Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

A do të sjellë shpresë viti 2023 në perspektivën e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor?

Një çështje e rëndësishme që ka të bëjë me politikën e zgjerimit të BE-së mbetet Kosova. Statusi i kandidatit në BE për Bosnjë-Hercegovinën e lë Kosovën si shtetin e fundit në rajon që nuk ka një rrugë të qartë drejt BE-së.

Historikisht, politika e zgjerimit të BE-së ka pasur baticat dhe zbaticat e veta. Në përballjen me sfida të rëndësishme, BE-ja ka dëshmuar reziliencë dhe gatishmëri për të pranuar shtete të reja anëtare. Megjithatë, gjatë viteve të fundit, vullneti dhe përkushtimi janë zvogëluar për shkak të lodhjes nga zgjerimi dhe euroskepticizmi.

Sot, BE-ja po përballet me sfidën e saj më të madhe për paqen dhe sigurinë në kontinent për shkak të luftës në Ukrainë. Kjo mund të shërbejë si një thirrje zgjimi për BE-në dhe gjithashtu mund të ofrojë një dritare mundësie për përparim të mëtejshëm dhe më të shpejtë në integrimin e vendeve të mbetura të Ballkanit Perëndimor në bllok.

Dy dekada të BE-së në Ballkanin Perëndimor: më shumë retorikë sesa veprim

Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Shtetet e Bashkuara ia kaluan BE-së stafetën e lidershipit në rajon. Kjo u zyrtarizua në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ku BE-ja konfirmoi zyrtarisht perspektivën evropiane për vendet e Ballkanit Perëndimor.

BE-ja ka përdorur qasjen e “karotës dhe shkopit” në raport me rajonin, që nënkupton se reformat demokratike shpërblehen me integrim të mëtejshëm, kurse mungesa e progresit rezulton me ndëshkim. Megjithatë, për mbi 20 vjet, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk kanë arritur të integrohen në bllok. Vetëm një vend, Kroacia, iu bashkua në vitin 2013.

Ndërkohë, oreksi për zgjerim filloi të zvogëlohej, pasi BE-ja u përball me një sërë krizash, si kriza financiare, kriza e emigrantëve, sulmet terroriste, Brexit-i dhe aneksimi i Krimesë, ndër të tjerash, duke lënë gjashtë vendet e tjera jashtë Bashkimit Evropian.

Politika kryesore e BE-së në Ballkanin Perëndimor – politika e zgjerimit – filloi të zbehej. Shtetet anëtare të BE-së filluan të mbajnë një qëndrim hezitues në lidhje me diskutimet rreth zgjerimit të mëtejshëm, i cili prodhoi një fazë të njohur si euroskepticizëm dhe gjithashtu lodhje nga zgjerimi i BE-së.

Vakumi i krijuar nga ShBA-ja në fillim të mijëvjeçarit dhe nga BE-ja disa vite më vonë, u mbush shpejt nga akterë keqdashës dhe autoritarë, kryesisht Rusia dhe Kina, që përdorën mekanizmat e fuqisë së butë, aftësitë ushtarake dhe investimet ekonomike për ta mbajtur rajonin larg BE-së.

Rusia, për shembull, u bë tejet armiqësore në vitin 2014 kur aneksoi territorin ukrainas të Krimesë. Kjo gjë shërbeu si një alarm për Perëndimin.

Në të njëjtin vit, ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, u përpoq të shpëtonte procesin e zgjerimit duke nisur një iniciativë historike gjermane të quajtur Procesi i Berlinit. Qëllimi ishte të ruhej dinamika e integrimit në BE, duke ofruar një angazhim shtesë gjerman në rajon përmes marrëveshjeve të bashkëpunimit rajonal.

Që nga viti 2014, rajoni ka qenë dëshmitar i një përparimi krejt minor. Progresi më substancial u arrit midis Maqedonisë dhe Greqisë, që ranë dakord t’i japin fund mosmarrëveshjes së tyre 27-vjeçare rreth përdorimit të emrit “Maqedoni” dhe ndryshimit të emrit të vendit në Maqedoni e Veriut.

Dy dekada pas Samitit të Selanikut, gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor mbeten ende jashtë bllokut.

