Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Komentet e lexuesit pas Delfit

Gjykata më e lartë europiane për të drejtat e njeriut kërkon që portalet t’i largojnë menjëherë komentet shpifëse.

 

Dilemave të shtëpive mediale gjithandej Europës rreth përgjegjësisë ligjore për komentet e lexuesve në portale u është përgjigjur përfundimisht Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) me vendimin e saj në rastin Delfi As kundër Estonisë.

Dhoma e Madhe e GjEDNj-së, më 16 qershor 2015, publikoi vendimin, sipas të cilit portalet janë përgjegjëse për komentet e postuara nga lexuesit dhe se publikuesit e tyre ushtrojnë veprimtari gazetarie njëjtë sikurse botuesit e komenteve në gazeta. Procedura gjyqësore ka nëntë vjet që zvarritet, ndërsa vendim i njëjtë ishte nxjerrë edhe në shkallën e parë dy vjet më herët.

Portali estonez Delfi publikoi më 24 janar 2006 një shkrim, sipas të cilit hapja e rrugëve të reja të akullta – më të lira për qytetarët – ishte shtyrë për disa javë. Vonesa kishte ndodhur për shkak se kompania SLK, që ofronte transport me anije, kishte dëmtuar akullin gjatë shfrytëzimit të tij. Kjo kishte ndikuar që udhëtarët të paguanin bileta më të shtrenjta udhëtimi. Shkrimi tërhoqi rreth 185 komente, rreth 20 prej tyre duke përmbajtur kërcënime personale dhe gjuhë fyese ndaj pronarit të kompanisë. Portali largoi komentet sipas kërkesës së kompanisë, por nuk pranoi të paguante 32,000 euro kompensim dëmi. Delfi iu drejtua GjEDNj-së pasi humbi rastin në gjitha instancat gjyqësore në Estoni.

Për të vlerësuar përgjegjësinë e portalit GjEDNj-ja ka zhvilluar një test prej katër hapash në të cilin vlerëson a) kontekstin e komenteve, b) përgjegjësinë ligjore të autorëve të komenteve, c) masat e ndërmarra nga portali për të parandaluar ose larguar komentet shpifëse dhe d) pasojat për portalin. (shih këtu faktet e rastit në shqip).

Nga testi i gjykatës del se largimi pa vonesë i komenteve shpifëse dhe fyese nga ana e portalit do të mjaftonte që portali të mos konsiderohej ligjërisht përgjegjës, por nuk është e qartë nëse largimi duhet të bëhet me kërkesë të palës së dëmtuar apo në mënyrë vullnetare. Sipas Gjykatës, një “mundësi” e dytë për të larguar përgjegjësinë e portalit është që portali të përdorë opsionin njoftim-për–largim [notice-take-down], por vetëm nëse ky sistem do të mundësonte reagim të menjëhershëm ndaj komenteve.

Ky precedent gjyqësor ka rëndësi sepse nëse një portal paditet në Kosovë, Kushtetuta “urdhëron” gjykatësit të vendosin në linjë me precedentët e krijuar nga GjEDNj-ja, pra edhe me këtë rast, ndonëse në praktikë shumica prej tyre bëjnë të kundërtën me përjashtim të Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi është kritikuar nga organizata ndërkombëtare Article19, MLDI dhe ekspertë të së drejtës së medias të cilët konsiderojnë se ai kufizon të drejtën e shprehjes dhe do të dekurajojë portalet të ofrojnë mundësinë e komentimit. Sipas tyre, portalet kanë rol ndërmjetësues dhe mund të mbahen përgjegjës vetëm nëse refuzojnë të largojnë përmbajtje të kundërligjshme.

Qëndrimi rreth këtij precedenti gjyqësor varet nga rrethanat në të cilat ushtrohet liria e shprehjes. Në vende të zhvilluara mediat serioze kujdesen që komentet të filtrohen, ato përqendrohen kryesisht në temën e trajtuar dhe pala e dëmtuar mund të realizojë të drejtën e saj përmes gjykatave. Në Kosovë e rajon këto kushte ende nuk janë krijuar. Prandaj, në vendet e Europës Juglindore vendimi që kufizon portalet nuk u kritikua shumë dhe në fakt u mirëprit. Një numër i madh i komenteve në portale të rajonit janë të nivelit të ulët, shpesh me përmbajtje ilegale dhe viktima duhet të ballafaqohet me sistem gjyqësor të brishtë. Për shembull, YIHR-ja gjeti gjatë monitorimit njëvjeçar që shumica e portaleve në Kosovë nuk i filtrojnë komentet dhe lejojnë shprehje shpifëse, kërcënime dhe gjuhë të urrejtjes. Të gjetura të njëjta janë publikuar edhe në Mal të Zi dhe Shqipëri.

Ky trend ka nxitur disa shtete të ndërmarrin masa më radikale. Parlamenti i Republikës Serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë këtë vit është kritikuar për miratimin e Ligjit për Qetësi dhe Rend Publik që kategorizon mediat sociale si “hapësirë publike”. Sipas këtij ligji, ata që kritikojnë punën e institucioneve publike përmes mediave sociale do të dënohen. Në Shqipëri po ashtu këtë vit është propozuar një projektligj sipas së cilit publikuesit e komenteve do të bartin përgjegjësi për botimin ose moslargimin e mënjëhershëm të komenteve që cenojnë nderin, personalitetin dhe reputacionin e një personi. Më 2013 në Kosovë ishte diskutuar draftimi i projektligjit për portale, por fatmirësisht ky projekt nuk është jetësuar ende.

Përgjegjësia për legjislacion dhe vendime gjyqësore që kufizojnë lirinë e shprehjes u takon edhe mediave. Ato do të duhej të tregoheshin më proaktive në menaxhimin e materialeve që publikojnë dhe kjo do të zvogëlonte iniciativat e qeverive që të ndërhyjnë në të drejtën e shprehjes. Njëkohësisht, kur ballafaqohen me iniciativa të tilla, mediat nuk do të duhej të anonin nga zgjidhjet e lehta që çojnë në vetë-censurim siç ka ndodhur me mbylljen e komenteve nga disa portale.

Ekzistojnë “truqe” që zvogëlojnë rreziqet ligjore për portale në administrimin e komenteve si: hartimi i udhëzuesit për kriteret e komenteve siç ka bërë The Guardian dhe The New York Times; regjistrimi i lexuesit, lejimi i komenteve për shkrimin dhe jo sulmet personale, faktet e pavërteta dhe gjuhën e urrejtjes; lejimi i komenteve në lajme politike ditore dhe në kolumne dhe jo në lajme të ndjeshme; lejimi i komentimit të përkohshëm disaorësh, ofrimi i butonit “njofto” dhe kontaktit të dedikuar për ankesa. Për të pasur efekt, këto këshilla ligjore duhet të zbatohen të gjitha njëkohësisht.

Komentet sjellin përfitim financiar, janë vështirë të menaxhueshme, kërkojnë përkushtim dhe njohuri ligjore. Aktualisht sulmet personale, faktet e paverifikuara dhe kërcënimet dominojnë përmbajtjen e tyre. Por, mbyllja e tërësishme e tyre cenon lirinë e shprehjes dhe së drejtës së individit për të marrë pjesë në diskutime të çështjeve me interes publik dhe mediat duhet të gjejnë formë të ofrojnë diskutime kualitative online.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.