Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Informacionet e rrejshme në shërbim të propagandës dhe (ose) fitimeve enorme

Media nuk duhet t’i përdorë vuajtjet e dikujt tjetër për të marrë klikime apo për të “shpërndarë” më shumë përmbajtje. Gazetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm në paraqitjen e fakteve dhe informacionit në kontekstin e duhur.

Lufta në Ukrainë vuri në provë të gjithë botën. Si në botë, ashtu edhe në mediat malazeze, mund të lexohen përmbajtje të pasakta – ose së paku dezinformata – në lidhje me luftën në Ukrainë. Është gjithmonë një situatë e palakmueshme të jesh në mes, të mos marrësh anë dhe të jesh i paanshëm.

Mirëpo, për t’i marrë parasysh të dyja palët, për të qenë objektiv, për t’i parë gjërat realisht, kur bëhet fjalë për gazetarinë, ato gjëra janë vendimtare, janë baza e gazetarisë.

Në Mal të Zi, si në vendet e tjera, ka një ndarje të mediave. Etiketimet mund të jepen lehtë, por klasifikimi në mediat opozitare dhe ato në pushtet, gjë që ndodhte më së shumti deri në ndryshimin e qeverisë në vitin 2020. Pas luftës në Ukrainë, ky etiketim u “riemërua” në media pro-perëndimore dhe pro-ruse.

Edhe pse në thelb kjo ndarje ka qenë gjithmonë e pranishme, disa media në vend janë ende disi kundër këtyre dy kolonave. Megjithatë, ne kemi media që mbështesin hapur njërën ose tjetrën anë. Dhe kjo situatë, nëse është për të na ngushëlluar, nuk është e pranishme vetëm te ne.

Dy anët e propagandës

Si çdo konflikt, edhe ky në Ukrainë nuk është imun ndaj propagandës dhe informacioneve të rrejshme. Në fillim të luftës, në mediat malazeze u shfaqën informacione se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ishte larguar nga vendi, gjë doli të jetë informacion i pasaktë. Tutje, e gjithë bota mund të shihte/dëgjonte për një djalë 11-vjeçar që kaloi vetë kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë. Megjithatë, edhe kjo doli të ishte e pasaktë. Një tjetër lajm i pasaktë ishte se një miss ukrainase kishte marrë pushkën në duar.

Lajmi i rremë se Kulla Aval në Beograd shkëlqen në ngjyrat e flamurit rus ka dalë edhe në një media malazeze, e shoqëruar me një titull tendencioz. Teksti që pretendon se Komuna e Zhabljakut i ka ofruar ndihmë financiare Ukrainës është gjithashtu i mbushur me dezinformata dhe është mohuar nga kryetari i asaj komune, Veselin Vukiçeviq. Ai shpjegoi se bëhet fjalë për një përjashtim nga pagesa e taksës së qëndrimit për personat e zhvendosur nga Ukraina, e cila është 0.80 euro për person (në baza ditore) për qëndrimet private dhe 1 euro për qëndrimet në hotele.

Nga një ekzaminim i mediave që kanë publikuar lajmet e renditura të pasakta apo dezinformata, shihet se këto janë kryesisht media që njihen në Mal të Zi si pro-ruse apo pro-amerikane (që në këtë situatë identifikohen me palën ukrainase) ose të angazhuara hapur në njërën anë ose në tjetrën. Nuk ka dyshim se këto media me vetëdije po zgjedhin më shumë tituj “tendenciozë” për të grumbulluar më shumë komente dhe pëlqime. Gjithashtu, nisur nga “sfondi” i këtyre mediave, mund të thuhet se ato pranojnë të jenë një buletin propagandistik i njërës apo tjetrës palë në këtë luftë.

Burimi: pixabay.com

Mediat e njohura filtrojnë informacionin me më shumë kujdes, përhapin propagandë rrallëherë ose pothuajse kurrë, nuk përdorin tituj bombastikë dhe transmetojnë informacione të sakta kur raportojnë.

Përveç informacioneve të pasakta të përmendura, në Mal të Zi u krijuan më shumë polemika në opinion për gjoja dërgimin e ushtarëve malazezë në Ukrainë, gjegjësisht manipulimin me këtë informacion. Gjegjësisht, seanca e Këshillit për Mbrojtje dhe Siguri ishte caktuar për shkak të obligimeve që dalin nga anëtarësimi i Malit të Zi në NATO lidhur me situatën në Ukrainë, por seanca nuk është mbajtur për shkak të mosplotësimit të kushteve.

