Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ritëm tmerrësisht i ngadaltë i vaksinimit në Kroaci

Nepotizmi, strategjia dhe komunikimi i dobët me publikun shënuan muajt e parë të vaksinimit dhe ndikuan në faktin që Kroacia aktualisht të gjendet në fund të shkallës së BE-së për sa i përket përqindjes së popullsisë së vaksinuar. Ndërsa është duke u tërbuar vala e tretë e pandemisë, qytetarët janë të irrituar kur shohin në disa qytete njerëz të shëndetshëm të moshës së mesme tashmë të vaksinuar, kurSe diku tjetër ata mbi 70 vjeç janë ende në pritje të telefonatës për vaksinim.

Kur mbërriti përfundimisht në Kroaci dërgesa e parë e vaksinës kundër KOVID-19 në orët e para të mëngjesit të 26 dhjetorit të vitit të kaluar, skena ishte pak antiklimatike – drejtori i Institutit Kroat të Shëndetit Publik (HZJZ) Krunoslav Capak mirëpriti solemnisht një kuti të vogël kartoni, të mjaftueshme për 9.750 doza modeste të vaksinave Pfizer/BioNTech Comirnaty. Sidoqoftë, shumë njerëz në këtë panë shpresën e parë serioze që fillimi i fundit të një makthi pandemik të quajtur SARS-CoV-2 ishte më në fund këtu.

Tre muaj e gjysmë më vonë, numri i njerëzve të infektuar në Kroaci rishtas po rritet përsëri shpejt, pothuajse dy mijë pacientë me COVID-19 janë të shtruar në spitale, nga të cilët 170 janë në një aparat respirator, kurse çdo ditë përsëri vdesin deri në 30 njerëz për shkak të formave të rënda të sëmundjes. Vala e tretë, me sa duket, është në pikun e plotë. Tre muaj pas dërgesës së parë premtuese herët në mëngjes, sipas Qendrës Evropiane për Monitorimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, Kroacia ka vaksinuar 12.6 përqind të popullsisë me nga një dozë dhe vetëm 2.9 përqind me dy, deri të enjten e datës 8 prill.

Statistikat gjithashtu thonë se në Kroaci deri në atë çast kishin mbërritur 710.970 doza, kurse ishin administruar 525.328 sosh. Shpejtësia me të cilën po bëhet vaksinimi, afërsisht e barabartë me shpejtësinë e trenave kroatë krahasuar me standardet botërore, tani na bën me dije se makthi pandemik është larg përfundimit të tij.

Në fund të renditjes në BE sa i përket ritmit të vaksinimit

Për shembull, deri më 23 mars, personat mbi moshën 60 vjeç, respektivisht ata që i përkasin grupmoshës me rrezik, në fazën e dytë aktuale të vaksinimit kanë marrë 280.186 doza. Për ta vënë këtë shifër në kontekst, duhet thënë se në Kroaci, sipas planit të vaksinimit të qeverisë të botuar në muajin dhjetor, ka më shumë se 760.000 njerëz mbi moshën 65 vjeç që nuk u përfshinë në fazën e parë – në atë kur u vaksinuan pleqtë në shtëpitë e përkujdesjes dhe personat me shëndet të dobët. Për më tepër, sipas të dhënave, mbi gjysmë milioni kroatë janë të moshës mbi 70 vjeç. Kështu, përafërsisht mund të konkludojmë se faza e dytë e vaksinimit me fillimin e pranverës dhe valës së tretë të pandemisë nuk kishte arritur ende në “gjysmë të rrugës”. Vaksinimi është përshpejtuar disi gjatë dy javëve të fundit, por faza e dytë ende duket të jetë larg përfundimit të saj.

