Kosova dhe Serbia po hyjnë në vitin e dymbëdhjetë të dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli për normalizim të marrëdhënieve. Ndonëse kohëve të fundit po flitet për një epilog përfundimtar të dialogut, shkaktuar nga euforia e vizitave të shumta të emisarëve specialë perëndimorë, normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes të dyja vendeve do ende shumë punë për t’u arritur.
Qysh nga shpallja e pavarësisë, Serbia pati ndërmarrë një fushatë të çnjohjeve ndaj vendeve që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, për ta dëmtuar legjitimitetin ndërkombëtar të vendit. Edhe pse çnjohjet si nocion nuk njihen në marrëdhëniet ndërkombëtare, Kosova nuk duhet të qëndrojë duarkryq ndaj kësaj fushate agresive të Serbisë dhe duhet ta bëjë maksimumin për ta thelluar bashkëpunimin me shtetet njohëse.
Fushata serbe e çnjohjeve
Ndërmjet shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 dhe fillimit të dialogut më 8 mars 2011, Kosova kishte arritur t’i siguronte 75 njohje për pavarësinë e saj, ndërsa Serbia kishte vazhduar fushatën e saj për të kundërshtuar shpalljen e njëanshme të pavarësisë nga ana e Kosovës.
Më 8 tetor 2008, Serbia kishte arritur që përmes Organizatës së Kombeve të Bashkuara t’i parashtronte Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) kërkesën për opinion ligjor mbi pajtueshmërinë me ligjin ndërkombëtar të shpalljes së pavarësisë nga ana e institucioneve të vetëqeverisjes në Kosovë, dhe më 22 korrik 2010 GJND-ja lëshoi Mendimin Këshillëdhënës se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk shkelte ligjin ndërkombëtar.
Pavarësisht kësaj, Serbia filloi një fushatë diplomatike për t’i bindur shtetet të cilat tashmë e kishin njohur pavarësinë e Kosovës që ta kthenin mbrapsht këtë vendim, me arsyetimin se statusi i Kosovës akoma nuk ishte i zgjidhur dhe se për këtë po negociohej në Bruksel.
Për shtetet serioze dhe me traditë të gjatë në diplomaci, kjo fushatë e Serbisë ishte e pakuptimtë dhe nuk merrej seriozisht. Megjithatë, Serbia vazhdoi të insistonte për këtë gjë në shtete më të vogla në kontinentin afrikan, në Karaibe dhe në Paqësor, te të cilat arriti që ta shtynte para narrativën e saj – herë me hatër, herë duke i blerë ato deklarata.
Madje, në media është përfolur edhe për skandalet korruptive që Serbia i ka bërë nëpër vendet afrikane, Karaibe e Paqësor, duke shpërfaqur qartazi se çnjohjet nuk kanë ardhur si rezultat i ndonjë reflektimi nga ana e këtyre shteteve, apo duke u bazuar në ndonjë princip, por nga korruptimi i zyrtarëve të qeverive të huaja.
Si rezultat, Serbia arriti t’i siguronte disa nota verbale me anë të së cilave thuhej se filan shteti kishte tërhequr apo kishte suspenduar njohjen e pavarësisë së Kosovës. Interesantja ishte se të gjitha këto nota verbale të nxjerra në publik nga Serbia kishin të njëjtin tekst dhe të njëjtin arsyetim, gjë që dëshmonte se ishin të shkruara në Beograd.
Megjithatë, ajo që është e rëndësishme të potencohet është se në të kaluarën, posa nxirrej në publik një notë e tillë verbale, diplomacia kosovare reagonte menjëherë dhe bëheshin vizita në ato shtete, apo zhvilloheshin takime me ambasadorë të tyre, pra në vendet ku pretendohej se është bërë tërheqja e njohjes, por që në realitet nuk rezultonte të ishte e vërtetë.
Për shembull, në tetor të vitit 2018 pati qarkulluar në media lajmi se Mbretëria e Lesotos e kishte tërhequr njohjen për pavarësinë e Kosovës. Në atë periudhë, unë shërbeja në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës dhe në gusht të vitit 2019 ministri i Punëve të Jashtme i Lesotos, Lesego Makgothi, pati zhvilluar një vizitë pune në Prishtinë.
Pra, nëse njëmend Lesoto e kishte “çnjohur” Kosovën, si ishte e mundur që shefi i diplomacisë së këtij vendi po e vizitonte Kosovën? E njëjta storie vlen edhe për vendet e tjera, për të cilat Serbia pretendon se e kanë “çnjohur” pavarësinë e Kosovës.
Një rast tjetër ishte kur ministri i Jashtëm i Liberisë kishte deklaruar gjatë një vizite në Beograd se Liberia e kishte tërhequr njohjen për Kosovën dhe brenda dy ditësh ishte komunikuar me presidentin e Liberisë dhe ishte realizuar po ashtu një vizitë në Liberi, ku më pas ishte lëshuar një komunikatë nga vetë Ministria e Punëve të Jashtme e Liberisë, e cila e demantonte vetë ministrin e vet të Jashtëm.
