Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Putini dhe Erdogani kanë formuar një vëllazëri të fuqisë së fortë

Rusia ka akuzuar NATO-n se po përpiqet të përmbysë Vladimir Putin-in. Ajo e ka portretizuar si agjent të Amerikës Alexei Navalny-n, sfiduesin më të spikatur të Vladimir Putin-it. E ka quajtur “partner të pabesë” Bashkimin Europian, i cili e dënoi helmimin dhe më pas burgosjen e Navalny-t. Sidoqoftë, është një anëtare e NATO-s dhe kandidate për hyrje në BE, me të cilën Z. Putin është i lumtur: Turqia. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, nuk ka bërë zë për keqtrajtimin e Z. Navalny apo arrestimet e mijëra protestuesve rusë.

Heshtja e tij është dëshmi e mirëkuptimit të veçantë që është zhvilluar mes dy liderëve autoritarë. Është një marrëdhënie e pagjasë. Rivalitetet e thella historike ndajnë Rusinë dhe Turqinë, ndërkaq interesat e tyre përplasën në shumë fusha, ndonjëherë dhunshëm. Prapëseprapë, të dy burrat lidhen përmes fuqisë së fortë që po riformëson politikën rajonale dhe po paraqet probleme të pakëndshme për aleatët perëndimorë të Turqisë.

Historikisht, Rusia the Turqia kanë bërë luftëra shumë herë, ndonëse jo qëkur të dy perandoritë u transformuan nga revolucioni në fund të luftës së parë botërore. Kolosët me shtrirje kontinentale, janë fërkuar vazhdimisht me njëri tjetrin në fushat ku interesat e tyre përplasën. Për shembull, së fundmi ato janë grindur rreth luftërave civile në Libi dhe Siri. Në shtator u ballafaquan afër shtëpisë në Kaukazin Jugor, të cilën Rusia e sheh si oborr shtëpie. Përderisa Turqia armatos dhe udhëzon Azerbajxhanin turqishtfolës e mysliman, Rusia mbështet Armeninë e krishterë. Pat të brengosur se konflikti rreth Nagorno-Karabakut, enklavës së armenëve etnikë përbrenda Azerbajxhanit, do të shpërndahej në një luftë edhe më të madhe.

Edhe pse dronët e Turqisë shembën tanket ruse që përdoreshin nga armenët, Z. Putin lavdëroi Z. Erdogan si dikush me të cilin mund të bënte biznes. “Të punosh me këso partneri nuk është vetëm e këndshme por gjithashtu e sigurt,” i tha një audience ekspertësh të huaj në Klubin e Diskutimit Valdai në tetor. Nga ana e tij, z. Erdogan e përshëndeti z. Putin duke testuar sistemin raketor S-400 që Turqia e kishte blerë nga Rusia. Në nëntor ndalën luftimet, duke rënë dakord që Rusia të kishte prani ushtarake në Nagorno-Karabak dhe Turqia të konsolidonte një bastion ekonomik në Kaukazin Jugor.

Marrëveshja përfaqëson një prej shkundjeve më të mëdha gjeopolitike që prej përfundimit të luftës së ftohtë, ku Rusia dhe Turqia ishin në anë të kundërta. Kjo gjithashtu përmban një mesazh rreth përdorimit të fuqisë së fortë dhe realitetit të botës shumëpolare. “Të dyja e dinë se nuk është ekuilibri i forcave ajo që ka rëndësi, por gatishmëria për t’i përdorur,” tha Andrey Kortunov, kryesues i Këshillit rus të punëve të jashtme. Amerika mund të kishte pasur ushtri superiore, por ngurrimi për t’u përfshirë në Siri la përgjegjëse Rusinë dhe Turqinë për rajonin e shkatërruar nga lufta. Dhe gati pas 30 viteve të bisedimeve të pafrytshme rreth Nagorno-Karabakut, ishte mbështetja ushtarake e Turqisë dhe pajtimi i Rusisë që ndihmuan Azerbajxhanit të rimerrte territor dhe të riorganizonte një prej konflikteve më të pazgjidhshme në Kaukaz.

Për z. Putin, ky qe demonstrim i një rendi të ri shumëpolar, diçka për të cilën ka avokuar që më 2007, kur në Konferencën e Sigurisë në Mynih pati tjetër mendim prej atij të rendit pas luftës së ftohtë me “një qendër të vetme të autoritetit, një qendër të forcës, një qendër të vendimmarrjes.” Misioni i Rusisë ishte kufizimi i hegjemonisë së re të Amerikës.

