Gjithçka fillon në formë konvencionale: ritmi i kitarës, linja e basit dhe e baterive, tingulli i mbrehtë por i kapshëm. Madje edhe fjalët me të cilat nisë albumi i The Bloody Foreigners duken të zakonshme, të paktën për një çast: “Sa rrishe n’shpi, para televizorit, pse s’vishe te unë me ma ly ti korridorin…” Ndalu pak! Çka tha? Me ia ly korridorin? Me tu ndalur për të analizuar fjalët, ndalet edhe e zakonshmja. Albumi i dyfishtë “Oh Oh Oh” dhe “Jadec” në fakt është gjithçka tjetër pos i zakonshëm; prej vetë emërtimit, titujve të këngëve, tekstit dhe muzikës, e deri të ndjenja që përçojnë tek secili dëgjues.
Muzika e tyre është rock. Por klasifikimi i mëtejmë në subzhanre është thuajse i pamundshëm. The Bloody Foreigners, rockun e tyre së bashku me elemente të (post) punk-ut, por edhe të blues-it e melosit popullor shqiptar, sikur e kanë futur në një mikser gjigant urban, mikser ky që nuk është as i Prishtinës, as i Vushtrrisë, as i Londrës. Kjo e bën muzikën e tyre sa të rëndomtë aq edhe të veçantë; sa globale, aq më shumë shqip. Identiteti shqiptar nuk e mbajnë në improvizim duke e shndërruar kitarën elektrike në çifteli, siç bëjnë shumë bende tjera, apo thjesht duke riinstrumentalizuar këngët popullore. Këtë e bëjnë ndryshe, duke përbrendësuar në tingull tyre, rrënjësisht, gjithë karakterin e muzikës burimore. Kësisoj, muzika e tyre del tërësisht origjinale, duke mbetur – natyrshëm – ndryshe, alternative, dhe, mbi të gjitha, shqip.
Këngët e tyre mund t’i keni dëgjuar në Youtube. Dy Fatosat, Ardin e Josephin, ky i fundit i vetmi anglez në bend, mund t’i keni parë duke performuar në Prishtinë, apo edhe në Londër. Dhe fillimisht mund t’iu kenë tingëlluar si një bend mock rock. Diçka si Tenacious D apo Bloodhood Gang. Kjo meqë tekstet e tyre janë përplot shprehje eksplicite, sarkastike dhe vazhdimisht qesharake. Në to përmblidhen fragmente të realitetit të përditshëm nëpër gjithë shtresat shoqërore dhe pasqyrohen me shumë sarkazëm, herë me cinizëm, e herë me ironi. Të kënduara përgjatë melodive që dalin nga mikseri i tyre prej muzikantësh, këto këngë i çesin djemtë e The Bloody Foreigners përtej Mock Rockut, meqë në to, përmes çaraveshjes leksikore e instrumentale, del në pah talenti i tyre i pashoq dhe i patjetërsueshëm i kreativitetit artistik.
Ni’n familja fjalë i çon, pse këtë drogë pe përdoron
mbledhi mendt ti, a je n’veti, çona pare me shku n’deti…
S’jom bo tokë po jom bo dhe, nuk e marr unë po t’boj be
E merr djali i Hamdisë, o me pare t’kulmit t’shpisë
(Po pe merr)
Personazhi i këngëve të The Bloody Foreigners është tipik mashkullor: ai shfryen epshin e tij në mënyrë eksplicite, shanë e shahet, dehet, kërcen, dalldiset, gëzohet e feston, ankohet e vajton. Dhe të gjitha këto i vizaton përmes shprehjeve më të thjeshta, më autoktone, që i tejkalojnë ndarjet gjeografike e shoqërore . Ai është përplot kontradikta: i do shokët, i urren gratë, por në të njëjtën kohë i dashuron ato, han sallatë t’mishit, merr kredi (për të shkuar në deti p.sh.), dhe flet për seks. Flet shumë për seks. Aq shumë, sa e gjithë tematika e muzikës së tyre është përplot alegori të ‘pista’: lyma korridorin; mos i jep vetes siklet; lyma se po m’shkon ma lehtë – çitja ti do sherbet; a e bojna tre për qin – mos ta ninë se ka ku hin; qysh t’kisha ngrehë, s’ki ide, kuku çka t’kisha bo; ia ke shti brinin, qe dy javë po ia mytë minin…
E kom nji gajle shokët e mi, kush po ninë po m’ka lakmi
Jam harxhu s’po kom fuqi, dit’e’nat’ s’po muj me ngi
Nuk po muj me mushë këtë shpellë, edhe n’deshta s’hin ma fellë,
Gujtë mu dridhën u bona hollë kur u’m tha që njo s’osht boll
(Tre Për Qin)
Të dy albumet e lansuar përnjëherë mund të klasifikohen si një pasqyrë e një shpërthimi seksual, që herë përshkruhet drejtpërdrejt e herë përmes alegorive. Alegoritë janë të kapshme, të kuptueshme, të njohura për dëgjuesin shqiptar. Narratori i storjeve të trajtuara nëpër këngë, është vetë pjesë e rrjedhës së pistë seksuale, duke i vënë në pah shumë dukuri banale të asocuara me seksin, duke i përqeshur e duke i kritikuar ato me një sarkazëm të hollë, të mbështetur gjithnjë në motive popullore, herë rurale e herë më urbane.
