Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Kakofonia strategjike dhe kërcënimi rus

Reagimi i shteteve evropiane kundrejt krizës në kufirin Ukrainë-Rusi, që potencialisht mund të precipitojë në luftë të hapur, është mjaft divers. Disa shtete kanë shprehur qëndrim të butë ndaj lëvizjeve agresive të Rusisë. Disa të tjera kanë qëndrim më të vendosur dhe proaktiv. Dhe, në jo pak raste, ka shtete me qëndrim të heshtur! Duke qenë se këto vende janë pjesë e një rajoni, madje shumë nga to janë gjithashtu të përfshira në struktura ku bashkëndajnë vlera të njëjta – si Bashkimi Evropian apo NATO-ja – pozicionime të tilla, në shikim të parë, mund të duken të çuditshme. Por, kjo sjellje e politikës së tyre të jashtme është në harmoni të plotë me perceptimin që këto shtete kanë kundrejt kërcënimeve dhe rreziqeve potenciale që cenojnë sigurinë dhe interesat e tyre nacionale. Në dokumentet e tyre më të rëndësishme strategjike ku evidentohen prioritetet lidhur me kërcënimet eventuale – siç është strategjia e sigurisë kombëtare – jo në të gjitha shtetet Rusia përbën kërcënimin kryesor për interesat vitale. Për shtete si Polonia apo Finlanda, Rusia konsiderohet si kërcënimi kryesor dhe më seriozi. Kurse, për shtete si Hungaria, Greqia apo Italia, Rusia nuk përbën shqetësim të veçantë; për to terrorizmi, emigrantet ilegal, trafikimi i narkotikëve etj. janë kërcënimet kryesore.

Siç dihet nga historia, fundi i Luftës së Ftohtë e ndryshoj katërçipërisht sistemin ndërkombëtar duke e transformuar atë nga “bilateralizmi” në “unilateralizem”, me ShBA-në si superfuqinë e vetme. Këto ndryshime strukturore që ndikuan në shkërmoqjen e Bashkimit Sovjetik në pesëmbëdhjetë republika të pavarura (duke përfshirë këtu edhe Rusinë), domosdo që modifikuan rrënjësisht hierarkinë e kërcënimeve për shtetet e Evropës. Karakteristikë thelbësore infrastrukturës së sigurisë evropiane pas Luftës së Ftohtë ishte mungesa e një kërcënimi të madh konvencional të sigurisë, që do të mund të shërbente edhe si element koheziv dhe unifikues për to. Së këndejmi, dolën në pah mospërputhje në orientimet strategjike – që reflektoheshin në vendimet politike dhe dokumentet zyrtare po ashtu – sa i përket perceptimeve për rreziqet e kërcënimet potenciale për interesat e tyre nacionale. Kërcënimet shtetërore konvencionale nuk ishin më prioritet për shumicën e këtyre shteteve. Vendin e tyre e zunë kërcënimet jo-konvencionale si terrorizmi trans-nacional, krimi i organizuar, përhapja e armëve të shkatërrimit në masë, emigrimi ilegal, apo edhe ndryshimet klimatike, sulmet kibernetike dhe, së fundi, edhe pandemitë globale.

Me pushtimin dhe aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë me 2014, situata ndryshoi thelbësisht. Supozimi i shteteve evropiane i cili mbështetej në postulate idealiste të fundit të historisë doli të ishte i pabazë. Me një fjalë, realiteti ndërkombëtar i dha fund ëndrrave liberale evropiane. Pretendimi se epoka e ndryshimeve territoriale përmes forcës ushtarake në hapësirën evropiane kishte marrë fund nuk ekzistonte më. Por, paradoksalisht, në vend që një veprim i tillë revizionist dhe agresiv nga ana e Rusisë të shërbente si element përbashkues për vendet e Evropës, në shumë nga këto shtete, ndodhi e kundërta. Divergjencat në perceptimin e kërcënimeve në mesin e vendeve evropiane vetëm sa u thelluan edhe më shumë, duke u karakterizuar nga një paaftësi evidente nga këto qeveri se si të trajtohej Rusia në raport me rreziqet dhe kërcënimet tjera potenciale.

