Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Nji kandvështrim feminist për rolin e Jahjagës si presidente

Asht e vërtetë që në dallim prej figurave politike meshkuj në Kosovë, Jahjaga si presidente ka qenë pre e komenteve seksiste në adresë të saj. Për shembull, rrallë e hiç, dikush e komenton “llusterin” e Isës a zgërdhimjen e politikanëve burra që duken si me kenë kuaj të shfrenuem, kur shkojnë në takime me folë, pardon me ngue Daçiqin, Vuçiqin a Gjuriqin. Kritika ndaj tyne qoftë edhe me fyemje kufizohet në politikbamjen e tyne të dobët, me tendenca kriminale dhe tradhtie tue kursye pamjen e tyne. Mirëpo, fakti që presidentja Jahjaga ka qenë pre e komenteve seksiste në Kosovë, nuk do me thanë që ka qenë presidente e aftë apo e mirë.

Natyrisht që asht vështirë me qenë presidente e nji vendi, presidente e nji populli që për herë të parë për ty dëgjon masi që ulesh në fotelen e presidencës. Si grue padyshim edhe ma vështirë. Por, besimi nuk vjen natyrshëm, duhet shumë mund me e fitue. Dhe pavarësisht qysh erdhi, me ardhjen e saj Jahjaga e patë këtë mundësi me e fitue besimin e popullit. Por, mundi i presidentës tonë me arritë nji gja të tillë, sipas mendimit tem, ka mungue. Në fillimin e karierës së saj si presidente, përpjekja ma e madhe e Jahjagës ka qenë krijimi i nji imazhi që i përshtatet nevojave mediale. Kurrgjo kundër kësaj, përderisa asht zhvillim i natyrshëm i nji njeriu që ka nji post ku paraqitja publike ka ndikim të madhë në përceptimin e mesazhve që përçon etj. Sepse, fundi i fundit edhe hulumtimet psikologjike e vërtetojnë që diksuh që përceptohet ma i/e bukur vlerësohet sikur ma kompetent. Mirëpo, mesazhi mungoi. Përderisa bukuria merrte hov në pamjen e Jahjagës, vlërësimi mbi kompetencën e saj me ushtrue detyrën e presidentës nuk pat mundësi me pasë asnji zhvillim konstruktiv, për disa arsye: ndër to fakti që ajo nuk servoi shumë mbi çka me ndërtue këtë vlerësim sa i përket qëllimeve të saja politike, synimeve gjatë mandatit që kishte para vetes etj., por në anën tjetër e për këtë ajo nuk ka faj, ne si shoqni nuk jemi shumë të dhanun pas vlerësimeve e kritikave konsktruktive për figura të mëdha të vendit. Filani e filanja ose janë të mirë ose janë të kqinjë. Kur ne e ndajmë mendjen që dikush nuk vyen, ne vuejmë më gjetë arsye me ushqye bindjen tonë. Bile edhe kur kemi dyshime, ne kemi me ba çka asht e mundshme me gjetë arsye me i dyshue edhe dyshimet para se me e pranue që ndoshta e zeza asht pak e hirët. Dhe për Jahjagën ne e ndajtëm mendjen shumë herët që ajo nuk asht presidente “e zoja”.

Sidoqoftë, si feminste, nuk pajtohem që ajo asht pre e përqeshjes e seksizmit ma shumë se çdo grue tjetër në politikë. Ajo mban postin ma të nalt se çdo grue tjetër në politikë në Kosovë, por e pre e përqeshjes dhe e seksizmit asht aq si çdo grue tjetër në Kosovë. Dhe ky nuk asht nji argument as kundër as pro saj, por nji argument që tregon diçka për kulturën e kritikës në këtë vend në përgjithësi.

Si presidente në lidhje me ngjarjet e fundit në Kosovë, Jahjaga injori dhe vazhdon me i injorue nënshkrimet e mbi 200 000 qytetarëve të Kosovës në peticionin kundër kësaj marrëveshjeje dhe demarkacionit me Malin e Zi. Ajo nuk reagoi as ndaj dhunës së ish kolegëve të saj ndaj protestuesve. E kritikat ishin të zbehta, ndoshta përshkak se tolerohet që ndaj tyne ajo nuk mundet me qenë neutrale. Por nji grafiti me imazhin e saj gjysmë të zhveshun me uniformë policie (aq sa mund të quhen të brendshmet dhe nji kapelë uniformë) nuk hezituen me e kritikue ashpër organizata të mbrojtjes së drejtave të grave. “Seksizëm” i bërtitën artit.

