Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Lumturia në kohë pandemie

Globalisht, shpresa dhe lumturia në mbarë botën kanë rënë krahasuar me vitin e kaluar. Frika globale që mund të ketë vështirësi ekonomike mbetet e lartë dhe vazhdon të ketë ngritje stabile. Padyshim që pandemia ka ndikuar në shpresat, frikët dhe pritjet e njerëzve në mbarë botën. Megjithatë, ka shumë dallime në mes të regjioneve dhe shteteve të ndryshme.

Gallup International, në vazhdën e studimit më të gjatë në botë, i cili filloi në vitin 1979, ka vazhduar dhe këtë vit me matjen e indeksit të Shpresës, Lumturisë dhe pritjet për situatën ekonomike.

Kosova, përmes Kantar (Index Kosova), është pjesë e studimit të Gallup International që nga viti 2000. Studimi zhvillohet çdo fundvit.

Optimizmi

Globalisht, nuk ka shumë ndryshime sa i përket shpresës së popullatës në botë për një të ardhme më të mirë. Ngjashëm sikurse për vitin 2021, 38 për qind e popullatës së botës beson se viti 2022 do të jetë vit më i mirë se viti 2021. Pothuajse çereku i popullatës së botës (28%) pret vit më të keq dhe përqindje e ngjashme (27%) konsiderojnë se ky vit do të jetë i ngjashëm me vitin 2021. Për popullatën në botë, viti 2008 ishte viti me përqindjen më të lartë të pesimizmit në shekullin e ri, vit ky që u karakterizua me krizën ekonomike globale.

Përpos Indonezisë, si vendi më optimist në botë (76 për qind e popullatës pret vit më të mirë), këtë vit edhe Shqipëria radhitet si vendi i dytë më optimist në botë: 70 për qind e kësaj popullate pret që viti 2022 do të jetë vit më i mirë se viti 2021. Vlen të theksohet se gjatë vitit 2021 përpjekjet e vazhdueshme të Shqipërisë për anëtarësim në BE duket se po marrin udhën e duhur dhe drita jeshile që mund të jepet sivjet për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në BE ka ndikuar në ngritjen e nivelit të optimizmit dhe të lumturisë në popullatë.

Studimi mbi optimizmin global nxjerr në pah se Afganistani është vendi më pesimist në botë, ku më shumë se gjysma e kësaj popullate (56%) pret që viti 2022 do të jetë vit më i keq për vendin e tyre, vit ky që shënoi tërheqjen e trupave amerikane dhe ndihmës në Afganistan. Si rezultat i shpërthimit të krizës ekonomike në këtë vend, vlerësohet se gjysma e kësaj popullate (23 milionë) kanë nevojë për ndihmë. Vendi i dytë më pesimist radhitet Turqia (56%) si rast unik me ngritje rekord të pesimizmit kryesisht për shkak të inflacionit.

Vendet si Koreja (54%), Italia (48%) dhe Serbia (42%) presin që viti 2022 të jetë vit i njëjtë me 2021.

Kosova për vite me radhë mban një mesatare pa lëkundje të mëdha në nivelin e optimizmit në popullatë. E meqë niveli i optimizmit te popullata reflekton lëkundjet dhe ndryshimet në vend, ky rezultat mund të vërë në pah që nuk ka pasur ngjarje aq madhore, as pozitive e as negative, as pritje e as zhgënjime, që të reflektohen në nivel të optimizmit të vendit që nga viti 2017.

Në fakt, Kosova në fund të mijëvjeçarit të dytë dhe fillim të mijëvjeçarit të tretë, për vite me radhë, ishte vendi më optimist në botë, kjo kryesisht për shkak se ishte vend i sapodalë nga lufta: dominonte shpresa se gjërat do të jenë ndryshe në liri. Trendi i optimizmit shënoi rënie graduale dhe stabile deri në vitin 2013. Viti 2014 ishte viti kur qytetarët e Kosovës kishin më së paku shpresa për një të ardhme më të mirë. Vlen të theksohet se pas zgjedhjeve të 8 qershorit më 2014, vendi ishte gjysmë viti pa qeveri funksionale.

