Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Njëherë si tragjedi, pastaj si farsë – Çlirimi dhe “çlirimet”

Të shumta janë arsyet që shtynë Gjermaninë të mos bashkohej me ShBA-në në luftën e Irakut. Mirëpo njëra nga to ishte edhe fakti që Seniori George Bush në ligjërimin e vet po e barazonte Sadam Husseinin me Hitlerin. Politikbërësit gjermanë ishin ofenduar nga një diskurs i tillë sepse për ta Nazizmi e Hitleri janë e keqja më e madhe, që nuk do të ishte më e tillë, nëse do të krahasohej me të këqija tjera.

Sipas tyre, nëse barazohet me regjimin e Sadamit, atëherë Holokausti nuk qenka krim i veçantë dhe i papërsëritshëm, por një rregullsi historike. Sipas Dunne, Kurki dhe Smith në librin e tyre “Teoritë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare” një qasje e tillë kurrë nuk gjeti vend në psikikën kolektive të opinionit publik gjerman. Madje i zbehu raportet mes dy shteteve.

Ndërkohë çdo vit në qershor Kosova kujton çlirimin nga Serbia. Gati në çdo ditë të muajit nga një qytet feston ngjarjen më të madhe në historinë tonë. Mirëpo për shumë parti e figura kjo ngjarje nuk është aq e madhe, sa të mos krahasohet me ndonjë fitore zgjedhore apo me ndonjë politikë ditore. Duke e trajtuar si ngjarje shpesh të përsëritshme që mund të ndodhë secilën ditë, fjalën “Çlirim” e përdorin jo vetëm si metaforë, por edhe në kuptimin e shkronjë-për-shkronjshëm të fjalës.

Megjithatë, duke e bërë këtë, përdoruesit e kësaj shprehjeje nuk e rrisin aq shumë suksesin e vet, sa e zvogëlojnë çlirimin e vërtetë, atë më ç të madhe. Duke e futur në gërshërët e krahasimit, ngjarja më e madhe në historinë e Kosovës, një luftë e përgjakshme e plot sakrifica, devalvohet dhe trivializohet në një proces të qetë elektoral, fer e demokratik dhe pa asnjë incident.

Ky ligjërim normalisht del edhe përtej partive politike dhe përtej Kosovës. Andi Bushati, gazetar nga Shqipëria, shkruan se si “disa komandantë janë sjellur më keq sesa Arkani me Kosovën”. Ai duke dashur të hiperbolizojë të bëmat e ish-luftëtarëve që përdorën vlerat e luftës për të arsyetuar korrupsionin, nepotizmin, klientelizmin, në fakt i bëri nder Arkanit, duke shpërfillur masakrat e “Tigrave” të tij kundër shqiptarëve.

Kjo formë e amnezisë është më e rëndë së amnistia. Amnistuesit, sado moskokëçarës ndaj vuajtjeve të viktimave, së paku e përmendin krimin që po e falin. Ajo çfarë bën Bushati është shtrembërim i të vërtetës historike deri në atë masë, sa Arkani paraqitet si njeri më i mirë për popullin e Kosovës sesa komandantët e UÇK-së që luftuan për çlirimin e Kosovës. Sa për dijeninë e Bushatit, Arkani në fakt është ndër kriminelët më të mëdhenj që kanë kryer gjenocid në Kosovë dhe bëmat e tij nuk mund të krahasohen me afera korrupsioni.

Të njëjtin diskurs, por vetëm nga ana e kundërt, e përdori edhe Mero Baze, kolegu i Bushatit, kur i barazoi masat represive të Sllobodan Millosheviqit me procedurat kufitare të Republikës së Kosovës të vendosura nga Qeveria Kurti kundër Covid-19. Edhe këtu në mënyrë absurde figura monstruoze e kriminale e Millosheviqit reduktohet në një doganier që zbaton masa anti-kushtetuese kundër një virusi.

Papunësia, varfëria, korrupsioni, nepotizmi e klientelizmi janë probleme që duhet të adresohen dhe të zgjidhen. Mirëpo nuk është e nevojshme që të vendosen në një terren të bashkëmatshëm me luftën kundër pushtuesit. Strategji të ngjashme komunikimi ka përdorur edhe kryetari i PDK-së Kadri Veseli, kur barazonte luftën kundër korrupsionit me luftën kundër Serbisë. Përkundër faktit që lufta kundër korrupsionit nuk kërkon vrasje të “ushtarëve të korrupsionit”, gjatë fushatës zgjedhore Veseli thoshte se “do ta luftoj korrupsionin sikur Serbinë”.

Një gjë të tillë e bëri edhe Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit pak ditë më parë. Duke zgjedhur ditën e 12 qershorit si datë për të organizuar protestë që e çliron “shtetin e kapur”, VV-ja pretendon që misioni i vet është i barabartë me atë të UÇK-së, duke provuar të na bindë se Kosova ka nevojë për një çlirim të llojit të 1999.

Nuk është hera e parë që figura të VV-së flasin me gjuhë të tillë. Rezultatin e zgjedhjeve të 11 qershorit të vitit 2017 e kishin quajtur “çlirim” në kuptimin literal të fjalës. Në fakt, e përbashkëta e vetme e këtyre ngjarjeve është data. Kanë ndodhur në muajin qershor. Zgjedhje të lira që ku shprehet vullneti i popullit mund të mbahen vetëm në një vend të çliruar, prandaj referencat janë të pabaza. Megjithatë kjo nuk e ndaloi Kurtin që ta barazojë themelimin e VV-së më 12 qershor të vitit 2005 me çlirimin e Kosovës nga Serbia.

