Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Migrimi studentor dhe formësimi i strategjive transnacionale (II)

Ilustrimi nga: BigEye

Për të vazhduar nga pjesa e parë e këtij shkrimi, kjo pjesë do të përqendrohet në strategjitë transnacionale të grupeve të ndryshme shoqërore dhe do të shqyrtojë rastin e Holandës, si rast i veçantë kur bëhet fjalë për rrjedhat e ndërkombëtarizuara (international streams). Këto janë institucione që mund të përshkruhen si fazë përgatitore, shumë intensive për arsimin terciar apo universitar. Ato funksionojnë me dy gjuhët, pra njëkohësisht praktikohet dhe mësohet gjuha holandeze dhe ajo angleze. [1] Në artikullin e Weenink “Cosmopolitanism as a Form of Capital”, hulumtimi i autorit na tregon se regjistrimi i fëmijëve të klasës së mesme në këto institucione në Holandë lidhet ngushtë me pozitat shoqërore të këtyre të fundit, pra, në njëfarë mënyrë është mjet apo strategji për familjet e klasës së mesme që të përgatisin fëmijët e tyre për një të ardhme ndërkombëtare. Më tutje, Weenink shton se mund të konkludohet se kjo strategji përfundimisht mund të shërbejë si mjet për rritjen e mobilitetit social për këtë klasë. [2] 

Ajo që treguan intervistat në studimin e Weenink, është përvetësimi i formave të ndryshme të “kapitalit kozmopolit” varion shumë mes atyre që morën pjesë në këto intervista. Autori përshkruan dy llojë kozmopolitësh: “kozmopolitin e përkushtuar”, i cili është i zhytur në kulturat tjera, duke u angazhuar të shohë përtej kufijve për të kuptuar perspektivën e jetës së dikujt tjetër, dhe jo si mjet për përfitime personale. Ndërkaq lloji tjetër ëshë “kozmopoliti pragmatik”, i cili mundohet të kapë mundësitë për të ardhmen, për arsimim dhe për karrierë duke i ‘kaluar’ kufijtë kombëtarë në teori, por jo domosdoshmërisht ta lërë shtëpinë praktikisht. Të dyja format e kozmpolitëve të lartpërmendur mund të shihen si individë me burime të mundshme të pushtetit. Kapitali kozmopolit, pra, është të dalësh jashtë vendit për një periudhe të caktuar, të njoftohesh me kultura të ndryshme, me njerëz të atyre kulturave që në fund të fundit shërbejnë si një avantazh dhe një shtysë e cila i ofrohet një grupi njerëzish kur ata ende s’janë të vetëdijshëm për rezultatet që mund t’i ketë ky kapital për përpjekjet e tyre të ardhshme për arsimim dhe karrierë. [3]

Ndërkaq, mund të përpiqemi të krahasojmë strategji arsimore transnacionale në kohë të ndryshme. Një shembull janë familjet fisnike në Hasburg në fund të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Një fenomen i përhapur atë kohë ishte marrja përsipër e një orvatje arsimore nëse mund ta quajmë kështu, fenomeni i “Udhëtimit të Kavalierëve”. [4] Sipas McHardy, autorja e këtij studimi, shpjegon sesi masivizimi i arsimit ka rezultuar në kërkesën e më shumë njerëzve të arsimohen (si p.sh klerikët) për t’u përgatitur kështu që potencialisht në të ardhmen t’i shërbejnë ‘oborrit’, por që kjo në anën tjetër përbentë një rrezik për fisnikët. [5] Ky fakt çoi tek hartimi i strategjive skolastike e jo skolastike nga fisnikëria për të siguruar dallueshmëri nga të tjerët. Kjo strategji përfshinte vizita në universitete prestigjioze brenda Evropës, duke u trajnuar në vallëzim, kalërim etj, duke rezultuar në fitim të kapitalit kulturor, social e simbolik, gjë që prodhoi ndarje të mëtutjeshme mes fisnikërisë dhe pjesës tjetër të njerëzve. [6]

