Connect with us

Hi, what are you looking for?

SbunkerSbunker

Analizë

Nga logosi tek algoritmet

Një makinë shkrimi, një indigo apo një telefaks për një pjesëtar të Gen Alpha mund të duken aksesorë dekorativë për ndonjë nga restorantet të cilat bashkëdyzojnë mjeshtërisht të kaluarën me të tashmen.

Por, dikur ato ishin mjete të domosdoshme për ta ushtruar jo vetëm profesionin e gazetarit, por edhe në shumë fushëveprimtari të tjera, duke qene mjete të fuqishme ndihmëse për komunikim.

Atëkohë, komunikimi nuk ishte një çast, por as një click. Shpejtësia e informatës merrte kohë më shumë se kaq. Rrjedhimisht edhe koha e verifikimit ishte më e gjatë, ndaj kur ajo publikohej, lajmi njëmend merrte dhenë dhe nuk ekzistonte fort ide për konceptin fake news.

Të shkruash atëkohë ishte prodhim i mendjes, angazhim truror dhe kreativitet që buronte nga mendja, por jo nga makina (chatbot).

Nën pushtetin e Chatbotëve

Dy dekada më pas, përdorimi i mjeteve ndihmëse ka pësuar transformim rrënjësor dhe nuk është më çështje, por natyrshmëri (sic!). Një postim, një fjalim apo edhe një fjalë e vetme, sot, përgjithësisht nuk konsiderohen prodhim mendjeje. Është momenti që pakkush e ka imagjinuar dhe kur secili nën pushtetin e chatbotëve protagonizohet, duke shfaqur bindje, dhënë mendim apo gjykim për çfarëdo çështje, shpeshherë duke përjashtuar  kompetencën. Nën pushtetin e tij, njeriu shfaqet si një karakter i dyfishtë, ngaqë shpesh ka shpërputhje totale në mes të dikujt që ka vështirësi serioze në artikulim, por ka paraqitje brilante në shkrim. Ndaj, dilema është se kush është ky njeri?! Ose nga buron ideja që dikush të paraqitet i tillë çfarë nuk është. A është kjo nevojë për ndërtim të një reputacioni publik fake, apo mënyrë mbijetese në profesione të caktuara. Sigurisht të dyja ngapak, po që me kalimin e kohës, AI-ja duket sikur po krijon një lloj skllavërie mendore, posaçërisht të atyre që kanë probleme në artikulim dhe vështirësi në të shkruar. Në këtë kontekst, zhvillimi i mendimit kritik po duket si diçka “e tejkaluar”.

“Ja ku e ke një tekst metaforik dhe më goditës”, kështu i është përgjigjur chatbot-i një politikani lokal, duke u përpjekur t`ia plotësojë kërkesën për ndryshim teksti me paramendim që i njëjti të mos hetohet se është prodhim skematik i AI-së.

Ç`e do kur as herën e dytë ai nuk arrin ta postojë tekstin e kopjuar deri në atë masë, saqë sërish bie në grackën e dekonspirimit publik të përdorimit të ChatGPT-së. Nuk krisi kiameti… Ky prototip i politikanit shqiptar është i zakonshëm. Ditë më parë, mediat në Shqipëri kapën momentin kur një deputet demokrat u ndi në siklet teksa u xhirua duke kërkuar nga ChatGPT-ja që t`ia shkruajë një fjalim. Sigurisht që nuk përbën precedent, por as fundin e botës. Chatbot-ët janë për t`u përdorur, por ndoshta radhës tjetër, deputeti do ta ketë të zorshme t`i bindë votuesit se ajo që thotë është mendim i tij, por jo i chatbot-it.

Fjalimet, postimet, urimet apo edhe ngushëllimet e tyre tashmë janë bërë pjesë e një skeme, me një diskurs steril, strukturë fjalish simetrike, pa ndjesi njerëzore, por ama sa për të kryer punë. Një udhëtim  transcendental i njeriut nga logosi tek algoritmet.