Rasti Togo
Një gjë e çuditshme ndodhi në janar të vitit 2023, gjatë vizitës së ministrit të Punëve të Jashtme të Togos, Robert Dussey, në Beograd, ku ai deklaroi në konferencë për media se tërheqja e njohjes së Togos ishte përfundimtare.
Pra, Serbia arriti që kryediplomatin e një shteti ta bindte të fliste publikisht për çnjohjen, duke e zënë diplomacinë kosovare komplet të papërgatitur. Me Togon, Serbia arriti ta formalizojë një retorikë të cilën Kosova deri më tani ka arritur ta mbajë disi nën kontroll, pavarësisht pretendimeve të Serbisë se janë 16 shtete që kanë tërhequr apo suspenduar njohjet për Kosovën. Sikurse në rastet e Lesotos dhe Liberisë, të përmendura më sipër, Kosova ka reaguar shpejt dhe ka siguruar një vazhdimësi të raporteve me ato vende.
Ndërkaq, në rastin e fundit, kryediplomatja e Kosovës, Donika Gërvalla, në vend se të merrej me kontrollin e dëmit, bëri një dëm akoma më të madh, duke deklaruar se kjo çnjohje kishte ndodhur më herët dhe nuk ishte si rezultat i punës së saj.
Në fakt, nuk duhet abstraguar në këtë rrafsh as mospunën e Gërvallës, e cila prejse ka ardhur në krye të diplomacisë kosovare nuk ka punuar dhe nuk ka vizituar vende të Afrikës, Karaibeve dhe Paqësorit, si tri zonat më të cenueshme nga fushata e Serbisë për çnjohje.
Gërvalla, me deklaratën e saj, duke u munduar ta heqë përgjegjësinë nga vetja, i bëri një dëm të madh vetë diplomacisë kosovare dhe fushatës së Kosovës për të ruajtur njohjet që vendi i ka marrë që nga shpallja e pavarësisë. Edhe pse paraprakisht kishte deklaruar se asnjë vend nuk e ka çnjohur Kosovën, Gërvalla me deklaratën e saj rreth tërheqjes së njohjes nga ana e Togos e legjitimoi retorikën serbe, për demantimin e së cilës diplomacia kosovare kishte punuar me vite të tëra.
Me fjalë të tjera, Gërvalla la të nënkuptohej se vërtet kanë ndodhur çnjohje, por jo në kohën e saj.
Është e çuditshme se si ministrja e Punëve të Jashtme kishte zgjedhur heshtjen në lidhje me nëntë shtetet për të cilat përflitej se gjoja në fillim të këtij muaji kishin tërhequr njohjen, ndërsa nuk hezitonte të kthente çështjen e Togos në një betejë të brendshme politike.
Çnjohja si nocion në marrëdhëniet ndërkombëtare
Çnjohja si nocion nuk është i njohur në të drejtën ndërkombëtare. Shtetet mund t’i ndërpresin marrëdhëniet diplomatike me njëri-tjetrin, por nuk mund të çnjohin njëri-tjetrin.
Në rastin e fushatës së Serbisë për çnjohje kemi të bëjmë me veprime politike të cilat disa vende të Afrikës, Karaibeve e Paqësorit supozohet t’i kenë ndërmarrë. Mirëpo, diplomacia kosovare nuk guxon të jetë indiferente ndaj kësaj fushate, pasi secili nga këto vende, sado i vogël e i parëndësishëm në arenën ndërkombëtare, mban një ulëse në ato organizata ndërkombëtare ku Kosova synon të anëtarësohet.
Për më tepër, vota e secilit vend është e rëndësishme për Kosovën për anëtarësime të reja në organizata e mekanizma ndërkombëtarë.
Prandaj, diplomacia kosovare nuk duhet që me lehtësi të heqë nga mendja “çnjohjen”, nën pretekstin se si nocion nuk njihet në të drejtën ndërkombëtare. Përkundrazi, duhet të punojë në mënyrë intensive për t’i thelluar kontaktet dhe shkëmbimet me të gjitha ato vende që e kanë njohur Kosovën, si dhe me ato që akoma s’e kanë bërë një gjë të tillë, pasi kur të vijë puna tek anëtarësimet, secili shtet e ka nga një votë, që është e barabartë me votat e shteteve të tjera, pavarësisht madhësisë apo peshës së shtetit në arenën ndërkombëtare.
Kosova duhet menjëherë ta themelojë një task-forcë, e cila do të kishte si detyrë primare koordinimin e misioneve diplomatike dhe konsullore të Kosovës për të zhvilluar komunikime të rregullta me të gjitha vendet.
Kjo task-forcë, përpos që do ta luftonte fushatën e Serbisë për çnjohje, do të punonte edhe për njohje të reja. Tutje, kjo task-forcë do të duhej të ishte ndërinstitucionale dhe t’i vinte në funksion të gjitha kapacitetet shtetërore, përfshirë këtu edhe diplomacinë parlamentare, kur kemi parasysh se Kosova i ka 120 deputetë të cilët mund të angazhohen në lobim dhe në vizita anekënd botës.