Nëse pyesni Institutin Kroat të Shëndetit Publik, ata do të përgjigjen, siç u përgjigjën edhe për qëllimet e këtij artikulli, se arsyet për një vaksinim kaq të ngadaltë janë “shpërndarja dukshëm më pak e vaksinave sesa ishte premtuar” sepse “të gjithë prodhuesit dështuan me sasitë që duhej të dërgonin”. Kjo është, siç dihet, një e vërtetë e dhimbshme – kompanitë farmaceutike, veçanërisht AstraZeneca, nga të cilat vaksina Kroacia ka porositur më së shumti, janë në mënyrë drastike vonë me dërgesat në Bashkimin Evropian. Dhe Kroacia, si të gjithë vendet e tjera anëtare përveç Hungarisë, ka rënë dakord që BE-ja të negociojë në emër të saj, duke nënkuptuar një shpërndarje të barabartë të vaksinave. Megjithatë, kjo nuk mund të shpjegojë deri në fund pse shumica e vendeve të tjera të BE – më saktësisht të gjitha përveç Letonisë, Bullgarisë dhe Finlandës, kanë një mesatare më të lartë të popullsisë së vaksinuar. Për shembull, Sllovenia fqinje vaksinoi 6.9 përqind të popullsisë me dy doza, dhe shumica e vendeve të tjera të BE-së gjithashtu kanë të paktën përqindje dyshifrore të popullsisë plotësisht të vaksinuar krahasuar me Kroacinë. Në Bashkimin Evropian, përqindjet më të larta të vaksinimit janë në Maltë (12.7%) dhe Hungari (11.3%), e cila është e vetmja që porositi vaksina e pavarur nga BE-ja, por edhe vende të tilla si Spanja, Portugalia ose Greqia kanë vaksinuar më shumë se 7% e popullsisë me të dyja dozat.

Një raport i tillë i fuqisë ka shumë të ngjarë të jetë ndikuar nga vendimi i vitit të kaluar të qeverisë kroate për të porositur më shumë doza, pikërisht AstraZeneca. Kjo vaksinë iu dha një avantazh sepse, siç u tha nga HZJZ, “AstraZeneca ishte e para që filloi kontraktimin me Komisionin Evropian dhe gjatë verës së vitit 2020 ishte kandidati më premtues për të aprovimuar përdorimin në BE”. Por gjatë gjithë vitit, Moderna dhe BioNtech/Pfizer udhëheqën garën e vaksinave, duke filluar me fazën e parë të provave klinike përkatësisht në muajt mars dhe prill. Në fund të gushtit, kur AstraZeneca ndërpreu testimin për një kohë të shkurtër, për shumë njerëz ishte e qartë se vaksinat mRNA do të ishin të parat që do të dilnin në treg.

Është e vështirë të thuash nëse porosia e madhe e dozave nga AstraZeneca, kompania që është më e vonuara në shpërndarjen e sasive të premtuara, ishte përfundimisht i vetmi faktor që ndikoi që Kroacia të merrte më pak vaksina sesa shumica e vendeve të tjera anëtare në proporcion me numrin e popullsisë. Por kjo tregon për një “rishikim të dobët të lojës” kur merren vendime afatgjata në lidhje me strategjitë e vaksinimit. Kryeministri Andrej Plenkoviç njoftoi vetëm në fillim të muajit prill se pas vendimit të Këshillit Evropian mbi shpërndarjen e barabartë, Kroacia do të merrte 747.000 doza shtesë të vaksinës Pfizer, e cila do të kompensonte vonesën e vaksinave AstraZeneca.

Një paradë e nepotizmit pandemik

Por edhe kur ia atribuojmë statistikat pesimiste të vaksinave ndikimit politik potencialisht më të dobët të Kroacisë së vogël në dinamikën komplekse të shpërndarjes gjoja të barabartë të vaksinave brenda BE-së, është vështirë të thuhet se Kroacia po përballet mirë me detyrën shëndetësore-publike të vaksinimit.

Të kujtojmë se ka kaluar një vit qëkur Kroacia, si shumë vende të tjera, hyri në mbylljen (lockdown) e parë. Shpejt u bë e qartë se nuk do të shpëtonim nga pandemia kaq lehtë. Gjithashtu u bë e qartë relativisht shpejt se vaksinat e para do të ishin në dispozicion në fillim të vitit 2021. Prandaj, përreth tetë muaj, qeveria aktuale e Republikës së Kroacisë duhej të përgatiste një nga detyrat më të rëndësishme në mandatin e saj – strategjinë e vaksinimit efektiv kundër murtajës më të madhe shëndetësore që nga fillimi i mijëvjeçarit të ri. Për një shtet, shëndeti publik i të cilit mbështetet në themelet e gjeniut Andrija Shtampar (Andrija Štampar) (1888-1958), kjo detyrë duhet të ishte pothuajse një rutinë. Sidoqoftë, megjithë kohën më të mjaftueshme për t’u përgatitur, tre muajt e parë pandemikë të këtij viti u shënuan nga vaksinimi i ngathët, vaksinimet e shpeshta “përtej radhës” dhe komunikimi i dobët i informacionit mbi vaksinat dhe vaksinimit me publikun.

