Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Burimet e legjitimitetit politik

Legjitimiteti politik ka të bëjë me besimin në të drejtën e autoritetit për të nxjerrë urdhëra dhe për të kërkuar zbatimin e tyre, ose shkurt, për të sunduar. Burimet e legjitimtietit janë aq të shumta dhe të ndryshme sa ka edhe sisteme politike. Mirëpo, mund të nxiren disa burime që mund të thuhet se vlejnë në përgjithësi. Ato burime mund të zbërthehen në dy lloje: njëri lloj ka të bëjë me procedurën e marrjes së pushtetit ose arritjes në autoritet dhe rregullave të ushtrimit të pushtetit, ndërsa tjetri ka të bëjë me përmbajtjen e rezultateve të ushtrimit të pushtetit. Nga një aspekt tjetër, burimet e legjitmitetit politik mund të jenë ose të brendshme, domethënë që burojnë nga subjektet  që i nënshtrohet ose qeverisen nga një pushtet politik, ose të jashtme, domethënë që burojnë nga nga bashkësia e organizuar e shteteve.

Një autoritet politik, administratë, qeveri ose shtet arrin një shkallë legjitimiteti të brendshëm ose popullor nëse fiton besimin, pëlqimin dhe mbështetjen e qytetarëve përmes mënyrave të ndryshme, prej të cilave si më kryesoret mund të theksojmë: (1) Arritja e rezultateve që janë në shërbim të së mirës së përbashkët ose mirëqenies kolektive, përmes ofrimit të gjërave që i duan qytetarët dhe që janë në interes të publikut, si për shembull më kryesoret: siguria fizike, ekonomike e sociale; (2) Respektimi i rregullave formale për të arritur në autoritet, në të cilat rregulla qytetarët besojnë se janë të drejta, si për shembull, në sistemet demokratike, marrja e posteve udhëheqëse politike përmes procesit të zgjedhjeve të paanshme të kandidimit të lirë dhe votës së lirë e të barabartë; (3) Respektimi i rregullave të ushtrimit të pushtetit, domethënë procedurave valide për të marrë vendime të caktuara politike që afektojnë subjektet e pushtetit ose qytetarët e shtetit, që nënkupton sundimin e ligjit; (4) Besimi në rendin dhe ligjin ekzistues dhe shprehia që qytetarët kanë krijuar për t’iu bindur ligjit; (5) Lidhja e ngjashmëritë në mes autoritetit politik, domethënë udhëheqësve ose organizatave e institucioneve politike, dhe subjekteve të tyre, duke konfirmuar dhe forcuar lidhjet e ngjashmëritë historike dhe identitare, rëndom ato etnike a fetare, që aturotetet politike kanë me qytetarët dhe (6) Meritat e vendimmarrësve në saje të aftësisë, kompetencës ose ekspertizës së tyre për të administruar ose qeverisur një çështje me rëndësi publike.

Shkurt, që një autoritet politik të gëzojë legjitimitet popullor, ai duhet të vijë nga një burim autoritativ dhe t’i shërbejë interesave publike në të cilat besojnë njerëzit, dhe jo vetëm interesave të pushtetarëve ose grupeve të caktuara.

Përveç këtyre burimeve të përgjithshme, në raste të tjera theksohen edhe burime të posaçme të legjitimitetit, varësisht prej sistemit politik. Kështu, për sistemet demokratike, bie fjala, parimet fundamentale të legjitimitetit janë kriteret normative vijuese: (1) Sovraniteti popullor që postulon se populli është bartës i së drejtës për të vendosur për vete; (2) Pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje politike, për shembull përmes referendumit; (3) Përfaqësimi i qytetarëve, që nënkupton se qytetarët i zgjedhin vetë politikanët, rëndom përmes një procesi elektoral me votë qytetare, që u mundëson atyre të përfaqësojnë vullnetin e tyre në vendimmmarrjen politike; (4) Deliberimi që nënkupton procesin e diskutimeve racionale e debateve të hapura përkitazi me politikat e duhura; (5) Llogaridhënia e përfaqësuesve të popullit, qoftë si llogaridhënie ligjore, qoftë si elektorale; (6) Mbrojtja e të drejtave të njeriut që nënkupon se pjesëtarët e një komuniteti demokratik qeverisen nga ligji që sanksionin të drejtat e njeriut dhe (7) Garantimi dhe mbrojtja e të drejtave të pakicave. Veç këtyre, kur bëhet fjalë për sistemet demokratike, pëlqimi qytetar ka rëndësi kyç, pasi që merret si tregues i legjitimitetit.

