Connect with us

Hi, what are you looking for?

Uncategorized

Mospërputhja e tezave populiste evropiane me realitetin shqiptar

Vala masive e populizmit që ka përfshirë gjithë botën e zhvilluar ka një ndikim të vetin edhe tek shqiptarët. Kjo valë është e ndjeshme duke nisur nga fqinjët tanë me triumfin elektoral të partive jo-konvencionale anti-establishment si Syriza në Greqi; Lega Nord dhe Movimento 5 Stelle në Itali për të vijuar mandej tek forcimi i la Republique En Marche dhe Front national në Francë; Alternative fuer Deutschland në Gjermani, Hofer në Austri, Wilders-it në Hollandë; Ciudadanos, Podemos dhe Vox në Spanjë e kështu me radhë. Këto lëvizje populiste, që vijnë si nga e majta ashtu edhe nga e djathta, jo vetëm që janë duke sfiduar elitën aktuale politike të atrofizuar e komprometuar në vendet përkatëse, por janë gjithashtu duke vënë në pikëpyetje edhe vetë sistemin e liberal demokracisë.

Kuptohet që kontekstet apo rrethanat në të cilat janë krijuar e kultivuar këto lëvizje varion sipas vendeve përkatëse, mirëpo emëruesi i përbashkët është sfidimi i anti-establishmentit dhe kërkimi i alternativave radikale qeverisëse. Mirëpo ligjërimi i tyre andej, ka filluar të huazohet dhe kopjohet edhe këtej sidomos për sa i përket mendimit të majtë radikal, pa u përtypur mirë dhe pa iu përshtatur kontekstit dhe rrethanave të vendit tonë që ndryshojnë në mënyrë radikale. Pra nëse këto vende të Evropës Perëndimore kanë shkaqet, iluzionet apo faktorët e tyre që i shtyjnë të vënë në pikëpyetje sistemin e liberal demokracisë ne jemi në një kontekst krejt tjetër dhe gëlltitja e këtij ligjërimi është me të vërtetë qesharak. Një ndër pretendimet kryesore që po huazohet e transferohet këtej është pretendimi se sistemi i liberal demokracisë e ka dëshmuar veten si të dëshmuar. Kuptohet që këto pretendime në vetëvete hanë pikëpyetje edhe për gjendjen e vendeve nga vijnë këto ide por kjo është temë tjetër.

Thelbi i këtij shkrimi është të tregojë se konteksti shqiptar është krejt ndryshe nga ai i këtyre vendeve e prandaj është absurde të hedhim kësilloj pretendimesh të paqëna. Së pari duhet thënë se ne, dhe jo ato shtete, e kemi provuar komunizmin. Dhe nuk bëhet fjalë për komunizëm “light” apo “diet” siç mund të konsiderohet ai në ish-Jugosllavi por një komunizëm me gërmën K të madhe, besnikë fjalë për fjalë i recetës së Marksizëm-Leninizmit. Si pak vende të tjera komunizmi orthodoks shqiptar e zhveshi tërësisht qytetarin nga prona private, e centralizoi në mënyrë kapilare ekonominë, e futi në palcë të shoqërisë inxhinierinë sociale të doktrinës dhe kontrolloi me dorë të hekurt arsimin dhe informacionin me synim të ndërtimit të njeriut të ri socialist. Si pasojë ne përjetuam përveç krimeve nga më mizoret dhe format nga më tragjike të nëpërkëmbjes së dinjitetit njerëzor, por edhe një mjerim ekonomik, një dështim total të ekonomisë së planit që na shkaktoi zi buke në fund të viteve 80-të e na bëri  subjekt të lëmoshës ndërkombëtare nëpërmjet operacionit Pelikan menjëherë pas rënies së regjimit. Pra është e kuptueshme që në perëndim të vazhdojnë të ushqejnë nostalgji apo iluzione për një alternativë qeverisëse komuniste sepse andej ende nuk e kanë provuar në lëkurë se çfarë do të thotë. Mirëpo që të flitet ende në Shqipëri, ku pasojat dhe plagët e komunizmit janë të freskëta, për iluzione të marksizëm leninizmit është me të vërtetë surreale.

Nga ana tjetër si mund të kopjohet ligjërimi i populistëve perëndimor e të thuhet se sistemi i liberal-demokracisë ka dështuar, kur në Shqipëri ende nuk është provuar siç duhet. Për hir të së vërtetës, dhe me pikëllim të thellë, duhet thënë se sistemi demokratik nuk është vënë asnjëherë në efiçiencë të plotë apo nuk ka qenë asnjëherë plotësisht funksional. Këtë fakt e vërteton më së miri paaftësia jonë për të bërë zgjedhje të lira e të ndershme, të pakontestuara nga të gjitha palët dhe që marrin maksimumin e vlerësimit nga vëzhguesit e paanshëm ndërkombëtar. Së shpejti pritet të miratohet një amendim i kodit elektoral dhe pothuaj në çdo palë zgjedhje kemi pasur kode të ndryshme ose më saktë asnjëherë nuk kemi bërë në mënyrë të njëpasnjëshme zgjedhje me të njëjtat rregulla loje. Tendenca ka qenë që vendim-marrësit t’ia qëndisin vetes këto rregulla sipas masës trupore për ti garantuar  vetes zgjatjen e pamerituar të pushtetit.