Pushtimi rus i Ukrainës vë motorin në lëvizje

Lufta ruse në Ukrainë prodhoi një ndryshim paradigme. Reagimi i Perëndimit ndaj agresionit rus ishte i shpejtë. Frika nga përshkallëzimi i mëtejshëm i sigurisë në Evropën Lindore u bë reale dhe BE-ja vendosi të veprojë në mënyrë të duhur, duke vendosur sanksione dhe duke furnizuar Ukrainën ushtarakisht dhe me pajisje të tjera ndihme.

Burimi: pixabay.com

Gjithashtu, BE-ja u tregua e shpejtë në dhënien e mesazheve dhe sinjaleve të rëndësishme politike. Për një vit, BE-ja u dha Ukrainës, Moldavisë dhe Bosnjë-Hercegovinës statusin e vendit kandidat për në BE dhe dha dritën jeshile për hapjen e negociatave të pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Është e rëndësishme të theksohet se BE-ja veproi në kushte të rrethanave të jashtëzakonshme të krijuara nga lufta në Ukrainë. Sidoqoftë, është e domosdoshme që BE-ja të mos ndalet me kaq. Europa sot është një vend shumë më i rrezikshëm nga ç’ishte në vitin 2014. Kështu, lufta në Ukrainë tregon se BE-ja duhet të veprojë shpejt në fqinjësinë e saj dhe të rikalibrojë qasjen e politikës së saj të jashtme.

Politika e zgjerimit mund të jetë dëshmitare e lodhjes ose skepticizmit, por gjithsesi mbetet një qasje e qartë për përparimin dhe konsolidimin e demokracive në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Për më tepër, ajo simbolizon kapacitetin e BE-së për të vepruar si një akter global në çështjet ndërkombëtare.

Kosova: vagoni i fundit në pritje për t’iu bashkuar trenit për në BE

Një çështje e rëndësishme që ka të bëjë me politikën e zgjerimit të BE-së mbetet Kosova. Statusi i kandidatit në BE për Bosnjë-Hercegovinën e lë Kosovën si shtetin e fundit në rajon që nuk ka një rrugë të qartë drejt BE-së.

Edhe pse Bosnjës iu desh të priste gjashtë vjet për t’iu dhënë statusi i vendit kandidat për në BE, për shkak të çështjeve komplekse politike të brendshme, në skenën ndërkombëtare çështja e Kosovës është ende më e ndërlikuar.

Janë pesë shtete anëtare të BE-së që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, gjë që e bën gjithnjë e më të vështirë për Kosovën të dëshmojë përparimin në rrugën e saj drejt BE-së në një kohë të afërt. Kjo kryesisht për shkak të mungesës së përparimit në dialogun Kosovë-Serbi.

Vendet anëtare të BE-së që nuk e njohin Kosovën kanë deklaruar se do ta bëjnë këtë vetëm pasi të arrihet një marrëveshje normalizimi me Serbinë. Me gjithë këto vështirësi, Kosova zyrtarisht aplikoi për anëtarësim në BE më 15 dhjetor të vitit 2022. Goditja e parë për Kosovën erdhi nga Spanja, e cila njoftoi se nuk do ta mbështesë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE.

Kështu, përparimi i mëtutjeshëm i Kosovës në aspiratat e saj për integrim në BE është i lidhur me progresin e dialogut Kosovë-Serbi. Është e rëndësishme që BE-ja t’i japë mbështetje këtij procesi dhe të hapë rrugën për një qasje të unifikuar të BE-së në Ballkanin Perëndimor.

Integrimi në BE është më shumë politik sesa i bazuar në merita

Në vitin 2004, BE ndërmori një veprim të guximshëm dhe pranoi 10 shtete anëtare të reja, gjë që shënoi zgjerimin e saj më të madh. Tetë vende nga Evropa Qendrore dhe Lindore, së bashku me Qipron dhe Maltën, iu bashkuan bllokut më 1 maj të vitit 2004. Tre vjet më vonë, Rumania dhe Bullgaria iu bashkuan BE-së, ndërsa vendi i fundit që u bashkua ishte Kroacia në vitin 2013.

Ky veprim ishte më shumë politik sesa i bazuar në merita. Vendet e Europës Qendrore dhe asaj Lindore kishin qenë nën kontrollin sovjetik për dekada të tëra. Fundi i Luftës së Ftohtë dhe rënia e Bashkimit Sovjetik i bindi liderët e BE-së që të zgjerojnë më tej Bashkimin në avantazhin e tij gjeopolitik.

