Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

“Jeruzalemi” si debat shterpë

Një debat i ekzagjeruar ka dominuar diskursin publik në Kosovë këto ditë në lidhje me hapjen e ambasadës në Jeruzalem në vazhdën e vendosjes së marrëdhënieve bilaterale me Izraelin. Kjo ”stuhi në gotë” jo vetëm që po shpenzon në mënyrë të kotë energji të mëdha brenda vendit, por po shndërrohet dhe në një kazus për vëmendje ndërkombëtare. I panevojshëm dhe i pavend për Prishtinën, ky diskutim duhet të përmbyllet dhe tejkalohet sa më shpejt.

Ngritja e kësaj çështjeje në rendin e ditës erdhi prej publikimit të dy letrave të urimit drejtuar zotit Albin Kurti dhe Vetëvendosjes nga kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan. Kryeministri izraelit theksonte në letrën e tij rëndësinë e vendosjes së ambasadës së Kosovës në Jeruzalem dhe e ftonte zotin Kurti në inaugurimin e pritshëm të saj. Nga ana tjetër, presidenti turk mirëpriste qëndrimin e Vetëvendosjes për rishqyrtimin e vendimit për ambasadën në Jeruzalem dhe e nxiste atë që të tërhiqej nga zotimi ndaj Izraelit.

Në vorbullën mediatike të krijuar humbën një sërë konsideratash të vlefshme për të analizuar situatën, por edhe piketash të rëndësishme në lidhje me prioritetet e jashtme të Prishtinës.

Fillimisht, misioni diplomatik, aq më shumë në nivelin e ambasadës, nuk është i zhvendosshëm sipas preferencave të njëanshme. Protokolle të detajuara përcaktojnë statusin dhe funksionet e përqasive zyrtare. Shteti pritës ka plotfuqishmërinë e aprovimit të misionit dhe të akreditimit të përfaqësuesve zyrtarë. Njëkohësisht, shtetet pritëse kanë mundësinë për të kërkuar mbylljen e tyre dhe largimin e diplomatëve. Kjo për të kujtuar se veprimet në lidhje me përcaktimin e misioneve diplomatike nuk bëhen në vakum. Ato mbeten shfaqje të marrëdhënieve diplomatike të dy vendeve, por dhe subjekt i dakordësisë së tyre.

Së dyti, duhet nënvijëzuar se portretizimi i një dikotomie në të cilën Kosova duhet të zgjedhë të jetë plotësisht me Izraelin ose plotësisht me Turqinë është një portretizim iluzor dhe i dëmshëm. Shtetet përballen me vendime të vështira dhe shpeshherë vektorë presioni kundërshtues me njëri-tjetrin. Diplomacia konsiston pikërisht në navigimin e këtyre situatave dhe në thellimin e marrëdhënieve me vende dhe organizata ndërkombëtare pavarësisht situatave komplekse në arenën rajonale dhe globale.

Deri më sot, Kosova ka treguar një aftësi të mirë për të pranëvënë orientimin transatlantik me marrëdhënie të afërta me vende si Turqia, të cilat jo gjithmonë ndjekin politika konform këtij boshti. Prishtina mund dhe duhet të vazhdojë të ushqejë marrëdhënie miqësore me të gjithë vendet e gatshme të angazhohen me të, pa sakrifikuar asgjë nga kredoja e saj perëndimore.

Në rastin specifik, duhet qartësuar se Ankaraja ka marrë përsipër të ndërhyjë në një fushë që tejkalon interesat e marrëdhënieve të ngushta Turqi-Kosovë. Turqia nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë në vendimmarrjen e një shteti sovran, sikurse është Kosova, dhe në një çështje të marrëdhënieve bilaterale me shtet të tretë, sikurse është në këtë rast angazhimi për të hapur ambasadën në Jeruzalem. Kjo i duhet bërë e qartë autoriteteve turke.