Za obedinuvanjeto okolu nasata zaednicka istorija car Samoil erga omnes

Burimi: lider.media

Kështu, për shembull, faza e parë e vaksinimit të punonjësve shëndetësorë dhe përdoruesve të shtëpive të pleqve nuk ka mbaruar akoma, kurse media tashmë ka filluar të zbulojë shembuj tepër të paturpshëm të vaksinimeve nga radhët e politikanëve të ndryshëm, njerëzve të fuqishëm, madje edhe zyrtarëve publikë. Ndërsa kanadezët ishin tmerruar nga shembulli i një burri të pasur i cili vaksinoi veten dhe gruan e tij në mashtrim, i cili përfundoi me akuza penale dhe poshtërim publik, në Kroaci po ndodh pa u ndëshkuar një spektakël i vërtetë i nepotizmit pandemik, nga i cili të paturpshme ishin vetëm arsyetimet e çuditshme.

Media së pari zbuloi se në fund të janarit ishte vaksinuar rektori i Universitetit të Zagrebit, Damir Boras, i cili, thënë shkurt, tashmë ishte shëruar nga KOVID-19. Sipas arsyetimeve, rektori ishte ndalur rastësisht pranë ordinancës dentare të gruas së tij në momentin kur po vaksinohej personeli, dhe rastësisht në atë kohë kishin mbetur dy doza të papërdorura. Këto vaksina iu dhanë bashkëshortëve aktualisht të pranishëm Boras, “për të mos i hedhur“, shpjegoi kreu i klinikës dentare për dnevnik.hr. Ai pranoi, megjithatë, se rektori më parë “kishte kërkuar për mundësinë e vaksinimit në institucionin e tyre”.

Tani fjalia “për të mos i hedhur” është bërë një mantrë në raste të tjera të zyrtarëve dhe njerëzve të fuqishëm të cilët media kishte zbuluar se ata ishin vaksinuar përtej radhës, të tillë si kreu i Dhomës Kroate të Tregtisë Luka Burilović dhe nënkryetari i Federatës Kroate të Hendbollit Zoran Gobac. Drejtoresha e Klinikës për Sëmundje Infektive “Dr. Fran Mihaljević” dhe anëtare e Shtabit të Krizave Alemka Markotić pranoi se ajo kishte vaksinuar nënën e saj në klinikë. Drejtori i spitalit të Dubrovnikut, Marijo Bekić, vaksinoi anëtarët e familjes së tij. Duke mos respektuar radhën ishte vaksinuar edhe ish-zëvendës kryeministri Slavko Liniç.

Nga të gjithë shkelësit publikisht të përmendur të dispozitave të vaksinimit, askush nuk ka mbajtur përgjegjësi. Prandaj nuk është për t’u habitur që shumë kroatë sot njohin shembuj të njerëzve të cilët janë vaksinuar gjatë dimrit edhe pse nuk janë në grupe rreziku. Sidoqoftë, në një vend ku pothuajse çdo i pesti banor “tërheq një lidhje” në institucionet shëndetësore, kurse fjalia “thirre atë njeriun” është pothuajse një modus operandi normal që shpesh shpëton jetët, prandaj veçanërisht nga ky nepotizëm pandemik nuk habitet më askush.