Më shumë shtete anëtare nënkuptonte më shumë stabilitet, siguri dhe prosperitet për Evropën kontinentale, gjë që u përkthye në ndikim politik. Si rezultat, politika e zgjerimit e BE-së u bë instrumenti më i suksesshëm i politikës së jashtme për BE-në.

Në këtë drejtim, zgjerimi i BE-së ishte një mjet politik dhe jo thjesht një proces i bazuar në merita. Merrni për shembull Qipron, një ishull i ndarë efektivisht përgjatë vijave etnike, pa kontroll të plotë mbi kufijtë e saj dhe me një zonë aktuale tampon të OKB-së në mes.

Një shembull tjetër është Bullgaria, e cila nuk ishte e përgatitur në fushën e sundimit të ligjit për t’u anëtarësuar në BE dhe – ende deri më sot – vazhdon të luftojë me sfidat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe korrupsionin. Sot, Bullgaria është shteti anëtar i BE-së me renditjen më të ulët në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të Transparency International. Asnjë nga këto vende nuk i plotëson kriteret bazë për t’iu bashkuar bllokut.

Nëse BE-ja ia ka dalë të japë rezultate në vitin 2004 për shkak të kërcënimit të mundshëm që vinte nga Rusia, ajo mund ta bëjë këtë përsëri për shkak të kërcënimit real që Rusia paraqet për Evropën Lindore dhe atë Juglindore.

Viti 2023: 20 vjet nga Samiti i Selanikut

Perspektivat e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor mbeten të pakapshme në terma afatshkurtër, por zhvillimet e fundit kanë treguar se BE-ja më në fund është e etur të ndryshojë qasjen e saj nga retorika në veprime konkrete.

Për shembull, për herë të parë ndonjëherë, BE-ja organizoi Samitin BE-Ballkani Perëndimor në rajon, që u organizua në Shqipëri më 6 dhjetor të vitit 2022.

Pika kryesore e samitit ishte një deklaratë e përbashkët që shpreh mbështetjen e plotë të BE-së për perspektivën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe bën thirrje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit. Për më tepër, u nënshkrua një marrëveshje për uljen e tarifave të roaming-ut midis Ballkanit Perëndimor dhe BE-së

Pika e parë e deklaratës thotë se “lufta e përshkallëzuar e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës po vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane e globale” dhe nënvizon rëndësinë e “partneritetit strategjik midis BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor”.

Kështu, një peizazh i ri gjeopolitik dhe një kërcënim serioz nga Rusia janë arsye mjaft serioze për ta ndryshuar rrjedhën e gjërave. Vendet anëtare të BE-së po rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes. Gjermania, për shembull, ka miratuar një fond të mbrojtjes speciale prej 100 miliardë eurosh.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka treguar aspirata gjeopolitike duke ndjekur një politikë të autonomisë gjeostrategjike për Evropën dhe një status më të konsoliduar të Evropës në skenën botërore. Vendet anëtare të BE-së u kanë kushtuar vëmendje të veçantë rrugëve të migrimit të paligjshëm nga Ballkani dhe kanë bashkëpunuar më ngushtë me vendet e Ballkanit Perëndimor.

Së fundmi, Parlamenti i BE-së ka miratuar një rezolutë që kushtëzon përparimin e mëtejshëm të Serbisë në procesin e anëtarësimit në BE me përafrimin e politikës së sanksioneve të BE-së kundër Rusisë. Të gjitha këto janë tregues se BE-ja po kalon nga fjalët në veprim dhe këto zhvillime vijnë pikërisht në një moment vendimtar për Evropën.

Viti i ardhshëm ka një rëndësi të madhe politike për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor, sepse shënon 20-vjetorin e Samitit të Selanikut. BE-ja ka nevojë për një samit tjetër të ngjashëm, ku do të mund të përcaktonte një udhërrëfyes konkret për integrimin.

Është e domosdoshme që BE-ja t’i kushtojë më shumë vëmendje Ballkanit Perëndimor dhe të angazhohet në mënyrë të vazhdueshme për të. Integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor mbetet një sfidë, por nuk është gjë e pamundur. Historia tregon se në kohë pasigurie dhe krizash, BE-ja gjithmonë ka dhënë rezultate.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.