Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Në ekuacionin e Ballkanit, demokracia është vlerë e panjohur

Ferri janë njerëzit e tjerë, Zhan-Pol Sartri

Drama “S’ka dalje” nga filozofi francez Zhan-Pol Sartri nuk është aq e popullarizuar në teatro sot sa ka qenë para disa dekadash. Fatkeqësisht, ajo është ekzekutuar shpesh në realitet, kurse fabula dhe natyra pesimiste e saj më kujtojnë rajonin tonë.

Pas vdekjes, tre burra dënohen ta kalojnë kohën në një dhomë të madhe recepsioni, si lloj dhome e pritjes, pa ditur se është gjykimi i tyre i përhershëm – se është Ferri i tyre. Duke qenë të mbyllur, ata jetojnë pranë njëri-tjetrit dhe ushqejnë dëshpërimin, urrejtjen dhe pafuqinë. Ata janë të mallkuar t’i përsërisin gabimet e njëjta. Nuk ka zgjidhje për problemet dhe s’ka dalje nga rrethi i tyre vicioz.

Shikoni vërdallë dhe mendoni një copë herë për të kaluarën e afërt dhe situatën e tanishme në rajon. A keni përshtypjen se jetojmë në një dhomë të madhe të Sartrit, duke pritur për ditë më të mira dhe duke i përsëritur gabimet? Veç, ky s’është teatër, por realitet.

Pavarësisht nga ardhjet e reja në politikë, pak gjëra kanë ndryshuar në rajon gjatë disa dekadave të fundit. Këta janë avatarët, tellallët e ideeve të njëjta, retorika e njëjtë, ikonografia e njëjtë që na kanë gjunjëzuar në fillim të viteve të 90-ta dhe siç thoshte Ane Markoviq, na kanë shtyrë në skaj të Evropës, në dhomën e pritjes së përhershme. [1]

Ndryshimi i qeverive as nuk ka sjellë ndryshim të politikave, as nuk ka dhënë hapësirën për një rishikim serioz, objektiv dhe të arsyeshëm të së kaluarës, as nuk ua ka dhënë mundësinë ideve të pajtimit, tolerancës dhe mirëkuptimit. Ferri janë njerëzit e tjerë, apo jo?

Nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa të dukesh fetar! Nikolo Makiaveli

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Malin e Zi mbase janë shembulli më i mirë i rrotullimit tonë rreth vetvetes. Gjukanoviqi dhe Partia Demokratike e Socialistëve (PDS) kanë pasur pushtetin për 30 vitet e fundit. Sidoqoftë, as opozita nuk ka ndryshuar.

Partitë më të mëdha, ose thënë më mirë, ato proserbe të opozitës së Malit të Zi, të mbështetura nga turbo-ortodoksia e Kishës Ortodokse Serbe (KOS), çmojnë ideologjinë e Sllobodan Millosheviqit dhe përkrahin urrejtjen fetare dhe kombëtare, duke kërkuar zëvendësimin e një sunduesi autokratik (Gjukanoviq) me Vuçiqin si idhull.

Në një përpjekje të tipit të Teatrit Absurd, Kisha Ortodokse Serbe po udhëheq “popullin” kundër një regjimi tradhtar, të korruptuar dhe autoritar në Malin e Zi, duke mbështetur regjimin hibrid në Serbi dhe duke lartësuar Putinin. Ikonografia është e ngjashme me vitet e 80-ta, siç është edhe retorika – Kosova është ende Serbi, “ne” dhe rusët ende jemi 200 milionë, i vetmi që na mungon është Sllobodan Millosheviqi.

Kjo retorikë nacionaliste serbe-ortodokse nuk do t’i bindë fare mendjet dhe zemrat e shqiptarëve, boshnjakëve ose kroatëve që jetojnë në Malin e Zi. Për përfaqësuesit e minoriteteve kombëtare në Malin e Zi, PDS-ja nuk ishte e dëshiruar, por ishte partneri i vetëm i mundshëm në horizontin politik të vendit. A do të ndryshojë pas zgjedhjeve? Vështirë se shqiptarët, boshnjakët dhe kroatët do të hyjnë në koalicion me ata që kanë përdorur gjuhë poshtëruese ndaj tyre.

Tekefundit, me ose pa PDS-në, nuk ka Mal të Zi pa shqiptarë, boshnjakë dhe kroatë, sepse janë shtyllat e një Mali të Zi qytetar.

Është absurde që thuajse e tërë opozita serbe, nga snobi Boris Tadiq deri te nihilisti Boshko Obradoviq mbështet grupin e partive në Malin e Zi që varen politikisht dhe financiarisht nga Vuçiqi.

Mbështetja u është dhënë partive që nuk kanë dënuar brutalitetin e policisë serbe ndaj protestuesve, përfshirë Obradoviqin, para disa javësh.

