Gazetari dhe udhëheqësi i programit kundër dezinformimit, Fitim Gashi, është shpërblyer me Çmimin e Parë për Verifikim të Fakteve për vitin 2025!
Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit MIDWatch, i implementuar nga BIRN Kosova në partneritet me Internews Kosova dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës, me përkrahje nga Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë.
Ky çmim i rëndësishëm i është ndarë Gashit nga Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar Kosovë, Jonathan Hargreaves për hulumtimin e publikuar në Sbunker, me titull “Telegrami si laborator i propagandës dhe urrejtjes”.
Hulumtimi i trajton fushatat e koordinuara të dezinformimit të cilat ndërmerren nga një rrjet kanalesh në gjuhën serbe dhe ruse në Telegram, e të cilat kryesisht e kanë target komunitetin serbë në Kosovë. Duke përdorur qasje të kombinuar të mjeteve digjitale të monitorimit, përfshirë OSINT, analizës së përmbajtjes dhe verifikimit të fakteve, hulumtimi hedh dritë mbi mënyrën se si këto kanale, në koordinim me media pro-Kremlinit, orkestrojnë përhapjen e narrativave manipuluese dhe të rrezikshme.
Ky hulumtim, i cili është publikuar edhe në platforma të tjera rajonale, kontribuon në dokumentimin e ndikimit në rritje të Telegramit si mjet i luftës hibride dhe i ofron publikut prova të verifikueshme mbi mënyrën se si propagandat nga aktorë të jashtëm shënjestrojnë komunitetet lokale.




























































