Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rikalibrimi i pritjeve

Marrëveshja potenciale e paqes me Serbinë është epiqendra e thuajse të gjitha zhvillimeve dhe deklaratave politike vitet e fundit në Kosovë. Ajo gjithashtu është shndërruar edhe në korrespondencën kryesore të Kosovës me partnerët e saj ndërkombëtarë. Pesha që i është dhënë procesit të dialogut ka lënë në hije çështjet e tjera, duke e bërë impetusin parësor të zhvillimeve politike me rëndësi, sikundër rrëzimi i Qeverive apo zgjedhjet e parakohshme.

Nga proponentët në Kosovë, marrëveshja potenciale me Serbinë është përshkruar si breakthrough që do të ndryshojë gjithçka, duke pëfshirë sjelljen e Serbisë ndaj Kosovës. Në këtë rrafsh, jo pak përkrahës të marrëveshjes, duke përfshirë politikanë të nivelit të lartë, nuk kanë hezituar ta barazojnë marrëveshjen me ‘heqje qafe’ të Serbisë. Këto deklarata kanë nëntekstin se me këtë marrëveshje do të krijohet një relacion i ri, me ç’rast kursi i Serbisë ndaj Kosovës do të transformohet. Ndryshim 180 shkallë! Sidoqoftë, ky pikëvështrim qëndron mbi dhe të rrëshqitshëm. Pritje të këtilla janë, thënë më së buti, joreale.

Politika e jashtme e Serbisë ka Kosovën në epiqendër të saj tash e shumë dekada. Platformat serbe për Kosovën mbulojnë një periudhë mbi 200 vjeçare, që fillon nga Naçertanijan e Garashaninit viti 1844, vazhdon me Projektin për Dëbimin e shqiptarëve të Çubriloviçit viti 1937, Elaboratin e Andriqit viti 1939, pastaj Librin e Kaltër nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Serbisë viti 1977, Memorandumi i ASHAS viti 1986 dhe së fundmi Memorandumin II të ASHAS viti 2011.

Këto platforma kanë shërbyer si udhëzues i veprimit politik të aparatit shtetëror serb dhe strukturave parapolitike të lidhura me shtetin në vazhdimësi. Ato kanë drejtuar politikat e Serbisë për Kosovën dhe gjithashtu kanë formësuar konsiderueshëm raportet e Serbisë me shtetet tjera. Mbi të gjitha, ato kanë kontribuar që në Serbi, Kosova të shndërrohet në një temë ku pikëprehen doktrinat dhe idetë dhe gjeostrategjike, fetare, kombëtare dhe kulturore. Prandaj, heqja qafe e një trashëgimie të këtillë dyshekullore, përmes një marrëveshje të nënshkruar tingëllon shumë optimiste, cilado qoftë formula.

Parë gjerësisht, historia njeh ndryshime rrënjësore të politikës së jashtme të shteteve. Mund të përmendet Kushtetuta e Japonisë e fund viteve 1940-ta, e cila si pasojë e debaklit të LDB-së i dha fund orientimit disadekadësh ekspansionist të ishullit aziatik, duke e orientuar njëherë e përgjithmonë kah paqja. Në këtë mënyrë, kjo ngjarje e rivizatoi politikën e jashtme dhe raportet fqinjësore të Japonisë. Rasti i Japonisë nuk është i vetmi. Fundja, sikur shkruante politikani izraelit Shimon Peres në librin e tij të fundit para vdekjes “Historia është antidotë e fuqishme e pikëvështrimit të botës në mënyrë cinike”.

Megjithatë, në rastin e Serbisë një skenar i këtillë ngjan si ndonjë tregim fiktiv i Jorge Luis Borges. Bazuar nga çfarë deklarohet prej zyrtarëve serbë, sjellja e Serbisë ndaj Kosovës në rastin më të mirë, edhe pas një marrëveshje eventuale, mund të ndryshojë vetëm minimalisht. Madje, edhe ky ndryshim do të kërkonte një periudhë të konsiderueshme kohore, duke llogaritur bashkëveprim të shumë faktorëve përreth, aq thellë e rëndueshëm qëndron Kosova në diskursin publik serb.