Si pasojë e kushteve objektive dhe për shkak të keq-qeverisjeve të deritanishme, Kosova ka shumë probleme. Por përkundër vështirësive të shumta, Kosova nuk funksionon më keq sesa vendet e rajonit. Para pak ditësh Freedom House publikoi përmbledhjen e vlerësimit të shteteve ku konstatohet se Kosova është i vetmi vend në rajon që ka bërë progres të vazhdueshëm për pesë vite me radhë. Këtë e vërtetojnë edhe disa raporte tjera, si ai i “Heritage Foundation” për liri ekonomike dhe i “World Justice Project” për sundim të rendit dhe ligjit.

Kosova nuk ka bërë mjaftueshëm e as sa ka mundur, por problemet e saj mund të trajtohen pa pasur nevojë që të thuhet se neve na duhet një çlirim me ç të madhe. Përpjekja për të rritur funksionalitetin e shtetit nuk mund të barazohet me luftë kundër një okupatori. Poashtu rezultatet zgjedhore mund të interpretohen si përparim, por nuk mund të barazohen me ngjarje si lufta e çlirimi. Çështja e çlirimit është kryer më 1999 dhe derisa nuk pushtohemi nga një shtet tjetër, Kosova nuk ka nevojë për çlirim. Këto shprehje janë të mira për sllogane e parulla në politikën ditore, por nuk janë të denja për lartësi historike.

Jean Francois Lyotard në librin e tij “Le Differend” thotë se “Auschwitzi është një model që përcakton një përjetim që ndalon ligjërimin spekulativ”. “Nuk mund të ketë ligjërim spekulativ pas Auschwitzit” thotë ai. Në rastin tonë mund të themi se Çlirimi i Kosovës është përtej kompasit të çdo metodologjie krahasuese që me formulat e veta gjymton të vërtetën e kësaj ngjarjeje.

Ngjashëm, por nga një tjetër prizëm, kritiku marksist letrar Terry Eagleton thotë se “njerëzit nuk janë të vetëdijshëm që janë produkte të revolucioneve. Revolucione të suksesshme janë ato që zhdukin gjurmët e veta.” Duke bërë këtë, revolucionet bëjnë që situata për të cilën u luftua e u sakrifikua shumë të duket si e natyrshme dhe si vetë-evidente.

Në këtë pikë, revolucionet janë sikur momenti kur lindim. Për të funksionuar “normalisht”, duhet të harrojmë ankthin dhe terrorin që sjellë ardhja në jetë. Se “njeriu ka prirje që të harrojë në mënyrë që çlirohet nga përjetimet traumatike, ndërprerëse e të dhunshme” e thotë edhe Paul Ricoeur në librin e tij “Kujtesa, Historia dhe të Harruarit”.

Origjinat janë zakonisht traumatike si për individët, ashtu edhe për shtetet. Normat e revolucioneve të suksesshme përbrendësohen dhe normalizohen aq shumë, sa besojmë se ato kanë ekzistuar gjithmonë dhe harrojmë se janë jetësuar me shumë sakrifica e vuajtje.

Në 21 vjetorin e çlirimit të Kosovës mund të themi se relativizimi i çlirimit të Kosovës vjen edhe si pasojë e suksesit të tij. Suksesi i revolucionit dhe prirja jonë për të harruar traumat janë duke zhdukur gjurmët e luftës dhe të çlirimit. Aq shumë sa njerëzit duket se nuk e njohin më aq mirë, prandaj edhe e ngatërrojnë me të tjera zhvillime. Mirëpo tendencës për të harruar, qoftë për shkak të suksesit apo normalizimit, duhet t’i kundërvihemi me një etikë të kujtesës që mban mend ngjarjet e mëdha dhe i trajton si të tilla.

Çlirimi i Kosovës është aq unik e aq singular në natyrën e tij, sa çdo përpjekje për imitim të tij do të përfundojë në një karikaturë. Duke tallur Louis Bonaparten, Marxi thotë se “Hegeli kishte të drejtë kur thoshte se ngjarjet paraqiten dy herë, por kishte harruar të shtojë se historia shfaqet njëherë si tragjedi, pastaj si farsë.”

Në esenë e tij “18 Brymeri i Luois Bonapartës”, një rekuiem i një revolucioni të dështuar, Marxi e shtron problemin pak më ndryshe dhe thotë se “tradita e gjeneratave të vdekura rëndon si makth në trurin e të gjallit. Atëherë kur duket se të gjallët janë pranë revolucionarizimit të vetes dhe rrethanave, duke krijuar diçka të paprecedent… ata me nervozë ftojnë shpirtërat e së kaluarës, duke huazuar nga ta emrat”.

Sipas Marxit, Napoleoni krijoi kushte për konkurrencë të lirë, tregti dhe mundësoi që kombi të shfrytëzojë fuqinë e pafrenueshme të prodhimit, ndërkohë që Louisi, duke besuar që fitoi një vrull revolucionar… ngjalli ediktet dhe datat e vjetra, emrat dhe kronologjinë e vjetër dhe u zhyt në një mediokritet grotesk”.

Të njëjtën mund ta themi edhe për Kosovën. Të gjithë ata që mundohen që tragjedinë e luftës dhe triumfin e Çlirimit të Kosovës ta replikojnë në politikat e tyre ditore do të bëhen një varg i gjatë i farsave dhe karikaturave groteske. Sado e fuqishme të jetë tendenca për të harruar, vetëm gjeneratat e ardhshme do të jenë në gjendje të mos e ndajnë historinë në dy epoka: Para dhe Pas luftës. Madje vetëm atëherë kur shtetësia e Kosovës të duket si e përhershme. Kur as pavarësia e Kosovës nuk ka pasur impaktin e njëjtë me Çlirimin e Kosovës, nuk do ta kenë as slloganet, fushatat elektorale e as rezultatet zgjedhore.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.