Ganimete Musliu depute nga radhët e PDK-ës vazhdimisht asht pre e komentimeve seksiste, por ate hala as nji organizatë e grave nuk e mbrojti, sepse ajo asht e PDK-ës. Kada – Bujupi kur u arrestue, ata që e përkrahnin kërkonin lirimin e saj, ndër të tjerash edhe sepse asht nanë. Ata që e sulmonin e këshillonin “tjetër herë me nejt te shpia qysh i ka hije nji nane, e jo me gjuejt ve”. Veç e dyta u konsiderue seksizëm. Shumë gra të angazhueme për barazi gjinore, nuk reaguen për komentimet e stilit të parë.

Në rrethana të kohës në të cilën jetojmë, nji grue kosovare nuk ka lehtë me u ba presidente, por unë si feminsite ma përpara pres edhe pesëdhjetë vite me e pa nji grue tue u ba presidente ose tue u ngjitë në ndonji post tjetër të nalt shtetnor, se me jetue me iluzione idiotike të ndërtimit të nji imazhi shtetnor që s’asht real me mentalitetin që përtypet këtu. Nji iluzioni që ushqehet me kuota dhe përmbushje numrash. Që asht vështirë me kenë grue në Kosovë, e kam pranue dhe po e luftoj, sidoqoftë isha gëzue me mu kursye nji luftë ku të bahet vështirë me kenë edhe feministe.

Përzgjedhja e Jahjagës presidente, jo Jahjaga si presidente, ka ndërtue tash e sa vite nji fasadë të rrejshme që e ban Kosovën me u dukë vend përparimtar sipas stilit “shihni shihni e kena kryetarën grue”, përderisa Kosova nuk asht nji vend i tillë, por asht nji vend ku hala gratë vdesin prej grushtave të burrave, e shoqnia mundohet me marrë vesh çka ka ba ajo grue që e ka lyp; ku policia në kontrolla trafiku të pyet “a je e martume” nëse je grue; ku mjeku tek i cili ke shkue me u këshillue për nji çashtje t’i ngulë sytë në gji, pa naj relevancë mjekësore; ku nji kangëtare shqiptare e sukseshme që martohet me nji afro amerikan quhet kurvë e nji artist shqiptar i martuem me serbe quhet intelektual; ku tradhtarët janë heronjë, e heronjët janë të vdekun. Shumica burra.

Fakti që Kosova ka hala problem të mëdha në fushën e barazisë gjinore, nuk asht faji i Jahjagës, por asaj nuk i ndihmojmë nëse krejt përkrahjen drejt saj e adresojmë në emën të barazisë gjinore, sepse ajo nuk asht presidente veç e grave të Kosovës. Ajo nuk ka ma shumë përgjegjësi për këtë çashtjes si presidente, sesa çdo president tjetër para saj e pas saj, pavarësisht gjinisë. Fakti që asht grue nuk e ban ate përkrahëse ma të madhe të çashtjes. Që burrat sidomos ata në politikë, e shohin ate ma së pari si grue besoj që asht e sakt, por kam frikë që edhe gratë edhepse me qëllime të mira, e kanë pa ate ma së pari si grue e tani si presidente.

Jahjaga dështoi me e fitue besimin e këtij populli. Tashti vështirë e kemi me e dijtë pse: a pse asht grue, e kjo shoqni ende patriarkale e ka të vështirë me i besue nji grueje në politikë? A pse asht nji presidente e dobët? Nuk asht vështirë me besue që ndoshta kjo shoqni nuk e ka pranue Jahjagën si presidente sepse ajo asht grue; ndoshta nuk e ka pranue për arsye të njejta qysh e pranon që Mustafa me qenë kryeministër i saj e Thaçi çka t’i teket atij; ndoshta sepse komunikimi i Jahjagës me popullin e këtij vendi ka qenë i dobët. Ndoshta të gjitha së bashku!

Për fat të keq, Jahjaga sipas mendimit tem, edhe çmohet edhe nënvlerësohet për arsye të gabueme.

 

 

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.