Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Presioni i shtuar për paqen në Ukrainë

Ilustrimi: Big Eye

Dëmet e pushtimit total rus të Ukrainës janë ndier gjithandej nëpër botë. Lufta në Ukrainë ka prodhuar rritje të shpenzimeve dhe çmimeve të produkteve e shërbimeve të ndryshme.

Përtej pasojave ekonomike, kostoja njerëzore e kësaj lufte është e madhe po ashtu – përllogaritet që janë mbi 300.000 viktima nga të dyja palët.

Pasiguria e shkaktuar nga kjo luftë ka shtyrë vende të cilat tradicionalisht kanë qenë neutrale, si Finlanda e Suedia, të aplikojnë e të kërkojnë anëtarësimin në aleancën ushtarake më të madhe të botës – NATO.

Sado që rezistenca ukrainase ka impresionuar botën dhe ka fituar simpatinë e saj, ajo është e varur nga asistenca perëndimore. Me gjithë ndihmën gjeneroze perëndimore, një vit pas fillimit të luftës, ka nisur të shtohet presioni mbi Ukrainën për të gjetur një zgjidhje paqësore për luftën.

Këto thirrje fillimisht kanë ardhur nga Uashingtoni, por tanimë kemi edhe përfshirjen e Pekinit, i cili ka bërë të ditura planet për dërgimin e një emisari për të ndërmjetësuar mes Ukrainës e Rusisë.

Megjithatë, nëse Ukraina detyrohet të heqë dorë nga një pjesë e sovranitetit të saj, atëherë ajo duhet të marrë garanci për anëtarësim të menjëhershëm në NATO dhe BE, duke i pamundësuar Putinit, por edhe pasardhësve të tij në Kremlin, që të ndërmarrin veprime të ngjashme në të ardhmen.

Kësisoj, Ukraina do të mbrohej nga NATO dhe do të kishte garanci për shtetndërtim dhe konsolidim të demokracisë gjatë periudhës së integrimit europian.

Kostoja e zgjidhjes paqësore në rrethanat aktuale

Zgjidhja paqësore, normalisht, është e pamundur të gjendet nëse Ukraina nuk lëshon pe mbi territoret tashmë të marra nën kontroll nga Rusia. E, kësisoj, Ukraina do të mbështetej për muri dhe do t’i pamundësohej vazhdimi i rezistencës.

Rusia, në anën tjetër, duket se nuk është e gatshme për t’u tërhequr nga Ukraina. Këtë e ka bërë të qartë kreu i Kremlinit, Vladimir Putin, kur vendosi të bëjë mobilizim të pjesshëm të popullatës për luftë.

Me gjithë përkrahjen popullore ruse për të ashtuquajturin “Operacion Special” në Ukrainë, vendimet për mobilizim të popullsisë për luftë janë jashtëzakonisht jopopullore. Ky fakt shtyu Putinin të suspendonte vendimin për moblizimin e pjesshëm, pasi u konsiderua një bombë e kurdisur për pushtetin absolut të tij.

As pala ukrainase nuk është e gatshme të lëshojë pe nga sovraniteti mbi gjithë territorin e vendit dhe kjo padyshim e bën të pashmangshëm vazhdimin e luftës atje dhe vazhdimin e agonisë në Europë.

Më 2014, Ukraina hoqi dorë nga sovraniteti i saj mbi Krimenë, pas aneksimit rus. Reagimi nga Perëndimi nuk ishte parimor – duke u munduar ta parandalojë përshkallëzimin e situatës dhe njëkohësisht duke i bërë presion palës ukrainase për të pranuar humbjen e një pjese të konsiderueshme të territorit të saj.

Në të njëjtën kohë, Perëndimi vazhdonte bashkëpunimin me Rusinë; Gjermania u dakordua për të marrë furnizime direkte të gazit natyror nga Rusia përmes një korridori të ri “Nord Stream 2”, në kurriz të Ukrainës.

Mosreagimi i duhur nga Perëndimi dhe vazhdimi i bashkëpunimit sikur të mos kishte ndodhur asgjë krijoi një mundësi për Putinin, i cili do të merrte një vendim tjetër për agresion vetëm tetë vjet më vonë.

Prandaj, është e kuptueshme që pala ukrainase ka hezitime për të lëshuar pe nga sovraniteti i saj kësaj radhe dhe duke parë që Rusia nuk është aq e fuqishme sa ç’është imagjinuar të jetë, Ukraina është e vendosur ta vazhdojë rezistencën e saj.

Në këtë kuadër, është tejet e rëndësishme që bota perëndimore t’i marrë seriozisht mësimet nga e kaluara dhe të kuptojë që arritja e një paqeje të përkohshme mes Kievit dhe Moskës nuk nënkupton edhe shuarje të apetiteve ruse mbi territorin ukrainas.

Dy skenarë të mundshëm

Janë dy skenarë të mundshëm për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. E para, nëse Rusia ngulmon te mosanëtarësimi i Ukrainës në NATO si mënyrë për ta ndalur luftën, atëherë asaj duhet t’i ofrohet opsioni i tërheqjes së menjëhershme nga i gjithë territori ukrainas, përfshirë këtu edhe Krimenë, të cilën e ka aneksuar në vitin 2014. Ndërsa Ukrainës i ofrohen garanci për sigurinë e saj, por pa u bërë anëtare e NATO-s, por vetëm e BE-së.

Skenari i dytë: nëse Rusia ngulmon në mbajtjen e territoreve tashmë të marra nën kontroll, atëherë asaj mund t’i lihen territoret e pushtuara, por Ukrainës t’i garantohet hyrja e menjëhershme në NATO.

Asnjëri nga këta dy skenarë nuk është ideal, mirëpo në këta skenarë të dyja palët fitojnë diçka dhe sakrifikojnë diçka, si kompromis për përfundimin e luftës.

Është thuajse e pamundur që kjo luftë të mbarojë, në kuptimin klasik të fjalës, me kapitullimin e njërës palë dhe fitoren e gjithçkaje nga pala tjetër. Ajo që do të determinojë përfundimin e luftës dhe implementimin e skenarëve të mundshëm, është suksesi ose dështimi i ofensivës ukrainase këtë pranverë, e cila do ta determinojë edhe pozicionin e Ukrainës në negociatat e mëtejme për gjetjen e paqes.

Energjitë në këtë rast duhet të fokusohen në gjetjen e zgjidhjes, mirëpo pa e lejuar përsëritjen e një skenari si në rastin e aneksimit të Krimesë, kur për shkak të interesave afatshkurtër është mundësuar që fronti lindor i kontinentit të jetë në luftë dhe të cenohet i gjithë rendi botëror të cilin e njohim që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë.

Për Ukrainën është e domosdoshme të evitohet një skenar kur pas një armëpushimi disavjeçar, Rusia të iniciojë një sulm të ri dhe situata të rikthehet përsëri në pikën zero.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.