Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Krimi i organizuar në Serbi është biznes shtetëror

Për dhjetë vjetët e fundit, Serbia ka arritur një ekspansion gjigant në industrinë e ndërtimit, një sektor që është i përkryer për pastrimin e kapitalit të fituar në mënyrë të paligjshme për shkak të legjislacionit të pamjaftueshëm dhe pothuajse mungesës së kontrollit.

Është e pamundur të flitet për krimin e organizuar në Serbi pa përmendur vetë shtetin, i cili në pjesën më të madhe është një lloj mbrojtësi dhe që ka monopolin e tij. Skandalet e korrupsionit, manipulimet me prokurimet publike, grupet e organizuara kriminale të “tifozëve” me detyrë për të frikësuar dhe për të nxitur dhunë (…), janë drejtpërdrejt të lidhura me pushtetarët.

Në mesin e shtatorit të vitit të kaluar, një zyrtar i Departamentit të Shtetit paralajmëroi se nuk duhet të udhëtohet në Serbi për shkak të “COVID-19 dhe krimit të organizuar”.

Në Serbi, biznesmenë dhe financues të partisë SNS janë në SHBA në listën e zezë për shkak të lidhjeve me krimin e organizuar.

Arrestimi i fundit spektakolar i Veljko Belivukut dhe klanit të tij zbuloi lidhjet e drejtpërdrejta midis kriminelëve dhe kryesisë së lartë të atëhershme të Serbisë, me të cilët ky lider tifozësh kishte qenë në kontakt të ngushtë për vite me radhë. Përdorimi i kriminelëve në punët shtetërore në Serbi është zbatuar prej vitesh, jo vetëm në rrugë dhe në fushata parazgjedhore, por edhe në prokurimet publike.

Biznesmeni kontrovers nga veriu i Kosovës, Zvonko Veselinoviç, dhe Milan Radoiçiq, nënkryetar i Listës Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë, të lidhur gjithashtu me vrasjen e politikanit Oliver Ivanoviç, janë futur në listën e zezë të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për lidhje me krimin e organizuar transnacional, gjë që do t’i pengojë ata të hyjnë dhe të bëjnë biznes në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Konkluzionet e Departamentit Amerikan të Thesarit tregojnë dyshime për praktika korruptive mes vëllezërve Veselinoviç dhe politikanëve në Serbi dhe Kosovë. Në të njëjtën kohë, Veselinoviq dhe Radoiçiq janë pronarë të kompanive të shumta në Serbi që fitojnë projektet më të mëdha shtetërore përmes tenderëve, siç është ndërtimi i autostradave ndërkombëtare. Në nivel lokal, vendet e punës të shpallura nga qeveritë vendore u jepen gjithashtu ekskluzivisht kompanive të afërta dhe kryesisht të sapokrijuara nga njerëz të lidhur drejtpërdrejt me qeverinë. Në sistemin tashmë të përpunuar, pjesa e parave që “investitori” ka marrë nga buxheti në atë mënyrë “kthehet”, respektivisht ndahet me politikanin i cili ka ndikuar për ta kryer këtë punë.

Tifozët, grumbulluesit e borxheve dhe nxitësit e frikës te konkurrenca

Për të siguruar që punën ta fitojë kompania e afërt me politikën, angazhohen sërish të ashtuquajturit “tifozë”, të cilët duke frikësuar konkurrencën e mundshme garantojnë se në tender do të aplikojnë vetëm sipërmarrës të pranueshëm dhe bashkëpunues. Natyrisht, shërbimet e tyre nuk janë falas, kështu që shpesh në Serbi ndodh që ish-banditë nga tribunat, me biografi dhe dosje të diskutueshme kriminale, për një çast të bëhen biznesmenë dhe pronarë biznesi. Kështu, kompania e ndërtimit “Ultra Kop”, pas së cilës qëndron një prej drejtuesve të tifozëve të Crvena Zvezda, Marko Vuçkoviq, i njohur ndryshe si Komandant, ka fituar një tender në vlerë prej më shumë se 840 mijë eurosh nga Ndërmarrja Shtetërore e Serbisë për Energji Elektrike (EPS).

Vuçkoviq është drejtuesi i nëngrupit Delija – “Ultra Boys”, ndaj të cilit policia ka bërë kallëzime penale që ose nuk u proceduan, ose procedura zgjati me vite deri në parashkrim. Sipas shkrimeve të Insajderit, ndërmarrja “Ultra Kop” e ka fituar tenderin falë konsorciumit me ndërmarrjen “Elektroizgradnja”, kompani në pronësi të qytetit të Beogradit. Kompania e ndërtimit “Ultra Kop” është themeluar në mesin e vitit 2015 në adresën e stadiumit të klubit Crvena Zvezda dhe objekteve afariste në kuadër të stadiumit në Lutice Bogdana.

Të ardhura të paligjshme “të përfituara” nga ndërtimi i banesave

Pikërisht ndërtimtaria dhe investimi në ndërtimin e pasurive të paluajtshme kanë qenë një mënyrë për të thithur të ardhura të paligjshme për shumë vite. Për dhjetë vjetët e fundit, Serbia ka arritur një ekspansion gjigant në industrinë e ndërtimit, një sektor që është i përkryer për pastrimin e kapitalit të fituar në mënyrë të paligjshme për shkak të legjislacionit të pamjaftueshëm dhe pothuajse mungesës së kontrollit. Sipas vlerësimeve të përafërta, në Serbi janë aktive më shumë se 50,000 kantiere ndërtimi çdo ditë, kurse çmimet e pasurive të paluajtshme janë fryrë artificialisht, në mënyrë që të bëhet pastrimi i parave.

