Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pas apeleve BE-ja vihet në aksion kundër Kinës

Pas ShBA-ve, edhe ministrat e Jashtëm të 27 vendeve anëtare të BE-së treguan vendosmëri me vendimin e tyre për sanksione ndaj Kinës për shkeljet e saj sistematike të të drejtave të njeriut. Këto janë sanksionet e para të BE-së ndaj Kinës për shkeljet e të drejtave të njeriut në më shumë se 30 vjet. Masat ndëshkuese i dedikohen zyrtarëve kinez dhe institucioneve që janë përgjegjës për shtypjen e pakicave ujgure, kazake, taxhike, hui-ve dhe anëtarëve të pakicave të tjera në rajonin e Xinjiang.

Sanksionet e BE-së parashohin ngrirje të pasurisë së personave fizikë ose juridikë të përfshirë në shkeljet sistematike ndaj minoriteteve të lartcekura. Zyrtarëve kinez do t’i ndalohet edhe hyrja në shtetet anëtare të BE-së. Lista e plotë ende nuk është bërë e ditur, por emrat e personave dhe të institucioneve që do të preken nga sanksionet do të publikohen së shpejti në Gazetën Zyrtare të BE-së.

Kundër reagimi i shpejtë kinez

Kur para ca ditësh qarkulloi lajmi nëpër mediat evropiane se BE-ja është duke u përgatitur për vendosje të sanksioneve ndaj Kinës, ambasadori kinez në BE, Zhang Ming, lëshoi kritika të ashpra ndaj planeve të paralajmëruara të BE-së. Sipas Ming “sanksionet janë konfrontuese”  dhe qeveria kineze dëshiron dialog. Megjithatë, ai e bëri të qartë se, nëse të tjerët insistojnë për konfrontim, Kina nuk do të tërhiqet.

Menjëherë pasi BE-ja njoftoi vendosjen e sanksioneve, Kina reagoi me kundërmasa, të cilat u listuan nga zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme kineze. Pekini vendosi të sanksionojë dhjetë individë dhe katër institucione evropiane që “dëmtojnë rëndë sovranitetin dhe interesat e Kinës dhe përhapin me qëllim të keq gënjeshtra dhe dezinformata”. Listës i prinë deputeti gjerman në Parlamentin Evropian, Reinhard Bütikofer, udhëheqës i delegacionit të Parlamentit Evropian për Kinën, i pasuar nga kolegët e tij euro deputetë: Michael Gahler, Raphaël Glucksmann, Ilhan Kyuchyuk dhe Miriam Lexmann. Nga parlamentet nacionale janë të përfshirë edhe Sjoerd Wiemer Sjoerdsma deputet në parlamentin holandez, Samuel Cogolati deputet në parlamentin belg dhe Dovile Sakaliene deputete në parlamentin lituan. Lista sanksionuese përshinë edhe sinologun e njohur gjerman, Adrian Zenz, i cili prej vitesh alarmon botën për shtypjen e popullatës ujgure në rajonin e Xinjiang, duke i cilësuar masat kineze si “gjenocid kulturor”, si dhe studiuesi suedez Björn Jerdén. Në këtë listë janë të përfshirë edhe instituti i njohur gjerman Mercator, Komiteti Politik dhe i Sigurisë i Këshillit të BE-së, Nënkomiteti për të Drejtat e Njeriut i Parlamentit Evropian, dhe Fondacioni i Aleancës për Demokracitë nga Danimarka.

Kundër-reaksioni kinez ndaj disa euro-deputetëve të BE-së, nuk është vetëm masë kundrejt individëve evropianë, por në të vërtetë kundër organit më të lartë legjislativ evropian, i cili buron nga përzgjedhja demokratike e qytetarëve evropianë. Thënë ndryshe është kundër institucionit që në thelb simbolizon debatin demokratik, si arenë e ideve dhe iniciativave brenda kuadrit demokratik. E logjika e Partisë Komuniste Kineze është inkompatibile me këtë interpretim të demokracive perëndimore.

Kthim 30 vite mbrapa

Kur në qershor 1989 qeveria e atëhershme kineze urdhëroi ushtrinë e saj nën shoqërimin e tankeve për të shtypur protestat paqësore në Kinë, duke vrarë qindra protestues të paarmatosur në Sheshin Tiananmen, numri i saktë i të cilëve kurrë nuk është bërë i ditur, atëbotë BE-ja nuk qëndroi duarkryq. Përballë shkeljeve të tilla të përgjakshme të të drejtave të njeriut, BE-ja i pati vendosur në atë kohë sanksione Kinës, duke përfshirë edhe ato embargo armësh që ende sot janë në fuqi.

Megjithatë, sanksionet e fundit të BE-së vijnë pas raportimeve të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut (Human Right Watch dhe Amnesty International) për vendosjen e të paktën një milion ujgurëve dhe pakicave të tjera në kampe të ndryshme përqendrimi. Grupet e të drejtave të njeriut vlerësojnë se pakicat dhe minoritetet tjera myslimane internohen me forcë dhe pa dëshirën e tyre. Ndërsa, qeveria kineze flet për qendra trajnimi me qëllim të “luftimit të terrorizmit, radikalizimit dhe islamizmit”.

Edhe pse vendimi i BE-së ishte i pritshëm, shtetet anëtare të BE-së treguan vendosmëri për mbrojte të vlerave të përbashkëta. Marrë parasysh kapitalin dhe investimet kineze në disa shtete anëtare të BE-së, kishte megjithatë frikë se ndonjë vend anëtar mund të pengojë një vendim të tillë. Me këtë veprim, BE-ja i ka dhënë një goditje Kinës, pavarësisht nënshkrimit të Marrëveshjes Gjithëpërfshirëse për Investime në dhjetor të vitit 2020, marrëveshje e cila u kritikua nga administrata e Presidentit amerikan Joe Biden për mungesë konsultimi paraprak nga ana evropiane.

Vendimi i BE-së për vendosje të sanksioneve ndaj Kinës e thellon edhe më shumë raportin e dëshiruar transatlantik dhe e përafron edhe më shumë Evropën me ShBA-të. Administrata e re amerikane e ka bërë tashmë të ditur se do të ndërtojë një koalicion ndërkombëtarë me demokracitë liberale kundër modelit autoritar të Kinës, në thelb të së cilës aleancë do të jetë mbrojtja e demokracisë dhe vlerave perëndimore.

Dr. Faruk Ajeti është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Austriak për Marrëdhënie Ndërkombëtare (OIIP) në Vjenë.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.