Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dështimi i dialogut Kosovë-Serbi: a është zgjidhje një konferencë ndërkombëtare?

Original Article

Dialogu Prishtinë-Beograd, i ndërmjetësuar nga BE-ja, ka qenë në zgrip të kolapsit muajt e fundit. Pavarësisht arritjes së Marrëveshjes drejt normalizimit dhe Aneksit të saj të zbatimit, në shkurt dhe mars të vitit 2023 respektivisht, zbatimi i kësaj marrëveshjeje ka dështuar ndjeshëm.

Në vend se të hapte një kapitull të ri në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë, Marrëveshja çoi në krizë të re dhe në një ndarje ende më të thellë. Arsyeja kryesore që kontribuoi në dështimin e dialogut është divergjenca e theksuar në qëndrimet e Prishtinës dhe Beogradit lidhur me rezultatin e dëshiruar të bisedimeve. Megjithatë, një tjetër pengesë për progresin në dialog mbetet mungesa e një perspektive të qartë të anëtarësimit në BE për të dyja vendet.

Përgjatë muajve të fundit, vështirësitë në bisedime u karakterizuan me kriza të vazhdueshme për targat dhe letërnjoftimet, gjë që rezultoi me largimin e serbëve nga institucionet e Kosovës dhe bojkotimin e zgjedhjeve lokale.

Situata u përshkallëzua rëndë më 24 shtator, kur një grup i armatosur i serbëve pushtoi Manastirin e Banjskës në Zveçan të Kosovës dhe i zuri pritën një patrulle të Policisë së Kosovës. Kjo rezultoi në përleshje të rënda, duke lënë katër persona të vdekur – një polic të Kosovës dhe tre serbë të armatosur, që vetëthirreshin si luftëtarë të lirisë, por që me shumë gjasë ishin të lidhur me strukturat kriminale në veri të Kosovës.

Në këtë atmosferë tejet të tensionuar, dialogu i udhëhequr nga BE-ja disi u la në hije, me komunitetin ndërkombëtar që tashti është përqendruar të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve.

Mungesa e progresit në dialogun Kosovë-Serbi po shtyn akterët e ndryshëm të kërkojnë opsione të reja, përfshirë edhe mundësinë e një konference ndërkombëtare për zgjidhjen e nyjës Kosovë-Serbi, e propozuar së fundmi nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Konferenca ndërkombëtare do të paraqiste një zgjidhje të tipit “merr ose lër”, si për Beogradin, ashtu edhe për Prishtinën, për të vendosur një paqe të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor dhe për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje disadekadëshe mbi Kosovën.

Kjo ide u mbështet nga Nebojša Zelenović, bashkëkryetar i partisë Zajedno (Së bashku), një nga partitë më të mëdha opozitare në Serbi. Po kështu, ajo mori edhe mbështetjen e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, që i dha kredibilitet ende më të madh nismës. Sidoqoftë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e hodhi poshtë këtë ide.

Dialogu Kosovë-Serbi, i ndërmjetësuar nga BE-ja, duket se ka arritur në një qorrsokak. Për rrjedhojë, është shumë e rëndësishme të eksplorohen formate alternative për arritjen e një progresi më efektiv dhe substancial. Veçanërisht, është me rëndësi jetike të vlerësohen përparësitë dhe mangësitë e një konference potenciale ndërkombëtare për marrëdhëniet Kosovë-Serbi. Kjo mund të jetë potencialisht zgjidhja që të dyja vendet po kërkojnë.

Përparësitë e një konference ndërkombëtare

Një nga përparësitë më të rëndësishme të një konference ndërkombëtare është piketimi i kohës optimale. Po qe se do të rezultonte e suksesshme, konferenca do të sillte një zgjidhje të shpejtë, e cila do t’i rregullonte të gjitha çështjet e pazgjidhura midis Kosovës dhe Serbisë, ndryshe nga ç’është parë me dialogun dhjetëvjeçar.