Në këtë sfond të muzikës korale (ortodokse) që është luajtur në Malin e Zi për shumë muaj, i vetmi zë (i dobët) që zhangëllon është ai i ish-aleatit të Gjukanoviqit PSD (Partia Socialdemokrate) dhe zëri paksa më i fortë i lëvizjes qytetare URA (Veprimi i Bashkuar për Reformë), aftësia e së cilës për të mbetur politikisht e pavarur nga PDS-ja është sfiduar vazhdimisht.

Për muaj me radhë, ne kemi vëzhguar manipulimet politike nga të dyjat, ku energjia është përqendruar në çështjet e identitetit, mbijetesën e shtetit, ose pyetjet kinse klerike/fetare, të cilat spostojnë fokusin nga pyetjet që duhet të jenë theksi i secilës fushatë në Ballkan – korrupsioni, rënia ekonomike, papunësia, regresi demokratik, shkatërrimi i paskrupullt i mjedisit (shpyllëzimi në Veri, ose dërrmimi i bregdetit në Jug), politikat rajonale konstruktive, etj.

Siç komentonte një mik imi nga Podgorica: “një grup mbron Shtetin, të tjerët mbrojnë kishën, fenë dhe vendet e shenjta, dhe kështu ka shkuar gjatë 30 viteve të fundit. Partitë nuk kanë programe politike dhe u mungojnë ideologjitë”. Popullizmi dhe demagogjia mbizotërojnë diskursin publik.

Qeveritë duhet t’u japin llogari votuesve dhe janë të zëvendësueshëm. Ndryshimi është i nevojshëm sepse është parakusht për demokracinë, por është vështirë të kesh demokraci me retorikë naconaliste dhe populliste, dhe ikonografi ortodokse.

E kaluam rrugën. Rruga ishte e gjatë. Nuk kishim kuptuar se rruga ishte rreth derisa u bë shumë vonë – Tin Ujeviq

Edhe nëse dalim nga Mali i Zi dhe shikojmë përreth, s’do ta shohim një pamje më të mirë. Politikat e shteteve të mëdha nuk kanë vdekur. Mediat kanë mjegulluar realitetin, duke i ushqyer qytetarët me narrativa të cekëta dhe të pavlera, por të rrezikshme. Hapësira për analizë dhe dialog serioz është tkurrur në nivelin e gabimit statistikor.

Bosnja dhe Hercegovina është viktimë e politikave të njëjta që nga vitet e 90-ta, edhe pse ka disa njerëz të ri/të vjetër në pushtet në vend dhe në rajon. Është aq e fortë ose e dobët sa e duan fqinjët. Pavarësisht nga ajo që thonë liderët e Beogradit ose të Zagrebit, çelësi i stabilitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës është në duart e tyre.

Sa kanë ndryshuar Shqipëria dhe Kosova në mënyrën se si kuptohet dhe ekzekutohet politika? Sa ka ndryshuar përgjatë kohës sjellja e elitave politike ose kuptimi i nocionit të qeverisjes së mirë? Ndryshimi është i vogël dhe thuajse i pavërejtshëm.

Sa larg ka shkuar kroacia nga politikat kombëtare të viteve të 90-ta? Zgjedhjet e fundit presidenciale të Kroacisë, fushata e Presidentes Kolinda Grabar-Kitaroviq, problemi i vënies së përshëndetjes “Të Gatshëm për Atdheun” në kontekstin e duhur politik dhe historik, dhe popullariteti i Thompson-it janë përgjigjet më të mira.

Elitat politike të rajonit përfitojnë duke i mbajtur mosmarrëveshjet rajonale të hapura për t’i manipuluar qytetarët dhe për t’i mashtruar partnerët ndërkombëtarë. Kujtoni sa gjatë është përdorur çështja e emrit mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’i fuqizuar politikat nacionale të kota dhe të dëmshme.

Sado e palogjikshme që mund të duket, është politikisht oportuniste për Serbinë t’i mbajë pezull negociatat me Prishtinën. Për Kosovën, një marrëveshje me Serbinë ka rëndësi ekzistenciale, ndërsa për Beogradin është vegël që përdor për lojëra diplomatike me Brukselin dhe mënyrë për t’ia mbajtur derën hapur përfshirjes së Moskës në bisedime.

Hendeku demokratik

Kapaciteti i njeriut për drejtësi e mundëson demokracinë, kurse prirja e njeriut për padrejtësi e bën demokracinë të nevojshme (Reinhold Niebuhr). Kjo maksimë e teologut, filozofit dhe aktivistit politik amerikan Niebuhr “zuri” një statusin e ndërmjetmë në të cilin jetojmë. Në vend të reformave demokratike, neve na ofrohet një hendek demokratik.