Legjitimiteti si procedurë dhe si përmbajtje

Një autoritet është legjitim atëherë kur justifikohet sundimi i tij, pra i njihet e drejta për të sunduar (https://sbunker.net/vita-contemplativa-bllogje-tematike/90513/cfare-eshte-legjitimiteti-politik/ ). Pyetja që shtrohet është se nën çfarë kushtesh mund të thuhet se një autoritet, regjim a qeveri e ka të drejtën për të sunduar ose qeverisur, ose, me thënë shkurt, si krijohet legjitimiteti politik. Përgjigjet që i janë dhënë kësaj pyetjeje janë dy llojesh: njëra shikon në procesin që e validon autoritetin si dhe procedurat e vendimmarrjes dhe realizimit të qëllimeve të autoritetit, ndërsa tjetra në përmbajtjen ose cilësinë e rezultateve të atyre politikave. Së këndejmi lind dallimi ndërmjet legjitimitetit procedural dhe atij përmbajtësor. Legjitimiteti procedural ka të bëjë me origjinën e autoritetit dhe me atë se si ai merr e zbaton vendime, ndërsa ai përmbajtësor me qëllimet ose rezultatet e prodhuara nga autoriteti politik ose institucionet qeverisëse.

Nga këto dy pikëvështrime ka rezultuar debati se në analizën e legjitimitetit a është e rëndësishme se si arrihet në pushtet apo çfarë rezultatesh prodhon ai (pavarësisht se si është arritur ai), si për shembull, ofrimi i sigurisë dhe të mirave publike nga ana e një qeverie, shteti a institucioni politik. Sido që të jetë, për analizë më të plotë të dukurisë, legjitimiteti duhet të studiohet si në anën e procedurës së krijimit të autoritetit dhe vendimmarrjes politike, ashtu dhe në anën e përmbajtjes dhe rezultateve të politikave.

Nga një analizë e shpejtë e burimeve dhe kritereve të legjitimitetit të paraqitura në fillim të këtij artikulli, vërehet se disa prej tyre kanë të bëjnë me procedurën ose rregullat e arritjes së pushtetit politik ose të ushtrimit të tij, ndërsa të tjerat kanë të bëjnë me përmbajtjen dhe rezultatin e vendimeve politike. Bie fjala, nga burimet e legjitimitetit që në fillim të artikullit i quajtëm burime të brendshme ose popullore, mund të vërejmë se ndërsa burimi i parë në atë listë (arritja e rezultateve në shërbim të së mirës së përbashkët) ka të bëjë me rezultatet e vendimeve politike të autoritetit politik, burimi i dytë dhe i tretë (respektimi i rregullave për të arritur në autoritet dhe për të ushtruar pushtet) kanë të bëjnë me procedurën e marrjes së pushtetit dhe procedurën e vendimmmarrjes politike, përkatësisht. Kështu, ndërsa burimi i parë ka të bëjë me përmbajtjen e politikave, flitet për legjitimitetin përmbajtësor ose legjitimitetin përmes rezultateve në anën e “output”-it të një sistemi politik. Në anën tjetër, burimi i dytë dhe i tretë në listë kanë të bëjnë me aspektin ligjor të legjitimitetit, pra me ligjshmërinë, dhe në ato raste flitet për legjitimitetin procedural në anën e “input”-it të një sistemi politik.

