Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pas sulmit terrorist të Banjskës, Kosova të rikapitalizojë partneritetin euroatlantik

Ngjarjet e 24 shtatorit në veri të Kosovës rikthyen në zemër të Ballkanit fantazma që lidhen sa me të shkuarën e patejkaluar plotësisht, aq edhe me të ardhmen e pasigurt. Agresioni i strukturave paramilitare serbe në Banjskë tregoi dhe një herë brishtësinë e arkitekturës së sigurisë në Ballkan, veçanërisht në vazhdën e politikës dhe kërcënimit që buron nga irredentizmi dhe hegjemonia serbe.

Në të njëjtën kohë, sulmi që rezultoi në vdekjen tragjike të rreshterit të policisë, Afrim Bunjaku, dhe plagosjen e një polici tjetër, shfaqi boshësinë e retorikës dhe mungesën e veprimit politik që ka karakterizuar dialogun Kosovë-Serbi dhe qasjen inerte të BE-së. Mirëpo, sulmi në Banjskë mund të prodhojë një ndryshim paradigmik.

Së pari, ngjarjet e 24 shtatorit rrëzuan ngrehinën logjike të së ashtuquajturave “masa” të ndërmarra ndaj Kosovës nga BE-ja. Absurditeti i tyre doli në pah pikërisht pas trazirave në veri të Kosovës.

Kosova – pavarësisht gabimeve dhe kokëfortësisë së rastit – është afruar drejt dialogut me vullnet të mirë dhe propozime konkrete. Nga ana tjetër, Serbia jo vetëm është ulur gjithmonë në tryezë me predispozita penguese, por tashmë edhe frymëzon struktura kriminale dhe grupime paraushtarake terroriste në territorin e palës tjetër. Pavarësisht kësaj, masa deri më sot kemi për të parën dhe jo për të dytën.

Së dyti, qëndrimi i Beogradit për të strehuar politikisht dhe garantuar lirinë e Milan Radoiçiqit, liderit të sulmit të 24 shtatorit, dhe militantëve të tjerë të përfshirë, çjerr maskën e kuruar me kujdes të lidershipit serb. Presidenti serb Vuçiq tejkaloi vetveten, fillimisht duke gënjyer se fajtori për sulmin në Banjskë është kryeministri Kurti, pastaj duke glorifikuar terroristët dhe duke shpallur zi zyrtare për nder të tyre.

Pavarësisht përpjekjes për të përdorur mjetet e zakonshme të propagandës, si dhe konsulentët e tij nga të dy anët e oqeanit, kësaj radhe pak gjë mund ta rikrijojë imazhin e një lideri dhe partneri të besueshëm për perëndimin.

Së treti, sulmi i Banjskës shpalosi shterpësinë e lentes me të cilën janë parë nga interlokutorët perëndimorë zhvillimet në veri të vendit, që nga braktisja e institucioneve nga serbët e Kosovës, nën dirigjimin e drejtpërdrejtë të Beogradit. Presioni ndërkombëtar për të detyruar zgjedhje të reja në komunat me shumicë serbe duket sot paradoksal kur mendon se rrjedhoja e zgjedhjeve të reja do të ishte sjellja në krye të institucioneve lokale e përfaqësuesve të Listës Serbe.

Kjo e fundit, një strukturë politike e varur që në gjenezë nga Beogradi, e ka sot një nga drejtuesit më të rëndësishëm të saj në krye të ekstremistëve që ngritën armët kundër forcave ligjzbatuese të Republikës së Kosovës. Edhe më keq se aq, Lista Serbe nuk u distancua nga Radoiçiqi dhe sulmi terrorist, por i shpalli martirë vrasësit që humbën jetën gjatë agresionit.

Në saje të këtyre elementeve, Lista Serbe mund të krahasohet sot me organizata të tilla si Hamasi apo Hezbollahu, të listuara si organizata terroriste nga Perëndimi.

Serbia zyrtare, nëpërmjet qasjes dhe strehimit që u ka bërë terroristëve, ka minuar plotësisht themelet e mirëbesimit dhe të gatishmërisë për të qenë palë aktive dhe konstruktive në dialog. E vetmja mënyrë nëpërmjet së cilës mund të ulet në tryezë është nëpërmjet masave dhe presionit të shtuar të komunitetit ndërkombëtar. Përndryshe, veçse do të vazhdojë të bllokojë çdo lloj përpjekjeje për ta përfunduar dialogun.

