Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analizë

Rendi i ri shtëpiak në gjykatat e Kosovës dhe pavarësia e gjyqësorit

Pavarësia e gjyqësorit është një nga parimet më të rëndësishme të sistemit gjyqësor.

Si një pjesë integrale e demokracisë, ajo mbron procesin gjyqësor nga ndikimet e jashtme duke siguruar mbrojtje të plotë ligjore për të gjithë individët që i qasen gjykatës për çfarëdo arsyeje. Një sistem gjyqësor i pavarur garanton që sundimi i ligjit do të ndiqet dhe jo sundimi i vullnetit politik, me gjyqtarë të pavarur që janë në gjendje të zbatojnë ligjin pa u ndikuar nga faktorët e jashtëm.

Siç e dimë parimi i pavarësisë së gjyqësorit është thellësisht i rrënjosur në doktrinën e Montesquieut për ndarjen e pushteteve. Montsquieu ishte i mendimit se një ndarje e vërtetë e pushtetit ndodh vetëm atëherë kur arrihet të sigurohet një ndarje e qartë e funksioneve të ushtruara nga tre organet e qeverisë – ekzekutivi, legjislativi dhe gjyqësori.
Mirëpo, edhe pse është pranuar si koncept, në realitet në shumë vende nuk ekziston një ndarje e rreptë e pushteteve, që do të thotë së asnjë gjyqësor nuk është plotësisht i ndarë nga organet administrative dhe legjislative, ngase një gjë e tillë do të zvogëlojë fuqinë e kontrollit dhe balancit, duke e bërë të pamundur komunikimin midis degëve të qeverisë.

Është më se e rëndësishme të kemi gjyqtarë të pavarur, të cilët  mbrojnë të drejtat dhe liritë tona, por është gjithashtu e rëndësishme të kemi mekanizma të cilët na mbrojnë nga gjyqtarë që e ndjejnë veten “shumë të fuqishëm” (superiorë) apo veprojnë në mënyrë të njëanshme. Me gjyqtarë të tillë (super të pavarur dhe të njëanshëm) mund të zgjidhim raste sipas preferencave personale apo të dirigjiara  nga të “fortit e lagjes.”

Kushtetuta u jep gjyqtarëve pushtet për të bërë punën e tyre, por gjithashtu përcakton mekanizma që parandalojnë të njëjtit të keqpërdorin kompetencat që u janë dhënë. Kjo garanton se gjykatat dhe gjyqtarët të mbesin besnikë ndaj sundimit të ligjit.

Mirëpo më duhet të theksoj se pavarësia e gjyqësorit në një vend nuk varet vetëm nga kushtetuta dhe ligjet e atij vendi, por edhe nga struktura politike dhe klima shoqërore, si dhe tradita juridike që mbizotëron në atë vend. Në këtë kontekst, është më se e rëndësishme për një shtet që gjyqtarët të jenë të paanshëm dhe të pavarur nga të gjitha presionet e paraqitura në çfarëdo forme në mënyrë që të paraqiten para publikut të gjerë si gardianë të vërtetë të ligjit, të fitojnë besimin dhe të krijojnë bindje tek publiku se rastet e tyre do të vendosen në mënyrë të drejtë dhe në përputhje me ligjin.

Ekzistojnë një varg konventash ndërkombëtare të cilat proklamojnë parimet e pavarësisë së gjyqësorit dhe njëkohësisht detyrojnë shtetin të ndërmarrë masa për zbatimin e këtyre parimeve në praktikë.

Për më tepër  organizatat e ndryshme ndërkombëtare kanë dizajnuar një numër të madh të deklaratave dhe rekomandimeve për të promovuar pavarësinë e gjyqësorit. Megjithëse këto dokumente nuk janë të detyrueshme në kuptimin juridik, ato kanë krijuar standarde dhe janë të pranuara gjerësisht dhe si të tilla janë bërë mjet dhe udhëzim i rëndësishëm për shumë vende për krijimin e një sistemi gjyqësor efektiv. Pra, përmbajnë parime që rekomandojnë që të dy pushtetet, pushteti ekzekutiv dhe ai legjislativ të miratojnë dhe të ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar pavarësinë e gjyqtarëve, t’ua mundësojnë atyre të veprojnë pa kufizime, pa ndikime nga jashtë dhe ndërhyrje të pahijshme e të pajustifikuar (Rekomandimi i Këshillit të Evropës 94 / 12).