Rusia si partner ekonomik

Për shtete si Italia apo edhe Greqia duket se, që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Rusia nuk përbën brengë të posaçme në vlerësimet e kërcënimeve kombëtare. Domosdo që një gjë e tillë reflektohet në dokumentet e tyre kryesore strategjike. Kërcënimet jo-konvencionale si terrorizmi transnacional, mungesa e stabilitetit në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Afrikës Veriore, krimi i organizuar, fushatat dezinformuese përmes lajmeve të rreme, emigracioni ilegal apo edhe epidemitë e pandemitë konsiderohen ndër prioritetet kryesore për këto vende.

Në të vërtetë, Italia prej kohësh ka ndjekur një politikë të “angazhimit të thellë” me Moskën. Studiuesit Mitchell Orenstein dhe Daniel Kelemen e portretizojnë Italinë si një nder “kuajt e Trojës” që Moska ka brenda BE-së. Që nga fillimi i agresionit të Putinit kundër Ukrainës më 2014, Italia shfaqi ngurrim të hapur lidhur me vendosjen e sanksioneve ekonomike. Kur Bashkimi Evropian kishte imponuar sanksione Rusisë, duke e kushtëzuar heqjen e tyre me zbatimin e “Marrëveshjes së Minskit” që u arrit pas aneksimit të Krimesë, raportet ndërkombëtare evidentuan një gatishmëri të Italisë për të hequr këto sanksione pa ndonjë progres të dukshëm në zbatimin e marrëveshjes. Pak vite më vonë ishte pozicionimi i Italisë që e pengoj BE-në të miratonte sanksione të mëtejme për bombardimin brutal të Alepos në Siri të kryer nga ushtria ruse. Ish-Kryeministri italian, Matteo Renzi, ishte lideri i parë nga një shtet i madh evropian që e vizitoj Kremlinin pas aneksimit të Krimesë. Në vitin 2015 Hungaria, Italia, Greqia dhe Qipro u portretizuan nga Këshilli për Çështje Ndërkombëtare i Rusisë, institut hulumtues (think-tank) rus ky i afërt me qeverinë, si vende në të cilat Rusia gjen kushte të favorshme për të avancuar dhe thelluar pozicionin e saj brenda BE-së. Në këtë raport Italia konsiderohet si “partner strategjik”, kurse Hungaria si një “mik pragmatist” i Rusisë.

Studiuesi Aldo Ferrarri, ekspert i Rusisë dhe profesor universitar, konstaton se Italia është ndoshta vendi më i afërt me Rusinë, për shkak të lidhjeve ekonomike dhe kulturore mes tyre. Në këtë kontekst, “Pirelli”, prodhues gomash, ka dy fabrika në Rusi. Ndërsa “Eni”, kompani italiane e naftës dhe gazit, ka investuar masivisht në Rusi, duke mbajtur lidhje të ngushta me gjigantin e gazit “Gazprom”, i cili është partneri i tij në tubacionin e gazit “Rrjedha Blu” (Blue Stream) që lidh Rusinë me Turqinë. Bankat më të mëdha italiane, “Intesa Sanpaolo” dhe “UniCredit”, gjithashtu kanë prezencë të madhe në Rusi.

Megjithatë, duket se Rusia nuk do të marrë të njëjtën përkrahje nga Italia sikurse në vitin 2014. Përkundër raporteve të ngushta në mes të industrisë së energjisë ruse dhe bizneseve italiane, si dhe marrëdhënieve të afërta politike që nga Lufta e Ftohtë, të cilat kulmuan në periudhën kur kryeministër ishte Silvio Berlusconi – i cili e kishte mbështetur aneksimin e Krimesë duke e vlerësuar si veprim “tejet demokratik” – Kryeministri Mario Draghi në fillim të mandatit kishte vlerësuar se për Italinë aleanca transatlantike ka më shumë rendësi së sa Putini. Ai së fundi deklaroj se Evropës i mungojnë mjetet ushtarake të nevojshme të frenuar Rusinë. Kjo është shenjë e qartë se për Qeverinë italiane, së paku në vitet e fundit, përveç që si partner i rëndësishëm ekonomik, Rusia ka filluar të shihet edhe si kërcenim për sigurinë evropiane.

Kërcënimet jo-konvencionale si prioritet strategjik

Në anën tjetër, Franca vlerëson se Rusia është kërcënim, por kërcënimet tjera janë shumë më të rëndësishme. Në dokumentin strategjik të mbrojtjes dhe sigurisë nacionale, Qeveria Franceze konstaton se terrorizmi xhihadist është “kërcenim imediat”, veçanërisht kur merret në konsiderate rritja e numrit të sulmeve terroriste që nga viti 2010. Ky vend gjithashtu është i shqetësuar me paqëndrueshmërinë në rajonin e Afrikës Veriore dhe Lindjes së Mesme. Vëmendje e posaçme në këtë dokument strategjik i kushtohet Afrikës nën-Saharine. Edhe për shkak të historisë që ka me ato vende, Franca është e interesuar në stabilitetin e këtij rajoni sepse me të ndërlidhen shumë interesa ekonomike dhe të sigurisë.

Pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, edhe pse Franca ka filluar të shfaq shqetësim në rritje ndaj sjelljes së Rusisë në arenën ndërkombëtare, megjithatë – sipas dokumenteve strategjike të këtij shteti – kërcënimet tjera vazhdojnë të mbeten më të rëndësishme. Presidenti francez, Emmanuel Macron, ishte lideri i parë i një shteti të fuqishëm evropian që takoi Putinin, që kur Rusia grumbulloj trupat ushtarake pranë kufirit me Ukrainën. Ndryshe nga udhëheqësit e ShBA-së dhe Britanisë, Macron deri më tash ka minimizuar mundësinë që Rusia së shpejti të pushtojë Ukrainën.

Barasvlera e kërcënimeve

Mbretëria e Bashkuar konsideron se Rusia dhe kërcënimet tjera kanë afërsisht të njëjtën relevancë. Bazuar në dokumentin kryesor strategjik të sigurisë kombëtare të këtij shteti, në nivelin e parë të kërcënimeve, nder të tjera, përfshihen terrorizimi, sulmet kibernetike, shëndeti publik dhe kërcënimi nga Rusia. Duke marrë për bazë sjelljen gjithnjë e më agresive të Rusisë, në këtë dokument vlerësohet se rreziqet dhe kërcënimet që shkaktohen nga shtetet janë rritur në mënyrë domethënëse, andaj Mbretëria e Bashkuar nuk mund të përjashtoj mundësinë që Moska, në një të ardhme të parashikueshme, të ndërmarr veprime agresive kundër shteteve aleate të NATO-s. Megjithatë, në të njëjtën kohë, ky shtet e sheh terrorizmin transnacional si një kërcënim po aq thelbësor. Politikbërësit britanikë kanë perceptuar një kërcënim në rritje nga terrorizmi që nga shpërthimet e Londrës në 2005. Në të vërtetë, Mbretëria e Bashkuar kishte tensionuar dukshëm marrëdhënie me Rusinë që nga vrasja e disa disidentëve rus në Londër në vitin 2006, që supozohet të jetë kryer nga shërbimi sekret rus.

Sa i përket krizës aktuale, qëndrimi i Mbretërisë së Bashkuar është në harmoni të plotë me qëndrimin e ShBA-së. Derisa forcat ruse vazhdonin të grumbulloheshin përgjatë kufirit ukrainas, ky shtet zotohej se do dërgonte më shumë ushtarë të saj në rajon për të penguar një pushtim të mundshëm. Një pozicion i tillë i këtij shteti është në harmoni të plotë më dokumentet e tyre strategjike të sigurisë kombëtare dhe perceptimin që përshkruhet aty kundrejt Rusisë si kërcenim serioz dhe që duhet të merret në konsideratë.

Strategjia “edhe-edhe”

Edhe Gjermania i konsideron terrorizmin dhe Rusinë si kërcënime të rëndësisë afërsisht të njëjtë. Sipas dokumentit kryesor strategjik të këtij vendi, sulmet terroriste përfaqësojnë sfidë imediate për sigurinë e Gjermanisë. Radikalizmi i luftëtarëve të kthyer nga zonat e krizës dhe konfliktit në Gjermani – dhe shtete të tjera të BE-së – nënkupton se ky rrezik është vazhdimisht në rritje. Në të njëjtën kohë, Gjermania e sheh Rusinë si vend që në mënyrë të hapur vë në pikëpyetje rendin evropian të paqes, me gatishmërinë e saj që përmes forcës ushtarake të shtyj përpara interesat e veta që kanë si synim “rishikimin në mënyrë të njëanshme të kufijve të garantuar me të drejtën ndërkombëtare, siç ka bërë në Krime dhe Ukrainën Lindore”. Mirëpo, ka studiues që kanë identifikuar kakofoni në vlerësimin e kërcënimeve në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme gjermane, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Mbrojtjes. Derisa dy të parat e konsiderojnë terrorizmin si sfidën kryesore të sigurisë për Gjermaninë, kjo e fundit i jep prioritet Rusisë. Duhet theksuar se para aneksimit të Krimesë Gjermania kishte raporte shumë të afërta me Rusinë, duke mbështetur atë në zhvillimin e infrastrukturës, industrive tjera, madje edhe asaj ushtarake dhe duke intensifikuar investimet në shumë fusha. Për më tepër, gjatë krizës së vitit 2014 Kancelaria Merkel mbante kontakte të ngushta me Putinin, në të njëjtën kohë, në mars të atij viti, i deklaronte Presidentit Obama se Putin e kishte humbur fare arsyen dhe duket se “jeton në një botë tjetër”.

