Ka qenë viti 2011 kur për herë të fundit ishte përcaktuar shuma e pagës minimale, e cila vlente 130 euro për punëtorët deri në moshën 35-vjeçare, ndërsa 170 euro për punëtorët e pas kësaj moshe.
Tash, Qeveria e Kosovës ka nisur procedurën që paga minimale të jetë 250 euro neto, pa dallim moshe. Sipas kryeministrit Albin Kurti, 100 mijë qytetarëve do t’u përmirësohet standardi i jetesës përmes këtij vendimi.
Por, sa do të ketë efekt kjo nismë kur ekonomia po përballet me inflacion? Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në janar të vitit 2022 inflacioni ishte 7.1 për qind, kryesisht si pasojë e pandemisë COVID-19.
Kjo e dhënë u publikua para agresionit rus në Ukrainë, zhvillim ndërkombëtar që ka reflektuar në ngritjen e çmimeve për produktet esenciale dhe jo vetëm.
Kur i shtohet ndikimi i konfliktit në shportën e konsumatorit, rezulton që në muajin mars inflacioni ka shënuar normën 10 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2021.
Inflacioni ndikon direkt në sjelljen e konsumatorit. Qytetarët ballafaqohen me shporta që peshojnë më lehtë, por që kushtojnë më shtrenjtë. Pos kësaj, mjaftueshmëria e ushqimit nuk është nevoja e vetme e qytetarëve.
Shërbimet shëndetësore, energjia, edukimi, tekstili – janë disa prej nevojave që e përfshijnë një jetë normale, të cilat duhet të mbulohen nga pagat e ulëta që marrin qytetarët e Kosovës.
Për pagën minimale nuk po diskutohet vetëm në opinionin kosovar; është një temë globale përmes së cilës përplasen botëkuptimet e ndryshme ekonomike dhe politike.
Madje, Çmimi Nobel për Ekonomi 2021 është ndarë pikërisht për eksperimentet natyrore që kanë ndikuar në tregun e punës, përfshirë ngritjen apo jo të pagës minimale nga mekanizmat institucionalë.
Fituesit ishin David Card, Joshua Angrist dhe Guido Imbens. Ata kanë kryer eksperimente shkencore gjatë viteve ‘90, më i njohuri ishte ai në industrinë e sandviçëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Përgjithësisht, gjetjet e tyre i kundërvihen tezës konvencionale ekonomike e cila thotë se “paga minimale e zvogëlon nivelin e punësimit”.
“Rritja e pagës minimale në industrinë e sandviçëve nuk e ka ulur nivelin e punësimit”, ishte konkluzioni kryesor i Cardit.
Sigurisht, në shkencë nuk vendosen vulat, kësisoj debati vazhdon nëse ngritja e pagës minimale e pengon rritjen e punësimit, po qe se çmimet e tilla prestigjioze u ndihmojnë qeverive që t’i mbështesin diku qëndrimet e tyre politike.
E insistimi për rritjen e pagës minimale kryesisht vjen nga partitë politike të rrymave të majta, si ajo Laburiste në Britani të Madhe. Po ashtu, presidenti amerikan Joe Biden e kishte si zotim elektoral lëvizjen e pagës minimale deri në 15 dollarë për orë.
Në parim, subjektet politike që besojnë në imperativin e shtetit duan që paga minimale të përcaktohet prej lart, ndërkaq botëkuptimi neoliberal e cilëson pagën minimale si rrjedhshmëri të ndryshimeve në treg.
Nga deklaratat publike të përfaqësuesve të sektorit privat në Kosovë, ka shumë pak qytetarë që marrin 170 euro pagesë mujore.
Nëse në Kosovë është i vogël numri i qytetarëve që marrin rrogën në kufirin e pagës minimale, atëherë kjo i jep përparësi argumentit neoliberal ekonomik që rritja e pagës ndryshon rrjedhshëm në treg edhe pa intervenimin e shtetit.
Duke e pasur për bazë informalitetin në tregun kosovar dhe organizimin e dobët sindikal, atëherë është e nevojshme që prej shtetit të vijë rritja e pagës minimale. Kjo, përpos që i ndihmon punëtorët që tash paguhen 170 euro, nëse ka vullnet qeveritar mund të luftohet edhe joformaliteti në treg.
Edhe pse rritja është 80 euro më shumë, sindikatat janë kundër ngritjes së pagës minimale. Sindikatat duan që paga minimale të sillet rreth 400 euro, e kjo kërkesë për Qeverinë është joracionale, pasi s’mund të ketë kapërcim të tillë.
Por, ekzekutivi ka shprehur mbështetje për organizimet e brendshme sindikale. Kryeministri Kurti më 1 maj të vitit 2021 kishte deklaruar se “Qeveria do të jetë partnere e organizimeve sindikale”. Në Kosovë janë vetëm 17 shoqata sindikale prej 64 mijë bizneseve që operojnë. Gjatë këtij viti nuk ka lëvizur diçka pozitive në këtë drejtim.
Mungesa e zërave kritikë brenda kompanive ka bërë që pagat në sektorin privat të lëvizin ashtu si breshka. Duke pasur parasysh që ka diferencë të pagave në favor të sektorit publik – paga mesatare në Kosovë llogaritet të jetë 416 euro neto, sipas ASK-së – gati dhjetëfish më e ulët sesa paga mesatare në Gjermani, destinacon i shumë të rinjve kosovarë.
Pikërisht, odat ekonomike – përfaqësuese të këtyre ndërmarrësve – janë pajtuar menjëherë me propozimin e ekzekutivit për rritjen e pagës minimale, megjithëqë këto kompani do ta mbulojnë këtë kosto.
Janë të vetëdijshëm që konkurrenca në afarizëm sot nuk është lokale e nacionale, por globale. Ndryshimet që ka shkaktuar globalizmi gjatë këtij shekulli kanë prekur jo vetëm strukturën e menaxhmentit, por edhe formën e të menduarit në raport me operimin në treg dhe qasjen ndaj punëtorëve.
Ndikimi i globalizmit nuk ka mbaruar, sa vazhdon e përditësohet çdo ditë. Qeveria dhe shoqëria kosovare e kanë të domosdoshme të mbeten në hap me këto përditësime, në të kundërtën mbetemi si mbetje në histori.
Kjo tashmë është realitet, nuk kontestohet – është kuptuar edhe nga sipërmarrësit kosovarë që me paga minore që sillen mbi kufirin e pagës minimale, vështirë gjenden punëtorë në tregun mbinacional.
Rritja e pagës minimale, jo që nuk e ngre papunësinë, por e ndihmon rritjen e fuqisë aktive në treg – kjo dëshmohet nga gatishmëria e odave ekonomike për ta rritur pagën minimale në mënyrë që të gjejnë punëtorë.