Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

TikTok-u, platforma moderne e “vrasjes” së trurit

TikTok-u ka përjetuar një rritje të jashtëzakonshme të ndjekësve në botë, me numrin më të madh të përdoruesve si dhe intensitetit të përdorimit, duke u bërë atë një nga aplikacionet më të popullarizuara.

TikTok-u veçohet për sistemin e tij të avancuar të algoritmit, i cili përqendrohet tek angazhimi i përdoruesve, përmbajtja e ofruar dhe interaksionet. Kjo gjë e bën varësinë nga TikTok-u më të theksueshme në krahasim me platformat e tjera.

Platforma fokusohet në krijimin e videove të shkurtra, duke inkurajuar përdoruesit të qëndrojnë të fokusuar në një përmbajtje të caktuar për një kohë të shkurtër. Megjithëse në fillim u prezantuan edhe formate të videove më të gjata, shumë shpejt u vërejt se videot e shkurtra janë më atraktive për audiencën e TikTok-ut.

Kjo ka ngritur pyetje rreth efekteve të mundshme negative të kësaj mënyre të “konsumimit” të përmbajtjes, veçanërisht në aspektin psikologjik.

Koha e kaluar në aplikacion ka një ndikim të drejtpërdrejtë në funksionet njohëse të individit, duke përfshirë aftësinë për t’u përqendruar, si dhe ndikimin në rritjen e ankthit dhe depresionit. Studiuesit këtë fenomen e kanë quajtur si “Truri TikTok.”

Ndërsa studimet gjithëpërfshirëse dhe afatgjata mungojnë, për shkak se TikTok-u është një platformë relativisht e re dhe nevojitet kohë për të dalë studime të tilla, tani për tani ekzistojnë të dhëna të mjaftueshme që tregojnë për efektet e dëmshme, veçanërisht te fëmijët dhe adoleshentët, të cilët përbëjnë pjesën më të madhe të përdoruesve të TikTok-ut.

Ekspozimi i vazhdueshëm ndaj videove të shkurtra ul përqendrimin e përdoruesve. Kjo bëhet më problematike kur merret në konsideratë se përdoruesit e rregullt të TikTok-ut kalonin më shumë orë në të, krahasuar me platformat e tjera sociale.

Kujtesa afatshkurtër dhe aftësia për t’u përqendruar janë ndër më të prekurat nga përdorimi i TikTok-ut. Shumë përdorues të rregullt, sidomos adoleshentët, thonë se kanë vështirësi të fokusohen në aktivitete të tjera të rëndësishme jetësore, si të lexojnë një libër apo të përqendrohen në detyrat e shtëpisë. Po ashtu, rreth 50% të përdoruesve pranojnë se videot më të gjata i përjetojnë si shumë stresuese.

Një study në 100 shtete tregoi se mediat sociale janë një faktor kyç në rritjen e mosdëshirës për lexim. Rreth 90% të mësimdhënësve pjesëmarrës në studim kanë deklaruar që rrjetet sociale kanë një ndikim negativ në shprehitë e leximit të fëmijëve dhe 84% kanë deklaruar se mediat sociale ndikojnë negativisht në gatishmërinë e nxënësve për të lexuar vetëm për kënaqësi.

Përmbajtja e TikTok-ut krijon varësi, sepse është dizajnuar me qëllimin e tërheqjes së vazhdueshme të vëmendjes së përdoruesve. Praktika e transmetimit të pafund të videove vepron si një lloj përforcimi i rastësishëm psikologjik, duke shkaktuar një rritje të niveleve të dopaminës, hormonit të kënaqësisë.

Studimet tregojnë se varësia nga lojërat në internet dhe përdorimi i tepruar i telefonave inteligjentë mund të çojë në ndryshime strukturore në trurin e fëmijëve. Për shembull, atrofia në korteksin frontal është vërejtur te fëmijët nga 9-10 vjeç, që përdorin pajisje të mençura për më shumë se shtatë orë në ditë.

Për më tepër, koha mesatare e kaluar para ekranit është në rritje. Fëmijët nga 8-12 vjeç konsiderohet se kalojnë nga 4-6 orë në ditë para ekraneve të pajisjeve elektronike. Kurse, adoleshentët kalojnë mbi 8 orë në ditë. Këto shifra janë rritur në mënyrë progresive, sidomos nga fillimi i pandemisë.

Shkollat në nivel botëror kanë ngritur alarmin për një problem të tillë, duke ndërmarrë hapa dhe duke prezantuar strategji që ndihmojnë veçanërisht fëmijët në përdorimin e duhur dhe të sigurt të rrjeteve sociale dhe specifikisht në përmirësimin e shkathtësive të leximit, që janë prekur dukshëm nga koha e kaluar në internet.

Megjithatë, në Kosovë, deri më tani, nuk është adresuar një çështje e tillë në mënyrë institucionale, as nuk janë ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim.

Është jetike që të ketë fushata vetëdijesuese në nivel vendi, që të rrisin ndërgjegjësimin në mesin e prindërve për pasojat që ka përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale.

Gjithashtu, institucionet relevante duhet të prezantojnë strategji konkrete brenda shkollave, duke ndërtuar ekipe multidisiplinare që do të adresojnë dhe ndërhyjnë në mbrojtjen e fëmijëve nga pasojat e përdorimit të rrjeteve sociale.

Në këtë drejtim, roli i psikologëve shkollorë mund të jetë jetësor për të ndihmuar në rritjen e përqendrimit në mësim dhe përmirësimin e shprehive të leximit te fëmijët.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.