Kriza politike rreth zgjedhjes së presidentit të Kosovës e riktheu përsëri vëmendjen te Gjykata Kushtetuese, për të sqaruar kufijtë e kompetencave kushtetuese.
Pas dështimit për të siguruar si kuorumin, ashtu edhe votat e nevojshme për presidentin e ri, dhe në mungesë të një marrëveshjeje politike, presidentja Vjosa Osmani nxori dekret për shpërndarjen e Kuvendit. Ky veprim u dërgua për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, e cila në fund e rrëzoi dekretin.
Gjykata gjithashtu sqaroi qartë se kur mund të shpërndahet Kuvendi dhe afatet kushtetuese për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se deputetët nuk janë të detyruar të bëjnë kuorum ose të votojnë kandidatë pa vullnetin e tyre.
Ky vendimi i jep hapësirë manovrimi elitës politike në vend, veçanërisht LVV-së, e cila mban përgjegjësinë si parti fituese e zgjedhjeve për të propozuar kandidatë konsensualë dhe për të kërkuar bashkëpunim me opozitën, përndryshe vendi shkon në zgjedhje të reja.
Shpërndarja e Kuvendit bëhet vetëm në tri raste
Vendimi i Gjykatës për dekretin e saj lidhur me shpërndarjen e Kuvendit nuk krijoi rregulla të reja, por sqaroi se shpërndarja e Kuvendit nuk është vendim politik i presidentes, por një pasojë që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta.
Kushtetuta e Kosovës e përcakton qartë se Kuvendi shpërndahet vetëm në tri raste: nëse nuk formohet Qeveria brenda 60 ditësh, nëse dy të tretat e deputetëve votojnë për shpërndarjen e Kuvendit dhe nëse brenda 60 ditësh nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e presidentit nuk zgjidhet presidenti.
Ky interpretim nga Gjykata mbron ndarjen e pushteteve (Legjislativi/Kuvendi, Ekzekutivi/Qeveria dhe Gjyqësori) dhe e bën të qartë se mandati i Kuvendit nuk mund të ndërpritet mbi bazë të vlerësimeve politike, siç bëri presidentja Osmani.
Sqarimi i afateve kushtetuese
Kushtetuta përcaktoi se procedura për zgjedhjen e presidentit do të duhej të përfundonte jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit, apo më 5 mars, meqë mandati i Vjosa Osmanit do të përfundonte më 4 prill 2026.
Por, në rastin konkret, për shkak se Kuvendi u bë funksional vetëm më 11 shkurt, Gjykata Kushtetuese e ka llogaritur afatin 60-ditor nga kjo datë.
Sipas vendimit, Kuvendi ka afat ligjor që ta zgjedhë presidentin deri më 28 prill, në të kundërtën, vendi shkon përsëri në zgjedhje.
Pjesëmarrje po, por jo detyrim për kuorum dhe votim
Një nga sqarimet më të rëndësishme të Gjykatës lidhet me rolin e deputetëve. Në këtë aktgjykim, Gjykata ka folur për një detyrim të përgjithshëm kushtetues që deputetët të jenë pjesë e procesit dhe ta shfrytëzojnë kohën në mënyrë racionale për ta zgjedhur presidentin dhe për të vepruar në interesin më të mirë të vendit.
Megjithatë, ndryshe nga rastet që kanë të bëjnë me konstituimin e Kuvendit, me ç’rast Gjykata kishte përdorur gjuhë detyruese në dispozitiv, në rastin e zgjedhjes së presidentit Gjykata nuk ka urdhëruar deputetët të marrin pjesë fizikisht në sallë dhe as nuk ka vendosur ndonjë detyrim konkret procedural për ta.
Kjo është thelbësore për demokracinë parlamentare. Mandati i deputetit është i lirë dhe jo detyrues.
Në rastin e konstituimit të Kuvendit, pjesëmarrja në votim është e detyrueshme për të funksionalizuar institucionin. Por, në proceset politike si zgjedhja e presidentit apo e Qeverisë, vota është vullnet i lirë.
Test i përgjegjësisë politike të LVV-së
Procedura për zgjedhjen e presidentit filloi më 5 mars 2026, me diskutime të minutës së fundit të iniciuara nga LVV-ja, pa një kandidat të dakorduar dhe pa një shumicë të sigurt. Një pjesë e opozitës refuzoi të marrë pjesë në këtë proces.
Për zgjedhjen e presidentit duhet të jenë të pranishëm të paktën dy të tretat e deputetëve në sallë, që të nisë procesi i votimit. Në një demokraci parlamentare si Kosova, vendimet e mëdha arrihen vetëm përmes kompromisit dhe marrëveshjeve politike.
LVV-ja, me 51% të mandateve, nuk ka vetëm legjitimitetin, por edhe përgjegjësinë kryesore për të ndërtuar konsensus me partitë opozitare.
Fakti që LVV-ja nuk arriti ta zgjedhë presidentin edhe pse kontrollon më shumë se gjysmën e Kuvendit, flet shumë për mungesën e kompromisit dhe dialogut. Qeveritë e kaluara kanë arritur t’i zgjedhin presidentët me më pak mandate dhe me koalicione shumë më të brishta.
Kalkulimet politike dhe mospropozimi i emrave konkretë deri në ditën e fundit përbëjnë tallje me qytetarët dhe me vetë institucionin e presidentit. Zgjedhja e presidentit nuk është lojë taktike, por proces që kërkon seriozitet, transparencë dhe përgjegjësi.
Propozimi i emrit të Glauk Konjufcës për president, vetëm disa javë pasi ai u emërua ministër i Punëve të Jashtme, është vështirë të shihet si propozim serioz. Kjo e forcon përshtypjen se emrat janë përdorur më shumë si instrument për kalkulime politike, sesa si kandidatura reale për konsensus.
Po ashtu, kryetari i LVV-së, kryeministri Kurti, nuk ka treguar asnjëherë qartë nëse do ta mbështeste apo jo kandidaturën e Vjosa Osmanit për një mandat të dytë. Pas pesë vitesh bashkëpunimi politik dhe pas faktit se kanë kandiduar së bashku në zgjedhje, minimumi i përgjegjësisë politike do të ishte një deklarim i qartë për përkrahje ose mospërkrahje.
Kjo paqartësi, e kombinuar me insistimin për të përfituar politikisht në çdo situatë, po e rrezikon seriozisht stabilitetin e institucioneve të vendit dhe po e shtyn Kosovën drejt një cikli të ri zgjedhor, në një kohë kur vendi ka nevojë për institucione stabile dhe funksionale.
28 prilli do të tregojë nëse LVV-ja do ta zgjedhë vendin mbi partinë, duke u ofruar qytetarëve institucione stabile, apo do ta shfrytëzojë këtë mundësi për përfitim politik, duke e çuar vendin në zgjedhje të reja dhe plotësisht të panevojshme.




























