Poashtu vlen të përmendet se si koncept pavarësia e gjyqësorit perceptohet ndryshe nga ana e ekspertëve të shkencave juridike, mirëpo shumica pajtohen se ekzistojnë dy aspekte të ndryshme të pavarësisë së gjyqësorit, pavarësia e gjyqësorit në raport me legjislativin dhe pavarësia e gjyqtarëve individualë, që përfshin pavarësinë personale dhe substanciale.
Në këtë drejtim, pavarësia kolektive nënkupton pavarësinë e gjyqësorit si një organ kolektiv i pavarur nga faktorët e jashtëm (përfshin gjykatat dhe administratën qendrore). Kjo formë e pavarësisë i referohet pavarësisë së stafit administrativ, pavarësisë së gjykatave lidhur me buxhetin, mirëmbajtjen e ndërtesave gjyqësore, etj. Ndërsa pavarësia personale e gjyqtarëve ka të bëjë me sigurimin dhe ruajtjen e mandatit gjyqësor dhe të ushtrimit të këtij mandati në mënyrë adekuate, gjë që nënkupton ndalimin e kontrollit ekzekutiv mbi emërimet gjyqësore, caktimin e  pagave, caktimin e lëndëve, lëvizjet e mundshme të gjyqtarëve prej një vendi në tjetrin.

Është e njohur gjerësisht se secila shoqëri tranzicionale ballafaqohet për një kohë të gjatë me pasojat që rrjedhin nga faza para-tranzicionale, e cila karakterizohet me një kulturë të dobët juridike, ku gjyqësori ishte subjekt i presioneve të shumëfishta dhe ku ekzistonte një drejtësi e dirigjuar përmes telefonit, e njohur si “drejtësi e telefonit”. Siç dihet, gjatë regjimit në ish-Jugosllavi, gjyqësori nuk gëzonte pavarësinë nga degët e tjera e qeverisjes. Gjyqësori ishte aty për të mbrojtur interesat e klasës në pushtet. Gjyqtarët nuk ishin gjë pos vegël e ekzekutivit dhe e shefave të partisë. Pra në regjimet e para-tranzicionit gjyqësia ishte ‘e varur’ ose ‘e negociuar’. Gjyqësori  nuk është perceptuar si një trup i pavarur dhe i paanshëm, i cili ofron drejtësi dhe mbron të drejtat legjitime të individëve.

Ky regjim para-tranzicional ka ngadalësuar procesin e tranzicionit. Fatkeqësisht, edhe pas njëzet vitesh të përpjekjeve të shumta për ta zgjeruar pavarësinë e organeve gjyqësore, shoqëria jonë ende nuk arriti të krijojë një gjyqësi të pavarur, të udhëhequr nga gjyqtarë të cilët mbështesin integritetin dhe pavarësinë e gjyqësorit dhe që përpiqen të fitojnë besimin e humbur të popullit në gjyqësi. Të minimizojnë sjelljet të pahijshme të gjyqtarëve që shfaqen në veprimtarinë e tyre zyrtare dhe private. Pra nuk arritëm as të krijojmë po as ta kuptojmë rëndësinë dhe esencën që ka një gjyqësor i pavarur.

Ata që na mbanin leksione për pavarësinë e gjyqësorit (ndërkombëtarët) nuk  ishin as vetë të pavarur. Sistemi gjyqësor i tyre ishte në tërësi i varur nga ekzekutivi, nga Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së. Si rezultat i kësaj, ne vazhduam të ecim zvarrë, duke e ndërtuar një gjyqësi sipas parametrave të përcaktuara nga faktorë të ndryshëm, vendorë dhe ndërkombëtarë.

Si rezultat i këtyre ngecjeve sot në shoqërinë tonë, mbretëron një klimë përplot dyshime në gjyqësor. Në vitin 2016 kam zhvilluar një hulumtim lidhur më performancën e drejtësisë ndërkombëtare penale në Kosovë dhe kam pasë rastin të intervistoj individë të ndryshëm. Gjatë intervistimit, të gjithë të intervistuarit kanë paraqitur një varg kritikash për gjykatat hibride (gjykatat e ndërkombëtarizuara në Kosovë), mirëpo përkundër asaj ata deklaruan se këto gjykata paraqesin të vetmen alternativë, pasi që gjyqtarët ndërkombëtarë janë të vetmit që mund të ofrojnë pak drejtësi për ato raste të cilat konsiderohen si “politikisht të ndjeshme” apo “politikisht të paprekshme”. Gati të gjithë të intervistuarit kanë shfaqur dyshime në gjykatat vendore duke i konsideruar  ato të njëanshme dhe të varura nga faktorët e jashtëm.