Image

Burimi: Kantar (Index Kosova)

Prosperiteti ekonomik

Në nivel global, popullata vazhdon të jetë e shqetësuar, megjithatë pa ndryshime të mëdha në krahasim me vitin e kaluar. Sot, çereku i popullatës në botë (26%) pret që viti 2022 do të jetë vit i zhvillimit ekonomik në vendin e tyre përderisa një pjesë e madhe (41%) përgatiten për vështirësi ekonomike. Pjesa tjetër e popullatës së  globit (26%) konsideron se viti 2022 nuk do jetë vit ndryshe nga 2021.

Optimizmi për zhvillim ekonomik në të shumtën e rasteve është ngushtë i lidhur me optimizmin e përgjithshëm të popullatës; për shembull, Shqipëria dominon edhe me optimizëm ekonomik në krahasim me shtetet e tjera.

Sa i përket Kosovës, krahasuar me vitin e kaluar, më shumë qytetarë besojnë se viti 2022 për Kosovën do të jetë vit i zhvillimit ekonomik (45%) përderisa viti 2014 kishte shënuar pikën më të ulët të shpresës për zhvillim ekonomik (26%).

Viti 2020, si vit i pandemisë, shënoi përqindjen më të lartë të qytetarëve që konsideruan vitin vijues si vit të vështirësive ekonomike (37%).

Image

Niveli i lumturisë

Pavarësisht nga pandemia dhe pasojat e saj, luftërat dhe vështirësitë ekonomike, lumturia personale prapë mbizotëron në glob. Më shumë se gjysma e popullatës së globit e konsideron veten të ‘lumtur’ ose ‘shumë të lumtur’ (56%).

Përqindja me e lartë e lumturisë është vëzhguar te banorët e Kolumbisë (83% deklaruan të jenë të lumtur), Kazakistanit (81%) dhe Shqipërisë (74%). Shqipëria, pas tërmetit në nëntor të vitit 2019, ngjarje kjo që lëkundi besimin e gjithsecilit, pësoi rënie drastike të lumturisë së qytetarëve, pasuar më tej prej pandemisë në vitin 2020. Kjo ngritje e nivelit të lumturisë te qytetarët në fakt ka përgjigje. Në vitin 2021 filloi shpërndarja e apartamenteve për të dëmtuarit nga tërmetet. Po ashtu, viti 2021 shënoi vaksinimin e një pjese të madhe të popullatës së Shqipërisë, gjë që nxiti besimin se do të tejkalohet pandemia. Po ashtu, siç u cek edhe më lart, Shqipëria, pas përpjekjeve të shumta për anëtarësim në BE, pret lajme të mira për anëtarësim sivjet.

Image

Kosova, në anën tjetër, pavarësisht nga pasojat e pandemisë, sidomos ato ekonomike, nxjerr në pah popullatë relativisht të lumtur (68%), në fakt akoma më të lumtur sesa në vitin 2019 (62%). Ndryshimet e fundit në sferën politike, si dhe numri i ulët i rasteve të regjistruara me COVID-19 mund të jenë dy prej arsyeve kryesore të kësaj ngritjeje stabile.

Metodologjia:

Studimi i Fundvitit i Gallup International (EoY) është iniciativë e Dr. George Gallup në vitin 1977. Që nga ajo kohë, studimi zhvillohet një herë në vit. Këtë vit studimi u realizua në 44 shtete të botës. 

Mostra:

Gjithsej 41.560 persona u intervistuan, me mostër reprezentative për secilin shtet. Margjina e gabimit për këtë studim është në mes +3-5% në nivel besueshmërie 95%.

Për më shumë informata:

Vlora Basha ([email protected])

Lexoni Gjithashtu

Debunking Articles

Pretendimi i ngritur nga Vudi Xhymshiti se Zëvendës Ndihmës Sekretari, Gabriel Escobari, ka nënvlerësuar qeverinë e Kosovës, duke e lidhur këtë me pretendimet se...

Analizë

Katër ditë para Vitit të Ri, më 27 dhjetor 2023, Qeveria e Kosovës miratoi në heshtje Projektligjin për Komisionin e Pavarur për Media, i...

Analizë

Viti i parë i Qeverisë Kurti shënoi një start të vështirë në politikën e jashtme, shoqëruar me shumë gabime diplomatike dhe dështime të protokollit....

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.