Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Orban do një universitet kinez në Hungari

Kundërshtarët e shohin si mundësi për ta kthyer retorikën e tij nacionaliste kundër tij.

Një hapësirë e braktisur në brigjet e Danubit në Budapest mund të duket si epiqendër e pazakontë për termet politik. Megjithatë, kjo ishte para se qeveria populliste e kryeministrit Viktor Orban bëri të ditur planin kundërthënës për hapjen e kampusit të parë jashtë vendit për universitetit prestigjioz të Shangait në vitin 2024 – për të cilin me sa duket do të paguajnë vetë hungarezët.

Tash protestat për të ardhmën e kësaj hapësire pa tipare dalluese ka elektrizuar opozitën e Hungarisë dhe e ka bashkuar në përpjekje për të rrëzuar partinë në pushtet të Orban-it në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm.

Qëkur Orban-i erdhi në pushtet para 11 vitesh, në Budapest ka pasur plot demonstrata kundër sulmeve të tij mbi liritë demokratike. Mbrojtësi i vetëquajtur i vlerave të krishtera të Evropës ka shtypur liritë civile, që prej të drejtave të migrantëve dhe komunitetit LGBTQ e deri te liria e medias, ashtu si edhe pavarësinë e gjyqëtorit dhe akademike. Këto nuk e kanë dëmtuar aspak pozicionin e tij politik. Partia e tij djathtiste Fidesz ka fituar bindshëm në zgjedhje, pa ndonjë sfidues serioz politik jashtë Budapestit. Por, kampusi i propozuar i Universitetit Fudan mund të shndërrohet në çështje shumë serioze.

Kritikët flasin për kosto marramendëse për Hungarinë, duke paralajmëruar se paratë e taksapaguesve do të përdoren për t’i shërbyer interesave të Partisë Komuniste të Kinës. Për më tepër, ata thonë se kampusi do të ndërtohet në tokën e propozuar për ndërtimin e banesave për rreth 10000 studentë hungarezë.

Orban-i ka fituar kapital të madh politik duke promovuar vlerat “tradicionale” hungareze. Opozita tash duket se ja kthen me të njëjtën monedhë liderit popullist.

Kundërthënia e Universitetit të Fudanit ka të bëjë me atë se “a mund të vendosë për fatin e vet ky vend i vogël prej 10 milionë banorësh, se a mund të jetë vërtetë vend i lirë,” u tha demonstruesve lideri i opozitës dhe kryetari i Budapestit Gergely Karacsony, sipas mediave
vendore.

“Deri në një masë, tash opozita po e përdorë retorikën e Orbanit kundër tij,” thotë Peter Kreko, drejtori i think-tankut Political Capital me bazë në Budapest. Kreko thotë se Orban-i ka përvetësuar një imazh të vetvetës si “mbrojtësi më i madh i sovranitetit – nga Shtetet e Bashkuara, nga Brukseli, nga Berlini.”

Tash kreyministri ka hapur dyert interesave kineze – dhe “kjo është e vështirë që t’u shpjegohet” votuesve, thotë ai.

“Imazhi i Kinës në Europën qendrore dhe lindore nuk është aq i favorshëm,” shtoi Kreko. “Kjo është diçka që mund të shfrytëzohet shumë lehtë nga opozita.’

Orbani kthen sytë kah Lindja

Në një lëvizje drastike, gjashtë prej partive opozitare të Hungarisë janë duke tejkaluar dallimet politike në mënyrë që të garojnë së bashku kundër Fidesz-it në zgjedhjet paralementare të vitit 2020. Ato përfshijnë partinë e gjelbër të Kracsony-it Dialogun për Hungarinë, ish partinë e ekstremit të djathtë Jobbik dhe partinë e re centrist Momentum.

Koalicioni i opozitës ende nuk ka shpallur kandidatin për kryeministër, ndonëse kandidati proevropian Karascony konsiderohet si favorit.

Në një letër të përbashkët dërguar presidentit kinez Xi Jinping më 22 qershor, liderët e opozitës thanë se, nëse fitojnë vitin e ardhshëm, do të “ndërprejnë menjëherë” projektin për universitetin dhe një tjetër hekurudhë që planifikohet të ndërtohet nga Pekini dhe që lidhë
Budapestin me Beogradin.

Hungaria dhe Kina janë marrë vesh për një hua 20 vjeçare dhe $1.9 miliardëshe për hekurudhën, që do të ndërtohet prej një partneriteti të firmave hungareze dhe kineze. Por, ashtu si edhe me çështjen e kampusit universitar, hekurudha është kritikuar në Hungari për shkak të mungesës së transparencës në marrëveshjet e qeverisë me Kinën.

