Teoritë e konspiracionit dhe lajmet e rreme shpërndaheshin më shpejt se vetë virusi. Ato nuk njihnin kufij, moshë, gjini apo edhe kombësi.
Që nga shfaqja për herë të parë e virusit Kovid-19 në Kinë, një ndër efektet e drejtpërdrejta ishte edhe shpërndarja masive dhe, në të shumtën e rasteve, e pakontrolluar e lajmeve të rreme. Duke marrë parasysh se në atë periudhë ky virus ishte i panjohur për të gjithë, një gjë e tillë krijonte mundësi të panumërta që rreth tij të ngriheshin teori dhe hipoteza të shumta lidhur me prejardhjen, “shpikjen” e qëllimshme laboratorike, shpërndarjen agresive e në distancë, efektet e drejtpërdrejta dhe pasojat afatgjata të infektimit.
Teoritë e konspiracionit dhe lajmet e rreme shpërndaheshin më shpejt se vetë virusi. Ato nuk njihnin kufij, moshë, gjini apo edhe kombësi. Për shkak te frikës, ankthit, pasigurisë apo edhe karantinimit, të gjithë ishim “konsumues” të rregullt të këtyre “lajmeve”. Por, ndonëse qëllimet e tyre ishin të ndryshme – duke filluar nga përhapja e dizinformatave, tek përhapja e panikut apo përfitimi financiar – duhet theksuar se efektet e lajmeve të rreme te njerëzit, sidomos ato të natyrës psikologjike, ishin (dhe në të shumtën e rasteve vazhdojnë të jenë) të mëdha. Duhet thënë se – ku më shumë e ku më pak – situatë e ngjashme mbizotëronte gati në të gjithë botën – pa përjashtuar këtu vendet e rajonit dhe Kosovën.
Që nga shfaqja e rastit të parë të infektimit në Kosovë, në mars të vitit 2020, ashtu si edhe në shumë vende të tjera të botës, mediat luajtën rol të rëndësishëm në ngritjen e vetëdijes së qytetarëve rreth pandemisë dhe shpjegimit të formave të ndryshme të mbrojtjes nga virusi. Por, në të njëjtën kohë, paralelisht me lajmet për virusin, në numër të konsiderueshëm filluan të shfaqeshin edhe lajmet e rremë dhe dizinformatat lidhur me virusin, gjë që kishte krijuar frikë, panikë, ankth dhe pasiguri sociale te njerëzit.
Rrjetet sociale si burim primar i informimit gjatë pandemisë
Mbështetur në të dhënat e institucioneve të specializuara, Kosova ka mesataren më të lartë në rajon sa i përket qasjes në internet. Madje, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), krahasuar me statistikat e ofruara nga Eurostat, rezulton se 93% e familjeve në Kosovë kanë qasje në internet, kurse kjo mesatare në vendet e Bashkimit Evropian (BE) është 89%. Kjo domosdo e rrit realisht mundësinë që pjesa më e madhe e kosovarëve të përdorin burimet elektronike, konkretisht rrjetet sociale, si burimin kryesor dhe më të frekuentueshëm nga ku marrin informacionet periodike për virusin dhe trendin e zhvillimit të pandemisë. Një supozim i tillë në fakt konfirmohet edhe nga studime empirike. Sipas një hulumtimi të publikuar në nëntor të vitit 2020 u konstatua se mbi 51% e qytetarëve në Kosovë deklaronin se burimi i tyre primar i informacionit gjatë pandemisë – dhe sidomos gjatë periudhës së karantinimit – kanë qenë rrjetet sociale. Mbi 33% prej tyre kanë shfrytëzuar televizionin si burim informacioni, kurse 14.1% portalet e ndryshme.
Në anën tjetër, tashmë dihet botërisht se mjeti kryesor i shpërndarjes së lajmeve të rreme, publikimit të lajmeve të pasakta dhe dizinformatave janë rrjetet sociale. Pra, kur numri i madh i njerëzve me qasje në internet kombinohet me përdorimin masiv të rrjeteve sociale dhe, në të njëjtën kohë, gërshetohet me një situatë pandemike përplot paqartësi e pasiguri, kjo përbën terrenin ideal dhe shumë “pjellor” për “shpikjen” dhe shpërndarjen masive të lajmeve të rreme dhe dizinformatave.
Institucionet profesionale që janë marrë me monitorimin e situatës kanë konstatuar se, që nga identifikimi i rastit të parë zyrtar me Kovid-19 në Kosovë, numri i portaleve apo rrjeteve sociale që synonin që në formë të papërgjegjshme të shfrytëzonin krizën shëndetësore, u rrit dukshëm. Gjegjësisht, sipas Rrjetit Digjital të Komunikimit, gjatë periudhës së pandemisë (sidomos në gjashtëmujorin e parë) është identifikuar një trend në rritje i themelimit të dhjetëra faqeve të internetit, duke u prezantuar në të shumtën e rasteve si portale lajmesh.