Strategji e dobët e shpërndarjes së vaksinave

Një burim shumë më i madh frustrimi për qytetarët, por edhe për mjekët e familjes, është strategjia e dobët e shpërndarjes së dozave të vaksinave nëpër shtëpitë e shëndetit. Në planin e vaksinimit të qeverisë nga dhjetori i vitit të kaluar thuhet, ndër të tjera, se “çdo zyrë e qarkut do të marrë një sasi proporcionale me madhësinë e popullsisë që mbulon, dhe sipas të njëjtit parim do të shpërndahen vaksinat te mjekët që vaksinojnë në atë zonë”. Një strategji e tillë në praktikë ka rezultuar që ordinancat të marrin sasi vaksinash, pavarësisht nga numri që kanë të njerëzve në grupe rreziku, megjithëse ky numër dallon shumë nga ordinanca në odinancë.

Një nga pasojat është se shumë mjekë janë me të vërtetë të detyruar të telefonojnë individë që nuk janë në grupe rreziku, për të administruar doza se përndryshe do të ishin të papërdorshme, ndërsa të tjerët nuk janë akoma as afër vaksinimit të banorëve të tyre në rrezik. Me fjalë të tjera, ndodh që edhe brenda së njëjtës familje, anëtarët në të dyzetat e tyre që nuk janë në rrezik, të marrin një ftesë për t’u vaksinuar, madje para prindërve të tyre. Dallimet janë edhe më të mëdha kur krahasojmë qarqe dhe qytete individuale, kështu që diku qytetarë të shëndetshëm të moshës së mesme tashmë po vaksinohen, ndërsa diku tjetër shumë në pragun e viteve tetëdhjetë ende janë duke pritur për një telefonatë.

“Çdo ordinancë/shtëpi shëndeti ndryshon për nga struktura e popullsisë. Kjo statistikë ekziston, por padyshim që askush nuk e ka parë”, pretendon Leonardo Bressan, president i Koordinimit të Mjekësisë Familjare Kroate për Qarkun Primorje-Gorski Kotar, duke shtuar se mjekët e familjes kalojnë një kohë të madhe duke informuar banorët për vaksinimin. Vetë HZJZ-ja pranon se një nga arsyet e pabarazisë së vaksinimit në qytete dhe zona është “numri i pabarabartë i të moshuarve, punonjësve të shëndetit, njerëzve me sëmundje kronike në raport me numrin e banorëve”. A nuk është logjike, pra, të pyesësh pse ky faktor statistikisht lehtë i verifikueshëm nuk ishte zbatuar me kohë në strategji?

Ky problem duket vetëm duke u thelluar ndërsa po zhvillohet vaksinimi, kurse pabarazitë/dallimet midis zonave individuale po bëhen më të mëdha dhe më të dukshme, pasi rrjetet sociale janë përplot me postime nga qytetarë të rinj të vaksinuar dhe të moshuar që po pyesin se si të vaksinohen.

Sistem konfuz regjistrimi/aplikimi

Nga pozicioni i një qytetari që pret të vaksinohet, i gjithë sistemi duket konfuz – a duhet të regjistroheni tek mjeku juaj i familjes apo të regjistroheni në sistemin kombëtar përmes një faqe interneti që erdhi në jetë vetëm në fillim të muajit mars? Shumë prej atyre që zgjodhën këtë të fundit në të njëjtën ditë kur u hap mundësia u pritën me një surprizë të pakëndshme në fund të marsit – vetëm 27 ditë më vonë u arriti konfirmimi zyrtar se ata ishin regjistruar në sistem. Nuk kishte asnjë fjalë për ndonjë detaj tjetër të datës së ardhshme dhe mënyrës së vaksinimit në këto emaile gjenerike, të cilat me sa duket ishin dërguar në mijëra adresa në të njëjtën ditë.

Gjithashtu, udhëzimet zyrtare thonë se të gjithë personat që aplikojnë për vaksinim do të regjistrohen në një listë të vetme, por bashkëbiseduesi ynë, Leonardo Bressan, pohon se mjekët e familjes nuk kanë qasje në sistemin e regjistrimit përmes platformës online.

Duke qenë se strategjia e vaksinimit po ndryshon si duket “ad hoc”, kështu që, nëse i besohet Sindikatës Kroate të Turizmit dhe Shërbimeve, kohët e fundit në grupet prioritare janë përfshirë edhe punëtorët e turizmit, atëherë kroati mesatar nën moshën 65 vjeç, pa diagnoza serioze dhe lidhje në sistemin shëndetësor me të drejtë mund të supozojë se vaksina mund të merret afërsisht të njëjtin termin për skanim MRI ose CT – dmth, një vit pas regjistrimit. Gjithnjë e më shumë qytetarë këto ditë po mendojnë të vizitojnë Serbinë fqinje, duke lexuar për tepricën e vaksinave, me të cilat pa hezitim qerasen edhe të huajt.

