Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Çfarë po e pengon progresin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë?

Ilustrimi: Big Eye

Një dekadë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë të Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Bashkimi Europian (BE) ndërmjetësoi Marrëveshjen e dytë të Brukselit, që u zhvillua në Ohër, në shkurt-mars 2023.

Kjo marrëveshje e re ka hapur një faqe të re në marrëdhëniet Kosovë-Serbi dhe ka vënë bazat për avancimin e procesit të normalizimit.

Aktualisht, palët e përfshira janë në kërkim të mundësive për zbatimin efektiv të marrëveshjes. Sidoqoftë, edhe përfaqësuesit e Kosovës, edhe ata të Serbisë, po përpiqen të shmangin zbatimin e disa dispozitave. Nga njëra anë, kryeministri Kurti po përdor gjithçka që ka në dorë për të shmangur themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe (AKS), e në anën tjetër, presidenti Vuçiq thotë që nuk do ta lejojë Kosovën të anëtarësohet në Kombet e Bashkuara.

Ky natyrisht se nuk është një start i mirë dhe gjithashtu i vendos BE-në dhe Shtetet e Bashkuara (ShBA) – iniciatorët e marrëveshjes – në një pozitë delikate.

Në të kaluarën, zbatimi i marrëveshjeve është përballur me sfida të shumta dhe është shënuar me suksese dhe gjithashtu edhe pengesa.

Më 16 maj, palët u takuan në Bruksel për të diskutuar mbi teknikalitetet e marrëveshjes. Ato nuk gjetën një gjuhë të përbashkët për çështjet si AKS, personat e zhdukur, liria e lëvizjes dhe energjia. Miroslav Lajçak, Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialog, deklaroi se diskutimet për zbatimin e Marrëveshjes do të duhet të vazhdojnë.

Ky është një shembull i qartë se sa e vështirë është të arrihet progresi në zbatimin e Marrëveshjes. Por, çfarë realisht fshihet pas shumë raundeve të pasuksesshme të negociatave?

Që nga fillimi i negociatave, Beogradi dhe Prishtina kanë mbajtur qëndrime të kundërta sa i përket Kosovës. Prishtina e konsideron Kosovën shtet të pavarur dhe Dialogun e Brukselit e sheh si mundësi për ta konsoliduar shtetësinë e saj dhe legjitimitetin ndërkombëtar dhe, më e rëndësishmja, për ta siguruar njohjen nga Serbia.

Anasjelltas, për Beogradin, Kosova e pavarur është e papranueshme. Andaj, Beogradi e sheh dialogun si proces të normalizimit ekonomik dhe vendosjes së një marrëdhënieje të qëndrueshme dhe paqësore me ish-krahinën e saj, pa e njohur në mënyrë eksplicite pavarësinë e Kosovës.

Dy pozicionet e kundërta jo vetëm që kanë krijuar një sfidë të rëndësishme për BE-në si ndërmjetësuese, por gjithashtu kanë krijuar sfidë edhe për ambicien e saj për t’u bërë një akter gjeopolitik global.

Ndryshimi i papritur gjeopolitik i shkaktuar nga lufta në Ukrainë ka detyruar vendet anëtare të BE-së, Francën e Gjermaninë, të rivlerësojnë gjendjen e punëve në procesin e normalizimit Kosovë-Serbi. Si rezultat, ato propozuan një marrëveshje të re që u pranua nga të dyja palët në shkurt 2023. Ky zhvillim pasqyron përpjekjet e tyre për ta fuqizuar dialogun.

Roli i BE-së si ndërmjetësues mund të jetë një tjetër arsye pse negociatat dhe zbatimi kanë qenë ndonjëherë të pasuksesshme. Ekziston gjerësisht perceptimi se BE-ja është shumë e dobët për të zbatuar zgjidhje pa mbështetjen e ShBA-së.

Tutje, duke pasur parasysh rolin e rëndësishëm që luan BE-ja në procesin e normalizimit, nuk mund të pohohet se është thjesht një ndërmjetësuese në negociata. Në fund të fundit, BE-ja do ta parashikojë zbatimin e marrëveshjes së re, pasi do të kryesojë Komitetin Zbatues, duke marrë kësisoj përgjegjësi direkte.

Andaj, është thelbësore që BE-ja të dalë me një qëndrim konkret dhe të ushtrojë rolin e saj në procesin e normalizimit, si dhe të ofrojë lidership drejt normalizimit të plotë.

Për më tepër, perspektiva e zgjerimit duhet të ringjallet. Anëtarësimi i mundshëm në BE ka ndikim tepër të rëndësishëm në përparimin e dialogut, pasi shërben si objektivi kryesor i politikës së jashtme, si për Serbinë, ashtu edhe për Kosovën. Kur perspektiva e zgjerimit konsiderohet kredibile, procesi i normalizimit priret të shënojë përparim të dukshëm, sikundër u pa më 2013 kur u nënshkrua Marrëveshja e parë e Brukselit, pas kalimit nga bisedimet teknike në ato politike.

Ekziston po ashtu një perspektivë shtesë që mund të merret parasysh dhe që mund të jetë shkak potencial i cili po pengon negociatat. Figurave aktuale kyçe politike në Beograd dhe Prishtinë duket se u mungon pjekuria politike dhe gatishmëria për të nënshkruar dhe zbatuar marrëveshjet që do ta çonin dialogun ndjeshëm përpara.

Nga njëra anë, presidenti Vuçiq shfaqi një mungesë gatishmërie për të nënshkruar dhe zbatuar plotësisht Marrëveshjen e dytë të Brukselit (2023). Nga ana tjetër, kryeministri Kurti nuk do t’ia dijë kur bie fjala për zbatimin e AKS-së, sikundër është rënë dakord në Marrëveshjen fillestare të Brukselit (2013).

Të gjithë këta faktorë i kontribuojnë ngërçit në negociata dhe po ashtu pengojnë përparimin në procesin e dialogut.

Në fund të fundit, roli i elitave politike nuk mund të nënvlerësohet dhe assesi nuk duhet anashkaluar. Viteve të fundit, të dyja palët e kanë shfrytëzuar dialogun për objektivat dhe interesat e tyre të brendshëm politikë, duke nxitur kështu një shkallë tensioni.

Aktualisht, lidershipi në Beograd dhe Prishtinë nuk është i gatshëm të angazhohet siç duhet në negociata, duke rrezikuar kështu progresin e arritur gjatë viteve të fundit. Mosgatishmëria e tyre për t’u dhënë përparësi interesave të popullatës së tyre përkatëse dhe për t’u angazhuar në dialog konstruktiv paraqet një pengesë serioze në arritjen e rezultateve pozitive në dialog.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.