Përpara këtyre miteve dhe pretendimeve që u zhbënë, çfarë duhet të bëjë Qeveria e Kosovës dhe, më gjerë, të gjithë ata që janë të angazhuar për të garantuar një Ballkan të qëndrueshëm dhe të paqtë në planin afatgjatë?

Pas sulmit të Banjskës, Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një fushatë për të bindur BE-në që t’i vendosë sanksione Serbisë. Madje, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz, së fundmi deklaroi se nëse BE-ja nuk imponon sanksione ndaj Serbisë, Kosova nuk do të kthehet në tryezën e bisedimeve.

Në fakt, sanksionet janë jo vetëm të merituara, por edhe të nevojshme, për ta detyruar Beogradin që të ndryshojë qëndrimin dhe të adoptojë një qasje më konstruktive ndaj dialogut dhe vetë Kosovës. Madje, duhet që jo vetëm të ketë një tërheqje të tyre prej BE-së, por të realizohet dhe një analizë për efektin katërcipërisht negativ që ato patën si kundrejt Kosovës, ashtu edhe kundrejt të gjitha dinamikave rajonale.

Megjithatë, nuk gjykoj se i takon vetë Prishtinës të shpenzojë energji ose kapital politik në fushatën për të kërkuar sanksionimin e Serbisë. Në fakt, më shumë sesa sanksionimi i Serbisë, një veprim i cili në fund të ditës nuk varet as në planin e ngushtë dhe as në atë të gjerë nga Prishtina, lidershipi i Kosovës duhet të realizojë një fushatë për të kërkuar zhbërjen e masave që u ndërmorën ndaj vetë Kosovës.

Dialogu ndërmjet palëve duhet rifilluar, megjithatë ai nuk mund dhe nuk duhet të jetë më si më parë. U takon ndërmjetësuesve dhe partnerëve ndërkombëtarë ta bëjnë të qartë se nuk ekzistojnë premisat për të këmbëngulur në lojërat politike të Beogradit dhe të tolerojnë vonesa të mëtejshme.

Në këtë pikë, kjo nuk mund të realizohet përveçse me përfshirjen e drejtpërdrejtë në proces të përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara. Nuk mjafton prania vetëm si vëzhgues ose palë mbështetëse e këtyre të fundit, por nevojitet dhe një aktivizëm i ri i tyre brenda një kornize të re dialoguese.

Përfaqësuesit e BE-së u treguan të paaftë të ndihmonin dialogun të ecë përpara dhe madje kontribuuan në denatyrimin e procesit. Edhe në këtë pikë, Kosova duhet të jetë e qartë dhe e jo-ekuivoke.

Së fundmi, ajo çfarë del në pah më shumë se kurrë është fakti se nuk ekziston asnjë premisë për Asociacion ose Bashkësi të Komunave me Shumicë Serbe që mund të ketë kompetenca të zgjeruara. Që sot, kur përmendet asociacioni sipas kërkesave të Beogradit, nuk bëhet më fjalë vetëm për një entitet që mund të shndërrohet në gangrenë politike si Republika Serbe në Bosnjë-Hercegovinë.

Më keq se aq, ky entitet do të ishte një zonë e lirë për krimin dhe një strehë për strukturat paraushtarake dhe terroriste si ajo që pamë në Banjskë, duke u shndërruar në një burim rreziku jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin.

Duke qenë se substanca e dëshirave të Beogradit duhet demaskuar si e tillë – si dhe objektivat malinjë – lidershipi i Kosovës mund dhe duhet të paraqesë një version alternativ. Koha është e duhur për të paraqitur një propozim për një bashkësi komunash që nuk tejkalon konturat e një organizate joqeveritare mjaft bujare.

Duke ardhur nëpërmjet një koordinimi me Uashingtonin, sikurse duken gjasat dhe janë krijuar konditat, ajo duhet të paraqitet si një propozim i plotë dhe i pandryshueshëm, jo i hapur për negocim, por vetëm për pranim ose refuzim nga pala serbe. Në të njëjtën kohë, ajo duhet të jetë pjesë e marrëveshjes përfundimtare dhe kurrsesi të materializohet si një marrëveshje e mëvetësishme ose e ndërmjetme.

Vetëm ndryshimi i formatit dhe ritheksimi i parametrave themelorë të normalizimit të plotë të marrëdhënieve mund të garantojë një rezultat pozitiv.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.