Ndërkohë, me mbylljet e reja në të gjithë Evropën dhe paralajmërimin gjithnjë e më intensiv të të ashtuquajturve pasaporta Kovid nëpër botë, gjithnjë më e rëndësishme po bëhet edhe një pyetje për të cilën aktualisht nuk ka përgjigje të mirë – a do të diskriminohen banorët e vendeve me shkallë të ulët vaksinimi nga banorët e vendeve ndërkufitare?

Dështim komunikimi

Kjo na sjell në një problem tjetër të madh që ka shoqëruar luftën kroate kundër pandemisë që nga fillimi. Komunikimi i mesazheve për publikun nga ana e institucioneve kompetente është tmerrësisht i dobët. Në vend të një fushate mediatike agresive në të cilën qytetarët nga programet televizive, interneti, rrjetet sociale dhe platformat e tjera reklamuese do të “bombardoheshin” vazhdimisht me filma dhe grafikë që thjesht shpjegojnë se çfarë është një virus, çfarë janë ata dhe pse duhen masa parandaluese, si duken simptomat e sëmundjes, cili është rreziku për grupe të caktuara të qytetarëve, i gjithë komunikimi u reduktua në faqen e internetit të HZJZ-së dhe në faqen e famshme koronavirus.hr. Në vend që të komentonin disa aspekte shkencore të pandemisë në një mënyrë të përqendruar dhe profesionale, anëtarët e Shtabit të Krizave shumë shpesh kalonin kohë në fjalime publike për të mbrojtur në mënyrë jo bindëse vendimet kontradiktore, siç ishte mosprekja e meshave me çdo kusht.

Është e mahnitshme, në fakt, që dikush në shekullin 21, në një epokë të rrjeteve sociale që shumëfishojnë përhapjen e lajmeve të rreme dhe dezinformatave, pret që për të edukuar dhe rritur ndërgjegjësimin e publikut – i cili është parakushti i parë për respektimin e masave – mjafton të përqëndrohet në disa faqe interneti. Kur t’i shtohen kësaj disa vendime jashtëzakonisht të ngjyrosura politikisht të Shtabit të Krizave, atëherë nuk është për t’u habitur që besimi i publikut në shumë aktivitete është lëkundur seriozisht gjatë verës së kaluar.

Në mungesë të mesazheve dhe edukimit të qartë nga institucionet përkatëse, fjalën kryesore për këtë çështje e rrëmbyen mediat, disa prej të cilave bënë pjesën më të madhe të punës, por shpesh hapësira i jepej kujtdo që donte të thoshte diçka rreth pandemisë. Rezultati ishte një lloj kakofonie informuese dhe kjo mënyrë modus operandi e komunikimit qeveritar vazhdoi edhe gjatë periudhës së vaksinimit. Tani që, për shembull, një numër i madh i qytetarëve, të frikësuar nga informacioni për efekte anësore shumë të rralla, por serioze, refuzojnë të vaksinohen me AstraZeneca, ekspertët e qeverisë ende mendojnë se është e mjaftueshme për të përsëritur disa herë “në transmetim” se vaksina është e sigurt dhe kërcënimi që kushdo që refuzon llojin e vaksinës së ofruar duhet të vendoset përsëri në fund të radhës.

Për më tepër, kur të numërohen të gjitha këto probleme, njoftimi i fundit i Plenkoviç se Kroacia do të vaksinojë 50 përqind të popullsisë deri në fund të qershorit, aktualisht duket si PR i pastër.

 

Edicioni i katërt i projektit “Tales from the Region”” zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), në bashkëpunim me partnerët tanë nga Kroacia (Lupiga, Kosova,Sbunker, Serbia,Ne davimo Beograd), Bosnja dhe Hercegovina (analiziraj.ba), Mali i Zi (PCNEN),), Bullgaria (Sega.bg) dhe Greqia (Macropolis).

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.