Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Debunking

Video e gjeneruar me IA, i vesh Trumpit deklarata të rreme për Kosovën dhe Serbinë

Një video e krijuar me Inteligjencë Artificiale (IA), në të cilën presidenti amerikan Donald Trump paraqitet duke i dërguar mesazh kërcënues presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale.

Videoja është shpërndarë fillimisht përmes një videoje të shkurtë në Facebook dhe më pas u ripublikua nga faqe të ndryshme edhe në TikTok. Bashkë me videon janë publikuar edhe fotografi me mbishkrime si: “Trump paralajmëron Vuçiqin”, “Çdo sulm ndaj Kosovës do të përballet me reagim të fuqishëm”, duke krijuar përshtypjen se bëhet fjalë për një deklaratë origjinale të presidentit amerikan.

Çfarë pretendon videoja?

Në përmbajtjen e videos, Trump dëgjohet kinse duke iu drejtuar presidentit të Serbisë, Vuçiq me fjalët: “Mr. Vuçiq, mos e prek Kosovën. Po ju paralajmëroj. Duhet ta lini Kosovën të qetë. Nëse e sulmoni Kosovën, ne do ta bombardojmë Beogradin, ashtu siç bëmë në vitin 1999”.

Ky mesazh lidhet me një nga temat më të ndjeshme në rajon, raportet Kosovë–Serbi e cila ka potencial të madhë të ndikojë në opinionin publik dhe të nxisë reagime emocionale.

Analiza e videos tregon një sërë elementesh karakteristike të përmbajtjeve të gjeneruara me Inteligjencë Artificiale.

Lëvizjet e buzëve nuk përputhen në mënyrë natyrale me shqiptimin e fjalëve, ndërsa mimika e fytyrës mbetet pothuajse statike gjatë gjithë videos. Në disa momente vërehen deformime të lehta rreth gojës dhe nofullës, tipike për sinkronizimin artificial të audios me figurën. Po ashtu, intonacioni i zërit tingëllon i njëjtë, pa ritmin natyral që karakterizon fjalimet publike të Trumpit.

Tregues i rëndësishëm është mungesa e burimit origjinal. Nuk ekziston asnjë regjistrim i kësaj deklarate në kanalet zyrtare të Donald Trumpit, në Shtëpinë e Bardhë apo në ndonjë medium të besueshëm ndërkombëtar. Kërkimet nuk nxjerrin asnjë raportim të besueshëm për një deklaratë të tillë, ndërsa videoja qarkullon vetëm në profile të rrjeteve sociale.

Nxitja e narrativave konfliktuoze

Nga analiza e komenteve del se reagimet ishin të ndryshme. Një pjesë e përdoruesve e konsideruan videon autentike tek shprehën mbështetje për deklaratën e supozuar të Trumpit. Ata shprehën falënderime dhe mbështetje ndaj Trumpit, duke besuar se ai ka bërë vërtet një deklaratë të tillë.

Në mesin e komenteve u identifikuan edhe reagime me gjuhë fyese dhe nxitëse ndaj palës tjetër duke i shërbyer përhapjes së narrativave konfliktuoze.

Versione të saj u ripostuan nga faqe të ndryshme, të cilat e paraqitën si lajm të vërtetë, pa dhënë asnjë burim apo kontekst. Madje në disa prej tyre keqpërdorën edhe logon e mediumeve të njohura ndërkombëtare, “Reuters” dhe “Daily Mail”, për ta rritur besueshmërinë e videos. Disa prej këtyre publikimeve janë fshirë më vonë nga faqet që i kishin shpërndarë, megjithatë videoja vazhdon të qarkullojë në profile dhe llogari të tjera, duke u ripostuar nga përdorues të ndryshëm.

Kjo nuk është hera e parë që Inteligjenca Artificiale përdoret për të fabrikuar deklarata të rreme që lidhen me zhvillimet në Kosovë dhe rolin e ShBA-së. Për shkak të ndjeshmërisë së temës dhe interesimit të madh të publikut, përmbajtjet e tilla kanë potencial të arrijnë shikueshmëri të lartë dhe të shpërndahen shpejt, pa u verifikuar.

 

 

 

 

Author

  • Arjeta Krasniqi

    Arjeta Krasniqi ka përfunduar studimet themelore në gazetari në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”. E përkushtuar ndaj gazetarisë profesionale dhe informimit të saktë, Arjeta ka përvojë në raportim, hulumtim, shkrim analitik dhe komunikim publik. Ajo është e angazhuar si gazetare në Sbunker, ku mbulon tema që lidhen me median dhe dezinformimin.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.