Burimet e brendshme dhe të jashtme të legjitimitetit

Legjitimiteti, pra, ka të bëjë me pranimin e një autoriteti politik si të drejtë dhe të duhur. Në këtë kontekst, shtrohet pyetja: kush legjitimon, pra nga kush kërkohet legjitimiteti ose kush është ai grup njerëzish, komunitet, organizatë a organ që nëse e pranon një autoritet si të drejtë dhe të duhur, ai autoritet bëhet legjitim?

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje duhen shikuar kontekstet e veçanta për të parë se si e tek dikush, një grup njerëzish a organizatë, gëzon autoritetin të legjitimojë ose ta sfidojë një autoritet politik. Sidoqoftë, mund të thuhet se në përgjithësi, një autoriteti i njihet legjitimiteti ose nga popullata që sundohet a qeveriset prej tij ose nga një organ i komunitetit të organizuar ndërkombëtar. Në rastin e parë, flitet për legjitimitet nga brenda ose vendor, ndërsa në rastin e dytë, për legjitimitet nga jashtë ose ndërkombëtar.

Diskutimi i legjitimitetit të autoritetit politik bëhet duke analizuar kriteret e legjitimitetit të brendshëm ose vendor si dhe kriteret e legjitimitetit të jashtëm ose ndërkombëtar. Kriteri i parë ka të bëjë me shkallën e pranimit të autoritetit nga ana e subjekteve të tij, domethënë të popullatës së qeverisur dhe përfaqësuesve politikë të tyre, ndërsa i dyti varet nga legjitimiteti që ndërtohet nga pranimi i anëtarëve të bashkësisë së shteteve.

Për të ilustruar, në fillim të këtij artikulli u listuan burimet e legjitimitetit si standarde të brendshme legjitimuese dhe u tha se legjitimiteti i brendshëm ose vendor përfaqet me pëlqim, mbështetje dhe veprime të subjekteve ose qytetarëve, që mund të merren si tregues ose konfirmues së legjitimitetit, për arsye se subjektet që i nënshtrohen autoritetit besojnë që ai ose urdhërat që dalin prej tij janë të drejta e të duhura, si dhe me bindje nga subjektet, sepse ata besojnë se të veprohet sipas atyre urdhërave është e duhur dhe e përshtatshme.

Veç këtyre, legjitimiteti i jashtëm ose ndërkombëtar nënkupton se legjitimitetit të shteteve u vihen kërkesa shtesë si kusht për pranim të plotë ndërkombëtar. Në këtë kontekst të ri të marrëdhënieve ndërkombëtare, diskursi mbi kërcënimet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare e ka ripërkufizuar vetë konceptin e sovranitetit. Sovraniteti tani më nuk është i pakusht dhe prerogativë e shteteve, por përgjegjësi e tyre ndaj bashkësisë ndërkombëtare për të ndaluar kërcënimin e paqes dhe sigurisë dhe përhapjen e efekteve të konfliktit brenda një shteti tek shtetet fqinjë dhe më gjerë në rajon.

Përveç se me të drejtat e njeriut në pajtim me dokumentet e ligjit ndërkombëtar, në fund të shekullit XX, në hapësirën politike europiane, kushtet e sovranitetit shtetëror kanë të bëjnë edhe me standardet e legjitimitetit demokratik dhe vlerave liberale. Mbi këto norma është përligjur, bie fjala, intervenimi ushtarak i udhëhequr nga NATO-ja kundër Jugosllavisë në luftën e Kosovës, të cilat njëkohësisht kanë shërbyer si kusht për njohjen e sovranitetit të shtetit të Kosovës. Veç këtyre, normat e përcaktuara në standardet për shtetësinë e Kosovës të miratuara nga OKB-ja në vitin 2003 kishin të bënin me kritetet të cilat Kosova duhej t’i plotësonte si kusht për t’u njohur si shtet.