Nga njëra anë, ushtruesi i detyrës së kryetarit të Kuvendit, Strahinja Bulajiq, tha se si njeri dhe politikan ishte kundër dërgimit të ushtarëve malazezë jashtë kufijve të Malit të Zi dhe se ushtria nuk duhet të marrë pjesë në asnjë aksion ushtarak sulmues dhe pas kësaj ishte larguar nga seanca. Ministria e Mbrojtjes e Malit të Zi, nga ana tjetër, tha se propozimi nuk është diskutuar fare dhe theksoi se duke pasur parasysh faktin që Ukraina nuk është anëtare e NATO-s, do të thotë se forcat e NATO-s nuk do të vendosen në territorin e atij vendi, gjë që ishte deklaruar edhe nga zyrtarët e Aleancës.

NATO sqaroi se propozimi nënkuptonte dërgimin e anëtarëve të Ushtrisë së Malit të Zi (VCG) në kuadër të forcave të NATO-s për të kryer aktivitete të reagimit ndaj krizave, si dhe kufizime kombëtare për anëtarët e VCG-së gjatë angazhimit të tyre në këto forca.

Midis Rusisë vëllazërore dhe partnerëve të NATO-s

Lufta në Ukrainë, si në shumicën e vendeve, e ka ndarë publikun kryesisht në dy anë. Frikësimi dhe manipulimi emocional i politikanëve, i cili shpërndahet sërish nëpër media, pasi Rusia “vëllazërore” ka qenë gjithmonë me ortodoksët, apo nga ana tjetër “shihni çfarë mund të kishte ndodhur po të mos ishim anëtarësuar në NATO, çfarë do të kishte ndodhur pa partnerët e Aleancës”, rezulton të jetë mënyra më ekonomike dhe më e sigurt për partitë për të krijuar një zonë elektorale.

Pikërisht përmes këtyre dy perceptimeve, në varësi të qëndrimeve personale, një individ krijon një qëndrim lidhur me atë që po ndodh në Ukrainë. Më lejoni t’jua kujtoj se Podgorica është një nga ato qytete ku u mbajtën takime në mbështetje të Ukrainës dhe Rusisë.

Të mos i shtohet zjarrit vaj

Mediat malazeze më të lexuara bëjnë disa përpjekje për t’i respektuar të dyja anët e konfliktit. Por, disa media që konsiderohen kryesisht pro-ruse ose pro-amerikane, siç e kam përmendur tashmë, theksojnë qëllimisht, zmadhojnë ose zvogëlojnë faktet kur raportojnë. Prandaj, mund të them lirisht, ju duhet të hyni në disa portale të huaja “kundërshtare” për të mbledhur një informacion të denjë nëse qëllimi juaj është ta informoni objektivisht lexuesin tuaj. Nuk duhet vrapuar në informacionin e “parë” e të transmetohen informacione “që ndezin zjarrin”, në këto rrethana lufta për mediat është një gjë e rëndësishme.

Duke marrë parasysh se portalet janë bërë mjetet më të qasshme të informacionit për qytetarin e zakonshëm, është e nevojshme të rishikohet nëse shpejtësia dhe informacioni pas postimit që ka më shumë shikime, më shumë fitime, duhet të ketë përparësi ndaj raportimit të vërtetë, të paanshëm dhe të përgjegjshëm, veçanërisht në kohë lufte.

Një sërë faktorësh ndikojnë në fotografinë e përgjithshme dhe besimin në një medium të caktuar, por nëse synojmë raportimin objektiv, duhet të kemi gjithmonë parasysh të dyja palët, të mendojmë gjakftohtë, t’i respektojmë postulatet bazë të gazetarisë.

E gjithë kjo është thelbësore për gazetarët dhe mund të kontribuojë për një qëllim më të madh – sigurinë e shoqërisë, shtetit dhe rajonit. Në situata të tilla në të cilat një vend, përveç një qeverie të qëndrueshme, ka nevojë për raportim të përgjegjshëm, ndikimi i padiskutueshëm i medias në shoqëri nuk mund të shpërfillet.

Media nuk duhet t’i përdorë vuajtjet/peripecitë e dikujt tjetër për të marrë shikime apo për të “shpërndarë” më shumë përmbajtje. Gazetarët duhet të jenë veçanërisht të kujdesshëm kur raportojnë. Është e domosdoshme se duhet vendosur faktet dhe informacionet në kontekstin e duhur.

Shpesh mund të dëgjohet në media se Ballkani është ende një “fuçi baruti” dhe vetëm me raportim të përgjegjshëm gazetarët e kësaj fushe mund të kontribuojnë për stabilitetin dhe paqen kolektive.

Teksti është pjesë e iniciativës “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia e Veriut, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit) dhe Bosnjë-Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit “Bashko pikat: Politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare”, mbështetur nga Ambasada Britanike në Shkup.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.