Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Pasojat e “zgjedhjes” në sistemet arsimore

Ilustrimi nga: BigEye

Shembujt që do të përdoren në këtë ese na japin një pasqyrë se çka i bie në fakt ta fusësh “zgjedhjen” në sistemet arsimore. Kjo prodhon një sërë realitetesh që nuk kanë të bëjnë vetëm me arsimin. Në këtë rast arsimi veçse i hedh dritë mbivendosjes së pabarazive që shkakton instalimi i mendësisë së tregut në sistemet arsimore.

Zgjedhjet rezidenciale dhe lidhja e tyre me vendin ku prindërit vendosin t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollë është eksploruar në librin e Lareau dhe Goyette Choosing Homes, Choosing Schools”, përkatësisht në një nga kapitujt që trajton familjet që rrjedhin nga klasa të ndryshme shoqërore dhe se si familjet zgjedhin vendbanimin e tyre sipas llojeve të shkollave që ndodhen në një zonë të caktuar. Disa gjetje interesante në studimin e kryer nga autorët janë se familjet nuk i zgjedhin shtëpitë e tyre vetëm për shkak të faktorëve ekonomikë, por që vendimet e tyre janë të kanalizuara edhe nga komponentët kulturorë. [1] Cilësia e shkollës është gjithashtu një faktor i rëndësishëm që duhet vlerësuar kur bëhet fjalë për zgjedhjet e banimit. Ndërsa studimi nuk zbuloi se familjet nga klasa e lartë, e mesme dhe punëtore janë të prirura për të bërë hulumtime të thukëta kur bëhet fjalë për cilësinë e shkollës, ato mbështeten shumë në rrjetet e tyre informale për t’i informuar rreth shkollave në zonën e ardhshme të banimit. [2]

Studimi është i fokusuar në tri distrikte shkollore periferike: Kingsley, Gibbon dhe Warren. Kingsley është më i pasuri, Warren është më i privuari dhe Gibbon ndodhet disi në mes, duke anuar nga Kingsley. Kingsley dhe Gibbon janë mjaft homogjenë kur bëhet fjalë për diversitetin racor në krahasim me Warren që është më i larmishëm. Kingsley dhe Gibbon ishin të populluar kryesisht me familje të klasës së mesme dhe të lartë , ndërsa Warren përbëhej nga familje të klasës punëtore. [3] Ajo që është e rëndësishme të përmendet në këtë drejtim është politika federale dhe lokale dhe se si ato luajnë një rol të rëndësishëm në pozicionimin e familjeve të ndryshme në zona të caktuara. Politikat që variojnë nga ndërtimi i autostradave, sigurimi i transportit publik dhe caktimi i normave të interesit të vendbanimeve krijojnë lagje të reja dhe popullojnë zona të veçanta. [4]

Mënyra se si familjet e ndryshme zgjedhin shtëpitë e tyre duket se ka një natyrë vertikale dhe horizontale. Aspekti i gjeneratës (vertikale): rritja në atë lagje dhe vajtja në të njëjtat shkolla dhe  marrëdhëniet me rrjetin e tyre, familjet, miqtë dhe të njohurit në të cilët ata besojnë kur bëhet fjalë për zgjedhjen e shtëpive (horizontale). Kjo në vetvete riprodhon pabarazinë; shtresat e mesme dhe të larta duket se ndjekin të njëjtën rrugë siç është bërë më parë nga familjet e tyre dhe anasjelltas, klasa punëtore mbetet në zona të privuara për shkak logjikës identike.

Nga ana tjeter, Raveaud dhe van Zanten në artikullin e tyre të botuar Choosing the local school: middle class parents’ values and social ethnic mix in London and Paris është një vështrim mbi një grup specifik të klasës së mesme se si ata zgjedhin shkollat, si zgjedhin vendbanimin, në  çfarë janë të bazuara këto vendime dhe ndonëse këto zgjedhje diktohen nga politika specifike apo jo etj. Krijimi i hapësirave me familje të ngjashme mund të vijë për shkak se ato disponojnë burime të ngjashme (Weber) ose kapital (Bourdieu), por ata gjithashtu mund të kenë të njëjtën mendësi kur bëhet fjalë për disa aspekte të jetës së tyre, siç është arsimimi për fëmijët e tyre. [5]

Rasti i Londrës dhe i prindërve të intervistuar ndryshon nga Parisi për një sërë arsyesh: politikat në lidhje me ‘zgjedhjen’ dhe pikëpamjet politike. Të dyja shkollat e marra në konsideratë janë të vendosura në zona të gjentrifikuara e të dominuara nga individë të klasës së mesme. Mendimet e prindërve për rezultatet e arsimimit të fëmijëve të tyre janë të ngjashme në të dyja rastet: të arrish dhe të jesh i lumtur në shkollë. [6] Prindërit nga të dyja shkollat e përfshira në studim, Montreuil dhe Hackney ishin pro barazisë dhe integrimit brenda mjedisit shkollor. [7]

Evolucioni i arsimit është krejt i ndryshëm midis Anglisë dhe Francës, përkatësisht tradita e tyre kur bëhet fjalë për vlerat arsimore. Tradita franceze është më e preokupuar me kualifikime e kredenciale që ipen nga institucioni ku ata ndjekin mësimet, ndërsa tradita angleze është përtej kualifikimeve në shkollë poashtu e interesuar për arritjet jashtë-kurrikulare.

Mendimet e prindërve nga të dyja shkollat që ishin pjesë e studimit për barazinë dhe integrimin, treguan se shqetësimi i tyre për çështjet në fjalë mbaron kur ato tejkalojnë fëmijën e tyre, veçanërisht kur grupe tjera shoqërore dhe etni përfshihen në ekuacion. [8] Diversiteti etnik duket se është futur në ligjërimin e përditshëm të prindërve si fenomen i nevojshëm dhe pozitiv dhe se publikisht nuk thonë komente negative, megjithëse, kur shqyrtohet vendimmarrja e tyre, këta prindër normalisht nuk do t’i dërgonin fëmijët e tyre atje ku nuk ka fëmijë të ngjashëm me të tyrët. Kjo na tregon që ky ligjërim është për hir të korrektësisë politike dhe se vendimet e tyre realisht kanë kahje tjetër.

[1] Lareau, Annette & Goyette, Kimberly (eds.) (2013). Choosing Homes, Choosing Schools New Jork: Russel Sage p. 171

[2] Ibid. p. 191

[3] Ibid.  p. 177-180

[4] Ibid. p. 176

[5] Raveaud , Maroussia & van Zanten , Agnes (2007). “ Choosing the local school: middle class parents’ values and social ethnic mix in London and Paris .” Journal of Education Policy, 22(1): fq. 109-110

[6]Ibid. p. 112

[7]Ibid.

[8]Ibid. pp. 115-120

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.