Burimi: freepik.com

Aktualisht, çmimet për metër katror në Serbi, në varësi të vendndodhjes, arrijnë në shuma të pabesueshme nga 2000 deri në 10000 euro, mesatarisht të paktën 30 për qind më të larta sesa ato reale. Investitorët në Serbi nuk janë të detyruar të tregojnë prova për kapitalin që planifikojnë të investojnë dhe shumica e ndërtesave të reja në vend dyshohet se janë ndërtuar me paratë e “blerësve fiktivë”.

Përveç “biznesmenëve” vendas në Serbi, paratë nga Republika Sërpska pastrohen gjithashtu përmes ekonomisë gri të ndërtimit, madje disa kompani ndërtimi dyshohen me të drejtë se janë praktikisht në pronësi të fshehtë të një anëtari të Presidencës së Bosnjë-Hercgovinës dhe liderit të partisë kryesore në entitetin Republika Sërpska. Vetë Dodik së fundmi e gjeti veten në një listë të zgjeruar sanksionesh për akte korrupsioni nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së. Dhe pikërisht korrupsioni është gjithashtu një nga degët/sektorët më të organizuar të krimit në Serbi.

Korrupsioni në sektorin publik si një model biznesi / afarizmi

Sipas hulumtimit të organizatës joqeveritare Partnerët e Serbisë, për procedimin e rasteve të korrupsionit, në Serbi shumica e procedurave gjyqësore zhvillohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, ndërsa më së paku për mitmarrje. Nga numri i përgjithshëm i të pandehurve, dy të tretat janë persona të punësuar pikërisht në sektorin publik. Në mesin e tyre ka oficerë policie, policë komunalë dhe të trafikut, mjekë, drejtorë kompanish, inxhinierë trafiku dhe juristë në pushtetin lokal… Fakti që, sipas hulumtimit, shumica e të akuzuarve janë policë dhe punëtorë të tjerë në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë, vetëm konfirmon se krimi i organizuar në Serbi është praktikisht më i pranishmi në mesin e atyre që kanë për obligim dhe detyrë ta luftojnë atë.

Lufta sporadike mes shtetit dhe krimit brenda “radhëve të veta”, si për shembull arrestimi i ish-zëvendësshefit të Shërbimit Kundër Krimit të Organizuar (SBPOK) Goran Papiç apo ish-sekretares shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme Diana Hrkaloviç, flasin më shumë për përplasjet brenda partisë në pushtet dhe kuadrove që kanë “humbur kontrollin”.

Hrkaloviç, e cila është ende në paraburgim, u arrestua në fund të tetorit të vitit 2021, me dyshimin për prishjen dhe manipulimin e provave pas vrasjes së karateistit Vlastimir Millosheviç në janar të vitit 2017. Angazhimi i saj në Ministrinë e Brendshme ishte shoqëruar me polemika të shumta, para së gjithash për shkak të biografisë së pazakontë, e mbi të gjitha lidhjeve me grupet e tifozëve, në radhë të parë me famëkeqin Veljko Belivuk.

Armiqtë e dërrmuar dhe planifikimi i vrasjes së Vuçiqit

Sipas ministrit të Policisë, Aleksandar Vulin, arrestimi i Belivukut dhe grupit të tij kriminal në fillim të vitit të kaluar kishte “parandaluar formimin e një klani të ri të Zemunit”. Mirëpo, Belivuk, si drejtues i tifozëve të klubit Partizan, e kishte drejtuar nëndheun e Beogradit për vite me radhë. Anëtarët e grupit të tij të tifozëve “Parimet” (Principi) kishin punuar për vite me radhë, duke ofruar “shërbime sigurimi” në të gjitha klubet e Beogradit, si dhe kishin qenë përgjegjës për shpërndarjen e drogës, si dhe për shantazhimin e biznesmenëve dhe pronarëve të kafeneve. Ndaj anëtarëve të “Parimet” janë ngritur dhjetëra kallëzime penale për krimet më të rënda, por shumica e tyre nuk janë proceduar deri më sot, ose janë në fazën e hetimit.

Besohej gjerësisht se ata kishin mbrojtje nga vetë koka e qeverisë, kurse disa foto të përbashkëta të tifozëve me politikanë dhe ministra serbë, të përqafuar gjatë natës, i konfirmuan më tej këto dyshime. Aktualisht grupi kriminal i “Velja nevolja” akuzohet për disa vrasje brutale dhe gjymtime të viktimave, ndër të cilat “bluarje e pjesëve të trupit me makinë mishi”. Belivuk është cilësuar në media si pjesëtar i dyshuar i klanit kriminal malazez “Kavaç”.

Sipas hulumtimit të portalit KRIK dhe Radios Evropa e Lirë (RFE), konflikti mes klanit “Kavaç” dhe “Skaljar” deri më tani ka rezultuar me vrasjen e 171 personave. Këto krime janë kryer nga viti 2012 në territorin e Malit të Zi dhe Serbisë, krime që kanë karakteristikat e likuidimeve mafioze. Lideri i klanit Kavaç, Radoje Zvicer, pak ditë më parë, nga tabloidët serbë ishte cilësuar si një person që kishte planifikuar vrasjen e supozuar të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Teksti është pjesë e iniciative “Histori nga rajoni” që zbatohet nga Res Publica dhe Instituti për Studime të Komunikimit nga Maqedonia, në bashkëpunim me partnerët nga Mali i Zi (PCNEN), Kroacia (Lupiga), Kosova (Sbunker), Serbia (Autonomija), Shqipëria (Exit), dhe Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), në kuadër të projektit “Bashko pikat: politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare ” me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.