Connect with us

Hi, what are you looking for?

Debunking

I pavërtetë pretendimi se KFOR-i ndalon lëvizjen e politikanëve të Kosovës në veri

Lista me emrat e zyrtarëve të lartë të Qeverisë përmes së cilës pretendohet se KFOR-i ka marrë vendim t’ua ndalojë qarkullimin në veriun e populluar me shumicë serbe, është mohuar nga vetë Forca që aktualisht ia garanton kufijtë Kosovës.

Më 25 shkurt 2024, gazetari Fitim Çeku, në llogarinë e tij në platformën “X”, publikoi një listë me emra të politikanëve të Kosovës, të cilëve pretendonte se KFOR-i ua ka ndaluar të udhëtojnë në veri të Kosovës.

“Ekskluzive: NATO ndalon hyrjen e deputetëve të Vetëvendosjes dhe disa ministrave në veri të Kosovës. Një pjesë të dokumentit e kam marrë nga disa faqe, ndërsa për informata të tjera gazetarët mund t’i bëjnë pyetje KFOR-it dhe Policisë së Kosovës!”, ka shkruar Çeku në postimin e tij. Por, dokumenti i publikuar nuk ka asnjë logo të institucionit i cili pretendohet se e ka lëshuar atë. Ndërsa në përmbajtje figurojnë vetëm emrat e vendosur sipas rendit alfabetik, kurse në krye të faqes është shkruar: “Mos lejoni qasje”.

Mes emrave janë edhe ministra të Qeverisë Kurti, përfshirë ata që janë parë më shpesh në veri, gjatë zhvillimit të aksioneve nga ana e Policisë së Kosovës, sikurse ai për heqjen e tabelave dhe simboleve me fotografitë e politikanëve rusë e serbë. Në listën e pretenduar është ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, por edhe zyrtarë të tjerë të cilët u takojnë komuniteteve të tjera jo-shumicë, si ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq.

Por, ky pretendim u mohua nga KFOR-i, përmes një deklarate publike. “Misioni i KFOR-it i drejtuar nga NATO dëshiron të sqarojë se thashethemet që qarkullojnë në mediat sociale, që pretendojnë se KFOR-i po i ndalon disa zyrtarë kosovarë të udhëtojnë në veri të Kosovës, janë të pabaza”, thuhet në deklaratën e KFOR-it, të cilën e kanë transmetuar mediat në gjuhën shqipe dhe serbe. Më tej, aty bëhet e qartë se KFOR-i asnjëherë nuk ndërhyn në lirinë e lëvizjes së individëve nëpër Kosovë, duke shtuar se vazhdojnë të ofrojnë një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë, “në përputhje me mandatin e OKB-së, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”. Në deklaratën publike, nënvizohet edhe bashkëpunimi që vazhdojnë ta kenë me institucionet e Kosovës, në baza ditore.

Aktualisht, në veri të Kosovës nuk mund të shkojë vetëm Forca e Sigurisë së Kosovës pa leje të posaçme të Komandantit të KFOR-it. Kjo ndalesë ishte vënë në bazë të një marrëveshjeje që pati arritur ish-kryeministri Hashim Thaçi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Përveç FSK-së, serbët në vazhdimësi kanë kërkuar që KFRO-i të pyetet edhe në rastet kur Policia e Kosovës ndërmerr aksione në veri.

Kjo ishte theksuar veçmas pas tensioneve në veri të Kuvendit, që nisën majin e vitit të kaluar pas vendosjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale, që më herët menaxhoheshin nga Lista Serbe. Në këtë situatë ishte përfshirë edhe KFOR-i, pjesëtarë të të cilit ishin lënduar rëndë si pasojë e protestave të dhunshme. Situata pati eskaluar më 29 mars 2023 në Zveçan, ku pas përleshjes me protestuesit e dhunshëm, së paku 25 pjesëtarë të KFOR-it ishin lënduar.

Kjo Forcë e rriti prezencën në veri edhe pas sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit nga grupi paramilitar serb që kishte hyrë nga territori i Serbisë, e që la të vdekur rreshterin e Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku. Trupa shtesë u dërguan nga Britania e Madhe, Turqia dhe Gjermania.

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.