Connect with us

Hi, what are you looking for?

Disinfo

Lajm i rremë kinse PK-ja shtiu me armë në drejtim të protestuesve

*Përgatiti: Ridona Berisha

Me 26 maj 2023, Gazeta Demos publikoi një video  në TikTok , me mbishkrimin, ”Policia gjuan me armë para Komunës së Zveçanit të bllokuar nga serbët“.

Video që marrë mbi 1000 pëlqime, 79 komente dhe është shpërndarë 159 herë, paraqet protestuesit të cilët janë duke qëndruar përballë kordonit të Policisë së Kosovës, në hyrje të objektit komunal të Zveçanit, pasi aty kishte hyrë kryetari, Ilir Peci. Pas nisjes së përplajes mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës, në video dëgjohen edhe të shtëna armësh.

Të premtën me datë 26 maj 2023, ishte dita e parë e punës e kryetarëve të rinj të Komunës së Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, e cila u përcoll me tensione të shumta. Protesta në të cilën pati hedhje gurësh, shok-bomba e gaz lotësjellës, çoi në lëndimin e pesë zyrtarëve policorë, e dëmtim të veturave të policisë.

Image

Por Policia e Kosovës dematoi raportimet se ka pasur të shtëna me armë zjarri nga ana e tyre, derisa thanë se ato janë dëgjuar në lokacione tjera, ditën kur pati tensione në veri.

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka thënë se me qëllim të parandalimit të rrezikut të drejtpërdrejtë të shfaqur ndaj jetës së zyrtarëve policorë, njësitet policore relevante në vetëmbrojtje ishin detyruar të reagojnë me mjetet e tyre të ligjshme, përfshirë këtu gazin lotsjellës, me qëllim për të shpërndarë turmën. Ndërsa të shtënat me armë sipas tyre, janë dëgjuar “në disa raste në lokacione të ndryshme , për të cilat po kryhen hetime në bashkëpunim me organet e drejtësisë”.

Zgjedhjet lokale u mbajtën në veri me 23 prill të këtij viti. Krerët e katër komunave veriore, nga Lista Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – dhanë dorëheqje, nëntorin e kaluar. Këto zgjedhje u bojkotuan nga popullata me shumicë serbe, e cila tani nuk i pranon kryetarët e rinj.

Misioni i Aleancës Veriatlantike– NATO ka treguar se njësitet e saj kanë qenë të vendosura në katër komunat me shumicë serbe në veri për të frenuar demonstratat e dhunshme, të cilat u organizuan për të kundërshtuar kryetarët e sapozgjedhur të komunave që të ushtrojnë detyrën në ndërtesat e kuvendeve komunale. Protestat e serbëve vazhduan edhe ditëve në vijim, derisa situata eskaloi më 29 maj në Zveçan. Së paku 25 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të lënduar pas përleshjes me protestuesit e dhunshëm. Duke iu kundërvënë turmës, disa ushtarë të kontingjentit italian dhe hungarez të KFOR-it ishin cak i sulmeve, madje edhe me armë zjarri. Lëndimet që pësuan ata përfshinin thyerje të gjymtyrëve e djegie në trup. Ndërsa, Policia e Kosovës ka arrestuar pesë persona të dyshuar për këto sulme.

Pas këtyre zhvillimeve ka reaguar Oana Lungescu, zëdhënëse e NATO-s. “NATO dënon fuqishëm sulmet e paprovokuara kundër trupave të NATO-s në Kosovë – KFOR në veri të Kosovës, të cilat kanë çuar në plagosjen e një numri prej tyre“, ka thënë ajo. Sipas Lungescu, sulmet e tilla janë krejtësisht të papranueshme Teksa ka bërë thirrje që dhuna duhet të ndalet menjëherë”.

Image

 

*Ky artikull publikohet në kuadër të Iniciativës Rajonale të Ballkanit Perëndimor kundër dezinformimit. “Qendra kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor: ekspozimi i ndikimeve keqdashëse përmes gazetarisë mbikëqyrëse.”

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.