Në Nagorno-Karabak nuk ishte hera e parë që Rusia kishte bashkëpunuar me Turqinë për të minimizuar ndikimin e fuqive perëndimore. Menjëherë pas revolucionit Bolshevik dhe shembjes së perandorisë Otomane, Kemal Ataturku e pa Leninin për pak kohë si aleat kundër Perëndimit imperial dhe bolshevikët e shihnin Turqinë si bashkëpunëtorë në përpjekjet e tyre për dominim botëror. Ata furnizuan Turqinë me armë për të luftuar grekët dhe britanikët, dhe Turqit lejuan bolshevikët të shtijnë në kontroll fushat e naftës në Azerbaijxhan dhe të vendosin pushtetin e tyre në Kaukazin Jugor. Marrëveshja mes Ataturkut dhe Leninit e vitit 1921, që përcaktoi kufirin verilindor të Turqisë dhe kufizoi praninë e saj në Kaukazin Jugor, qëndron edhe sot.

Lufta e vitit të fundit për Nagorno-Karabakun ishte figurë e pasqyruar e asaj marrëveshjeje. Tash është z. Putin ai që po i vardiset Turqisë në konfrontimin e tij me Perëndimin, duke shpresuar ta përdorë si pykë në NATO, ndërsa z. Erdogan po projekton Turqinë në ish sferat e veta të influencës. Ngrohtësia është edhe më e jashtëzakonshme, meqë Turqia është vendi i vetëm i NATO-s që është përplasur ushtarakisht me Rusinë në vitet e fundit. Më 2015, Turqia rrëzoi një aeroplan ushtarak rus që nuk kishte respektuar hapësirën e saj ajrore pas fluturimit mbi Siri.

Rusia u përgjigj me vendosje të sanksioneve ndaj produkteve turke, duke urdhëruar turistët rusë të rrinë larg plazheve turke dhe duke bombarduar luftëtarët turkmenë në Sirinë veriore. Turqia e pa të pamundshme të ndiqte Shtetin Islamik (IS) dhe militantët e Partisë së Punës së Kurdistanit (PKK) në anën siriane të kufirit. Për t’ia përkujtuar, zyrtarët rusë dhe mediat akuzuan anëtarët e familjes së Erdoganit se kishin blerë naftë nga IS. Siç tha më vonë një zyrtar turk, “Ne luajtëm ashpër, ata edhe më ashpër.”

Shkrirja

Çfarë ndryshoi? Marrëdhëina filloi të përmirësohej në verë të vitit 2016, kur z. Putin bashkëndjeu me presidentin turk pas grushtetit të dështuar në Turqi ku u vranë 270 njerëz. “Putini thirri menjëherë,” thotë zyrtari turk. “Ju pëlqeu a jo, duke u solidarizuar, tipi u tregua shumë i mençur.” Shumica e liderëve perëndimorë qenë më të ngadalshëm në shprehjen e solidaritetit. Z. Erdogan udhëtoi për në Rusi, ku nënshkroi marrëveshjen për gazsjellësin dhe u pajtua të rifillonte punën në implantin bërthamor në Turqinë jugore. Të dy pilotët që kishin rrëzuar aeroplanin rus më 2015 përfunduan në burg, të akuzuar për përfshirje në grushtet.

“Kriza e aeroplanëve ushtrakë qe pikë kthese në raportin e Turqisë me Rusinë,” thotë Emre Ersen, ekspert për Rusinë në Universitetin e Marmaras në Stamboll. “Pasi që NATO nuk u ngut të ndihmonte Turqinë, kjo e kuptoi se e vetmja mënyrë për të avancuar interesat e saj në Siri ishte marrëveshja me Rusinë. Kjo marrëveshje ende qëndron.”