Janë të njohura tashmë formulimet skematike të tipit: “Në një botë që ndryshon më shpejtësi”, “Një dëshmi e përkushtimit dhe vizionit”,  “Kontribut i jashtëzakonshëm (i pakontekstualizuar), “Dashuria mund urrejtjen”, “E vërteta mund propagandën”; janë këto vetëm disa nga klishetë skematike të chatbot-ëve, fjali të njëtrajtshme, me kontraste morale të balancuara, të cilat tashmë dominojnë diskursin publik, sidomos të politikanëve. Apo formulimet si: “Jo vetëm X, por edhe Y’, apo “Demokracia nuk varet vetëm nga zgjedhjet, por edhe nga qytetarët e informuar”, përdoren për theksim dhe zgjerim të idesë përmes lidhëzave shkallëzuese. Në fakt, janë modele skematike të importuara nga anglishtja dhe të riprodhuara nga chatbot-ët, duke krijuar njëtrajtshmëri artificiale në gjuhën shqipe.

Pavarësisht kësaj, përdorimi i chatbot-ëve, nga kushdo, e as nga politikanët, nuk është sakrilegj, por e keqja është se kjo makinë nuk prodhon vizion apo ide politike. Chatbot-i mund të korrektojë aspekte gjuhësore, porse jo mendimin. Mund ta rregullojë një Ë, porse nuk mund ta rafinojë idenë politike të askujt.

Shkarjet, kësisoj, nxjerrin në pah politikanin e zakonshëm, i cili përtej emrit, apo bagazhit të çfarëdoshëm që mban mbi vete, suspendon atributin e tij prej politikani dhe ia transferon trurin chatbot-it për gjëra shumë triviale, siç është në këtë rast një postim i shkurtër, një mesazh ngushëllimi. Ky dorëzim kaq i lehtë i një politikani kundrejt chatbot-it ngre dilemën për transformimin e mundshëm në raport me përmbushjen e pritjeve nga zgjedhësit. A ekziston mundësia që ky prototip politikani të korrigjohet edhe në veprimtarinë politike njësoj sikurse vetëkorrigjohet nga chatbot-i?! Sigurisht, e dëshirueshme, por jo edhe e mundshme. Kjo ngase AI-ja nuk ka arritur në stadin kur korrigjon edhe mendime, apo veprime të njerëzve, pavarësisht punës që kryejnë. Sido që të jetë, Kosova nuk përbën rast të veçantë në kontekstin global, sepse politikanë që përdorin chatbot-in në vend të mendjes së tyre, jo vetëm që janë të zakonshëm, por të pashmangshëm. Esenca është jo pse, por si përdoret chatbot-i.

Politainment

Në këtë kontekst, harmonizohen mrekullisht nevoja për të thënë dhe nevoja për t`u dukur. Ka raste  të shumta kur politikanë të çfarëdo niveli, postimet e tyre i shoqërojnë me fotografi; sakaq, për një çast, njeriu mendon nëse ata janë personalitete shoubizi, apo të zgjedhurit tanë për të na e bërë jetën më “të lehtë” dhe më “të lumtur”. Prandaj, ky kombinim ndërmjet politikës (politics) dhe argëtimit (entertainment), ka prodhuar termin politainment dhe përmbledh në mënyrë perfekte ngatërrimin serioz të rendit në gjërave. Njëmend Aristoteli e përkufizon njeriun si zoon politicon, si një qenie thelbësisht politike, që merr pjesë natyrshëm në komunitet, porse nuk e vesh me tipare zbavitëse.

Në kontekstin kohor aktual, politikanët më shumë dominohen nga qasja entertainment, duke llogaritur secilin veprim të përkthyer në like, pastaj secilin like duke e projektuar në votë. Por, një është e sigurt, me AI mund ta gjenerojnë përmbajtjen, por në asnjë mënyrë besimin.

Por, jo vetëm politikanët shfrytëzojnë AI-në si mjet ndihmës, ose për të thënë më mirë si mjetin kryesor.

Sipas revistës Wired, në “grackën” e chatbot-ëve është gjetur edhe Papa Leo XIV, i cili një postim në platformën X paralajmëronte për rreziqet e Inteligjencës Artificiale dhe, sipas pretendimeve të këtij mediumi, ka shumë mundësi të jetë shkruar me ndihmën e Inteligjencës Artificiale.