Gjermania vlerësohet të jetë vendi me qëndrimin më të dobët, mes shteteve të mëdha perëndimore, që kundërshtojnë në mënyrë të vendosur agresionin rus ndaj Ukrainës. Ky shtet ka refuzuar t’i bashkohet SHBA-së dhe Britanisë së Madhe në eksportimin e armëve në Ukrainë. Gatishmëria e Gjermanisë për dhuruar 5000 helmeta u kritikua nga ambasadori ukrainas si vetëm një “gjest i thjeshtë simbolik”. Në ndërkohë Qeveria gjermane është zotuar të dërgoj një spital fushor në Estoni dhe ka njoftuar se do të vendos 350 trupa në Lituani, për të përforcuar një grup të ushtarëve të NATO-s që tashmë janë atje. Gjermania është një situatë jo të favorshme përballë një pushtimi potencial rus të Ukrainës duke synuar të mbaj një politikë që bazohet në postulatin “edhe-edhe”. Ky vend në të njëjtën kohë është edhe anëtare e NATO-s, por edhe partnere e rëndësishme tregtare e Rusisë. Berlini ka deklaruar vazhdimisht mbështetjen për sovranitetin ukrainas – gjë që shprehet edhe në dokumentet strategjike të sigurisë – por ka qenë pak entuziast për gatishmërinë eventuale për të braktisur gazsjellësin e diskutueshëm “Nord Stream 2”.

Ankthi permanent

Në anën tjetër, Polonia, shtetet baltike dhe Finlanda shfaqin preokupimin më të lartë të kërcënimit të Rusisë në Evropë. Tri vendet që ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik të rajonit të Baltikut – Estonia, Letonia dhe Lituania – vlerësojnë kërcënimet konvencionale ushtarake të Rusisë si brengen kryesore të sigurisë së tyre nacionale. Duke marrë në konsideratë historinë e pushtimit të përsëritur nga fuqitë e huaja por edhe pozicionin gjeografik, Polonia gjithashtu e ka vënë vazhdimisht Rusinë në qendër të shqetësimeve të saj të sigurisë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Pra, shpërbërja e Bashkimit Sovjetik për këtë vend nuk ka nënkuptuar automatikisht edhe eliminimin e kërcënimit potencial që një ditë mund të vjen nga Rusia. Në Strategjinë e Sigurisë të këtij shteti, të botuar në 2020, qysh në fillim të saj nënvizohet fakti se kërcënimi më serioz për Poloninë është “politika neo-imperialiste e Rusisë e shtyrë përpara përmes forcës ushtarake”. Sipas këtij dokumenti strategjik, Moska përmes kësaj politike agresive synon që “të destabilizoj rendin e brendshëm të shteteve dhe të vër në dyshim integritetin e tyre territorial”. Këto shtete kishin paralajmëruar prej kohësh për kërcënimet që vijnë nga Rusia nën udhëheqjen e Presidentit Putin. Por, si duket, paralajmërimet e tyre nuk ishin në simfoni me interesat ekonomike, lidhjet kulturore apo lajthitjet strategjike të shumë vendeve tjera evropiane.