Që prej 2016, z. Erdogan ka mbajtur më shumë takime me z. Putin se me ndonjë lider tjetër. Rusia është kthyer nga kundërshtar i Turqisë në luftën civile në Siri, në partnerin e saj më të rëndësishëm aty. Turqia ka qenë në gjendje të kryejë operacione ushtarake në Sirinë veriore vetëm me pëlqimin e Rusisë. Ndërkohë, mediat ruse kanë depërtuar te publiku turk. Rrethi i brendshëm i z. Erdogan tash përfshin një grup “euroazianistësh”, të cilët janë të hapur për bashkëpunim me Rusinë dhe Kinën dhe janë armiqësor ndaj Europës dhe NATO-s. Qeveria e Turqisë dhe makina e saj e propagandës tash zmadhojnë tensionin me Perëndimin, po aq sa kanë prirje të minimizojnë tensionin me Rusinë.

Deri më tash, vendimi për blerjen e sistemit mbrojtës S-400 është elementi më i rëndësishëm I marrëdhënies së re. Para dy vitesh, z. Erdogan e quajti blerjen “marrëveshjen më të rëndësishme në historinë tonë.” Sistemi nuk ka kushtuar pak. Çmimi që ka paguar Turqia është $2.5 miliardë për pajisje, përjashtim nga programi amerikan F-35 dhe humbjet shoqëruese prej $9.5 miliardë në kontrata për industrinë turke të armatimit. Në dhjetor, Amerika vuri sanksione shtesë ndaj agjencisë turke të prokurimit të mbrojtjes.

  1. Erdogan mund të ketë qenë i dëshpëruar të blejë sistem armësh që të mund të përballte kërcënimin që u shfaq në grushtetin e vitit 2016, kur vetë F-16-shat e Turqisë bombarduan pallatin e tij. Shumë prej përkrahësve të tij besojnë, në mënyrë të pabesueshme, se Amerika kishte gisht në grushtet. Në shkurt, ministri i tij i brendshëm akuzoi Amerikën për orkestrim të dhunës. Kishte gjithashtu thashëthëme se shërbimi ushtarak rus i inteligjencës kishte njoftuar z .Erdogan për kanosjen serioze ndaj jetës së tij.

Në vakumin amerikan

Në Siri, Turqia pa se nuk kishin zgjidhje tjetër pos të bërit biznes me Rusinë, përderisa Amerika hezitoi të ballafaqohej me regjimin, duke nxjerrë vija të kuqe por duke dështuar të vepronte me vendosmëri. Turqia gjithashtu është tërbuar ndaj vendimit të Amerikës për të transferuar te kurdët luftën në terren kundër IS-së. Zyrtarët turq thonë se Amerika jo vetëm lejoi Rusinë të bëhej ndërmjetësuesi kryesor i pushtetit në Siri, por edhe tjetërsoi Turqinë duke u bërë bashkë me degën lokale të PKK-së.

Me raste, përplasjet mes Turqisë dhe Rusisë ngjajnë ende, sikurse para një viti më parë, kur karvani turk u godit nga aeroplanët rusë në shërbim të ushtrisë siriane. Sulmi la të vdekur së paku 36 ushtarë turq. Prapëseprapë, Turqia qe e kujdesshme të mos ballafaqohej kokë më kokë me Rusinë dhe fajësoi presidentin sirian Bashar al-Assad për sulmin.

Sa i përket z. Putin, as ai nuk qe qejfprishës, dhe lejoi Turqinë të hakmerrej dhe të shkatërronte pozicionet siriane me dronë luftarakë, përderisa aeroplanët rusë qëndronin në tokë. Për z. Putin, përdorimi i Turqisë për të dëmtuar NATO-n nga brenda është edhe më i rëndësishëm se sa të ndihmuarit e z. Assad në Siri. Motivi i njejtë shpjegon pjesërisht pranimin e heshtur të luftës së Azerbajxhanit në Nagorno-Karabak, kur Turqia ndihmonte azerët. Z. Putin ka arritur të konvertojë rolin e Rusisë si ndërmjetësuese duke vendosur trupat ushtarake në terren, në formë të paqëruajtësve, për të mbikëqyrur marrëveshjen e re. Turqia ka fituar edhe prestigj në rajon, edhe premtim për një korridor transporti për në Baku përmes Armenisë, e cila mund të bashkojë forcat me Nismën Rrip dhe Rrugë (BRI) të Kinës. Perëndimi nuk fitoi asgjë.