Kemi bërë një hap drejt demokracisë por nuk kemi arritur asgjëkundi. Sa më shumë kalon koha, aq më tepër shikojmë prapa – drejt se kaluarës, sepse do të ktheheshim atje me shumë dëshirë. Çfarë na shqetëson dhe frikëson është ndryshimi i mirëfilltë që duhet ta ndërmarrim. Ne lavdërojmë dhe mitologjizomë diçka që s’kemi qenë kurrë dhe as nuk do të bëhemi ndonjëherë. Të frymëzuar nga “jeta e tyre më e mirë”, e jo nga sundimi i tyre i ligjit ose institucionet e forta, ne duam të jemi si demokracitë e zhvilluara. Por nuk kemi kohë për reforma të lodhshme dhe më parë do t’i binim shkurt që të ndryshomë sa më pak.

Në anën tjetër, qytetarët kanë kapacitetin për drejtësi dhe e tregojnë fytyrën herë pas here. Si lumë me rrjedhë të dobësuar, zemërata e tyre shfaqet nganjëherë në formë të rebelimeve, protestave dhe kundërvënieve ndaj padrejtësive që i rrethojnë. Njerëzit janë vërtet të shqetësuar dhe të zhgënjyer, disa janë të zemëruar, por krejt çfarë duan është ndryshimi. Por në fund të fundit kemi shijen e hidhur që padrejtësia do të triumfojë, jo sepse priremi nga padrejtësia më shumë se të tjerët, por se nuk jemi mësuar t’i përdorim “veglat demokratike” për t’i arritur qëllimet tona.

Demokracia nuk ka banuar kurrë në shtëpinë tonë. Mendoni pak për historinë e rajonit tonë në shekullin XX. Mungesa e traditës demokratike dhe e kulturës së dialogut, si dhe mungesa e institucioneve të forta dhe të pavarura ku do të duhej të ndodhte debati për të ardhmen e shtetit kanë kontribuar shumë në gjakderdhjen që i dha fund dramës jugosllave. Duke jetuar në Belgjikë, një vend tepër të ndarë në vija etnike, gjuhësore dhe kulturore, kam mësuar se sa e rëndësishme është kultura e dialogut politik dhe kompromisi për ekzistencën e një shteti.

Është bërë fare pak në rajon për ta ushqyer sensin e detyrës shoqërore, përgjegjësisë dhe llogaridhënies te ata që janë në politikë. Është bërë fare pak për t’i studiuar sistematikisht parimet demokratike përmes sistemit të arsimit.

Në mungesë të zgjidhjeve më të mira, ata që mendojnë ndryshe, kryesisht të rinjtë dhe të shkolluarit, të pakënaqur me riciklimin e modeleve të njëjta politike, në të shumtën e rasteve kanë dy mundësi –  apatinë/mospjesëmarrjen politike ose shpërnguljen. Në një nivel personal, jeta jashtë vendit mund të sjell mundësi më të mira; për një shoqëri, kjo ndodhi precipiton prirje negative në procesin e përzgjedhjes së kandidatëve dhe çon te përjashtimi që mendojnë jashtë kornizave të zakonshme kur vjen puna te politika.

Le të kthehemi te Mali i Zi për ta mbyllur qarkun. Rezultatet e zgjedhjeve kanë çelur shtegun për ndryshim. Kjo lëvizje mund të jetë pozitive, por mund të jetë edhe prapambetje. Shumë njerëz presin që Mali i Zi do ta vazhdojë regresin në vitet në vijim. Periudha e amullisë ka zgjatur shumë, dhe për të fajësohet PDS-ja. Prej tash, performanca e dobët, ngathtësia e reformave dhe korrupsioni mund të jenë përgjegjësi e tjetërkujt. PDS-ja mund ta përdorë këtë për t’u kthyer në pushtet, gjë që rajoni tanimë e ka përjetuar.

Befasia më e madhe e zgjedhjeve të Malit të Zi është që një lëvizje qytetare u bë faktor kyç në mosmarrëveshjen politike mes dy garuesve që vazhdojnë të përdorin ide të ricikluara për dekada me radhë. Nëse Mali i Zi ia del ta ketë një qeveri eskpertësh si rezultat i këmbënguljes së URA-s; nëse krijohet një atmosferë politike ku askush nuk mund ta luajë rolin e një “vëllai të madh”; nëse më në fund kemi zgjedhje të lira; atëherë mund të shihet si një puhi e freskët e demokracisë jo vetëm për Malin e Zi, por edhe për tërë rajonin.

A është URA e aftë ta përmbushë detyrën? Duke shpërfillur PDS, a do të bëhet “patericë” e partive nacionaliste proserbe dhe ta shkatërrojë profilin e saj qytetar? Kjo mbetet të shihet.

——

[1] “We will pay for these delusions with poverty, erosion of spirit and living in the far periphery of Europe”, Ante Markovic, 1990 // (“Zablude ćemo plaćati siromaštvom, trovanjem duha i položajem daleke periferije u Evropi”, Ante Marković, 1990)

—-

Bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker është duke sjellur një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

Lexoni Gjithashtu

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.