Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Dush i ftohtë për Lajçak-un dhe Borrell-in nga Kosova dhe Serbia

Më 18 dhe 19 qershor, Miroslav Lajçak, Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë, vizitoi Beogradin dhe Prishtinën. Marrë parasysh se mandati i tij pritej të përfundonte në gusht 2024, kjo ishte parashikuar të ishte vizita e fundit në rajon.

Megjithatë, në podcast-in ‘Kosovo Dispatch’ të Sbunker-it, Lajçak-u deklaroi se do të vazhdojë të shërbejë në këtë pozitë. Mandati i tij është zgjatur deri në janar të vitit 2025.

Së pari, Lajçak-u vizitoi Prishtinën, ku kishte planifikuar të takohej me presidenten Osmani dhe kryeministrin Kurti. Megjithkëtë, të dytë i anuluan takimet me Lajçak-un.

Një nga këshilltarët e presidentes Osmani deklaroi se presidentja nuk mundi ta takojë Lajçak-un për shkak të agjendës.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti nuk ishte në dispozicion për t’u takuar me Lajçak-un sepse shkoi në Gjermani për ta shikuar ndeshjen e futbollit Kroaci-Shqipëri, në kuadër të Kampionatit Europian.

Politikanët më të lartë në Kosovë patën punë më të rëndësishme sesa ta takojnë Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së, i cili ishte në vizitë të planifikuar në Prishtinë. Lajçak-u e takoi vetëm zëvendëskryeministrin e parë, Besnik Bislimi.

Indiferenca e Kurtit dhe Osmanit në raport me Lajçak-un është, thënë më së buti, mosrespektuese dhe jodiplomatike.

Për t’i komplikuar gjërat edhe më shumë për Lajçak-un, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell, rekomandoi heqjen e masave kufizuese kundër Kosovës, të vendosura një vit më parë. Marrë parasysh se ky rekomandim erdhi në mes të vizitës së Lajçak-ut në rajon, u duk sikur Borrell-i dhe Lajçak-u nuk ishin koordinuar.

Kjo lëvizje e Borrell-it mund të shihet si tentim për ta kënaqur Prishtinën. Megjithatë, kjo e ndikoi negativisht kredibilitetin e Lajçak-ut, pa e përmbushur qëllimin – nxitjen e vullnetit politik për avancim të dialogut dhe implementim të Marrëveshjes si hap drejt normalizimit.

Të nesërmen, Lajçak-u shkoi në Beograd, ku vizita e tij eci më mirë. Së pari, ai u takua me presidentin Vuçiq, e më vonë me ministrin e Punëve të Jashtme, Marko Djuric, dhe drejtorin e Zyrës për Kosovën dhe Metohinë, Petar Petkovic.

Përkundër deklaratës së Vuçiq-it se ata dy kishin një diskutim “të hapur dhe korrekt”, nuk pati konferencë për media pas takimit.

Në fund, vizita mund të vlerësohet si e kotë. Ajo nuk i solli diçka të re dialogut dhe e dëmtoi edhe më shumë kredibilitetin, jo vetëm të Lajçak-ut, mandati i të cilit, me gjithë zgjatjen, do të përfundojë së shpejti, por të BE-së si ndërmjetës.

U qartësua edhe njëherë se BE-së i mungojnë instrumentet konkrete politike për nxitjen e dialogut dhe sjelljen e procesit në rrugën e duhur.

Tjetër raund i dështuar i negociatave në Bruksel

Pas vizitës së pafrytshme të Lajçak-ut në dy kryeqytetet, shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, organizoi një raund të ri të dialogut në Bruksel. Pas nëntë muajve, ky ishte takimi i parë i nivelit të lartë të të dyja palëve.

Megjithatë, meqë Kurti dhe Vuçiq-i refuzuan që formati i takimit të ishte trilateral, me Borrell-in dhe Lajçak-un, edhe ky tentim doli i pasuksesshëm. Pas shtatë raundeve të diskutimeve teknike, raundi tjetër i dështuar e pa progres i shtyri mediat dhe analistët ta cilësojnë si të pasuksesshëm.

Që nga fillimi i vitit 2024 nuk pati progres në dialogun Beograd-Prishtinë, që dëshmon se dialogu ka stagnuar.

Për shpjegimin e kësaj situate, janë dy faktorë kryesorë. Së pari, asnjëra palë nuk është e interesuar të angazhohet plotësisht në dialog pa pranuar fillimisht disa garanci dhe premtime.

Heqja e sanksioneve nuk është incentivë e mjaftueshme për Prishtinën. Në anën tjetër, për Serbinë, hapja e Kapitullit 3 në negociatat me BE-në gjithashtu nuk është çmim i mjaftueshëm.

Së dyti, edhe Kurti, edhe Vuçiq-i, janë të vetëdijshëm se mandatet e Borrell-it dhe Lajçak-ut skadojnë së shpejti dhe se këta të fundit, në muajt vijues, do t’i lënë postet e tyre. Prandaj, Beogradi dhe Prishtina po presin për pasardhësit e Borrell-it dhe Lajçak-ut për të krijuar një raport të ri me ta.

Gjithë këto zhvillime çojnë në një përfundim krucial: BE-ja po ballafaqohet me krizë të kredibilitetit.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.