Connect with us

Hi, what are you looking for?

Opinion

Pavarësia e Kosovës – “u kall loja”

Surinami. Edhe nëse kanë dëgjuar për të, shumica e serbëve dhe të shqiptarëve zor se mund ta gjejë në hartë. Dhe kur njeriu e sheh se Surinami gjindet në anën veriore të Amerikës Jugore konsideron se ky vend nuk ka ndonjë pikë puqitëse me Serbinë dhe Kosovën. Shumë e logjikshme. Por, edhe shkenca ekzakte sikurse logjika di të dështojë, sidomos në “trekëndëshin tonë të ballkanas”. Arsyeja – Surinami befas, në pikë të ditës i dërgoi nota Prishtinës dhe Beogradit se e ka tërhequr njohjen e pavarësisë së Kosovës. Sikur gjyqtari kur e shpall të pavlefshëm golin për shkak të pozicionit jashtë loje apo faulit në sulm.

Pas mohimit fillestar se kishte ardhur nota, nga Qeveria e Kosovës vinin edhe deklarata se tërheqja e njohjes si e tillë nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare, e nga ministri i punëve të jashtme të Kosovës edhe disa komente të pahijshme drejt homologut të tij nga Beogradi. Deklaratat e kundërta të zyrtarëve dhe fjalët që nuk ishte dashur të dëgjoheshin as në pazar – krejt kjo është e rrënjosur në diplomacionë e këtushme.

Dhe kur u mendua se Surinami ishte precedent, Serbia shpalli edhe “fitoren” e dytë për një kohë të shkurtë. Guinea Bisao, shtet i Afrikës Perëndimore, e tërhoqi njohjen. Dhe përsëri reagimet e ministrave nga Beogradi dhe Prishtina bënë që njerëzit të cilët përcjellin zhvillimet politike ditore të fitojnë përshtypjen sikur po përjetojnë deja vu.

Në botë që nga fillet e saj ekziston diçka që i lëviz gjërat, dhe kështu është edhe me marrëdhëniet ndërkombëtare në shek. XXI. Është interesante se dy shtetet e lartpërmendura kanë kujtime të freskëta nga lufta për pavërësinë e tyre (Surinami u nda nga Holanda, ndërsa Guinea Bisao e fitoi pavarësinë nga Portugalia në vitet e ’70-a), prandaj jam i bindur se të dy shtetet kanë zyrtarë të cilët i mbajnë mend tmerret e periudhës koloniale nëpër të cilat kishin kaluar. Dhe tash, parashtrohet pyetja, çka ishte dinamoja që shtetet e këtilla t’ia kthenin shpinën motrës së tyre të re sipas pavarësisë? Mos vallë Ivica Daçiq u ka bërë magji surinamasve me ndonjë këngë të tyre popullore dhe qytetarëve të Guinea Bisaos me ndonjë performansë fado, apo këtu kemi të bëjmë me ndonjë arsye më të thellë, më të ndërlikuar?

Ministri Daçiq i thurrte vetes lavde se si gjatë mandatit të tij si ministër i punëve të jashtme vetëm pesë shtete e kishin njohur pavarësinë e Kosovës, duke e arsyetuar këtë me një fushatë të fuqishme kundër secesionit të njëanshëm të krahinës jugore serbe. Në anën tjetër, edhe nëse e ka bindur dikë të mos e njohë shtetin e Kosovës, përpjekja që shtetet të cilat tashmë e kanë bërë këtë ta kthejnë mbrapsht njohjen është edhe më i vështirë, e në thelb pak varet edhe nga ata të cilët lobojnë, sidomos nëse ajo është Serbia, dhe shumë më shumë varet nga vullneti i atyre të cilët i udhëheqin ato shtete. Marrëdhëniet ndërkombëtare janë shumë të ndërlikuara, por ka mundësi që, të pakën të nastin e Guinea Bisaos, kjo të jetë çështje e punëve të brendshme, me një mbështetje të vogël të ministrisë së punëve të jashtme të Serbisë.

Guinea Bisao e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2011, gjatë kohës së Presidentit Malam Bakai Sança, dhe vendimin e tij e ka vënë në pikëpyetje dhe e ka anuluar Presidenti i tanishëm Zhoze Mario Vaz. Edhe pse ka të atillë që thonë se shtetin faktikisht e drejton Kryeministri, në rastin e këtij shteti afrikan kjo kurrsesi nuk qëndron, sepse nga viti 2009 e deri më sot shumica e Kryeministrave kanë kryer funksionin e tyre vetëm për disa muaj. Kryeministri i fundit dhe aktual Umaro Sisoko Embalo thotë se Guinea Bisao kurrë nuk e ka pranuar Kosovën. Në kaosin e vet politik në të cilin gjindet ky vend afrikan, zhvillimet e këtilla nuk janë të pamundura. Kur në futboll afrikanët falsifikojnë dokumente dhe e paraqesin një 25-vjeçar si adoleshent dhe kjo kalon, nuk është larg mendsh që diçka e ngjashme të ndodhë edhe në nivelin shtetëror e botëror.

Pra, ka disa versione, por një gjë është e sigurtë: edhe nëse Guinea Bisao e ka njohur pavarësinë e Kosovës në vitin 2011, tash këtë njohje përfundimisht e ka anuluar. U kall loja – siç thoshte Kryeministri Vuçiq për implementimin e marrëveshjeve të Brukselit.

T’i kthehem fillimit të tekstit dhe të them disa fjalë për mundësinë e tërheqjes së njohjes së një shteti. Konsideroj se kjo mund të bëhet vetëm në rastet kur një shtet nuk e ka kompletuar pavarësinë e vet, për të cilin gjysma e botës konsideron se është njëbrirësh dhe nuk beson në të. E Kosova është në atë pozitë. Nuk mund të vihet në pyetje dhe të anulohet shtetësia e SHBA-ve, Rusisë, Serbisë, as edhe e Surinamit dhe e Guinea Bisaos. Ndërsa pyetja se a është Kosova shtet apo krahinë ende është aktuale, dhe për të ende diskutojnë edhe serbët edhe shqiptarët, secili me argumentet e veta.

Dhe derisa popujt grinden, Kosova nuk lëviz vendit, nuk shkon as përpara as mbrapa. Lidere në papunësi, me probleme të mëdha në fushën e të drejtave të njeriut dhe të pakicave, me çështje të pazgjidhura të furnizimit me ujë dhe energji elektrike… Dhe krejt kjo në Europën e viteve 2000. Megjithëse i shkon për shtati Ballkanit, apo jo?

E statusi i Kosovës varet vetëm nga një gjë – dialogu. Sepse nëse nuk merremi vesh, do të jetojmë në një vend sui generis në botë edhe për një kohë shumë të gjatë, ndërsa përparimi dhe prosperiteti do të jenë vetëm koncepte imagjinare.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.