorika anti-Kinë është zvogëluar paksa, Administrata Biden ka zgjeruar sanksionet ekonomike dhe ka paralajmëruar bojkotimin në nivel politik të Lojërave Olimpike që mbahen këtë vit në Kinë. Në anën tjetër, kinezët besojnë se politika e përmbajtjes së Kinës është derivat i ‘ankthit’ amerikan të rënies relative dhe si e tillë duhet të kundërshtohet. Edhe pse republikanët e demokratët në ShBA nuk pajtohen pothuajse për asgjë, të dy kampet politike theksojnë nevojën për të ‘maturuar’ dragoin kinez. E nomenklatura aktuale në Kinë, me një perceptim nacionalist e vetëbesim të shtuar, ka brendësuar një strategji për ngritjen e kapaciteteve ushtarake e zgjerimit të ndikimit gjeopolitik në rajone të caktuara.

Marrëdhëniet ndërmjet ShBA-së dhe Kinës në një masë janë peng i pikëpamjes së të dyja palëve për jashtëzakonshmërinë e tyre. Si ShBA-ja, njëjtë edhe Kina, vlerësojnë se janë trupëzim i një qytetërimi unik në histori dhe me ideale të rëndësisë universale. Ndërsa ShBA-ja është ‘qyteti i ndritur mbi kodër’ që ngërthen në vete vlera universalisht të aplikueshme, Kina e percepton veten si Mbretëria e Mesit, një trashëgimi mijëravjeçare perandorake. Përderisa ShBA-ja mendon se Kina ka një agjendë të fshehur për zhvendosjen e tyre jashtë Azisë dhe Kina shqetësohet për politikën e frenimit të Washingtonit, tensioni strategjik do të përshkallëzohet. Ky tension lehtësisht mund të kthehet në duel të drejtpërdrejtë atëherë kur mungon elasticiteti diplomatik apo kur marrëdhënia kthehet në një lojë me shumatore zero.

Por, kurthi i Tukididit nuk është profeci vetëpërmbushëse dhe natyrisht nuk mund të ketë zbatim mekanik të paraleleve historike. Kurthi i Tukididit mund të shmanget me ndërtimin e një sistemi gjithëpërfshirës të përbashkët sino-amerikan që synon zgjidhjen e sfidave me interes global. E gjinia njerëzore s’është se lëngon nga mungesa e problemeve globale.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.