Gjithashtu, ky institucion thekson se ka pasur një mori faqesh që janë krijuar në platformat e rrjeteve sociale (Facebook dhe Twitter etj.), ku këto të fundit pastaj u bënë burime të keqinformimit dhe dizinformimit, duke përdorur tituj të bujshëm e bombastik, informacione dhe tekste të paverifikuara, pa mbështetje në fakte, referenca të besueshme apo burime të verifikueshme. Rrjedhimisht, duket se Kosova nuk ka qenë aspak imune ndaj histerive të dizinformimit që kanë pllakosur pjesën tjetër të rajonit (dhe botës). Kështu, Zëri, portal nga Kosova publikoi një histori mashtruese mbi një kompani farmaceutike, bashkëthemelues i të cilës është një kosovar, se gjoja kishte zhvilluar një trajtim premtues për Kovid-19.
Në anën tjetër, një faqe tjetër e internetit, Kult Plus, projektoi dhe nxiti një rol negativ të Bill Gates në kohën e pandemisë. Burime të tilla si rastet e sipërpërmendur janë shfrytëzuar për t’u shpërndarë dizinformata të ndryshme në lidhje me përhapjen/mospërhapjen e virusit, “rrezikun” nga marrja e vaksinës, apo mosekzistimin fare të virusit etj. I gjithë ky lloj keqinformimi dhe dizinformimi nga burime jo të besueshme ka pasur si synim audiencën kosovare e cila në shumë raste ka rënë viktimë e këtyre taktikave dhe, me ose pa qëllim, ka shërbyer edhe vetë si një “mjet interlokutor” për multiplikimin e këtij lloji lajmesh në mediat sociale.
Burimi: sq.globalvoices.org
Mohimi i virusit si “mekanizëm mbrojtës”
Një tjetër fenomen shqetësues i cili është identifikuar në vende të tjera, por edhe në Kosovë ka qenë mungesa e besimit në ekzistencën e vetë virusit. Pra, mohimi i kërcënimit potencial ka shërbyer si “mekanizëm mbrojtës” për t’iu shmangur virusit! Informatat e shpërndara, përfshi këtu edhe lajmet e rreme në lidhje me virusin, padyshim që kanë ndihmuar krijimin e një opinioni dhe qëndrimi të tillë. Sipas një hulumtimi të realizuar në korrik të vitit 2020, 29% e kosovarëve pohuan se nuk besojnë se ekziston fare virusi Kovid-19, kurse 61.5% konsideronin se çështja e virusit po mbivlerësohet së tepërmi pasi konsiderojnë se virusi është shumë më pak i rrezikshëm se sa portretizohet nëpër media.
Për dallim nga ky grup, një pjesë e pjesëmarrësve në hulumtim janë shprehur se besojnë në ekzistencën e këtij virusi, mirëpo dyshojnë në numrin e rasteve të të infektuarve – pra, nuk u besojnë shifrave zyrtare të raportuara nga institucionet e specializuara. Më saktësisht, 43.8% e respondentëve konsideronin se numri i të infektuarve që raportohet në Kosovë është më i madh. Ndërsa, 31.9% e tyre besojnë se ky numër është më i vogël se që është realisht. Kurse, vetëm 24.2% ishin të mendimit se numri i rasteve të raportuara nga institucionet relevante është real.
Efektet negative psikologjike të lajmeve të rreme dhe dizinformatave
Dihet se lajmet e rreme dhe dizinformatat mund te kenë qëllime të ndryshme siç janë: tërheqja e sa më shumë lexuesve dhe vizitorëve në faqet e internetit ku publikohen, përvetësimi i përfitimeve financiare nga persona të caktuar, apo edhe për përmbushjen e nevojave të caktuara sociale për njerëzit apo grupet e ndryshme shoqërore. Por, në shumicën e rasteve anashkalohet fakti i efekteve negative psikologjike që këto “lajme” kane te lexuesit, e që mund të manifestohen në shumë trajta si: rritja e nivelit të ankthit, frikës apo edhe pasigurisë te qytetarët. Në fakt, efektet e keqinformimit në shëndet janë studiuar gjerësisht në fushën e psikologjisë kognitive dhe komunikimit shëndetësor. Psikologët social kanë arritur që të ndërtojnë një lidhje kauzale mes niveleve të larta të ankthit dhe shpërndarjes së lajmeve të rreme. Studiues të ndryshëm kanë kryer hulumtime të tjera relevante lidhur me relacionin që kanë format e ndryshme të katastrofave/fatkeqësive që mund t’u ndodhin njerëzve (qofshin ato të krijuara nga njerëzit apo të shkaktuara nga natyra) dhe krijimit të thashethemeve, spekulimeve apo edhe lajmeve të rreme. Kjo vjen nga fakti se në periudha kur mbizotëron një çështje apo një fenomen i panjohur më parë, ka shumë të ngjarë që njerëzit të mbështeten në thashetheme, spekulime dhe paragjykime si formë interpretimi apo shpjegimi të kësaj të panjohure.