Çfarë është legjitimiteti politik

Se çfarë është legjitimiteti politik, varet se në cilën lloj literature e kërkojmë përgjigjjen. Nëse përgjigjjen e kërkojmë në literaturën e shkencave shoqërore empirike, në sociologji e shkencë politike, do të gjejmë se legjitimiteti i një regjimi ka të bëjë me mbështetjen që qytetarët i japin atij regjimi duke u bazuar në bindjen e tyre se ai është sundim i drejtë dhe i shërben të mirës së përbashkët. Ndryshe nga kjo, në literaturën filozofike dhe të teorisë politike normative, do të gjejmë përgjigjen se një regjim është legjitim nëse në marrjen dhe ushtrimin e pushtetit plotëson standarde të caktuara normative.

Ndërsa të dy qasjet konsiderojnë se kusht i domosdoshëm i legjitimitetit është justifikimi moral i pushtetit, dallimet e tjera janë të dukshme. Nga njëra anë, qasja empirike e shkencave shoqërore e studion justifikimin që buron nga besimet dhe veprimet e subjekteve të atij pushteti në një shoqëri të caktuar historike. Nga ana tjetër, qasja normative e filozofisë së moralit dhe filozofisë e teorisë politike, standardet justifikuese i nxjerr nga gjykime normative si parime universale legjitimuese. Me një fjalë, ndërsa qasja e parë pyet se si është legjitimiteti, e dyta pyet se si duhet të jetë legjitimiteti. Në këtë artikull merrem me kuptimin e parë empirik të legjitimtetit.

Megjithkëtë, teoricieni social David Beetham argumenton se qasjet normative dhe empirike, janë të ndërlidhura, përderisa asnjëra nuk bën pa tjetrën dhe nuk mund të zhvillohet pa ndihmën e tjetrës. Sipas Beethamit, legjitimiteti përfshin tre kritere që janë zhvilluar në tre tradita studimore: për studiuesit e së drejtës, një pushtet është legjitim nëse arrihet dhe ushtrohet në pajtim me rregullat ekzistuese, qofshin ato konventa joformale ose ligje formale; për filozofinë politike dhe filozofinë morale, pushteti është legjitim nëse del nga një burim valid i autoritetit dhe përmbush qëllimet e duhura a të drejta të qeverisjes ose parimet normative që mund të arsyetohen moralisht; për shkencat shoqërore, pushteti legjitimohet kur publikisht shprehet pëlqimi ndaj tij dhe pranohet si legjitim, pra si moralisht i duhur e i drejtë, nga subjektet e nënshtruara ose aktorët relevantë përmes veprimeve që e konfirmojnë pranimin e tij si të tillë, ose kur njihet si i tillë nga autoritetet tjera legjitime.

Nocioni empirik i legjitimitetit

Kur sociologu Max Weber shkruante: “çdo autoritet ose sistem autoriteti synon të themelojë dhe kultivojë besimin në legjitimitetin e tij”, ai fliste për një kuptim empirik të legjitimitetit që ndërlidhet me besimin e subjekteve të një autoriteti në legjitimitetin e tij. Pikëpamja e Weberit për legjitimitetin si besim në legjitimitet ka diktuar orientimin e pjesës dërrmuese të konceptimeve të legjitimitetit në shkencat shoqërore që legjitimitetin e përkufizojnë si besim ose ndjejnë subjektive ndaj një autoriteti ose sistemi politik. Nga përkufizimet e shumta empirike në traditën e shkencave shoqërore, legjitimiteti i një autoriteti, regjimi politik, shteti ose vendimi politik, buron nga besimi i subjekteve ose i qytetarëve për të drejtën e autoritetit për të sunduar, validitetin e autoritetit dhe besimin se autoriteti është i duhur ose i përshtatshëm.

Mirëpo, është e rëndësishme të nënvizohet se sipas këtyre pikëpamjeve, besimi në legjitimtietit nuk nënkupton çfarëdo lloj besimi, por bëhet fjalë për një besim të kualifikuar. E përbashkëta e këtyre përkufizimeve është se legjitimiteti ka të bëjë me besimin e pjesëtarëve të një sistemi politik se autoritetet janë më të duhurat për të realizuar prishtmëritë e pjesëtarëve në fjalë përkitazi me atë se si duhet të sillet sistemi politik. Kështu, besimet (si dhe veprimet që e shoqërojnë atë) të cilat motivohen nga egoizmi, domethënë interesi privat, frika për veten, e të ngjashme, nuk kanë të bëjnë me legjitimitetin.

