Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pjesëmarrja e ulët e gruas në politikë: Faktorët

Pjesëmarrja e ulët e gruas kosovare në politikë është e ndërlidhur pikësëpari me parakushtet socio-ekonomike të pafavorshme që po tregohen të vështira për t’u transformuar.

Pjesëmarrja në politikë përfshin aktivitete të shumëllojta si votimi në zgjedhje, angazhimi në fushata zgjedhore, anëtarësia aktive në parti politike dhe shoqata lobuese, kontaktimi i politikanëve, dalja në protesta dhe tubime tjera publike, nënshkrimi i peticioneve, bojkotimi i produkteve të caktuara etj. Përveç ndikimit të mundshëm në trajektoret dhe rezultatet e politikave publike, pjesëmarrja e gjallë në politikë konsiderohet e mirë në vetvete në sistemet demokratike. Ajo përhap konsultimin qytetar, vetëdijen për tema publike, legjitimitetin e politikave, shanset për jetë dhe përmbushje.

Mirëpo, shumë demokraci përballen sot me trende të rënies ose pjesëmarrjes së ulët politike, sidomos të formave tradicionale (jo-alternative). Ndonëse shpjegimet për këto trende në kërkimet empirike sociale janë diverse dhe jokonkluzive, një nga argumentet më me ndikim ndërlidh pjesëmarrjen e ulët politike ose rënien e pjesëmarrjes së gjithë popullatës, apo kategorive të veçuara shoqërore, në Europën Juglindore me parakushtet e pafavorshme socio-ekonomike dhe përkeqësimin e tyre. Kështu, sa më shumë që njerëzit gjenden në rrethana të pafavorshme, të përkeqësuara sociale në krahasim me të tjerët, aq më shumë apatikë bëhen ata ndaj politikës.

Ky argument shpjegon në masë të madhe edhe pjesëmarrjen e ulët të gruas kosovare në politikë: parakushtet socio-ekonomike janë të pafavorshme për të dhe ato po tregohen të vështira për t’u transformuar në mungesë të strukturës adekuate institucionale dhe akterëve të interesuar për ndryshime radikale.  

Siç demonstron Figura 1, e cila bazohet në të dhëna që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka ndarë me Fondacionin Ndërkombëtar të Sistemeve Zgjedhore (IFES), pjesëmarrja e gruas kosovare në zgjedhje si votuese ka qenë përgjithësisht më e ulët se e burrave. Përderisa pjesëmarrja e përgjithshme në katër palë zgjedhje parlamentare dhe lokale ka qenë mesatarisht 43%, pjesëmarrja e gruas ka qenë mesatarisht 40%. Pjesëmarrja më e ulët është regjistruar në zgjedhjet e fundit të analizuara (2014). Në të gjitha rastet, pjesëmarrja e grave dhe burrave të rinj ka qenë më e madhe. Zgjedhjet e mëvonshme, më 2017, nuk e kanë ndryshuar këtë mesatare të përgjithshme të pjesëmarrjes.     

Figura 1: Pjesëmarrja në zgjedhje parlamentare dhe lokale 2009-2014

Burimi i të dhënave: IFES, Dalja e rinisë së Kosovës në zgjedhje, 2016, fq.32.

Pavarësisht debateve në lidhje me regjistrin e votuesve, pjesëmarrja e gruas në votime është e ulët. Pjesëmarrja e saj politike del edhe më e ulët nëse merren për bazë indikatorë tjerë nga Figura 2. Edhe pse pjesëmarrja e tërë popullatës është kryesisht e ulët, në të gjithë indikatorët pjesëmarrja është dukshëm më e ulët në rastin e gruas. Ky trend konfirmohet edhe nga një seri anketash e Institutit Demokracia për Zhvillim (D4D) që në raportin “Trendet zgjedhore 2000-2014” (2015., fq.43) tregon se, për shembull, mesatarisht 12% e grave kanë kontaktuar me politikanët në krahasim me mesatarisht 21.2% të burrave. Gjithashtu, Instituti i Kosovës për Demokraci (KDI) në raportin e vëzhgimit të zgjedhjeve komunale (2017, fq.10) tregon se pjesëmarrja e grave në fushatën e monitoruar zgjedhore ishte nën 10%, ndërsa gratë përbënin 21% të folësve gjatë fushatës.

Figura 2: Aspekte të ndryshme të pjesëmarrjes politike në Kosovë sipas gjinisë, %

Burimi: Anketa Sociale Europiane (ESS), 2012; nuk janë përfshirë mosdeklarimet.

Kushtet e pafavorshme socio-ekonomike për pjesëmarrje  

Parakushtet socio-ekonomike janë të pafavorshme për kosovarët në përgjithësi, por korrelacioni ndërmjet pjesëmarrjes së ulët të gruas në politikë dhe kushteve më të pafavorshme – në krahasim me burrat – është edhe më i dukshëm.  