Tregtia dhe investimet luajtën rol gjithashtu në lidhjen e Turqisë me Rusinë. Meqë eksportet ruse të energjisë përbëjnë shumicën e tregtisë mes tyre, Turqia ka një deficit prej $13.4 miliardë me Rusinë. “Megjithatë, nuk duhet të nënvlerësojmë lidhjet e biznesit,” thotë Behlul Ozkan nga Universiteti i Marmarasë. “Firmat turke të ndërmit të afërta me partinë e Erdoganit, po fitojnë tendera të majmë.” Mes viteve 2010-2019, Rusia ishte për së largu tregu më i madh për kontraktorët turq, me projekte në vlerë mbi $40 miliardë.

Pëkrahja e ndërsjellë

Ato lidhje kanë rëndësi posaçërisht ngase të dy liderët po drejtojnë ekonomi të dërrmuara. Në Turqi, inflacioni dhe papunësia kanë mbetur në numra dyshifrorë që prej 2018. Në më pak se katër vite, lira turke ka humbur gjysmën e vlerës së saj të dollarit. Ekonomia stagnante e Rusisë dhe rënia gjashtëvjeçare në të ardhura, ka ndezur pakënaqësi të gjera ndaj Kremlinit. Ashtu si z. Putin, edhe z. Erdogan kanë ripërqafuar idenë se vendet e tyre janë “kështjella të rrethuara” nga armiqtë, dhe kështu zhvilluan agresion jashtë vendit në mënyrë që të shmangin vëmendjen nga telashet në shtëpi.

Çështja është gjithashtu te trendet më të gjera. Turqia dhe Rusia ndajnë një ndjesi të zemërimit nga të qenit të përjashtuar nga Europa. Përpjekjet e Turqisë për t’iu bashkuar BE-së janë kundërshtuar për gati 6 dekada. S’do mend se për Turqinë e sotme luftarake dhe autoritare, nuk ka vend në klub. Por, i tillë është disponimi në Europë, dhe aq frika nga një komb mysliman 80 milionësh, saqë Turqia me gjasë nuk do të pranohej, as edhe po të lulëzonte si demokraci.

Të dy autokratët ndajnë nostalgjinë për perandorinë. Z. Putin paraqitet si patriot i cili po rindërton pjesë të perandorisë sovjetike, dhe i cili ka bërë luftë kundër Gjeorgjisë dhe Ukrainës. Ai përpiqet të mbajë nën kontroll të rreptë ato që i sheh si shtete kliente, më së fundmi Bellorusinë dhe Armeninë. Z. Erdogan e ka vënë të kaluarën otomane të vendit të tij në shërbim të një politike të jashtme më agresive, duke bërë zhurmë rreth rivendosjës së dominimit turk mbi ishujt grek në afërsi të brigjeve të Egjeut, dhe duke konfrontuar Greqinë, Qipron dhe Francën në Mesdheun lindor të pasur me gaz. Ai e sheh veten si zë të botës myslimane.

“Erdogani ka marrëdhënie të tillë personale me Putin-in, që nuk i ka më shumë liderë perëndimorë,” thotë z. Ersen. “Të dy janë burra të fortë të cilët nuk sfidohen në shtëpi, dhe secili e di se tjetri ka fuqinë të zbatojë vendimet e arrira.” Z. Erdogan e di që ujditë me Amerikën rrezikojnë të dalin jashtë binarëve nga burokracitë e pavarura, opinioni publik dhe Kongresi. Me z. Putin, ai nuk ka nevojë të brengosët për gjëra të tilla.

  1. Erdogan ka qenë gjithashtu student i vëmendshëm i përqafimit të politikës së jashtme si fakt të kryer nga z. Putin. Rusia i përgjaku hundën Turqisë në Siri dhe fitoi territor të vlefshëm në veri të saj duke aneksuar Krimenë. “Erdogan kuptoi vlerën e fuqisë së fortë,” thotë Suat Kiniklioglu nga Instituti gjerman për çështje ndërkombëtare dhe të sigurisë. Pas Krimesë, lideri turk kuptoi se agresioni jo gjithmonë ndëshkohert. “Ankaraja sheh dobësi, mosmarrëveshje, pavendosmëri dhe konfuzion në Perëndim, dhe këtë e sheh si mundësi për të ndërhyrë në fqinjërinë e saj,” thotë z. Kinikliouglu. Z. Erdogan ka filluar të kopjojë nga fletorja e z. Putin. Rusia dërgoi “njerëz të vegjël të gjelbër” dhe mercenarë në Krime, Donbas dhe Libi. Turqia dërgoi qindra mercenarë sirianë për t’iu bashkuar luftimeve në Libi, e pastaj në Azerbajxhan, me gjasë përmes një kompanie private të sigurimeve. Rusia përdor gazin për të ushtruar pushtet mbi qeveritë europiane. Turqia përdor imigrantët dhe refugjatët.

