Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Dallimet në mes shkollave rurale dhe urbane: Rasti i Kamenicës (II)

Ilustrimi nga: BigEye

Gary S. Becker: Teoria e Aksionit Racional

Teoria Becker-it, e shtjelluar në esenë e tij “The Economic Way of Looking at Behavior” trajton disa tema të ndryshme, por për qëllimin e këtij shkrimi do të shqyrtohet vetëm një aspekt i kësaj eseje, përkatësisht teoria e aksionit racional e cila shikon sjelljet e njeriut jo vetëm si veprime të ndërmarra për përfitime personale, por në të cilat ndërthuren një sërë faktorësh dhe treguesish racional që dikush të arrijë tek një vendim përfundimtar. Këto vendime nuk vijnë domosdoshmërisht nga një nevojë e ndryshme e agjentëve social për të përfituar personalisht, por që ekziston një grup i vlerave dhe ideve që një agjent disponon e të cilat në fund të fundit përkthehen në vendimmarrje optimale, dhe çfarë është më e rëndësishme për Beckerin, aftësia për vendimmarrje racionale. [1]

Vepra e Beckerit konsiderohet si një ndërthurje e teorisë ekonomike me çështje relevante sociale. [2] Kjo qasje subjektiviste ndryshon shumë nga ajo që u diskutua më parë, domethënë, qasja marksiste e cila mbështetet në idenë se vendimet që mund të merren potencialisht përcaktohen nga marrëdhëniet e prodhimit si diçka që është përcaktuar tashmë nga një sërë marrëdhëniesh shoqërore  që janë përtej mundësive të individëve veç e veç.  

“Kapitali njerëzor”, një  term shumë i rëndësishëm i zgjeruar nga Becker, i referohet aftësisë së njerëzve për të qenë produktiv, si dhe akumulimit të kapitalit nga individët përgjatë jetës së tyre.  E përkthyer në terma praktikë, kjo do të nënkuptonte investimin e individëve në arsim, në kujdes shëndetësor etj, të cilat në fund të fundit prodhojnë jo vetëm përfitime monetare, por edhe përfitime kulturore. Sipas Becker-it, ky koncept nuk ka të bëjë vetëm me aspektet që sipas tij janë pozitive, si ato që përmendëm më lart, por edhe investimin e njerëzve në veset e tyre. [3] Pra, në një farë mënyre, kapitali njerëzor mund të shihet si tërësia e akumulimit të kapitalit nga një agjent social .

Sipas Becker-it, edhe pse teoria e tij mbi aksionin racional mund të rrjedhë nga vëzhgimi i individëve në situata të ndryshme, nuk është një metodë që mund të përdoret ekskluzivisht në atë mënyrë. Kjo teori  sipas tij mund të shërbejë si një lidhje me nivelin makro, i cili mund të bazohet në sjelljen individuale që mund të përkthehet në kuptimin e marrëdhënieve më të gjera shoqërore. [4]

Një shpjegim tjetër për kapitalin njerëzor, në një artikull që diskuton metodologjinë dhe konceptet e Becker-it, “Gary Becker: Model Economic Scientist”, shpjegon teorinë e tij si një metodë abduktive e marrjes së fenomeneve të ndryshme brenda një konteksti social, siç janë rezultatet dhe pasojat e arsimit, trajnimeve në punë etj, duke i lidhur këta faktorë me njëri-tjetrin, duke mos i trajtuar si fenomene të izoluara. [5]

Nëse argumentojmë përmes idesë se çdo agjent social merr vendime racionale për jetën e tij, gjë që nuk rrjedh domosdoshmërisht nga egoizmi dhe për qëllim përfitimi, atëherë hendeku midis shkollave urbane dhe rurale mund të vërehet përmes vendimeve të prindërve që të dërgojnë fëmijët e tyre në një shkollë të cilësisë së ulët për të mbajtur funksional komunitetin dhe fshatin. Në një farë mënyre, mund të shihet një gatishmëri e prindërve për të sakrifikuar arsimimin e mirë për shkak të një lidhjeje emocionale dhe vlerave që i bashkangjiten vendit ku ata jetojnë.

