Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Udhëkryqi strategjik: Kosova dhe BE deri në 2025

Ilustrimi nga Big Eye.

Sytë janë kthyer sërish nga Ballkani. Anëtarësimi i vendeve të rajonit në Bashkim Europian – pas një kohe të gjatë – për herë të parë po vihet në korniza koncize kohore. Ndryshimi i qasjes ndaj zgjerimit mund të kuptohet si lëvizje gjeostategjike: kundërpërgjigjje ndaj frikës së shtrirjes së ndikimit rus por edhe si një investim strategjik për sigurinë dhe prosperitetin në Europë. Gjithsesi, ky momentum paraqet një mundësi historike për rajonin, e këtu nuk përjashtohet as Kosova.

Përafrimi i Ballkanit me BE-në do të jetë një nga prioritetet kryesore institucionale për vitin 2018. Kjo ide pritet të materializohet përmes Strategjisë së Komisionit për Ballkanin Perëndimor e cila do të publikohet gjatë kësaj jave. Ky dokument pritet të shërbejë si udhërrëfyes për anëtarësimin e Ballkanit në BE deri në vitin 2025, dhe paraqet qartazi etapat nëpër të cilat secili vend do të duhej të tregonte rezultate në  përmbushjen e kritereve për anëtarësim. Parashikimet tregojnë se vendet që do të kenë prioritet, ose janë duke udhëhequr në këtë proces janë Mali i Zi dhe Serbia, të cilat pritet që të bëhen pjesë e BE-së deri në vitin 2025. Kurse vendet e tjera të mbetura si Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, dhe Maqedonia në po këtë vit – sipas mënyrës së kornizuar nga BE – do të kenë avancuar në rrugëtimin e tyre drejt BE-së. Megjithatë, shtrohet pyetja se në çfarë niveli të integrimit do t’i gjejë 2025-ta këto vende? Përderisa për vendet tjera BE paraqet kritere të qarta se ku BE-ja pret rezultate konkrete, duke filluar nga reforma në drejtësi për Shqipërinë, zgjidhja e çështjes së emrit për Maqedoninë, avancimi i Bosnjës në raportim dhe plotësim të pyetësorëve për progresin e bërë, Kosova nuk shihet përtej dialogut me Serbinë – e cila shihet si kriter i përbashkët për të hapur rrugën e integrimit për të dyja vendet, si dhe implementimin të Marrëveshtjes për Stabilizim dhe Asociim për të cilin duhen afërsisht dhjetë vite për ta implementuar. Me shpejtësinë e avancimit të Kosovës në këtë proces sigurisht se do të nevojitet më tepër kohë.

Qartazi hartuesit e kësaj strategjie nuk kanë mungesë ambicie. Përveç reformave në funksion të ngritjes së nivelit të demokracisë në këto vende, BE nuk ka hezituar që fatin e anëtarësimit të rajonit ta lidhë sërish me zgjidhjen e mosmarrëshjeve politike. Një gjë është e qartë, BE synon që mosmarrëveshjet në mes të vendeve të Ballkanit të zgjidhen para çdo hapi për integrim në BE, e këtu lista kryesohet nga problemi në mes të Kosovës dhe Serbisë. Edhe kjo çështje ka afat kohor, e sipas BE-së viti 2019 do të duhej të ishte viti i arritjes së një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme për të dyja shtetet. Pikërisht këtu elita politike në Kosovës duhet të tregohet e qartë dhe e prerë në raport me Serbinë dhe BE-në. Kjo marrëveshje nuk mund të ketë vend për ambiguitet, e hiç  më pak për diçka më pak se njohje. Deklaratat se njohja nga Serbia nuk është e nevojshme janë të rrezikshme, dhe mundësia për të rënë në ndonjë kurth të ngjashëm me marrëveshjen e fusnotës do të ketë pasoja strategjike për Kosovën në rrafshin ndërkombëtar.  Andaj, konsensusi politik në dialog është vendimtar, rikthimi në Bruksel do të duhej të bëhet fuqishëm dhe i njëzëshëm – sepse kjo është mundësia e fundit për të kthyer situatën në favor të Kosovës, dhe kjo do të duhet të vendoset mbi interesat personale e partiake. Gjithashtu, kërkesat e Kosovës në raport me BE-në do të duhet të rriten. Nëse mbyllja e kësaj çështje i siguron Serbisë anëtarësim në BE, do të duhet të kërkohet që Kosova të ketë së paku të drejtën për aplikim për anëtarësim në BE deri në vitin 2019, kurse viti 2025 ta gjejë Kosovën me datë konkrete për integrim në BE. Është imperativ i kohës që BE të garantojë konsensus politik në mes të shteteve anëtare për zyrtarizim të procesit të integrimit për Kosovën.

Ekziston edhe një rrugë tjetër drejt BE-së për Kosovën e cila përmendet në strategji e që nuk ndërlidhet me Serbinë. Implementimi i suksesshëm i MSA-së do të dëshmonte që, megjithatë, Kosova e trajton anëtarësimin në BE përtej deklaratave për konsum politik. Përveç kësaj, Kosova do të duhet të negociojë dhe avokojë për hapjen – qoftë edhe jo formale pa marrëveshje politike në mes të BE-së dhe Kosovës – të kapitujve 23 dhe 24 për anëtarësim në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Këto janë kapituj vendimtarë e që ngërthejnë shumë elemente politike, andaj zotimi për nisjen e proceseve reformuese në këtë drejtim do të shërbente në favor të Kosovës në rrugëtimin drejt BE-së. Implementimi i MSA-së dhe reformave të brendshme politike janë procese të brendshme që kërkojnë përkushtim serioz, mbi të gjitha këtu Serbia zor se mund të pengojë, por as të fajësohet për dështimet.

Andaj, viti 2018 duhet të shihet si vit vendimtar për Kosovën, dhe Strategjia për Ballkanin Perëndimor është vetëm fillimi. Ngjarje tjetër që do të konsiderohet si “ndryshim loje” në raport me Ballkanin është presidenca e Bullgarisë në Këshill. Bullgaria ka vënë prioritet Ballkanin, përfshirë këtu zhvillimin ekonomik të rajonit, mirëpo edhe qasjen e ashtuquajtur “reformuese”, që supozohet se duhet të sjellë ndryshime në qasjen e BE-së në raport me rajonin. Kosova, së pari do të duhet t’i ketë të qarta prioritetet dhe të shfrytëzojë këtë momentum për futjen e saj në agjendë në Samitin e BE-së me Ballkanin Perëndimor që pritet të mbahet në Sofje të Bullgarisë. Në anën tjetër, Procesi i Berlinit është një platformë për të cilin elita politike në Kosovë së pari do të duhej të ngrisë vetëdijen e ta shohë përtej projekteve me asfalt dhe rrugë. Ky proces do të shërbejë si shtyllë mbështetëse e rrugëtimit të rajonit në BE. Andaj, Kosova nuk duhet të mbajë shpresat tek shtetet e tjera për të marrë vizibilitet, por do të duhet të marrë pjesë në mënyrë aktive ashtu siç do të duhet të marrë pjesë një shtet.

Kosova e ka mundësinë që të tregojë seriozitet dhe përkushtim në rrugëtimin e saj drejt BE-së. Qëndrimi krahas vendeve të tjera në rajon është krucial, dhe asnjë lloj dështimi në këtë drejtim nuk duhet të jetë i pranueshëm.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.