Një përparësi tjetër e rëndësishme është se konferenca kërkon një qasje multilaterale nga vendet perëndimore, me përqendrim të veçantë te vendet e QUINT-it (Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara). Kjo do të përkthehej në presion për të dhënë rezultate konkrete si për Kosovën, ashtu edhe për Serbinë, duke reduktuar kësisoj rrezikun e moszbatimit.

Së treti, një marrëveshje potenciale që do të rezultonte nga konferenca ndërkombëtare do të krijonte një afat kohor të përcaktuar mirë të zbatimit dhe do të përfshinte një mekanizëm që kërkon nga të dyja vendet miratimin dhe ratifikimin e plotë të marrëveshjes brenda vendit, duke e bërë atë traktat ndërkombëtar dhe detyrim ligjor të brendshëm e kushtetues. Në këtë drejtim, mospërmbushja e angazhimeve nga të dyja palët do të përcillej me pasoja dhe sanksione të rënda.

Megjithëkëtë, pavarësisht të gjitha përparësive që përmendëm, është e rëndësishme të nënvizohet se konferencat ndërkombëtare nuk janë ilaçe mrekullibërëse dhe efektiviteti i tyre varet nga faktorë të ndryshëm, përfshirë gatishmërinë e palëve në konflikt për t’u përfshirë në bisedime me mirëbesim, praninë e ndërmjetësve të aftë dhe konvergjencën e interesave ndërkombëtarë.

Mangësitë e një konference ndërkombëtare

Edhe pse mund të duket se një konferencë ndërkombëtare është për momentin opsioni më pragmatik për arritjen e një zgjidhjeje përfundimtare midis Kosovës dhe Serbisë, është e rëndësishme të dihet se ka po ashtu mangësi të rëndësishme që evidencohen te kjo qasje.

Së pari, shtytja për një zgjidhje përfundimtare nëpërmjet një konference ndërkombëtare mund që potencialisht të shkaktojë reagime negative dhe të nxisë një ndjesi presioni dhe padrejtësie karshi Kosovës dhe Serbisë.

Së dyti, të dyja palët do të shpresonin se do të mund të arrinin koncesione më të mëdha në një konferencë ndërkombëtare në krahasim me formatin aktual të ndërmjetësuar nga BE-ja. Si Beogradi, ashtu edhe Prishtina, do të përpiqeshin të maksimizonin kërkesat e tyre, gjë që do të mund të rezultonte në një dështim të konferencës, ngjashëm me bisedimet e udhëhequra nga OKB-ja më 2005.

Për më tepër, një mangësi tjetër e rëndësishme mund të jetë edhe mundësia që konferenca të mos prodhojë rezultate pozitive, gjë që mund të gjenerojë pakënaqësi në mesin e vendeve perëndimore dhe të shkaktojë një valë pasojash dhe sanksionesh kundër Kosovës dhe Serbisë. Një skenar i kësillojtë do të rrezikonte progresin relativ të arritur gjer tani në rajon dhe ndoshta do të mund edhe ta përkeqësonte situatën.

Mbetet e paqartë nëse vendet perëndimore do të priren të ndjekin një ide të tillë. Megjithëkëtë, kjo ndërmarrje vërtet paraqet një sfidë të rëndësishme, veçanërisht për BE-në. Roli i BE-së në gjithë procesin ka qenë jashtëzakonisht i rëndësishëm, sidomos kur bie fjala te përfshirja e thellë dhe afatgjate në politikën e zgjerimit. Kjo e bën veçanërisht sfiduese ndërmarrjen e ndryshimeve të tilla gjithëpërfshirëse në kuadër të bisedimeve.

BE-ja mori përsipër zgjidhjen e konfliktit Kosovë-Serbi pasi pa mundësinë e forcimit të ndikimit të saj dhe pozicionimit në hartën gjeopolitike si akter i rëndësishëm në zgjidhjen e konfliktit.

Me pranimin e konferencës ndërkombëtare, BE-ja do të vuloste dështimin e saj për ta zbutur këtë konflikt dhe për të lehtësuar një proces kredibil të normalizimit. Kjo do të ndikonte jashtëzakonisht shumë në besueshmërinë e BE-së në Europë dhe anembanë botës.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.