Ta zëmë, për David Beethamin, legjitimiteti ka të bëjë me besimin vetëm atëherë kur besohet se një autoritet është krijuar në bazë të procedurave të justifikuara ose se funksionon në bazë të rregullave ekzistuese dhe mbështet ide e vlera të pranuara nga popullata. Pra, vetëm në raste kur subjektet besojnë se një autoritet është krijuar ose sillet në bazë të rregullave të pranuara, si dhe ushtrimi i tij është në përputhje me idetë dhe vlerat që ata i marrin për të drejta, ai autoritet mund të cilësohet si legjitim. Pra, shpërndarja e pabarabartë e pushtetit në shoqëri legjitimohet përmes besimit të subjekteve të pushtetit vetëm nëse plotësohen kërkesa të caktuara normative.

Beetham numëron tre kërkesa të tilla që mbase mund të vlejnë universalisht, pavarësisht varianteve të tyre historike. Së pari, parimi i diferencimit nënkupton që pushteti i sunduesve justifikohet në saje të kualifikimeve, meritës, pozitës së tyre që i dallon ata nga të tjerët dhe i bën përjashtimisht vetëm ata të përshtatshëm ose të duhur për të sunduar. Së dyti, mbajtja e pushtetit nga ana e sunduesve justifikohet nëse mund të provohet se ata i shërbëjnë jo vetëm interesave të tyre, por edhe të subjekteve të tyre. Së treti, pushteti i sunduesve justifikohet nëse provohet se gëzon pëlqimin e lirë, pra jo të detyruar të atyre që janë të thirrur të japin një pëlqim të tillë.

Shkalla dhe spektri i legjitimitetit

Është e përshtatshme që kjo paraqitje përmbledhëse të mbyllet me një vërejtje. Për aq sa nocioni empirik i legjitimitetit ka të bëjë me besimin e njerëzve në legjitimitetit, ose më saktësisht me arsyet e një besimi të tillë, legjitimiteti është çështje e shkallës dhe jo diçka që ose ekziston plotësisht, ose mungon fare, pasi që njerëzit mund të besojnë më pak a më shumë në legjitimitetin e autoritetit. Pra, nuk mund të thuhet se një autoritet është ose nuk është legjitim në tërësi, por se është më shumë a më pak legjitim. Si i tillë, legjitimiteti nuk është absolut, në kuptimin se një autoritet është plotësisht legjitim, por më saktë, thuhet se ai gëzon legjitimitet deri në një masë, më shumë ose më pak, varësisht nga shkalla e besimit të subjekteve që i nënshtrohet ose binden atij autoriteti.

Gjithashtu, legjitimiteti duhet të shihet si çështje e spektrit, pasi që një autoritet mund të gëzojë legjitimitet në lidhje me disa aspekte ose veprime të tij, por jo në lidhje me të tjerat. Ta zëmë se një organ ligjvënës gëzon legjitimitet të marrë vendime sa i përket jetës publike të shoqërisë, bie fjala, të vendosë ligje që rregullojnë sjellet e personave në publik, por të njëjtit organ nuk i njihet e drejta legjitime për të vënë ligje që normojnë sjelljen e njerëzve në sfera të jetës private. Andaj, nuk mund të thuhet se një autoritet është legjitim në mënyrë absolute, nëse ai legjitimohet në disa aspekte ose veprime të tij, por jo në të tjerat. As mund të thuhet se ai nuk gëzon legjitimitet në mënyrë absolute, nëse nuk legjitimohet në disa aspekte ose veprime të tij, por po në të tjerat.

Referencat

David Beetham, The Legitimation of Power (1991).

Jean-Jacques Rousseau, Mbi kontratën shoqërore ose parimet e së drejtës politike (1762).

Max Weber, Economy and Society: An Outline of Interpretive Sociology (1921).

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.