Nismat kundërthënëse biznesore janë të gjitha pjesë e politikës së “Hapjes Lindore” të Orban-it. Pas krizës globale financiare dhe ngritjes së tensioneve me BE-në, kryeministri ka kërkuar në vazhdimësi të tërheqë investimet kineze.

“Besoj se Orban-i beson thellë në rënien e Perëndimit dhe se Lindja është në ngritje,” tha Kreko për ideologjinë e kryeministrit. “Prandaj, nëse duhet të vëni bast mbi atë se kush do të jenë liderët e ardhshëm të botës, atëherë më mirë të kthehesh kah Kina se sa kah Shtetet e Bashkuara.”

Deri më tash, ajo politikë i ka sjellë Hungarisë rezultate të kufizuara ekonomike. Megjithatë, i ka mundësuar lidhje më të afërta mes dy vendeve. Hungaria është i vetmi shtet anëtar që ka bllokuar deklaratën e BE-së për dënimin e ligjit të ri të sigurisë në Hong Kong, si dhe ishte i vetmi vend i BE-së që miratoi vaksinat kineze.

Një aleancë e gjërë

Kjo nuk është hera e parë që partitë opozitare të Hungarisë kanë bashkuar forcat. E njëjta taktikë u shpagua në zgjedhjet lokale të vitit 2019 kur Karacsony arriti fitore të papritur kundër kryetarit të atëhershëm të Budapestit të përkrahur nga Fidezs. Se a mund ta përsërisin këtë sukses në nivel kombëtar është çështje tjetër.

Nëse mposhtet Orbani, nuk është sekret të thuhet se ligjvënësit e BE-së do të merrnin frymë shumë më lirshëm, thotë profesori i ekonomisë politikë në Birkbeck College Dermot Hodson.

Muajin e kaluar, kryeministri hollandez Mark Rutte tha se Hungaria “nuk ka vend” në BE pas miratimit të ligjit kundërthënës që ndalon përmendjen dhe përmbajtjen e LGBTQ nëpër shkolla – e fundit në listën e gjatë të provokimeve ndaj vlerave themelore të bllokut.

Për liderët e BE-së, “Orban ka qenë problem i madh në shumë mënyra,” thotë Hodson, duke përshkruar Hungarinë si “qeveri sfiduese.” “Të kundërshtosh Bashkimin Evropian, por të duash të jesh pjesë e saj, ky është kombimin shumë shkatërrues,” shtoi ai.

Pas protestave të fundit, qeveria shpalli referendum publik për universitetin – por tha se ky do të mbahet pas zgjedhjeve.

Ndërkohë, parlamenti i Hungarisë – ku Fidezs ka shumicën dërrmuese – votoi muajin e kaluar që të të dhurojë pronën shtetërore një fondacioni që është përgjegjës për kampusin universitar.

Në të njëjtën ditë, parlamenti miratoi gjithashtu ligjin kundër LGBTQ, duke nxitur protesta të reja në Budapest dhe duke zemëruar liderët e BE-së në Bruksel.

Legjislacioni kundër LGBTQ ishte “pjesë e përpjekjes për të shmangur vëmendjen nga projekti i Fudanit,” thotë Kreko. “Sepse qeveria mendon se kjo është diçka e rrezikshme për identitetin e tyre.”

Ligji i shërbeu edhe një qëllimi tjetër të Orban-it: e përçau aleancën opozitoare, pasi që Jobbik iu bashkua Fidezs për ta votuar.

‘Rënia e Perëndimit’

Një element i fuqishëm për kritikët e planit të universitetit është kostoja – që është raportuar të jetë më e madhe se sa i tërë buxheti i Hungarisë për arsim.

Sipas dokumenteve të siguruara nga gazetarët hulumtues të Direkt36, projekti do të kushtonte rreth 1.5 miliardë Euro, ku shumica financohet përmes një huaje nga banka shtetërore kineze.

Ndërtimi në tokën fillimisht të dedikuar për akomodimin e studentëve hungarezë do të kryhet nga kontraktuesi kinez, thuhet hë hulumtim.

Kritikët kanë ngritur pyetje rreth natyrës së marrëveshjes përmes së cilës taksapaguesit hungarezë do të paguanin për ndërtimin e kampusit. Sipas raportit të Direkt36, i ashtuquajturi Universiteti Hungarez i Fudanit do të themelohej dhe mirëmbahej nga fondacioni kinezo-hungarez për menaxhimin e aseteve – duke lënë të kuptohet se do të ketë të ardhura të përbashkëta nga projekti.

