Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Ëndrra politike e Pandemisë

Përkitazi me çështjen e shembjes së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë

 

Pak gjëra mund të thuhen se janë të qarta në këtë kohë, ndoshta sepse e vetmja e vërtetë me të cilën përballemi është ajo virtuale. Nuk është aq e menjëhershme të dallosh gënjeshtrat prej të vërtetave në detin e turbullt të Web-it.

Ndërkohë në pellgun tonë të vogël dhe me ujë të ndenjur prej gati tridhjetë vitesh, dalëngadalë po fillon të dalë në pah se prej çfarë mase është e përbërë vjellja dhe vjelja. Rrezet e kësaj pranvere që i mungon smogu i të gjitha stinëve po fillojnë të ndriçojnë kthjelltësisht në mendjet e ajrosura.

Është e qartë tashmë mbas dy muajsh izolim se kjo situatë, përtej diskurseve të panumërta që ka gjeneruar, që nga teoritë konspirative e deri te ndërgjegjësimi mbi emergjencën ambjentale, tkurrjen tonë, reflektimin dhe shpresën për ndryshimin e shoqërisë se konsumit, para së gjithash, po shfrytëzohet paturpësisht për interesa meskine. Po citoj këtu Michel Foucault i cili para gjysmë shekulli përshkruante pandeminë e murtajës duke vënë në dukje se “ekzistonte edhe një ëndërr politike e murtajës, e cila ishte pikërisht e kundërta e saj: jo ligjet e shkelura, por depërtimi i rregullit në detajet më të imëta të jetës së përditshme përmes ndërmjetësimit të hierarkisë së plotë që siguronte funksionimin kapilar të pushtetit; jo maska që u vunë dhe u hoqën, por caktimin për secilin individ, me emrin e tij të vërtetë, vendin e tij të vërtetë, trupin e tij të vërtetë, sëmundjen e tij të vërtetë”(1977; f.198).  Largpamësia e Foucault në analizën që i bën forcës së pushtetit të legjitimizuar përgjatë pandemisë së murtajës vërtetohet banalisht edhe në përjetimin e kësaj pandemie, ku përmes orareve policore, leje-daljeve minimale, vizionit të tanqeve në rrugë dhe çjerrjen e sirenave, nuk bën vecse të thellohet ndjenja e një distopie të afërt. Hapësira e vetme personale është ajo që zë katalogimi i identitetit të secilit, është ajo distancë prej dy metrash që na bën më të dallueshëm brenda panoptikonit të botës reale dhe virtuale.

Nuk është më çështje e të përmbajturit të infeksionit me anë të izolimit por të shfrytëzuarit të rrjedhojave që solli virusi si i tillë, me modulet e kurbave që përshtaten sipas nivelit të frikës, të ankthit dhe të kontrollit.

Ajo çfarë bëri kjo pandemi ashtu si edhe të tjerat ishte pikërisht të na tregonte vendin; fjalë për fjalë vendin fizik, me anë të fushatës globale rri në shtëpi dhe, vendin e gjymtuar të sociales, me anë të humbjes së ligjshme të të drejtave të njeriut.

Me argumentimin se liria e hequr dhe humbja e të drejtave, do të jenë të përkohshme, qeveria po luan rolin e babait të rreptë por të drejtë, dhe ndonjëherë të dhembshur, e kam fjalën këtu për faljen e gjobave të shkelësve të karantinës. Kush e ka sot të drejtën e faljes të shkeljeve ndaj trupit tonë të përbashkët shoqëror, e drejtë kjo që në të kaluarën u rezervohej vetëm sundimtarëve të plotfuqishëm të sistemit feudal. Pikërisht e drejta e monarkut për të ofruar faljen ishte një nga pikat e rëndësisshme të reformës penale në Europë, që juristët dhe ligjvënesit e shquar te shek. XVIII arritën të hedhin poshtë. Kjo sepse falja e mbretit do të thoshte pushtet i pakufi, arbitraritet dhe diktaturë.

Nuk është rastësore që sulmi ndaj Teatrit Kombëtar të Shqipërisë po ndodh pikërisht tani që jemi akoma në shtet-rrethim. Praktikë kjo, që në krye të herës, e diskutueshme për të luftuar një pandemi, çfarë do të thotë respektimi i një orari që shkon prej orës 05.00 deri në 17.30, mos vallë lëvizja brenda këtij orari na bën të imunizuar nga virusi?

Pandemitë gjithmonë kanë krijuar mundësinë e vyer për kontroll.

Nuk është i rastësishëm as orari që forcat e rendit vendosin për të inspektuar truallin e Teatrit, në limit të orës policore. Dhe kurrsesi nuk mund të jetë rastësi kalimi i pronës së Teatrit nga pasuri kombëtare në pronë të Bashkisë Tiranë. Gabim që është afër mendjes dhe nëse jo e ilustrojnë vetë fjalët; Teatri Kombëtar i Shqipërisë, jo i Tiranës.

Përvecse pjesë e kompleksit arkitekturor të qendrës historike të kryeqytetit, Teatri Kombëtar u pasurua gjatë këtyre dy viteve e gjysmë edhe me një histori të pashembullt të rezistencës qytetare.

Nuk dua te ndalem vetëm në ato që “dikush” mund ti quajë patetizma sentimentale, si psh. memoria urbane e një qyteti, ruajtja dhe restaurimi i trashëgimise tonë kulturore, rëndësia e një dialogu me komunitetin artistik si pjesë e pandashme e vendimmarrjes mbi një institucion si Teatri Kombëtar i një vendi, dhe akoma të tjera si këto. Preferoj ta shoh këtë çështje të zhveshur nga ndjenjat dhe të përballem me pjesen llogjike të saj, gjithmonë nëse e ka ndonjë.

Pra, ku qëndron llogjika e shembjes së një monumenti kulture, në të cilin është zhvilluar historia e teatrit shqiptar, dhe ndërtimit të një të riu ne vendin e tij (me kulla dhe qendër tregtare) në një moment kaq delikat për ekonominë e vendit tonë. Në fakt dua të kuptoj së pari ku është llogjika e shembjes së të vjetrës për ti bërë vend të resë. Ky debat i përdorur rëndom në media është një debat fals dhe steril që prodhon vetëm histerizma pushtetarësh.

Në një kohë kur institucione të rëndësishme për trashëgiminë kulturore në Europë si Europa Nostra, ka caktuar Teatrin tonë Kombëtar si një nga 7 monumentet kulturore ne Europë të rrezikuar nga degradimi apo shembja, për tu restauruar, në një kohë kur pandemia akoma e kërcënon me sa duket vendin tonë, çfarë e justifikon shembjen? Dhe akoma si mund të justifikohen, dekretet, VKM, nxitimi dhe vendim-miratimet e përshpejtuara për shembje?

Por fatkeqësisht nuk është vetëm Teatri dhe, ska se si të jetë vetëm ai. Në kohën që shkruaj dhe shtroj këto pyetje retorike duke u shqetesuar për llogjikën e kësaj çështje, tekstualisht në ndërkohë, shemben ndërtesa historike në lagje të vjetra të kryeqytetit, dhunohen monumente te rendesishme te kultures në mbarë vendin dhe kërcënohet fjala e lirë duke gjobitur dhe mbyllur media të pavarur. Çdo gjë bëhet me një ngut dhe makutëri a thua se sdo të ketë të nesërme. Po shpresoj vërtetë që kjo të jetë arsyeja, që edhe ata ta kenë kuptuar se nuk do të kenë më një të nesërme politike në këtë vend.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.