E diela e 24 shtatorit ishte ditë tragjike në Kosovë. Policia e Kosovës ishte cak i një sulmi të orkestruar në Banjskë të Zveçanit, me ç’rast një rreshter i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, humbi jetën dhe një tjetër u plagos.
Një grup i armatosur rëndë e me pajisje ushtarake të rënda, sipas organeve të rendit të Kosovës, kishte për synim të zhvillonte luftime me pjesëtarët e Forcave të Sigurisë së Kosovës dhe të aneksonin një pjesë të territorit të Kosovës.
Si pjesë e këtij skenari, duket se qëllimi i tyre ishte paraqitja dhe shpërndarja nëpër botë e imazheve ku pjesëtarët e Policisë së Kosovës hyjnë brenda Manastirit me forcë – duke e legjitimuar kështu retorikën e shtetit serb, por edhe të Kishës Ortodokse Serbe, se gjoja ka një fushatë për t’i pastruar etnikisht trevat e banuara nga popullsia serbe.
Në fakt, propaganda serbe që nga përfundimi i luftës në Kosovë, e veçanërisht pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është munduar që para botës ta paraqesë një realitet në të cilin gjoja serbët e Kosovës janë të persekutuar nga ana e institucioneve dhe e popullsisë shumicë në Kosovë, dhe sikur ka një plan për t’i dëbuar në masë serbët nga Kosova. Në realitet, Kosova ka një nga legjislacionet më të avancuara në mbrojtje të të drejtave të pakicave dhe përfaqësimit të tyre në jetën institucionale.
Falë pamjeve të marra nga dronët e policisë, grupi terrorist dështoi në dy aspekte: së pari, terroristët dështuan t’i rezistonin Policisë së Kosovës; dhe, së dyti, në manipulimin mbi “pushtimin” e Manastirit nga Policia – skenar ky që u hodh poshtë menjëherë pas paraqitjeve vizuale të hyrjes me dhunë në manastir nga sulmuesit dhe kërcënimit të murgjve.
Vrasja e rreshterit Bunjaku, i cili tashmë është shpallur Hero i Kosovës, ka nxitur reagime të shumta e të njëpasnjëshme nga të gjithë aleatët ndërkombëtarë, duke e dënuar jo vetëm sulmin, por duke aluduar edhe në involvimin e strukturave serbe të sigurisë në orkestrimin e këtij sulmi.
Përderisa nuk ka progres në dialogun Kosovë-Serbi, situata në veri të vendit do të vazhdojë të mbetet fragjile. Ndërkaq, rezistimi i popullsisë serbe për të njohur legjitimitetin e institucioneve të Kosovës do të vazhdojë të mbetet pengesë për shtrirjen e plotë të sovranitetin në veri të vendit.
Prandaj, në këtë fazë, është e rëndësishme që në vend se Kosova të gjejë arsyetime për të zhagitur procesin e dialogut, ta bëj pikërisht të kundërtën. Kosova duhet të insistojë që këtij procesi t’i jepet një epilog sa më parë, duke e çuar drejt përfundimit dialogun për normalizim të marrëdhënieve, të filluar 12 vjet e gjysmë më herët.
Që nga ardhja në krye e Qeverisë Kurti II, ka pasur sfida në koordinimin dhe komunikimin efektiv me partnerët ndërkombëtarë, sfida këto të cilat kanë bërë që Kosova – përveçqë të duket palë joserioze dhe jokonstruvtive në procesin e dialogut – të marrë barrën për ngecjet në këtë proces. Mirëpo, pas sulmit në Bansjkë, Kosova e ka një mundësi të artë të cilën duhet ta shfrytëzojë, në mënyrë që të arrijë deri te përmbushja e qëllimeve të saj në dialog.
Palës serbe i është shpërfaqur fytyra e vërtetë dhe është e rëndësishme që në këtë fazë pala kosovare të mos ndërmarrë veprime të cilat në çfarëdo forme do t’ia mundësonin Serbisë që të dalë nga kjo situatë “pa ferrë në këmbë”.
Përkundrazi, institucionet e Kosovës duhet të jenë shumë të kujdesshme që të gjithë hapat t’i bëjnë në sinkron me partnerët e vendit, të cilët më pas do të kenë mundësi që Serbisë t’ia rrisin presionin drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.
Sulmi i 24 shtatorit është një rikujtim për Kosovën se kur bëhet koordinim i ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, progresi është pothuajse gjithmonë i garantuar. Kosova arriti që brenda disa orëve ta shpartallojë grupin terrorist, t’ia konfiskojë arsenalin e armëve dhe, mbi të gjitha, fitoi betejën diplomatike duke e futur Serbinë në një pozitë tejet delikate.
Rrjedhimisht, aksionet e Policisë së Kosovës nuk janë kritikuar e as kontestuar, duke i pamundësuar kështu edhe Serbisë që të viktimizohet në të gjithë këtë situatë – paçka se në të kaluarën ata mjeshtërisht i kishin përdorur në favorin e tyre situatat e krijuara në veri.
Situata aktualisht është në favorin e Kosovës dhe përderisa Serbia shihet si palë destabilizuese, edhe në Kosovë por edhe në rajon, Kosova duhet t’i qaset situatës në mënyrë strategjike, duke e hartuar një strategji të përbashkët edhe me opozitën dhe shoqërinë civile, dhe duke lobuar në mënyrë efektive për të shtyrë drejt finales procesin e dialogut.
Në këtë rrafsh, çështjet problematike si Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe (AKS), mund të realizohen në favor të Kosovës, duke e bërë implementimin e kësaj marrëveshjeje – që ka rezultuar të jetë tejet problematike në ecjen para drejt arritjes së marrëveshjes përfundimtare – por duke u siguruar që kjo të bëhet pa kompetenca ekzekutive, e rrjedhimisht pa cenuar karakterin unitar të Republikës së Kosovës.
Në të kaluarën, ne kemi ditur t’i humbasim momentumet e rëndësishme për shkak të pamaturisë politike dhe përçarjeve brenda vendit, ndërsa tash është koha që të ketë unitet drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare, që do t’i normalizonte përfundimisht marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjithashtu, mungesa e koordinimit të brendshëm, akuzat ndaj BE-së dhe deklaratat jodiplomatike, e kanë futur Kosovën në një rrugë qorre. Por, ngjarjet e 24 shtatorit kanë bërë një kthesë të madhe duke i dhënë penallti Kosovës në dialog.
Kosova e ka një mundësi të artë para vetes. Mbetet të shihet nëse Qeveria Kurti do të dijë ta shfrytëzojë atë në mënyrë efikase, duke e përmbyllur kështu gjithë sagën e dialogut me një fitore për Kosovën.