Natyrisht se ka dallime të mëdha mes dy burrave dhe vendeve të tyre. Pas grushtetit kushtetues që hoqi qafe kufizimet mbi mandatin e tij presidencial, z. Putin ka lëvizur më afër diktaturës, edhe pse zemërimi për burgosjen e z. Navalny mund t’ia dobësojë fuqinë. Pushteti i z. Erdogan është më pak i ngulitur. Konglomeratet më të mëdha të Turqisë drejtohen nga anëtarë të klasës shekullare, të cilët e pranojnë presidentin, por nuk e duan. Z. Erdogan ka mbyllur në qeli shumë prej kundërshtarëve, ka kastruar mediat, dhe ka shtënë në dorë gjykatat, por ende duhet të merret me zgjedhjet e kontestuara. Mbështetja për partinë e tij ka rënë në sondazhe. Në zgjedhjet lokale të para dy viteve, ajo humbi kontrollin e Stambollit, motorit ekonomik të Turqisë, si dhe kryeqytetit Ankarasë. 

Rroftë diferenca

Rusia dhe Turqia janë larg së qëni dhe mund të mos krijojnë kurrë aleancë të vërtetë. “Nuk po flasim për partneritet strategjik,” thotë Onur Isci, drejtues i Qendrës për studime ruse në Universitetin e Bilkentit. “Nuk mendoj se Turqia ka luksin që të rrezikojë shembjen e tërë marrëdhënies institucionale me Perëndimin.” Ndonëse të dy vendet kanë bashkëoperuar në Siri, ato mbesin në anë të kundërta të luftës. E njejta vlen për Libinë dhe konfliktin në Nagorno-Karabak.

Të dy fuqitë kanë gjithashtu interesa gjerësisht të papërputhshme në Gjeorgji dhe Ukrainë, të cilat Turqia do të donte t’i shihte si anëtare të NATO-s. Kjo është absolutisht e papranueshme për Rusinë, e cila ka bërë luftë që t’i mbajë të dy vendet larg Perëndimit. Për pasojë, edhe Gjeorgjia edhe Ukraina tash e shohin Turqinë si kundërforcë të rëndësishme kundër Rusisë, rol të cilin z. Erdogan ka qenë i lumtur ta eksploatojë. Turqia ka fuqizuar marrëdhënien e saj ekonomike dhe të mbrojtjes me Ukrainën. Më 2019, i shiti Ukrainës 6 dronë luftarakë, që ishte njëkohësisht blerja e parë e tillë nga ana e ushtrisë ukrainase. “Turqia nuk është Turqi e para 30 vitesh,” thotë një zyrtar turk. “Kapacitetet tona ekonomike dhe të mbrojtjes janë përmirësuar. Nuk e shohim veten se po flasim me Rusinë prej një pozicioni të dobësisë.”

Rusia dhe Turqia do të kërkojnë pika të përbashkëta ku të munden, thotë z. Ersen, por do ta kenë të vështirë të pajtojnë interesat e tyre, veçanërisht në Detin e Zi dhe Kaukaz, ku pozicionet turke vazhdojnë të jenë më të afërta me Perëndimin se sa me Rusinë. “Problemet rajonale”, thotë z. Ersen, “janë pikë e dobët e marrëdhënies turko-ruse.” Prospektet e tyre afatgjate divergjojnë, gjithashtu. Demografia e Turqisë dhe prospektet e saj për rritje ekonomike janë shumë më të ndritshme. Popullata e saj po rritet; ajo e Rusisë po zvogëlohet.

Për momentin, Turqia është vend i ndryrë. Ajo po largohet gjithnjë e më tepër nga aleanca Perëndimore. Por, partneriteti i saj me Rusinë është i ri, i padefinuar qartë, dhe i kthyeshëm. Prej shumë çështjeve që tërheqin vëmendjen e presidentit Joe Biden, ajo që meriton të jetë në krye të listës, është ndalja e rrëshqitjes së Turqisë nga Perëndimi e në krahët e z. Putin.

***

Artikulli origjinal në The Economist, më 23 shkurt 2021.

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.