Vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Nancy Pelosi, në Tajvan në fillim të muajit gusht, u bë vizita e parë e një përfaqësuesi të lartë të ShBA-së në këtë vend në 25 vjetët e fundit. Vizita e kryetares Pelosi u bë pavarësisht kundërshtive të Shtëpisë së Bardhë dhe Pentagonit – kundërshti të cilat erdhën si rezultat i reagimit të ashpër të Republikës Popullore të Kinës, e cila këtë vizitë e konsideroi si cenim të integritetit të saj territorial, duke filluar kështu një seri ushtrimesh të ushtrisë së kineze afër ishullit tajvanez.
Pekini insiston se vizita e kryetares Pelosi bie ndesh edhe me vetë ‘Politikën e Një Kine’, të cilën ShBA-ja e ka ndjekur që nga viti 1972, me anë të së cilës Uashingtoni ia njeh Pekinit autoritetin mbi territorin kinez, e jo Taipeit. Thënë ndryshe, që nga viti 1972, ShBA-ja e konsideron Tajvanin pjesë të territorit kinez, ani pse në të vërtetë mban marrëdhënie zyrtare jodiplomatike me Taipein, si dhe i garanton mbrojtje nga Pekini.
Përtej zbërthimit të problemit që ekziston mes Pekinit (Kina kontinentale) dhe Taipeit (Tajvani), është e rëndësishme që të trajtohet edhe pozicioni i Kosovës në raport me të dyja vendet, duke synuar që në mënyrë diplomatike të nxirren mësime, por edhe përfitime nga thellimi i bashkëpunimit mes Kosovës dhe Tajvanit.
“Një” Kinë apo “Dy” qeveri kineze?
Republika e Kinës (Tajvani), pas dorëzimit të Perandorisë japoneze në vitin 1945, mori nën kontroll nga kjo e fundit edhe ishullin e Tajvanit. Mirëpo, lufta civile kineze, e cila kishte nisur që në vitin 1927, rezultoi me marrjen e pushtetit nga Partia Komuniste Kineze në vitin 1949, e për rrjedhojë tërheqjen e qeverisë së deriatëhershme në Tajvan – duke e vazhduar luftën për kontroll të territorit në pjesën kontinentale.
Në vitet e para, qeveria kineze e vendosur tashmë në Taipei ishte e njohur ndërkombëtarisht si qeveri legjitime, që i zhvillonte marrëdhëniet diplomatike me pjesën tjetër të botës dhe e cila përfaqësonte Kinën në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – ku ishte edhe anëtare e përhershme me të drejtë vetoje e Këshillit të Sigurimit – deri në vitin 1971.
Më 15 korrik të vitit 1971, 17 vende anëtare të OKB-së, të udhëhequra nga Shqipëria komuniste, pas përpjekjeve disadekadëshe, ndërmorën iniciativën për t’i mundësuar qeverisë qendrore në Pekin të ulët si përfaqësuese legjitime e Kinës në OKB që ta zëvendësojë qeverinë me bazë në Taipei. Pas disa muajsh përpjekjesh e rezolutash të ndryshme, si dhe pas kundërshtive të shumta, sidomos nga ShBA-ja, ambasadori i Republikës së Kinës në shenjë proteste do të deklaronte se Republika e Kinës do të tërhiqej nga OKB-ja, duke potencuar se idealet mbi të cilat janë themeluar Kombet e Bashkuara tashmë ishin “tradhtuar”.
Në këtë formë, përpos ulëses në Asamblenë e Përgjithshme, Qeveria e Taipeit e humbi edhe ulësen permanente dhe të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurisë. Kjo tërheqje e Republikës së Kinës i hapi rrugë miratimit të propozimit të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe me 15 nëntor 1971 Qeveria e Pekinit filloi përfaqësimin e Kinës në OKB.
Që nga ajo kohë, ani pse edhe Pekini edhe Taipei pretendojnë ta përfaqësojnë Kinën, e vërteta është se këto të dyja përfaqësojnë jo vetëm vende tashmë të ndryshme, por edhe vlera të ndryshme. Përderisa Republika Popullore e Kinës vazhdon të udhëhiqet nga Partia Komuniste, Republika e Kinës (Tajvani) është një demokraci funksionale me sistem multipartiak.
Vizita e kryetares Pelosi nxiti edhe disa vizita të tjera në Tajvan përgjatë javëve në vijim. Delegacione zyrtare të ligjvënësve amerikanë, përfaqësues japonezë e lituanezë, dolën kështu qartazi në përkrahje të qeverisë demokratike në Taipei, si dhe kundërshtuan politikat e regjimit komunist të Pekinit karshi Tajvanit. Ideja e bashkëngjitjes së Tajvanit me pjesën tjetër të Kinës është e pamendueshme dhe ideja e udhëheqjes së Kinës kontinentale nga Taipei është e pamundur. E, rrjedhimisht, vendosja e marrëdhënieve me të dyja këto kryeqytete është opsioni më realist për shumicën e vendeve.