Domosdoja e rishikimit të kërcënimeve

Nga analiza e mësipërme del në pah fakti se, në shumicën e rasteve, ekziston korrelacion në mes të sjelljes dhe qëndrimit që kanë shtetet evropiane kundrejt agresionit rus ndaj Ukrainës dhe perceptimit që përshkruhet në dokumentet e tyre strategjike për Rusinë si një kërcenim potencial për sigurinë dhe interesat e tyre nacionale. Janë disa faktorë që luajnë rol të rëndësishëm në përcaktimin e kësaj lidhjeje shkakësore. E para ka të bëjë më të kaluarën historike mes Rusisë dhe disa prej shteteve si dhe pozitën e tyre gjeopolitike. Në këtë kontekst, shtete si Polonia, Finlanda apo Shtetet Baltike e konsiderojnë Rusinë si kërcenim serioz për interesat e tyre kombëtare që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Si duket ato kishin marrë leksionet e nevojshme nga historia dhe nuk ishin entuziazmuar edhe aq me shpërbërjen e Bashkimit Sovjet, në mënyrë që kjo të ndikonte në ndryshimin e perceptimit për kërcënimin potencial rus. Natyrisht, ky qëndrim mbështetet mbi premisa racionale dhe fakte kokëforta nga e kaluara. Shtetet Baltike, që kishin qenë të pavarura në mes të dy luftërave botërore, u aneksuan nga Kremlini në 1940. Ndërsa, me 1939 BRSS-ja kishte pushtuar një pjesë të territorit të Polonisë. Pra, vendet që vuajtën nën regjimin sovjetik e kuptojnë më mirë kërcënimin e Rusisë dhe nuhasin potencialin destruktiv të këtij shteti.

E dyta, marrëdhëniet e ngushta tregtare dhe ekonomike, të ndërlidhura me aspektet kulturore apo edhe me raportet e afërta ndërpersonale të liderëve, kanë influencuar që shtete si Italia, Greqia apo edhe Hungaria të mos e konsiderojnë Rusinë si kërcenim për interesat e tyre nacionale. Këto shtete, dhe jo vetëm ato, në dokumentet e tyre strategjike konsiderojnë se kërcënimet jo-konvencionale janë më të rrezikshme dhe së këndejmi atyre duhet t’i jepet prioritet.

E treta, rreshtimet në aleanca strategjike me shtete si ShBA-ja – siç është rasti me Mbretërinë e Bashkuar – apo edhe fakti se disa shtete janë faktorë të rëndësishëm në struktura multinacionale të sigurisë si NATO-ja, ka ndikuar që shtete si Franca apo edhe Gjermania, krahas kërcënimeve jo-konvencionale, të portretizojnë edhe Rusinë si kërcenim për interesat e tyre. Ndër këto tri shtete, pozicioni i Gjermanisë është më delikati. Ministritë e ndryshme të Qeverisë Gjermane kanë dallime në perceptimin që bëjnë për Rusinë si kërcenim potencial. Në anën tjetër, raportet ekonomike të Gjermanisë me Rusinë, sidomos në industrinë e energjisë, janë shumë të afërta, përderisa e njëjta është anëtare e rëndësishme e NATO-s.

Ndërsa shumë shtete në Evropë në fillim të pandemisë e konsideronin përpalljen me virusin e panjohur Covid-19 si një “luftë”, Kriza në Ukrainë i rikujtoj atyre se si mund të duket lufta e vërtetë. Në të njëjtën kohë kjo i bëri të kuptojnë se paqja në Evropë, dhe jo vetëm, nuk duhet të merret si një gjendje mirëqenë dhe dominuese në sistemin ndërkombëtar e cila është këtu për të qëndruar deri në përjetësi, dhe se lufta – edhe në një rajon të konsoliduar e stabil si Evropa – nuk duhet të konsiderohet krejtësisht e paimagjinueshme. Andaj, duket se për shumë shtete evropiane ka ardhur koha që të ndryshojnë thelbësisht politikat e tyre të sigurisë. Kriza në mes të Ukrainës dhe Rusisë përben edhe një mundësi më shumë për to për të rishikuar orientimet strategjike në përputhje me ndryshimet strukturore të sistemit ndërkombëtar, duke i rirreshtuar kërcënimet potenciale për interesat e tyre nacionale, ku Rusia identifikohet nder kërcënimet më serioze.

Author

  • Alfred Marleku

    Alfred Marleku ka përfunduar studimet bachelor, master dhe ato të doktoratës në shkenca politike. Aktualisht është ligjërues në Kolegjin “UBT”, Fakultetin e Shkencave Politike. Për shumë vjet ka punuar si menaxher i projekteve të ndryshme të financuara nga Komisioni Evropian, USAID-i, Ambasada Amerikane etj., të cilat fokusohen, kryesisht, në reformat e arsimit të lartë në Kosovë, veçanërisht në kërkim dhe zhvillim (R&D); kthimin e trurit; zhvillimin e plan-programeve në harmoni me nevojat e tregut etj. Përveç kësaj, për një kohë ka qenë i angazhuar edhe në sektorin publik si këshilltar politik në fushën e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.