Një tjetër demonstrim i paaftësisë sonë për të ndërtuar një sistem politik funksional të demokracisë është fakti që opozita është duke bojkotuar parlamentin dhe po organizon protesta që shpesh po marrin përmasa të dhunshme. Duket si një lloj rituali ciklik ky që situata politike në vend degradon me një opozitë që nuk e sheh më të arsyeshme apo të frytshme shfrytëzimin e institucioneve politike apo procedurave demokratike për të përmbushur qëllimet e saj por përdor ekskluzivisht rrugën e rrugës. Kjo nuk ka të bëjë me ndarje ideologjike sepse ekzaktësisht në të njëjtin skenar ishim edhe para dy-tre legjislaturash, vetëm se atëhere ishin ndryshe rolet dhe e majta ishte në opozitë. Pra pavarësisht se cili është në pushtet e cili është në opozitë, me sa duket mjetet jo-institucionale të aktivizmit politik janë të paevitueshëm çka dëshmon se sistemi ynë është ende rudimentar e tejet i papjekur për të funksionuar në mënyrë institucionale e procedurale në përputhje me ligjet në fuqi.

E njëjta gjë vlen edhe për dimensionin ekonomik të sistemit pra për ekonominë e pretenduar liberale. Mjafton të shikohet e analizohet mungesa e konkurrencës në ekonominë shqiptare dhe përqëndrimi i pasurisë së vendit në dorën e një grushti njerëzish me marrëdhënie të privilegjuara politike, për ta hedhur poshtë çdo pretendim se tek ne ka dështuar liberalizmi ekonomik. Në raportin e të Bërit Biznes të Bankës Botërore dalim në fund të rajonit për sa i përket lehtësirave ndaj biznesit çka është një indikator domethënës ilustrativ i të kundërtës së asaj që promovon liberalizmi ekonomik. Po ashtu këtë tendencë e  konfirmon edhe raporti i Pagimit të Taksave të IFC dhe PWC, Shqipëria del në vendin e 122-të për sa i përket peshës së barrës fiskale ndërkohë që Maqedonia Veriore është zë vendin e 31-të e Kosova të 44-in.

Vështirë se mund të flitet për një ekonomi liberale kur shteti është aktor dominant në ekonomi, ndërhynë në mënyrë kapilare në çdo sektorë, është njëherazi punëdhënësi dhe konsumatori më i madh në ekonomi. Shteti ka një nivel të lartë paparashikueshmërie duke gjykuar nga shpeshtia me të cilat i ndron rregullat e lojës në ekonomi (politikat fiskale në mënyrë të veçantë). Përveç se me rregulla të ndërlikuara e të mbivendosura, shteti është shpesh i pranishëm  në ekonomi edhe nëpërmjet arbirtraritetit, standardeve të dyfishta, imunitetit  të garantuar për aktorë me mbulim politik apo penalizimi i kundërshtarëve politik.

Po ashtu po të shikohen disa parakushte të funksionimit të një sistemi ekonomik liberal të mirëfilltë një ndër mangësitë kryesore është padyshim mungesa e sundimit të ligjit. Këtu nuk bëhet fjalë thjesht për mos-zbatim të ligjit që duhet të vendosë para përgjegjësisë abuzuesit me pushtetin por për pamundësinë që me këtë sistem gjyqësor të sigurohet garantimi i zbatimit të kontratës apo siguria e pronës private. Po ashtu një tjetër premisë që e bën një ekonomi të quhet denjësisht liberale është shenjtëria e pronës private, që tek ne është ende larg zgjidhjes dhe garantimit. Ne sot kemi një dyzinë ligjesh që mbivendosen apo lënë boshllëqe të shumta që merren me pronën private duke e lënë fatin e pronës në dorën e Maliqit e jo të ligjit.

Kudo që ti marrësh me radhë elementet që e përkufizojnë një ekonomi të mirëfilltë të tregut pra një ekonomi që meriton të quhet liberale, del se në Shqipëri çalojnë apo lënë shumë për të dëshiruar. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për sistemin politik kuazi-demokratik që sipas Indeksit të Demokracisë të publikuar nga Njësia e Inteligjencës e revistës prestigjioze The Economist, ende konsiderohet si një demokraci hibride, goxha prapa vendeve fqinje. Për këto arsye është e pakuptimtë dhe e padrejtë që të flitet për një dështim të sistemit liberal-demokratik në Shqipëri për sa kohë ky sistem ende nuk është zbatuar dhe shijuar tek ne.

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.