Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Shënime kushtuar një dritëshkroje

Foto: Marubi Museum
Një imazh i zakonshëm nuk shpreh asgjë përveç vetvetes dhe përputhjes që ai ka me botën. Në këtë kuptim, fuqia shprehëse e imazhit është e njëjtë me gjuhën: fjalët shprehin vetveten dhe marrëdhënien që ato kanë me sendet përkatëse. Por, diçka e çuditshme, diçka e pashpjegueshme, diçka gati hyjnore ndodh kur papritur fjalët apo imazhet shkojnë përtej përdorimit të tyre të zakonshëm dhe mekanik. Në këtë çast, Fjala dhe Imazhi nuk përdoren më nga ne, por e kundërta: ne kthehemi në përcjellës të Fjalës dhe Imazhit. Fjala dhe Imazhi përmbledhin brenda vetes një tërësi dhe shprehin kuptimin e pafundëm të pamjes të paskajshme. Ky shndërrim hyjnor i marrëdhënies që ne kemi me gjuhën është fillimi i poezisë së mirëfilltë. Por nuk është vetëm gjuha që e ka këtë mundësi të shprehjes përfundimtare. Edhe imazhi mund të jetë poetik në kuptimin rrënjësor të fjalës. Një imazh, si gjuha, gjithashtu e ka fuqinë për të kapërcyer vetveten dhe të mundësojë shfaqjen e një gjithësie të paanë.

Kur isha fëmija ëndërroja shpesh për një fe që shpreh çdo gjë vetëm përmes imazhit dhe heshtjes. Tani e kam kuptuar se kjo gjë është tërësisht e mundur.

Fotoja është shkrepur në vitin 1878 nga Pjetër Marubi. Unë nuk di asgjë për këtë grua, për jetën, vështirësitë, dëfrimet apo pikëpamjet e saj. Është më mirë kështu, pasi mendoj se ky imazh shkon përtej vetvetes dhe përputhjes që ajo ka me zonjën në fjalë.

Ka diçka thellësisht të fshehtë në këtë dritëshkrojë, diçka magjepsëse dhe të frikshme në të njëjtën kohë. Fuqia shprehëse e këtij imazhi qëndron te përplasja, kundërshtia dhe dialektika e shfaqjes. Gruaja shfaq një vështrim të thellë, me një palë sy që shprehin një ankth të pafundëm. Por frika e madhe e atij vështrimi shoqërohet nga një qëndrueshmëri stoike, një vendosmëri e patundur.

Në këtë dritëshkrojë shohim përplasjen midis trupit dhe shpirtit, midis dëshirave kafshërore dhe civilizimit, midis rendit njerëzor dhe rendit natyror. Po ta kish parë Frojdi këtë imazh, do të kish shkruar një libër të tërë për të.

Në imazh duket sikur shpirti mundohet të durojë, sikur përpiqet t’i vendosë rregulla dëshirave rastësore të trupit. Shpirti e fshikullon trupin me kamxhikun e ndërgjegjes dhe të fajit. Shpirti e mbulon trupin me lloj-lloj veshjesh, i shpërfill ndjenjat e brendshme, e urdhëron trupin t’i vendosë duart qetësisht përpara.

Civilizimi është, në këtë kuptim, një shpirtëzim i trupit dhe botës i zgjatur në kohë dhe hapësirë. Lufta e brendshme që ne kemi me trupin është e njëjtë me luftën e jashtme që ne kemi me natyrën.

Por dëshirat kafshërore janë ende aty, brenda nesh. Nuk janë zhdukur. Ato janë si një fuqi e errët që mundohet të dalë përtej shpirit dhe ndërgjegjes. Trupi është i mbuluar, por jo krejtësisht ama. Gjinjtë e hijshëm shfaqen, duke e shkatërruar bluzën dhe vullnetin e shpirtit për ta kontrolluar. E vetmja gjë që mendoj, kur shikoj gjinjtë në këtë dritëshkrojë është dëshira e pamasë e trupit për t’u zhveshur krejtësisht. Gjinjtë e kësaj gruaje janë fuqia e bukur dhe shkatërruese e natyrës: një fuqi që nuk mund të kontrollohej dot nga mekanizmat tonë të ndërlikuar teknologjik. Një shkatërrim i papritur, pikërisht atëherë kur ne mendonim se çdo gjë zbatohej sipas rregullave të mbivendosura.

Njeriu nuk është një gjendje, por një përplasje e vazhdueshme, një dialektikë e vazhdueshme midis trupit dhe shpirtit, midis dëshirave kafshërore dhe ndërgjegjes, midis natyrës dhe teknologjisë. Është pikërisht ky ballafaqim i pandërprerë që na ka shndërruar në një përbindësh, mbushur me ankth dhe frikë. Në sytë e kësaj gruaje nuk shfaqet asgjë më pak e asgjë më shumë por vetë historia e njerëzimit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.