Indikatori kryesor, shkalla e punësimit, tregon se shkalla e punësimit të grave është mbi 20 pikë të përqindjes më e ulët sesa e burrave.

 Bazuar në të dhënat e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës – Trustit, gjatë tërë pasluftës të ardhurat mesatare të grave nga puna kanë qenë më të ulëta sesa të burrave dhe shumica e grave të punësuara kanë punuar në sektorin publik. Ndonëse në periudhën 2011-2015, shkalla e punësimit është rritur për të dy gjinitë, kjo rritje ka ndodhur kryesisht në sektorin privat dhe shpesh ka përfshirë të ardhura minimale. Të ardhurat e ulëta, nën 125 euro në muaj, janë zvogëluar larg më ndjeshëm për burrat në krahasim me gratë (Figura 3). Pra, ka pasur rritje të shkallës së punësimit të grave, por rritja ka qenë rritje gjerësisht jocilësore; domethënë gratë që hyjnë rishtazi në punë kanë gjasa të mëdha të hyjnë në punë më jocilësore për kah të ardhurat.

Përkundër se kushtet në tregun e punës janë më të pafavorshme për gruan, edhe politika e transfereve sociale favorizon më tepër burrat. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), përveç që përgjatë viteve ka pasur më shumë përfitues burra të pagesave me para në dorë, gratë më së shumti marrin pjesë në skemat që japin pagesat më të vogla: pensionet bazë të moshës dhe ndihmën sociale të varfërisë. Kështu, politika sociale e Kosovës dëshmon se nuk është e interesuar për të balancuar kushtet ndërmjet gjinive në punë ose për t’i korrektuar ato dhe kushtet e trashëguara përgjatë dekadave – përmes ridistribuimit (transfereve dhe taksave). 

Figura 3: Indikatorë bazë socio-ekonomikë sipas gjinisë, %, 2011-2015

Të dhënat për ndihmën sociale (MPMS), transferet tjera sociale (ASK). Në transfere nuk përfshihen pagesat për fëmijët (përveç ndihmës sociale), të burgosurit politikë dhe personat në strehimore. Të dhënat tjera, Trusti.

Si pasojë e rrethanave të punës dhe politikave të ridistribuimit, trajektorja e të hyrave në përgjithësi shkon kundër grave. Siç shihet në Figurën 4, gratë dominojnë në popullatën që ka të hyra mujore nën 290 Euro, ndërsa janë gati 18 pika të përqindjes më pak në popullatën mbi 291 euro. Mbi 35% e tyre më 2012 jetonin në varfëri – nën 60% të medianës së të hyrave të disponueshme në Kosovë, më shumë se 32.3% e burrave.

Figura 4: Varfëria dhe të hyrat e disponueshme sipas gjinisë, %, 2012

Anketa Sociale Europiane (ESS), 2012; nuk janë përfshirë mosdeklarimet.

Të dhënat e mësipërme tregojnë se sektori më i gjerë publik favorizon gratë edhe në shtete në zhvillim si Kosova, ndëra të gjeturat e IFES-it sugjerojnë që gratë gjejnë më shumë hapësirë të angazhimit në stafin zgjedhor në partitë më të reja politike sesa në partitë tradicionalisht më të mëdha, Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Partinë Demokratike e Kosovës (PDK). Në zgjedhjet e fundit parlamentare, partitë e majta – që janë edhe më të reja dhe mbështesin zgjerimin e sektorit publik përfshirë në shërbimet sociale të cilat zakonisht më shumë punësojnë gratë – morën më shumë vota në krahasim me rezultatet e kaluara të së majtës kosovare, por ato ende nuk kanë në dorë timonin e qeverisë.

Prandaj, të përballura me shkallë thellë më të ulët të punësimit, të hyra më të vogla dhe varfëri më të madhe – realitete që mbeten përgjithësisht të ngurta përgjatë viteve – gratë kanë më pak interes për të marrë pjesë në politikë, pasi zakonisht dalin më të humbura. Megjithatë, fuqizimi i ngadaltë i partive të reja, të majta, që korrelon me pjesëmarrjen më të madhe të grave të reja (nën 29 vjeç) në votime gjersa edhe shkalla e punësimit sado jocilësore rritet, janë shpresë që edhe struktura institucionale edhe parakushtet socio-ekonomike ngadalë do të lëvizin në favor të gruas. Ose, duhet të bëhen të lëvizin.

Normalisht, pjesëmarrja politike ndikohet edhe prej faktorëve tjerë si arsimimi, trashëgimia kulturore, dallimet e gjeneratave në sjellje politike etj., por parakushtet ekonomike janë shpesh vendimtare edhe për to. Për t’i transformuar këto parakushte për gruan, përvojat e shpeshta europiane tregojnë se kërkohet dominimi afatgjatë i së majtës me një agjendë konkrete për barazi gjinore dhe sociale.     

 

__________

Shënim: Artikulli është botuar fillimisht në “Koha për gratë” / Qendra Kosovare për Studime Gjinore, më 8 mars 2018.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.