Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Premtimin e Ramës për integrim në BE po e përmbushin protestuesit e Tiranës

Edi Rama është në mandatin e tij të katërt dhe rekord si kryeministër i Shqipërisë. Premtimi kryesor i tij në zgjedhjet e vitit të kaluar ishte integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030.

Ndërkohë që Rama është treguar i suksesshëm në dimensionin diplomatik të këtij rrugëtimi, duke i hapur me shpejtësi rekorde kapitujt e negociatave, thelbin e premtimit integrues – atë të standardeve të qeverisjes – ironikisht është duke e përmbushur një lëvizje e madhe protestuese e cila është ngritur kundër qeverisjes së tij.

Zvërneci – epiqendra e skandalit të radhës të qeverisë Rama dhe vendi ku për arsye të ndryshme po kontestohet një investim luksoz prej “miliarda dollarësh” – ishte thjesht pika që mbushi kupën e akumulimit të një frustrimi shumëvjeçar me modelin e tij qeverisës.

Bëhet fjalë për një model ku një elite në masë të madhe grabitçare përfiton në mënyrë asimetrike nga rritja ekonomike, ndërkohë që qytetarët e thjeshtë e ndiejnë anën tjetër të medaljes të modelit të zhvillimit të bazuar thellësisht në turizëm dhe ndërtimtari – rritjen enorme të kostos së jetesës, tkurrjen e hapësirave publike dhe shkatërrimin e ekosistemeve jetike për mbijetesën komunitare.

Diskutimet mbi dimensionet gjeopolitike të investimit janë të rëndësishme dhe e kanë marrë pjesën më të madhe të vëmendjes, sidomos asaj ndërkombëtare apo edhe në Kosovë, për shkak të përfshirjes së familjes Trump në ekuacion. Por ato janë shpërqendruese ndaj dinamikës kryesore të brendshme që po e trazon skenën politike shqiptare.

Zvërneci e preku nervin publik pikërisht sepse imazhëria e protestës së banorëve të atjeshëm rezonoi dhe e simbolizoi jetesën në Shqipëri. Një kompani private e cila e rrethon jashtëligjshëm një plazh publik dhe pa konsultim me banorët e zonës. Kur disa punëtorë cuba të një policie private – të bindur se shtetin e kanë prapa vetes – e tërhoqën zvarrë një protestues përballë një policie që rrinte si vëzhguese indiferente – shqiptarët sikur e panë veten e tyre duke u zvarritur.

Edhe arrestimi i mëvonshëm pjesëtarëve të policisë private dhe shkarkimi i drejtorit të policisë lokale nuk la shenjë në uljen e zemërimit. Sepse ajo që u pa nga inçizimet e telefonave celularë e ekspozoi natyrën e vërtetë të shtetit kur bëhet fjalë për të fortët dhe kur nuk ka vëmendje publike.

Flamingoja magjepsëse dhe e rrezikuar e Nartës – e cila është aty denbabaden para shqiptarëve dhe mrekullisht i ka krahët kuq e zi – u kthye në simbol të protestës jo vetëm sepse është e bukur, dhe as sepse shumica e protestuesve janë adhurues të flaktë të mjedisit, por mbase edhe sepse – në nënvetëdije – identifikohen dhe bashkëndjejnë me pafuqinë e flamingos përballë grabitqarëve vendas e ndërkombëtarë.

E vërteta është se plazhet e Shqipërisë janë bërë një pasqyrë e prishjes së paktit social nën qeverisjen e Ramës, teksa ato bëhen hit i madh ndërkombëtar që po i sjell ekonomisë lekë, por janë gjithnjë e më pak të qasshme dhe përballueshme për shqiptarët e zakonshëm – por jo edhe për të pasurit që i kanë vendosur trarët dhe vilat në pjesët më të mira përmes grabitjeve të pronave dhe qasjes së privilegjuar në lejet e ndërtimit. Në këtë kontekst, edhe retorika qeveritare e investimeve në turizmin elitar ndërkombëtar si domosdoshmëri e zhvillimit ekonomik nuk rezonon në syrin e banorëve si diçka përfituese, teksa sektori i turizmit po detyrohet vazhdimisht të importojë punëtorë nga jashtë.

Pasqyrë e prishjes së paktit social përveç plazheve është bërë edhe Tirana – epiqendra e protestës – ku turizmi masiv dhe industria e ndërtimit kanë krijuar shumë përfitues, por edhe shumë humbës relativ prej zhvillimit ekonomik, teksa shërbimet dhe banimi janë shtrenjtuar në nivele të papërballueshme në mënyrë që të akomodohen turistë britanikë, gjermanë e spanjollë, ndërkohë që infrastruktura prej vitesh nuk po e ndjek ritmin e rritjes së qytetit.

Deri vonë zemërimin e publikut me thyerjen e paktit social në modelin e zhvillimit ekonomik e amortizonte puna e prokurorisë speciale dhe SPAK-ut – institucione këto me mbikëqyrje të fortë ndërkombëtare – ku shumë shqiptarë i varën shpresat për drejtësi përballë të fortëve dhe për të ndërtuar shtet të denjë për në BE. SPAK-u në fakt deri diku ia doli në këtë mision, duke u kthyer në institucionin më të besueshëm publik në mesin e shqiptarëve.