Mirëpo, Republika Popullore e Kinës refuzon të zhvillojë marrëdhënie diplomatike me këdo që mban marrëdhënie diplomatike me Tajvanin. Për këtë arsye, vetëm 13 nga 193 vende anëtare të OKB-së zhvillojnë marrëdhënie formale diplomatike me Tajvanin. Në ndërkohë, 59 shtete sovrane dhe Bashkimi Europian kanë gjetur mënyra alternative për të mbajtur marrëdhënie jozyrtare me Tajvanin, duke hapur kështu zyra jodiplomatike në Taipei. Tajvani, në anën tjetër, marrëdhëniet e tij me botën i zhvillon nëpërmjet 112 misioneve të shpërndara në glob, e të cilat në shumicën e rasteve nuk kanë status diplomatik, por janë të njohura si zyra përfaqësuese të Taipeit, e të cilat funksionojnë si de facto ambasada e konsullata.
Vendet anëtare të BE-së tashmë kanë ndërtuar kanale bashkëpunimi me Tajvanin. Lituania ka mundësuar hapjen e Zyrës Përfaqësuese të Tajvanit në kryeqytetin Vilnius, ndërsa e ka hapur zyrën e saj në Taipei. Në kundërpërgjigje të reagimit kinez, Bashkimi Europian ka deklaruar se kjo është në linjë me ‘Politikën e Një Kine’. Duke marrë për bazë këto zhvillime të fundit, për Kosovën shtrohet një pikëpyetje e madhe:
A duhet Republika e Kosovës të synojë zhvillimin e marrëdhënieve me Tajvanin?
Marrë parasysh faktin se Republika Popullore e Kinës, si anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurisë, në vazhdimësi ka pasur qëndrim refuzues karshi njohjes së pavarësisë së Kosovës, është në interesin nacional të Kosovës të vazhdojë përpjekjet e saj për të zhvilluar marrëdhënie formale e joformale me Pekinin zyrtar.
Për një vend të vogël si Kosova, marrëdhënia me fuqinë e dytë më të madhe ekonomike të botës është jashtëzakonisht të rëndësishme. Mirëpo, kjo në asnjë formë nuk duhet ta ndalojë Kosovën drejt themelimit dhe thellimit të bashkëpunimit me Tajvanin, që ani pse shumëfish më i vogël edhe me territor, edhe popullatë në raport me Kinën kontinentale, është një ekonomi e zhvilluar, me një nga sektorët më të zhvilluar të prodhimit të teknologjisë në botë. Kjo edhe i ka dhënë Tajvanit epitetin si një nga “Katër Tigrat Aziatikë”, bashkë me Hong-Kongun, Korenë e Jugut dhe Singaporin.
Kosova nuk është pjesë e iniciativës kineze të bashkëpunimit 14+1 (dikur e njohur si 17+1, para tërheqjes së Lituanisë, Letonisë dhe Estonisë nga kjo iniciativë), e rrjedhimisht Kosova duhet t’i shohë interesat e vet ekonomikë dhe politikë, duke krijuar kanale bashkëpunimi me Tajvanin.
Kosova mund të nxjerrë mësime të jashtëzakonshme nga Tajvani, prandaj është e nevojshme që institucionet e vendit të nisin procedurat për filluar marrëdhëniet me këtë vend, i cili vetëm se e ka bërë hapin e parë duke e njohur pavarësinë e Kosovës vetëm tri ditë pas shpalljes së saj.
Në fund të vitit 2021, Kosova dhe Tajvani kanë krijuar grupet e miqësisë në parlamentet e tyre respektive. Kjo ka shënuar edhe themelimin e grupit të parë të miqësisë mes Tajvanit dhe një shteti në Ballkanin Perëndimor. Shkëmbimet mes të dyja vendeve, megjithatë, mbesin të vogla dhe lënë shumë për të dëshiruar, duke krijuar një nevojë të menjëhershme që të trajtohen seriozisht nga ana e qeverisë kosovare.
Qeveria e Kosovës duhet t’i ofrojë kushtet për themelimin e një zyre përfaqësuese të Taipeit në Prishtinë, e cila do të bëhej edhe zyra e vetme e Tajvanit në Ballkanin Perëndimor. Në këtë formë, Republika e Kosovës, pos që do të kthehej në një qendër rajonale për investimet tajvaneze, do të mund të shkëmbente njohuri dhe të përfitonte nga ekspertiza tajvaneze në aspektin e teknologjisë. Të gjithë këtë Kosova do ta bënte duke ruajtur një pozicion neutral, të njëjtë me atë të aleatëve të saj perëndimorë, duke e respektuar kështu ‘Politikën e Një Kine’.
Një politikë e tillë do të ishte në harmoni të plotë me politikën e jashtme amerikane dhe atë të BE-së, pavarësisht faktit se e njëjta do të mund të interpretohej si politikë armiqësore nga ana e Pekinit. E rëndësishme është që Kosova të ketë kujdes në emërtime dhe në deklarime publike, duke u munduar që ato t’i bëjë pa ndërhyrë në problemet akoma të pazgjidhura mes Pekinit dhe Taipeit.
Fundja, edhe Kosova, edhe Tajvani janë demokraci të vogla, që përballë kanë kundërshtarë autoritarë. Të dyja vendet përfitojnë nga mbrojtja amerikane dhe mbajtja e një politike injoruese karshi Tajvanit është e pakuptimtë. Ekspertiza e Tajvanit në prodhimin e teknologjisë, e kombinuar me potencialin dhe aftësitë e rinisë kosovare në sektorin e ICT-së, do të përbënin një bazë të shëndoshë për një marrëdhënie që do të sillte përfitime për të dyja këto vende.