Njëkohësisht, politikëbërësit në Kosovë duhet të reflektojnë se çfarë fshihet pas interesit turk për ngritjen e këtij kazusi. Prirja e Turqisë lidhet, sipas të gjitha gjasave, me avancimin e interesave të gjera rajonale të saj. Kontestimi i statusit të Jeruzalemit shikohet nga Ankaraja si mundësi për t’u ripozicionuar në rivalitetin për supremaci brenda botës myslimane. Në këtë drejtim, lidershipi turk e shfrytëzon atë veçanërisht kundrejt vendeve arabe të Gjirit, duke kontrastuar rolin e Turqisë si mbrojtëse stoike e interesave të popullit palestinez me ato shteteve arabe të cilat kanë filluar një proces ngrohjeje të marrëdhënieve dhe normalizimi me Izraelin. Nga ana e saj, Kosova nuk ka asnjë interes shtetëror ose arsye kombëtare për t’u bërë pjesë e këtyre zhvillimeve.

Ndërsa Turqia mund ta shikojë si interes të saj të përkohshëm mosvendosjen e ambasadës së Kosovës në Jeruzalem, ky pretendim nuk ka as legjitimitet, por as substancë. Në një situatë të koklavitur ekonomike, por edhe nën një trysni të jashtme, Turqia ka filluar të lëshojë sinjale të shumta ndaj Shteteve të Bashkuara për të kërkuar tejkalimin e situatave që kanë shenjuar marrëdhëniet e ftohta ndërmjet tyre në vitet e fundit. Për më tepër, duke ndjerë një realitet të ri gjeopolitik, Ankaraja ka lëshuar sinjale dhe drejt Izraelit për çtensionimin e marrëdhënieve.

Parë nga ky këndvështrim, këmbëngulja turke ndaj Kosovës është thjesht e pretenduar, në rastin më të mirë, ose, në rastin më të keq, një mjet për t’u përdorur për interesa më të gjera të saj, Prishtina nuk duhet, në asnjë moment, të bëhet vegël ose subjekt i këtyre interesave.

Për vetë rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike me Izraelin, Kosova duhet të jetë e gatshme të kundërshtojë edhe vërejtjet e Bashkimit Europian ku ajo synon të integrohet. Turqia nuk mund dhe nuk duhet të jetë fare pjesë e këtyre konsideratave. Kjo e fundit është padyshim një vend mbështetës dhe shumë i rëndësishëm nga pikëpamja ekonomike, por nuk përfaqëson kurrsesi një pikë orientimi për politikën e jashtme të Kosovës.

Pas takimit të zotit Kurti me ambasadorin turk në Kosovë, Vetëvendosja u shpreh në mënyrë të matur se ambasada në Jeruzalem ishte “një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje.” Megjithëse u kritikua në mënyrë sensacionaliste, ky qëndrim ishte në vetevete një përgjigje shteruese që duhet ta përmbyllte debatin.

Qeveria në ikje, në zotimet e ndërmarra në Shtëpinë e Bardhë, por edhe në procesin e vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike me Izraelin, ka qënë eksplicite për vendosjen e ambasadës në Jeruzalem. Megjithëse një shtet rishtar, Kosova ka treguar maturinë për të mos u tërhequr deri më sot nga angazhimet ndërkombëtare, pavarësisht presioneve të jashtme dhe rotacioneve të brendshme. Vetëvendosja, si forca më e madhe politike në Kosovë aktualisht dhe si qeverisësja e ardhshme nuk mund ta zhbëjë këtë element të rëndësishëm që forcon imazhin dhe natyrën e Kosovës si një shtet serioz.

Brenda vendit, kjo situatë është përdorur në mënyrë meskine nga segmente të caktuara për të shigjetuar Vetëvendosjen për konsum të brendshëm politik. Në këtë rast, synimi është qartazi hedhja e dyshimeve mbi të dhe lidershipin e saj në një kohë kur këta ende nuk kanë ardhur në pushtet. Megjithatë, për hir të asaj kostoje që mund të krijohet në opinionin ndërkombëtar, ky debat duhet përmbyllur njëherë e mirë dhe sa më parë.

Hedhja poshtë e çdo lloj dyshimi dhe refuzimi i këtyre debateve duhet të shikohet nga Vetëvendosja si mundësi për të treguar se akuzat për mungesën e përvojës qeverisëse dhe të një boshti për ardhmërinë e politikës së jashtme të vendit janë të pabaza. Në këtë mënyrë, liderët e saj do të konsolidojnë jo vetëm imazhin e qeverisë së ardhshme, por edhe të vetë Kosovës.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.