Aktualisht nuk ekzistojnë publikime të mjaftueshme me relevancë shkencore në rastin e Kosovës që do të mund të hidhnin dritë shumëdimensionale mbi lidhjen e mundshme shkakësore në mes të ekspozimit ndaj lajmeve të rreme dhe dizinformatave lidhur me pandeminë dhe rritjes së mundshme të nivelit të stresit, apo gjendjeve të tjera psikologjike. Megjithatë, sipas një hulumtimi empirik të realizuar nga dy sociologë është evidentuar se tek 60.9% e qytetarëve pjesëmarrës në këtë studim, pandemia ka shkaktuar frikë, panik (45.7%), ankth (34.8%) dhe pasiguri sociale te 76.3% e pjesëmarrësve. Kjo pasiguri, ky panik apo edhe frikë është manifestuar ndryshe në vende të ndryshme.
Për shembull, në SHBA, njerëzit nga pasiguria, në mënyrë të pashpjegueshme shpejtonin të blinin sasi të mëdha letrash higjienike. Kurse në Kosovë – sidomos në muajin e parë të pandemisë – u krijua përshtypja se njerëzit do të mbeten pa sasi të mjaftueshme të ushqimeve elementare dhe në panik e sipër blinin rezerva të mëdha mielli, vaji, sheqeri dhe produkte të tjera elementare. Nuk do mend se element i rëndësishëm në përhapjen e këtij paniku gjithëpopullor kanë qenë edhe lajmet e rreme, lajmet e ndërtuara mbi gjysmë të vërteta dhe dizinformata që shpërndaheshin prore nga rrjetet sociale, por viktima të tyre jo rrallë ishin edhe mediat konvencionale me përvojë dhe staf të konsoliduar.
Derisa informatat, thashethemet dhe frika përzihen dhe shpërndahen, bëhet e vështirë të mësosh informacion e duhur dhe thelbësor rreth një çështje. Kur marrim në konsideratë përdorimin masiv të mediave sociale në nivel vendi dhe nivel global, situata të tilla bëhen shumë të rrezikshme dhe potencialisht shumë të dëmshme për të gjithë “konsumuesit” e këtyre informacioneve të shumta dhe, çfarë është më e rrezikshme, të përziera me të pavërteta dhe me “lajme të rreme” njerëzit mbingarkohen me më shumë informacion sesa mund në të vërtetë t’i “procesojnë”. Sipas një studimi të realizuar në Universitetin e Kalifornisë në SHBA, pas ekspozimit ditor ndaj lajmeve lidhur me Kovid-19, njerëzit kanë shumë të ngjarë të shfaqnin “stres akut” dhe “simptoma depresive”.
Gjithashtu, konkludon ky studim, ekspozimi afatgjatë ndaj lajmeve lidhur me pandeminë dhe informacioneve kundërthënëse i kombinuar me “stresorë sekondarë” si humbja e punës, ulja e pagës apo mungesa e gjërave elementare dhe të nevojshme për jetë normale, janë elemente dhe faktorë bazë në zhvillimin e simptomave të problemeve me shëndetin mendor.
Praktikisht, pjesa më e madhe e këtyre informacioneve – veçanërisht ato në internet, duke mos përjashtuar disa portale – përfshijnë thashetheme shqetësuese, teori konspirative dhe deklarata të pabazuara që ngatërrojnë, mashtrojnë dhe frikësojnë qytetarët duke ngjallë ankth, panik, stres, huti, apo edhe mungesë përqendrimi për t’u përballur me problemet e përditshme. Andaj, në raste të pandemive globale, si kjo me të cilën po përballemi aktualisht, është shumë i rëndësishëm komunikimi i duhur nga ana e mediave dhe transmetimi adekuat i të dhënave mbi numrin e të infektuarve, vdekjeve dhe përshkrimin e ngjarjeve në mënyrë korrekte duke respektuar në përpikëri kodet etike dhe parimet profesionale.
Qytetarët, në anën tjetër, duhet të jenë të kujdesshëm kur lexojnë media të ndryshme dhe, në të njëjtën kohë, duhet të zhvillojnë shkathtësi të nevojshme për identifikimin e lajmeve potencialisht të rreme dhe dizinformatave. Gjithashtu, konsideroj se institucionet publike, sidomos ato arsimore, duhet të angazhohen në organizimin e ligjëratave të specializuara për rëndësinë e edukimit mediatik, sidomos te të rinjtë dhe adoleshentët.
E gjitha kjo duhet bërë me qëllim që të “imunizojmë” veten nga lajmet e rreme që sot janë pjesë integrale dhe e pashmangshme e jetës sonë, sepse projektimi i frikës, pasigurisë dhe panikut ka pasoja direkte dhe afatgjatë në shëndetit mendor të të gjithë neve.
Ky blog është publikuar në kuadër të iniciativës „Tales from the Region”“ që e zbaton Res publica në bashkëpunim me Sbunker (Kosovë), Analiziraj.ba (BH), Ne davimo Beograd (Serbi), Makropolis (Greqi) PCNEN), (Mali i Zi) dhe Lupiga (Kroaci).