Një argument tjetër që mund të lindë nga teoria e aksionit racional është vështrimi i agjentëve socialë që janë pjesë e qeverive dhe përpiqen të kuptojnë se si e shohin ata këtë boshllëk. Ata mund të besojnë se vendimi optimal për shkollën mund të jetë investimi në infrastrukturë dhe cilësinë e mësuesve, por duke qenë se kufizimet buxhetore i pamundësojnë këto investime, vendimi i balancuar mund të jetë mbajtja e shkollave ashtu siç janë për të garantuar paqen sociale brenda komunitetit dhe për të bërë vetëm investime të vogla që mund ta ruajnë këtë paqe.

Por ky argument ka një aspekt tjetër: nga njëra anë kemi vendimin optimal që është investimi më i vogël në këto shkolla krahasuar me shkollat urbane të cilat kanë më shumë nxënës, pra janë në avantazh duke qenë se janë shumicë, dhe gëzojnë frytet e investimeve kapitale që ndodhin nga komuna. Kjo mund të shërbejë edhe si argument se numri i njerëzve që jetojnë në zonën rurale nuk i plotëson kriteret për investime eventuale në krahasim me shkollat urbane që kanë një fluks më të madh.

Max Weber: Sociologjia Interpretative

Termi “verstehen“, i cili afërsisht përkthehet  “të kuptosh”, është një term i përdorur nga Weber për të njohur veprimin social nga pikëpamja e agjentit i cili ndërmerr veprime të caktuara, në situata të caktuara. [6] Për të kuptuar veprimin shoqëror, duhet të përpiqemi të kuptojmë arsyen që qëndron prapa asaj që e motivon një individ të veprojë.

Para se të shqyrtojmë tipet e ndryshme të veprimit social  duhet së pari të diskutojë “tipin ideal”, një term tjetër i krijuar nga Weber. Tipi ideal shërben si një mjet krahasimi për të kuptuar një lloj të caktuar të dukurive, pra mundëson studimin e një fenomeni shoqëror duke përcaktuar fillimisht  karakteristikat e tij tipike. [7] Për Weberin, qëllimi i kësaj metodologjie nuk është që ajo të korrespondojë domodsoshmërisht me realitetin shoqëror. Në fakt, ajo na ofron një mjet matjeje për të na dhënë një pamje më të qartë të këtyre fenomeneve. Tipi ideal mund të shërbejë edhe si një ombrellë për të zbërthyer dhe kuptuar veprimin shoqëror .

Siç u përmend më lart, në mënyrë që të shqyrtohen fenomene të ndryshme shoqërore dhe për të kuptuar motivin e veprimit shoqëror të individëve, grupeve dhe organizatave brenda një situate të caktuar, Weber shpjegon dhe kategorizon lloje të ndryshme të veprimit shoqëror në mënyrë që të japë një përgjigje më adekuate për çfarë i motivon agjentët shoqërorë të përfshihen në veprime të caktuara shoqërore. Në bazë të këtij shpjegimi ekzistojnë veprime shoqërore që janë racionale dhe iracionale. [8] Fillimisht kemi dy lloje të veprimit racional social: ai i aksionit vleror-racional, i cili shpjegohet si një motiv i një individi ose grupi bazuar në vlera të caktuara që mishërohen te individët që shërbejnë si motivim për veprim shoqëror. Kjo formë e veprimit shoqëror bazohet në vlera të internalizuara që nuk kërkojnë asgjë në këmbim, siç është përfitimi monetar. [9]

Lloji i dytë i veprimit shoqëror, i cili poashtu kategorizohet si racional, është aksioni racional instrumental që shpjegohet përmes motivimit të individit për shkak përfitimeve personale ose monetare në këmbim. [10] Dy llojet e tjera të veprimeve shoqërore vendosen në kategorinë joracionale, të cilat ndahen në dy nëntipe, që është aksioni shoqëror i motivuar nga emocionet dhe tjetri i motivuar nga traditat. [11]

Nëse përpiqemi të kuptojmë hendekun që ka ndodhur në mes të shkollave rurale dhe urbane në Kamenicë në bazë të Weber na nevojitet të konstruktojmë një ‘tip ideal’ për të kuptuar se pse një situatë ka arritur aty ku është. Duhet të definojmë sistemin e arsimor brena Kosovës pastaj  në raport me vendet e tjera të ngjashme, të cilat për hir të krahasimit mund të jenë vende tjera në Ballkan, me situata të ngjashme ekonomike, si dhe ngjarjet të krahasueshme historike, si ato të luftërave.