Në një artikull tjetër, që shqyrton mundësinë e krijimit të një klase të re të mesme globale nga familjet ndërkombëtare e mobile në regjionin e Stokholm-Uppsala, autorët përpiqen të kuptojnë se a ekziston ndonjë korrelacion ndërmjet themelimit të shkollave ndërkombëtare në këtë rajon për shkak të familjeve të lartpërmendura. Ndonëse hulumtimi në fakt nuk zbuloi se kishte korrelacion midis këtyre dy pohimeve, megjithatë gjeti se ka një rritje të klasës së mesme globale dhe familjet ndërkombëtare mobile mund të kenë qenë shkak i rritjes së numrit të shkollave ndërkombëtare në këtë regjion. Për më tepër, gjetjet treguan se në fakt këto familje rrallëherë kishin fëmijë që korrespondonin me kriteret e atyre shkollave, [7] dhe se në fakt kërkesa për shkolla përkatësisht me orientim ndërkombëtar vinte nga shtresa e mesme suedeze si strategji arsimore për dallueshmëri. [8]

Kur bëhet fjale për Azinë Lindore dhe strategjitë e ndërmarra nga familjet e këtyre regjioneve, mund të shohim dallime të mëdha me Evropën. Në këtë regjion, strategjitë arsimore potencialisht mund të përfshijnë të gjithë familjen, dhe planifikimi shihet të jetë shumë më i detajuar. [9] Ky planifikim mund të rezultojë në zhvendosjen e familjeve në vende tjera si në SHBA, Australi dhe Zelandë të Re, jo vetëm për studime terciare. Ky është fenomeni i familjeve “kirogi” që ka origjinën në Korenë e Jugut, dhe përfshin jo vetëm migrimin për arsim të lartë, por që nga klasa e parë, në mënyrë që në të ardhmen këta fëmijë t’i kenë tashmë ‘horizontet’ e tyre të hapura sa i përket arsimimit. Familjet “kirogi” karakterizohen me ndarjen e familjës, ku zakonisht nëna udhëton me fëmijet, ndërsa babai qëndron në shtetin e origjinës për të punuar. Një tip tjetër janë familjet “astronaute”, që zakonisht gjenden në Hong Kong, fenomen i cili kërkon zhvendosjen e të gjithë familjes për një periudhë kohore deri në momentin që babai kthehet për të punuar. Dhe tipi i fundit janë fëmijët “parashutistë” ose “satelitë”, ku fëmija zhvendoset i vetëm pa mbikqyrjen e të rriturve. [10] Sado që këto lloje të migrimit janë shumëdimensionale, arsyeja thelbësore mbetet arsimimi.

Është veçanërisht e rëndësishme të nënvizohen rezultatet e këtyra strategjive transnacionale arsimore të familjeve të Azisë Lindore ndaj vendeve që u përmendën më parë. Një nga përfitimet mund të jetë pajisja me pasaportën e vendit ku janë duke jetuar gjatë studimeve. Një tjetër reulztat, siç thuhet nga autoret, mund të jetë natyra e mishëruar e cila mund të përkthehet në mënyrën sesi këta individë ‘ekzistojnë’: si p.sh mënyra e të folurit, stili i veshjes, sensi i humorit etj.[11]
Kontekste të ndryshme politike, sociale e ekonomike sigurisht qe prodhojnë fenomene të ndryshme kur bëhet fjalë për strategjitë arsimore transnacionale të grupeve të ndryshme shoqërore. Specifikisht të atyre që vijnë nga familjet e shtresës së mesme në shtete të ndryshme. Ndërsa vëmë në dukje një klasë specifikë shoqërore, pra ajo e mesmja, shohim se strategjitë variojnë pikërisht për shkak kontekstit.

[1] Weenink, Don: Cosmopolitanism as a Form of Capital. Parents Preparing their Children for a Globalizing World. In: Sociology, vol. 42 (2008) nr. 6, p 1090  

[2] Ibid. p. 1102

[3] Ibid. pp. 1093-1099

[4] MacHardy, Karin J. “Cultural capital, family strategies and noble identity in early modern Habsburg Austria 1579-1620”, Past & present, (1999) nr. 163, p. 49  

[5] Ibid. p. 48

[6] MacHardy, Karin J. “Cultural capital, family strategies and noble identity in early modern Habsburg Austria 1579-1620”, Past & present, (1999) nr. 163, p. 53  

[7] Waddling, Jennifer, Emil Bertilsson, and Mikael Palme (2019): “Struggling with Capital: A Bourdieusian Analysis of Educational Strategies among Internationally Mobile Middle Class Families in Sweden.” Discourse: Studies in the Cultural Politics of Education 0(0), p. 17  

[8] Ibid. p. 10

[9] Brooks, Rachel, Waters Johanna: Student Mobilities, Migration and the Internationalization of Higher Education, Basingstoke: Palgrave Macmillan, 2011, p. 51 

[10] Ibid. p. 52

[11] Ibid. p. 56 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.