Replikimi i vetes nëpërmjet AI-së nxjerr në pah nevojën e përdoruesve, të cilët me ndihmën e chatbot-ëve duan të krijojnë lidhje emocionale me individë apo grupe të targetuara.

Kjo në linjë me qëndrimet e ekspertëve, sipas të cilëve përdorimi dogmatik i chatbot-ëve, mund të krijojë jo vetëm ndërveprim, por edhe varësi emocionale.

Në raport me deputetët, a mund të konceptohen ndërveprimet me chatbot-ët një lloj ndërveprimi me zgjedhës dhe a mund të ndodhë që në një të ardhme jo të largët, në vend se t`i votojmë qeniet njerëzore, t`i votojmë chatbot-ët. Derisa bëhen kaq të përdorshëm chatbot-ët në diskursin politik dhe në jetën politike, duket sikur vullnetarisht pushteti po u dorëzohet gradualisht atyre. Epoka e politikanëve digjitalë ante portas.

Një eksperiment të tillë e ka përjetuar Zelanda e Re, vite më parë, me  politikanin e parë virtual në botë, të quajtur SAM (Makina e Analizës Semantike). Qëllimi i SAM-it, sipas vetëdeklarimit, ishte t’i angazhonte neozelandezët në një dialog konstruktiv. I krijuar në vitin 2017, SAM-i testoi projektin e politikanit digjital, porse mbeti vetëm një chatbot eksperimental politik.

“Përkëdhelia” inteligjente

Çfarë duhet të presin njerëzit në jetën reale kur të zgjedhurit e tyre drejtohen nga Inteligjenca Artificiale?!

Sipas një studimi të revistës shkencore “Science”, chatbot-ët kanë prirje t`i përkëdhelin përdoruesit, duke u dhënë shpesh këshilla të gabuara vetëm për t’i bërë të ndihen mirë. Të ndihesh mirë dhe të ndihesh në përputhje me vetveten janë dy gjëra të ndryshme. Misioni i të zgjedhurve është qëndrimi dhe sjellja konform asaj që është reale, por jo artificiale. Kjo përkëdheli “inteligjente” ka krijuar radhë në rrjete sociale, ku secili dëshiron të “thotë” diçka, të shprehet, mbase jo me kokën e vet, por gjithnjë nëpërmjet chatbot-ëve.

Prandaj, me të drejtë prandaj, filozofi gjerman Habermas konstaton se sikurse shtypi që i shndërroi të gjithë njerëzit në lexues potencial, procesi i digjitalizimit i shndërroi në autorë potencialë.

Krejt kjo përhanie shoqërore për të qenë të gjithë autorë, shkrues dhe mendimtarë, po zhvillohet në kurriz të diskursit racional, i cili, sipas këndvështrimit të Adam Kirsch-it, redaktor në “The Atlantic” dhe autor librash, i përket një epoke që tashmë ka marrë fund.

Nëse Large Language Models gjeneron “gjuhë njerëzore”, por nuk e kupton realitetin, nuk ka qëllim dhe nuk ka përvojë, atëherë çfarë mbetet: një shoqëri pa ndjesi apo një ndjesi pa vend…

Po bëhen gjithnjë e më të rralla mendimet origjinale, qoftë edhe të çala apo me gabime drejtshkrimore. Pikërisht këto janë të domosdoshme, më shumë se mendimet e njëtrajtshme, pa emocion e pa shpirt, tërësisht artificiale dhe aspak inteligjente.

Lexoni Gjithashtu

Opinion

Aktualisht, në Kosovë, bazuar në  Ligjin e Punës,  nënave u garantohet pushimi i lehonisë prej nëntë muajve me pagesë dhe tre muajve pa pagesë....

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Analizë

Prezantimi i buxhetit të qeverisë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të vitit. Në ekonomitë e zhvilluara, prezantimet e këtilla nxisin diskutime të...

Opinion

Për vite me radhë, një udhëzim administrativ nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale, detyronte pensionistët kosovarë të paraqiteshin çdo gjashtë muaj në Departamentin...

Copyright © 2026 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.