Mbi këtë bazë, propozicionin se Kosova do të zhduket a priori nga prioritetet e politikës së saj të jashtme, në rast të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes, duhet shikuar me dyshim. Bazuar në mësimet e historisë dhe observimet e ligjërimit aktual të politikës serbe për Kosovën, obstruksionet politike e Serbisë do të vazhdojnë, edhe në rast se teknikat ndryshohen si pasojë e një marrëveshje të nënshkruar. Për më shumë, Kosova do të vazhdojë të ketë konfrontim narrativ me Serbinë, në radhë të parë për historinë, për faktin se interpretimi i të shkuarës dallon katërcipërisht.

Natyrisht, dikush mund të shtrojë pyetjen pse pra duhet që Kosova të nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, ç’është kryesorja pse bash në këtë moment? Këtu duhet cekur se marrëveshja ka të bëjë me alternativat e mundshme në raport perspektivën afatmesme dhe afatgjatë. Në rendin ndërkombëtar në të cilin kemi hyrë, globalizmi, demokracia dhe internacionalizmi liberal, gjejnë veten në tkurrje përballë nacionalizimit, izolacionizmit, populizmit dhe iliberalizmit. Madje më e rëndësishmja, këto fenomene nuk i kanë goditur vetëm autokracitë dhe diktaturat, por edhe demokracitë liberale dhe organizatat shumëpalëshe.

Kosova tashmë e ka ndjerë shijen e hidhur të këtyre dinamikave, përmes ngecjes dhe stagnimit në zgjerimin e saj diplomatik vitet e fundit, duke përfshirë tërheqje njohjesh nga disa shtete. Me të gjithë të panjohurat e saj, kjo dekadë përshkruhet shpesh si dekada e përçarjes dhe atë jo vetëm në relacion me dy shtetet më të forta ekonomikisht SHBA dhe Kinën.

Në këtë rrafsh, situata e rendit ndërkombëtar është e lidhur ngushtë me nevojën e marrëveshjes me Serbinë për Kosovën. Rëndësia e marrëveshjes me Serbinë për Kosovën fiton peshë atëherë kur shihet tablloja e plotë e sistemit ndërkombëtar vitet e fundit, erozioni i rendit liberal dhe transformimi i rolit udhëheqës të SHBA-së në botë, e cila tashmë shpesh e cilëson investimin në sistemin ndërkombëtar të bazuar në norma (që vetë e kishte dizajnuar) si një luks të panevojshëm. Parë nga ky kënd, një marrëveshje e nënshkruar është në radhë të parë interes i vetë Kosovës, e cila ka nevojë për një dozë qartësie dhe sigurie përballë këtyre dinamikave të paparashikueshme. Pasi nuk ka mjaftueshëm shenja se konteksti ndërkombëtar do të shkojë duke u bërë më miqësor për Kosovën në dekadën në të cilën kemi hyrë. Përkundrazi, ai mund të shkojë duke u bërë më i rrezikshëm.

Në anën e kundërt, nëse analiza bëhet me mjetet konceptuale të mëhershme, le të themi të periudhës kur Kosova shpalli pavarësinë, gjasat janë se përherë do të përfundohet në keqlexim të forcave në terren dhe potencialit të tyre në të ardhmen. Prandaj, nevoja e marrëveshjes duhet shikuar nga perspektiva e së ardhmes, jo nga konsideratat morale apo aktualiteti politik.

Mes gjithë kësaj, marrëveshja ka potencial të krijojë një modus vivendi të ri duke garantuar një situatë më të qëndrueshme, edhe pse jo domosdoshmërisht të përhershme. Në këtë drejtim, një marrëveshje cilësore mund të zgjerojë agjencinë e gjymtuar në sistemin ndërkombëtar, që e ka bërë Kosovën të jetë shumë më shumëfish më shumë objekt, se sa subjekt i dinamikave politike.

Sidoqoftë pavarësisht kësaj, marrëveshja eventuale politike me Serbinë nuk duket të jetë shkopi magjik për zgjidhjen e të gjitha problemet e mundshme. Nuk do ta heqte Serbinë nga qafa e Kosovës, ashtu që pastaj dy shtetet të jetojnë të lumtura së bashku deri në fund të kohës, si në ndonjë nga përrallat e Andersenit. Prandaj, pritjet në anën kosovare duhet rikalibruar: po aq sa me triumf, marrëveshja ka të bëjë me mbijetesë.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.