Përkundër natyrës së tij të një djali gojëfëlliqur, ai ruan një dozë të kujdesit autokton. Kësisoj, edhe nëse interpretohet tekstualisht, leksikoni i tij e prekë por nuk e kalon vijën që ndanë frustrimin dhe seksizmin. Përqeshja e bën atë edhe kritikues edhe pjesëmarrës në aktet e kritikuara, andaj diskursi komik i teksteve mund të interpretohet si autokritikë shoqërore. Kësisoj, The Bloody Foreigners arrijnë të paktën dy qëllime. Së pari, na bëjnë të qeshin, duke spikatur momentet më tragjikomike, si dashuria e njëanshme, vuajtja, kënaqësia, telashet familjare, aventurat në deti, në skijim, në arë, seksi mes dy apo tre personave, etj. Së dyti, na bëjnë të mendojnë më thellë për të gjitha këto tablo të sikletshme, të shtyra nga fenomene e probleme të cilat si shoqëri zakonisht preferojmë t’i fusim nën tepih më përpara sesa të merremi me to.
Asnji pare nuk e ki, s’i kanë metë as nanës n’gji…
për kredi i ke mushë kushtet, del n’pijac i blen papuqet…
natën shkon e del n’muzikë, Gjyste Vulaj gjerenikë
emrin ty kur ta përmend, t’doket vetja supermen
(n’Deti)
Një gjë që mund t’ua vrajë veshin tek The Bloody Foreigners është një mungesë konsistence sa i përket përdorimit të gjuhës; herë gegnisht e herë standard, herë me paskajore e herë pa të, prej të shquarës në të pashquarën, etj. Një jokonsistencë e tillë edhe do mund të tolerohej pa përmendur, po që se nuk do ta hasnim brenda një kënge, madje, edhe brenda një vargu të vetëm, gjë për të cilën nuk ka fort arsye, madje as arsye rimore. Megjithatë, çka e arsyeton, deri diku, mungesën e konsistencës është fakti se ata jetojnë që prej kohësh në Angli.
Të vepruarit në mërgim, po ashtu, sjell një element tjetër në muzikën e tyre, që i bëjnë këngët e tyre të tingëllojnë sa të afërta, po aq të largëta, sa tonat, aq të huaja, sa të vjetra, aq edhe të reja. Kjo shkaktohet nga një distersion kohor në tekstet e tyre, përmes përdorimit të shprehjeve të cilat kanë qenë më shumë të përdorshme në një kohë tjetër – kohën në të cilën ata janë larguar nga Kosova – e që jo domosdoshmërisht e mbajnë të njëjtën frekuencë të përdorimit të përgjithshëm sot. Termet si si ‘cakum pakum’ apo ‘prevarant’ nuk është se janë zhdukur nga diskursi i përgjithshëm në Kosovë, por megjithatë janë më të rralla në përdorim. Kësisoj, kur ato nxirren si të rëndomta në tekste, zgjojnë një ndjenjë të veçantë.
Albumi “Oh, oh, oh..” ka dymbëdhjetë këngë që janë më ritmike, më të zhurmshme. Në “Jadec” janë gjashtë këngë tjera, më të vjetra, më të qeta në ritëm dhe në ton. Nuk mund të thuhet qartë nëse ishte natyra e këngëve që bëri albumin të ndahet në dysh, apo nëse ndarja bën që këngët tash të tingëllojnë më ndryshe. Përfshirja e tyre në një disk të vetëm, megjithatë, do ishte lehtë e realizueshme dhe për ndarjen e tyre nuk është se ka fort arsye.
Albumet mund t’i blini në librarinë Dit’ e Nat’ si dhe në të gjitha platformat elektronike si iTunes, Amazon, Google Play, Spotify, etj.