Për të kuptuar këtë boshllëk sasior dhe cilësor brenda shkollave urbane dhe rurale, duhet të përpiqemi disi të konceptojmë qëllimin e sistemit arsimor dhe cilat janë karakteristikat më tipike të një sistemi arsimor, për të matur realitetin arsimor brenda Kamenicës. Kjo është sigurisht jashtëzakonisht komplekse, dhe në rastin e sistemit arsimor duhet të kombinohen të gjitha faktorët të përmendur sipër, nga një rishikim i hollësishëm historik. Më pas duhet të shqyrtojmë strukturën ekonomike, kulturën dhe vlerat në Kosovë dhe se si kjo ndikon në strukturën e përgjithshme të arsimit.

Bibliografi

Bowles, S, & H Gintis, Schooling in capitalist America. in, Chicago, Haymarket Books, 2011.

Dillon, M, Introduction to Sociological Theory: Theorists, Concepts, and their Applicability to the Twenty-First Century. in , John Wiley & Sons, Ltd, 2014.

Heckman, J, “Gary Becker: Model Economic Scientist.”. in Ftp.iza.org, 2015, [accessed 7 October 2020].

“Kosovo PISA 2015”. in , 2015, [accessed 7 October 2020].

Parsons, T, Social Structure and Personality. in, London, The Free Press, 1970. 15

“Raport Mbi Riorganizimin E Shkollave Fillore Dhe të Mesme të Ulëta Në Komunën e Kamenicës”. i , 2019,  

Richardson, J., Handbook of Theory and Research for the Sociology of Education, 1986, Westport, CT: Greenwood, pp. 241–58

Sommers, M, & P Buckland, “Parallel worlds: rebuilding the education system in Kosovo.”. in Unesdoc.unesco.org , 2004, [accessed 7 October 2020].

Teixeira, P, “Gary Becker’s early work on human capital – collaborations and distinctiveness.”. in IZA Journal of Labor Economics, 3, 2014, [accessed 7 October 2020].

Vlerësim: Popullsia e Kosovës 2019“., 2019, [accessed 7 October 2020].

Weber, M, H Gerth, & C Wright Mills, From Max Weber: Essays in Sociology. in, New York, Oxford Univ. Press, 1946.

Weber, M, The Protestant Ethic and the Spirit of Capitalism. in, London, Routledge Classics, 2005.

[1] Becker, G, ´Nobel Lecture: The EconomicWay of Looking at Behavior,’ Chicago Journals, vol. 101,

  1. 3, 1993, pp. 385-409, [accessed 6 October 2020]2015. JSTOR. p. 385, p. 386

[2] Teixeira, P, “Gary Becker’s early work on human capital – collaborations and distinctiveness.”. in IZA Journal of Labor Economics, 3, 2014, [accessed 7 October 2020].

[3] Becker, G, ´Nobel Lecture: The EconomicWay of Looking at Behavior,’ Chicago Journals, vol. 101,

  1. 3, 1993, pp. 385-409, [accessed 6 October 2020]2015. JSTOR. p. 392

[4] Ibid. p. 402

[5] Hilgers, Mathieu ; Mangez, Eric. Introduction to Pierre Bourdieu’s social fields. In: Hilgers M.,

Mangez E, Bourdieu’s Theory of Social Fields. Concepts and applications, 2014, p. 2

[6] Weber, M, H Gerth, & C Wright Mills, From Max Weber: Essays in Sociology. in , New York, Oxford Univ. Press, 1946. p. 46

[7] Dillon, M, Introduction to Sociological Theory: Theorists, Concepts, and their Applicability to the Twenty-First Century. John Wiley & Sons, Ltd, 2014. p. 128

[8] Weber, M, H Gerth, & C Wright Mills, From Max Weber: Essays in Sociology. in , New York, Oxford Univ. Press, 1946. p. 56

[9] Dillon, M, Introduction to Sociological Theory: Theorists, Concepts, and their Applicability to the Twenty-First Century. John Wiley & Sons, Ltd, 2014. p. 129

[10] Ibid. p. 30

[11] Ibid. p. 32

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.