CNN ka kontaktuar me Universitetin e Fudanit për të marrë koment lidhur me huanë, por nuk ka pranuar ndonjë përgjigje. As qeveria hungareze nuk ka komentuar për koston e huasë në në një deklaratë të gjatë dërguar CNN-it.

Sidoqoftë, ajo tha se 6000 deri në 8000 studentë nga “Hungaria, Kina dhe vendet tjera” do të mësonin nga 500 ligjërues në fakultetet e ekonomisë, shkencave sociale, inxhinierisë dhe mjekësisë.

Qeveria hungareze shtoi se Universiteti i Fudanit tashmë bashëkpunon me pesë universitete gjermane, 24 universitete skandinave dhe ka partneritet akademik me Universitetin Yale në SHBA. “Nëse ata ia arrijnë të mbrojnë interesat e sigurisë kombëtare, ashtu do të bëjmë edhe ne,” thuhet në letër.

Megjithatë, dy të tretat e hungarezëve e kundërshtojnë planin për Universitetin e Fudanit, sipas një sondazhi të think-tankut liberal Republikon Institute.

Ndërkaq, kundërthënia për universitetin ka përçarë përkrahësit e Orbanit jashtë Budapestit, thotë Tamas Matura, profesor i Universiteti Corvinus në Budapest dhe themeluesi i Qendres së Europës Qendrore dhe Lindore për Studime Aziatike.

Ai përmendi hulumtimin e Direkt36 që zbulon prishjen e planit fillestar për ndërtimin e konvikteve studentore në atë zonë.

“Njerëzit e rëndomtë të cilët do të donin të dërgonin fëmijët e tyre në kryeqytet për të studiuar në universitet” kuptojnë se ka “mundësi që fëmijët e tyre do të kenë më pak qasje në akomodim të lirë, sepse kinezët e kanë larguar atë mundësi,” tha ai.

Qeveria hungareze i tha CNN-it përmes një deklarate se kampusi i propozuar “nuk do të uzurponte hapësirën” për akomodimin e planifikuar të studentëve.

Matura tha se Fudan është një prej universiteteve më të mira në botë. Megjithatë, ai gjithashtu druhet se xhepat e mbushura të institucionit të Shangait mund të joshin profesorët dhe studentët më të mirë nga universitetet e “nënfinancuara” hungareze.

Kritikët druhen gjithashtu se liria akademike do të mund të cënohet nga besnikëria e universitetit ndaj Partisë Komuniste të Kinës.

Të gjitha këto ndodhin në sfondin e reformave kundërthënëse universitare të Orban-it, për të cilat kritikët thonë se e thellojnë vulën ideologjike të qeverisë djathtiste.

Ç’është e vërteta, Universiteti i Evropës Qendrore (CEU) i themeluar nga George Soros u “detyrua të largohet” nga Budapesti, pas sulmeve të pandërprera ndaj lirive akademike ngaqeveria e Orban-it. Universiteti u zhvendos në Vjenë, gjë që nxiti protesta në kryeqytetin hungarez.

Fudan është “disi pjesa e dytë e asaj storie politike,” thotë Hodson. “Kjo është rezistencë ndaj sulmeve të vazhdueshme të Orbanit ndaj lirisë,” shtoi ai, por vërejti se ka “një bastion të konsiderueshëm progresiv në Budapest.”

Hodson hodhi dyshime për atë se a do të munden demonstratat në kryeqytet të dëmtojnë seriozisht shanset për të fituar zgjedhjet në pjesët tjera të Hungarisë.

Si protestë për planet e universitetit, autoritetet lokale të Budapestit po riemërojnë rrugët afër kampusit sipas kauzave të spikatura të të drejtave të njeriut, për të cilat qeveria kineze është sensitive, sikurse Dalai Lama dhe Ujgurët.

Qeveria hungareze e ka quajtur gjestin e Budapestit “fëminor” në një deklaratë derguar CNN-it. Ndërsa ministri i jashtëm kinez e ka quajtur “të ulët” këtë sjellje.

Këto janë shenja të hapura të protestës. Pyetja kryesore është se a tregon kjo rezistencë në Budapest rrugën për ndryshime të rëndësishme në Hungari.

***

Artikulli origjinal ne CNN, më 12 korrik 2021.
***

Image

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.