Edhe toleranca e një pjese të publikut ndaj Ramës konsistonte në faktin se ai qëndronte si garant politik i reformës në drejtësi, si parakusht i rrugës për në BE. Por rasti i fundit me zëvendës kryeministren Belinda Balluku – ku qeveria Rama vendosi standard të dyfishtë duke u barrikaduar në mbrojtjen e saj prej SPAK-ut përmes imunitetit parlamentar, ndërkohë që nuk e kishte bërë këtë për zyrtarë të tjerë për shkelje shumë herë më të vogla – i dha fund tolerancës së një pjese të publikut dhe bindjes se Rama e kishte të sinqertë rrugëtimin integrues.

Së voni Shqipëria e mori një raport pozitiv nga BE-ja i cili teknikisht i mundëson përparimin në proces dhe mbylljen e kapitujve negociues. Por qeveria e ka të qartë se disa vende anëtare që janë më strikte për çështjen e sundimit të ligjit nuk do të lejojnë lëvizje përmbajtjesore përpara pa vazhdimin e suksesshëm të reformës në drejtësi dhe pa përmirësimin e qeverisjes – përfshi këtu edhe çështjeve mjedisore që janë një prej objekteve të kontestit në rastin e Zvërnecit.

Lëvizja protestuese është në masë të madhe organike dhe ka mbledhur grupe prej më të ndryshmëve – studentë, profesionistë të lirë, intelektualë, artistë, të majtë, liberalë, nacionalistë, e gjithsesi edhe fanatikë të çmendur e konspiracionistë – që ndihen të pa përfaqësuar politikisht edhe nga opozita dhe politika formale, dhe të cilët nuk kanë më vend se ku ta artikulojnë pakënaqësinë përballë një qeverie tashmë edhe letargjike në mandatin e katërt.

Si e tillë kjo lëvizje, varësisht nga zhvillimet e ditëve në vijim dhe nga mundësia e menaxhimit të dallimeve ideologjike, ka potencial – por jo edhe garanci – për ta shkundur skenën politike duke e krijuar një pol të ri, duke krijuar rrjedhje nga shumica aktuale por edhe nga e djathta. Por ajo gjithsesi deri tani e ka prodhuar një shkundje të nevojshme shoqërore prej letargjisë.

Zhgënjyese gjithsesi mbetet përpjekja e Ramës, por edhe e një pjese të opinionit publik në Kosovë, për ta njollosur këtë protestë me argumente të sajuara gjeopolitike, se ajo është produkt i luftës hibride me synime për ta dobësuar pozitën ekonomike dhe politike të Shqipërisë, duke i barazuar investimet në turizëm me investime në sektorë të mirëfilltë strategjikë. Këto argumente janë edhe ironike në një kohë kur investimet e vërteta strategjike si ai i Portit të Durrësit apo Aeroportit të Vlorës po dështojnë për shkak të askujt tjetër përveç dështimeve të shumicës qeverisëse, ndërkohë që të vetmet investime të huaja që qeveria e Shqipërisë po arrin t’i tërheqë janë nga autokraci të lindjes së mesme si Emiratet e Bashkuara apo Katari.

Se armiqtë e Shqipërisë dhe shqiptarëve do të mundohen të infiltrohen dhe t’i japin kahe të padëshiruar protestës, kjo nuk vihet në dyshim dhe në disa rrethana edhe po vërehet. Por përkundër prezencës së disa elementeve dhe rrymave anti-semite apo dhe konsiprativiste me narracione tipike të shteteve anti-perëndimore, boshtin e protestës e përbëjnë shqiptarë të cilët interesin kombëtar e shohin si të ndërlidhur me sundimin e ligjit dhe demokracinë – dhe kështu me integrimet euro-atlantike.

Përmbushja e kërkesave të tyre – për transparencë, sundim të ligjit, mbrojtje të mjedisit – është larg së qeni agjendë armiqësore, por është rruga e cila do ta çojë Shqipërinë drejt BE-së. Me ose pa Edi Ramën.

 

 

 

 

Author

  • Agon Maliqi

    Agon Maliqi është studiues, analist dhe aktivist i shoqërisë civile nga Prishtina, me banim në Tiranë. Prej disa vitesh ai punon si këshillëtar dhe studies i pavarur i çështjeve të sigurisë, paqes dhe demokracisë në Ballkanin Perëndimor për një mori institutesh, organizatash dhe mediash vendase dhe ndërkombëëtare. Si aktivist i shoqërisë civile të Kosovës për thuajse 20 vite, zt. Maliqi mes tjerash ka qenë bashkëthemelues dhe drejtues per disa vite i platformës sbunker. Në vitin 2019 ai qëndroi për gjysmë viti në Uashington D.C si përfitues i Reagan-Fascell Democracy Felloëship në Fondin Kombëtar të Demokracisë (NED) në SHBA. Sot ai është pjesë e Grupit Strategjik për Ballkanin Perëndimor të Fondacionit Heinrich Böll (HBS) me bazë në Berlin; pjesë e Task Forcës rajonale të Ballkanit Perëndimor të Institutit Republikan Ndërkombëtar (IRI) dhe anëtar i Koalicionit Ndërkombëtar për Ripërtëritje Demokratike (ICDR) të Forumit 2000 në Pragë. Zt. Maliqi ka mbaruar studimet master për politikat e zhvillimit ndërkombëtar në Duke University (SHBA) dhe ato bachelor për shkenca politike dhe marrëdhënie ndërkombëtare në Universitetin Amerikan në Bullgari.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.