Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Punëtorët e huaj në tregun kosovar: si duhet të reagojë Qeveria?

Në mungesë të punëtorëve vendas, kompanitë në Kosovë po i kërkojnë ata nëpër vende të ndryshme të botës, kryesisht nga disa shtete aziatike si Bangladeshi, Nepali, India dhe Turqia.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, në gjatë gjashtëmujorin e parë këtë vit janë paraqitur 1,858 kërkesa për lejeqëndrim në Kosovë nga shtetas të huaj, prej tyre 1,391 kanë fituar lejeqëndrim të përkohshëm për qëllime pune.

Trendi i rritjes së emigrantëve të huaj në vend vjen si rezultat i ndryshimeve në tregun kosovar, ku papunësia ka shënuar ulje.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), në tremujorin e fundit të 2021 niveli i papunësisë ishte 19.9%, ndërkaq në tremujorin e fundit të 2022 papunësia është 11.8%.

Njëkohësisht, largimi i kosovarëve nga vendi po vazhdon duke liruar hapësira për vende të punës, sidomos në sektorët e gastronomisë, ndërtimtarisë, bujqësisë dhe prodhimtarisë, mes të tjerash.

Këto zhvillime nënkuptojnë indikacione që tregu kosovar në të ardhmen do të bëhet më divers.

Si ndikojnë emigrantët në ekonominë kombëtare?

Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), përmes një raporti, kishte përmendur një mori benefitesh që emigracioni ka për ekonominë kombëtare, e cila pranon emigrantët.

Numri i emigrantëve shndërrohet në fuqi punëtore dhe rrjedhimisht kjo e rrit konkurrueshmërinë në treg, si dhe nxit inovacionin e zhvillimin teknologjik.

Shtimi i fuqisë punëtore rrit fuqisë blerëse dhe ndihmon në rritjen e taksapaguesve, e më pas edhe në ngritjen e të hyrave buxhetore të një shteti, thotë raporti i OECD-së.

Po ashtu, me ndryshimin e gjeneratave tek emigrantët rritet edhe niveli i arsimimit që përkthehet edhe me produktivitet të shtuar të punës së klasës punëtore.

Tregu ka më shumë konsumatorë e punëtorë, si dhe nevojë të shtuar për mbulimin e kërkesës – elemente pozitive për një ekonomi, sidomos kur është në tranzicion.

Hapat që duhet t’i ndërmarrë Qeveria e Kosovës

Kosova nuk është vend i madh me popullsi, e as me sipërfaqe gjeografike, si dhe nuk ofron mirëqenie të lartë për qytetarët e saj. Për këtë nuk pritet ndonjë fluks emigrantësh që do të ndryshonin ndjeshëm demografinë kosovare.

Por, prezenca e tyre mund të hetohet dhe për këtë Qeveria duhet të ketë strategji për trajtimin e tyre.

Fillimisht, Ligji i kontestuar për Pagën Minimale 250 euro duhet të rritet, sepse ka rrezik që të ketë kompani të cilat mund të abuzojnë me punëtorët e huaj përmes kësaj page.

Një pagë minimale së paku 350 euro neto do të përputhej edhe me ndryshimet e tregut, meqë tash paga mesatare neto ka kaluar mbi 500 euro.

Më pas, qeveria do të duhej të zhvillojë një mori politikash që do të ndihmonin emigrantët për integrim më të shpejtë, për të minimizuar sfidat dhe problemet eventuale.

Një prej këtyre politikave është edhe ofrimi i asistencës falas ligjore për një periudhë kohore 2-vjeçare. Kjo kategori kalon fillimisht nëpër një varg procedurash dokumentacioni, kështu që Ministria e Drejtësisë duhet ta krijojë një zyrë të veçantë për nevojat ligjore të emigrantëve.

Gjatë periudhës fillestare, hapi kyç për integrim është gjuha. Qeveria nevojitet që të subvencionojë kurset e gjuhës për së paku për nivelin A2 të gjuhës shqipe. Në këtë mënyrë emigrantët do të bëheshin gati për përfshirjen në treg.

Punësimi më pas është më kompleks – Kosova është ekonomi e tregut dhe nevojat e kërkesës punëtore i përcakton tregu. Çfarë mund të bëjë shteti është t’u mundësojë emigrantëve mundësinë që të aplikojnë në “Super Puna”, një program ku shteti paguan 250 euro për gjashtë muaj, ndërkaq punëdhënësi mund të shtojë mjete financiare sipas dëshirës.

Sigurisht një program i tillë duhet të reformohet si në aspektin financiar, në atë të moshës, ashtu edhe në kohëzgjatjen kohore të kontratës, dhe përditësimi i programit të vlejë për gjithë – vendasit dhe emigrantët.

Në kuadër të punësimit, emigrantët kanë nevojë për konsulenca, pra njohjen e kompanive, përpilimin e CV-së e deri te trajnimet për treg të punës. Brenda Ministrisë së Brendshme duhet të krijohet një departament shtesë që trajton specifikisht kërkesat për ndihmë të kësaj shtrese shoqërore.

Përkundër se shteti mund ta luajë një rol progresiv, megjithatë në terren ka shumë akterë, përfshirë edhe subjekte që shkelin ligjin, qoftë duke manipuluar me çmimet e qirave, të drejtat e punëtorëve, etj.

Autoriteti Kosovar i Konkurencës (AAK), si dhe Inspektorati i Punës, duhet të aktivizohen edhe në mbrojtjen e kësaj kategorie shoqërore që është më e predispozuar të përballet me situata të tilla abuzimi dhe diskriminimi.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.