Sa e komplikuar është çështja e pavarësisë së gjyqësorit më së miri e tregon rasti i reagimit të Odës së Avokatëve ndaj rekomandimit dhe urdhëresës së lëshuar nga Këshilli Gjyqësor e që ka të bëjë me qasjen e avokatëve dhe palëve të tjera në gjykatë, të nxjerrë ditë më parë. Qëllimi i rekomandimit dhe i urdhëresës është që të vendosë një rend shtëpiak nëpër gjykata dhe në këtë mënyrë të rrisë sigurinë brenda objekteve, si dhe të pengojë komunikimin joetik ex-parte.

Ky rekomandim dhe kjo urdhëresë nuk u pritën mirë nga avokatët, të cilët nën urdhrin e Odës së Avokatëve për disa ditë me radhë refuzuan të futen nëpër objekte të gjykatave dhe në këtë mënyrë cenuan të drejtat e klientëve të tyre. Mua nuk më habit aspak reagimi i avokatëve, sepse ky rekomandim i Këshillit Gjyqësor ishte i papritur. Kush mund ta kishte imagjinuar që një ditë një avokat nuk do të këtë të drejtë të trokasë në derën e gjyqtarit dhe të kërkojë informata lidhur me rastin. Pse jo? Kjo është një gjë që ka ekzistuar që nga koha e para-tranzicionit. Mendoj se ka qenë e domosdoshme që Këshilli Gjyqësor të njoftojë paraprakisht Odën e Avokatëve lidhur me rekomandimin dhe urdhëresën në fjalë dhe të kërkojë nga Oda mbështetje, mirëkuptim dhe përgjegjësi. Thjesht t’ua kujtoj çfarë nënkupton ex-parte komunikimi dhe çfarë rëndësie ka. Të informohen për standardet ndërkombëtare të cilat proklamojnë paanshmërinë e gjyqtarëve duke theksuar se “një gjyqtar duhet të shmangë çdo sjellje që mund të shkaktojë një shfaqje të anshmërisë” (Kodi i Standardeve Minimale të Pavarësisë së Gjyqësorit /IBA).

T’ua kujtoj se ekzistojnë rregullat e sjelljes gjyqësore të cilat ua ndalojnë gjyqtarëve angazhimin në komunikimet ex parte. T’ju tregojnë se avokatëve u ndalohet komunikimi me një gjyqtar jashtë pranisë së avokatit të palës kundërshtare. Kjo ka të bejë më rregullat e etikës ligjore. T’ju tregojnë së çfarëdo komunikimi i pahijshëm ex-parte midis gjyqtarit dhe avokatit krijon bazë për të inicuar procedurë disiplinore. T’ju tregohet se atyre u lejohet të komunikojnë me gjyqtarë, mirëpo çdo kontakt i tillë duhet të kryhet në përputhje me rregullat e etikës të cilat janë të dizajnuara për të siguruar pavarësinë dhe paanësinë e gjyqtarit. T’ju tregojnë që vetë fakti që një avokat mund të frekuentojë hapësirën ku janë gjyqtarët sa herë dhe kurdo që të dëshirojë, mund të krijojë dyshime. T’ju tregojnë se është e nevojshme të ndërtohet një mur i padukshëm rreth secilit gjyqtar i cili do ta bëjë atë të padukshëm në raste të caktuara.

E gjithë kjo është e nevojshme për të ndërtuar një kulturë të pavarësisë gjyqësore, që është esenciale për demokracinë, lirinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe zhvillimin ekonomik brenda një shoqërie.

Lexoni Gjithashtu

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Analizë

Memorandumi i mirëkuptimit midis Serbisë dhe BE-së, i nënshkruar më 19 korrik nën mbikëqyrjen e kancelarit gjerman, Olaf Scholz, e ka kristalizuar qasjen transaksionale...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.